DOSSIER

Sadik Premte: Hysni Kapon e zgjodha jo për inteligjent, por se e donin fshatarët

18:02 - 13.03.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




 

Dashnor KALOÇI

 

– Gazetari Dashnor Kaloçi ka botuar një libër për Sadik Premte, i cilësuar si kundërshtar politik i regjimit komunist. Në librin e Kaloçit vijnë dëshmi të rrëfyera nga vetë protagonisti, Premte. Në këtë kapitull të librit po publikojmë kujtimet e Sadik Premtes të shkruara prej tij (me makinë shkrimi) gjatë kohës që ai jetonte në Paris, të cilat mbajnë datën 27 janar 1950. Këto kujtime, të cilat janë pjesë e arkivit të tij personal dhe të trashëguara nga i vëllai, Zija Lepenica, janë shkruar duke iu përmbajtur  një kronologjie të jetës së Sadikut, nga origjina e familjes e deri në atë periudhë kohe që është ulur dhe i ka shkruar. Mendojmë se këto janë me mjaft interes, jo vetëm për këtë libër, por edhe për historiografinë e Shqipërisë, kryesisht të asaj periudhe që merret me historikun e grupeve komuniste në Shqipëri, themelimit të Partisë Komuniste dhe aktivitetit të saj për organizimin e Luftës Antifashiste gjatë periudhës së pushtimit italian të vendit.

Duke i parë këto kujtime të Sadik Premtjes nga këndvështrimi i sotëm, kur kanë dalë një sërë dokumentesh arkivore që hedhin dritë e ndriçojnë një sërë ngjarjesh që nga periudha e Monarkisë së Zogut e deri në vitin 1950, (kohë në të cilën ato janë shkruar), mendojmë se janë dhënë me shumë objektivitet. Dhe duke i paraqitur saktësisht ngjarjet dhe faktet që kanë të bëjnë jo vetëm me jetën e tij personale, por edhe ato që i përkasin periudhës së grupeve komuniste në Shqipëri, themelimit të Partisë Komuniste të Shqipërisë, rolit që kishin aty dy emisarët jugosllavë, Miladin Popoviç e Dushan Mugoshga, uzurpimit të kreut të PKSH-së nga Enver Hoxha e deri tek vija terroriste që ai ndoqi që nga ajo kohë dhe më pas për të likuiduar fizikisht disa nga krerët kryesorë të grupeve komuniste që ai i shihte si rivalë kryesorë apo pengesë në ambiciet e tij për kreun e Partisë, siç ishte Anastas Lula dhe Sadik Premtja. Ashtu si dhe pjesa tjetër e gjithë dokumenteve që përbëjnë arkivin personal të Sadik Premtjes, edhe këtë po e publikojmë të plotë dhe duke mos i bërë asnjë ndryshim nga origjinali si në aspektin ortografik ashtu dhe atë dialektor.

KUJTIMET E SADIK PREMTES

Menjëherë mbas dorëzimit të listës së celulevet të tre grupevet si dhe i gjithë materjalit (libra propagande, maqinë shkrimi, të holla etj.), Dushani me një anëtar të K.C., Tuk Jakovën, filluan të formojnë celulet e reja të Partisë, të përziera prej militantësh të çdo grupi. Prej drojtjes së militantëvet të Grupit të Rinjvet, nuk munguan të futin ndër celula një numër simpathizantësh të dy grupevet të tjerë, me qëllim që të kishin sa më shumë vota në zgjedhjet e komitetevet regjionale. Të tillë veprim e justifikonin duke thënë se n’atë kohë nuk kishte shumë militantë me kapacitetet e duhura. Po në një kohë, për të pasur shumicën, arritën të futin nër celula edhe njerëz që ishin susceptibël të bënin duble loje. Kjo tregon se atë nuk kishin frikë prej njerzish që u mungonte karakteri dhe edukata, por prej militantëvet të Grupit të Rinjvet. Megjithatë, n’atë kohë, frika e tyre ishte e pajustifikuarshme. Ai që nuk e ka ndërgjegjen të qetë druan gjithçka. Po të qe se drejtuesit e Grupit të Rinjvet do të dëshëronin poste, ata kishin mundësi, qysh në fillim, të mos ua besonin shokëvet jugosllavë emërimin e K.C. Nga ana tjetër, drejtuesit e Grupit të Rinjvet kishin në dorë t’ua impononin shokëvet në fjalë të drejtën e anëtarësisë së tyre në K.C., mbasi këta gëzonin besimin më të plotë nër militantët e grupit të tyre. Bile, përsa më përket mua personalisht, Anastasi e shokë të tjerë i kërkuan Miladinit që unë të bëja pjesë në K.C. me çdo kusht. Por unë, duke parë se Miladini vinte i shtrydhun, dhe për t’i bërë qejfin, e refuzova propozimin e shokëvet të Grupit t’onë.

Gjatë konferencës së delegatëvet për zgjedhjen e komitetit të qytetit të Tiranës (1941), një militant i Grupit të Rinjvet çohet kundër mënyrës së mbledhjes dhe e cilëson këtë si një mënyrë fashiste. Shoku në fjalë u inatos nga fakti që shoku Dushani, me anë dredhinash, donte të zgjithte kandidatët që i pëlqenin atij vetë. Siç shifet, këto fakte dhe të tjera gjëra më pak të rëndësishme, kontribuuan në lindjen e moskënaqësijë të përgjithshme nër militantët e Grupit të Rinjvet. Shokët e pakënaqur filluan të drejtoheshin nër drejtuesit e mëparshëm të grupit të tyre, kryesisht tek unë e Anastasi, për të shprehur pakënaqësinë e tyre. Nga ana jonë na i këshillonim që të mos drejtoheshin tek neve për punë që i përkisnin vetëm Partisë dhe jo individëvet. Na i këshillonim se për çdo faj ose gabim që të konstatonin, duhesh të drejtoheshin tek përgjegjësi i celulës së tyre. Na i këshillonim gjithashtu të mos revoltoheshin, sepse Partija ishte e re dhe se gabimet, natyrisht, ishin të paevituarshme. Megjithëkëtë, me gjithë faktin që unë e Anastasi bënim çmos për të qetësuar shokët e pakënaqur, duke folur gjithmonë në favor të Partisë, Miladini me K.C. na akuzonin si provokues të moskënaqësisë. Këto akuza na preknin fortë, sepse, ne që patëm kurajën politike të përballonim vështirësira më të mëdha, si gjatë okupasionit fashist, ashtu edhe ndën regjimin diktatorial të Zogut, do ta kishim po ashtu kurajën t’i opozoheshim haptazi edhe Miladinit, të cilin e patëm çliruar na vetë nga kamp’ i koncentrasionit dhe, vullnetarisht, i lamë çdo gjë në duart e tij. Jemi gjithnjë në kohën e organizimit të Partisë. Meqë në këtë kohë shokët e komitetit të Vlorës nuk njiheshin akoma prej popullsivet të katundevet, m’u desh të shkoja vetë në vend për të popullarizuar të paktën një shok tjetër e njëkohësisht të pregatitnja terrenin për përkrahjen e ilegalëvet të persekutuar nga fashizmi.

U pa e arsyeshme se shoku që duhej popullarizuar të ishte Hysni Kapo, jo sepse ky i fundit ishte më inteligjent e më i formuar nga shokët e tjerë të Vlorës, por sepse ky ishte si nga mosha ashtu edhe fizikisht (!) më i përshtatshëm për të fituar simpathinë e katundarëvet. Mbas arritjes sime në Vlorë, mendova se rekomandimi i thjeshtë i një shoku në katunde nuk ishte i mjaftuarshmë dhe se me katundarët duhesh bërë diçka më konkrete. Për mobilizimin e meshavet kundër okupatorit dhe, më vonë, kundër reaksionit të brendshëm, duhesh organizuar jo vetëm Partija, por edhe këshillat e katundevet. Kështu, të parat këshilla në Shqipëri, duke filluar në Vlorë, formohen nga unë. Përsa i përket këshillavet në fjalë, shokët Meladin e Dushan na bënë një kritikë me vend të cilën e pranova edhe unë vetë. Është fjala që këtyre organizmavet nuk duhesh t’u vija emërin sovjete (ato i quajta unë në fillim), por këshilla, mbasi fjala sovjet n’atë kohë tingëllonte si shumë e majtë.Mbas kryemjes së këtij shërbimi (shërbim në kohën kur isha akoma legal), kthehem në Tiranë ku prisja dita-ditës arrestimin ose hedhjen në ilegalitet.

Me rastin e demonstratës së 7 Prillit 1942, për arësye të një fjalimi të shkurtër që u mbajta demonstruesvet, hidhem në ilegalitet. Në këtë kohë fashistët fillojnë rrethime shpijash, kontrollime të shpeshta e vrasje. Jemi në ditët që vritet Qemal Stafa. Në mënyrë indirekte, mësoj nga një komshi se fashistët kishin rrethuar shtëpinë t’ime në të cilën, qysh prej demonstratës, nuk banonte më njeri. Një ditë, duke ndierë nevojën e një revolveri e të disa bombavet që kisha fshehur, vendosa të shkoj në shtëpi e t’i marr. Ndërkohë, një skuadër fashiste 7-8 vetash, pa e prekur portën e oborrit, kishte hyrë në shtëpi e po më përgjonte ditë e natë, gjer sa të më shtinte në dorë. Unë, duke menduar se rreziku mund të më vinte vetëm nga jashtë e jo nga brenda, hyj në oborr dhe, në momentin që matesh të mbëllyjë portën e oborrit nga brenda, fashistët më thërresin të ngre duart lartë. Duke mos hezituar asnjë sekondë, sepse e kishja vendosur një herë e përgjithëmonë të mos dorëzohem i gjallë, filloj të iki në mes plumbash që më drejtoheshin prej një largësije jo më tepër se 8-9 metra. Simbas raportevet të Dushanit, të botuara në librin “Marrëdhënijet Yugosllavo-Shqipëtare”, “në këtë kohë që unë shpëtoj mrekullisht nga plumbat e fashistëvet, dyshohet që unë të kem pasur lidhje me armikun”!

Për shkak të reaksionit fashist që sa po vinte e merrte proporsione më të gjëra në Tiranë, Partija më urdhëron të nisem për në Vlorë, pa marrë aspak mundimin të më pajiste me një kartë identiteti të rremë. Sapo arrij në Vlorë vihem në dispozicion të komitetit qarkor të atjeshëm i cili, duke çmuar cilësitë e mija dhe simpathinë e besimin që kishte populli i Vlorës karshi meje, më ngarkon të mbaj konferenca publike dhe njëkohësisht, konferenca për forcimin e ngritjen e nivelit politik të këshillavet të katundevet. Nuk kaloi shumë kohë dhe me një urdhër urgjent thirrëm prej K.C. të nisem menjëherë për në Tiranë. Edhe këtë herë K.C. nuk kishte marrë asnjë masë, natyrisht brenda mundësivet, për të mos rënë në duar të fashistëvet gjatë udhëtimit. Kjo ishte një shenjë që K.C. duke dashur të monopolizojë përgjithmonë direksionin e Partisë, kërkonte në një mënyrë ose në tjetrën, zhdukjen time dhe të Anastas Lulës. Po përmend këtu Anastasin sepse edhe ky, duke u ndodhur në të njëjtat kondita të Korçës, thirret me urgjencë të niset për Tiranë.Me arritjen t’onë në Tiranë, Miladini dhe K.C., duke patur konsoliduar deri diku, pozitën e tyre, konvokojnë një konferencë për të na gjykuar si njerëz me rrymë grupazhi. Në këtë konferencë, malum, bënin pjesë vetëm ata që ishin të tarafit të Hoxhës. Ja me pak fjalë thelbi i rezolucionit të konferencës: “Është konstatuar se ju të dy (d.m.th. unë e Anastasi) jo vetëm që nuk ini xhveshur akoma prej grupit por, ç’ka është më keq, ju ini ngjallësit kryesorë të kësaj fryme edhe nër shokët e tjerë të Grupit të Rinjvet. Duhet të pranoni se një frymë e tillë është një pengesë e madhe në rrugën e Partisë. Konferenca kërkon nga ju të konfesoni gabimet t’uaja e të bëni një autokritikë”.

Megjithëse në këtë konferencë, përveç Miladinit e klikës së K.C., asistonte edhe Mustafa Gjinishi i cili, rreth tre muajsh më parë, qe akuzuar prej Miladinit vet si njeri i Intelligent Servicit, unë e Anastasi nuk protestuam, por përkundrazi, lejuam vazhdimin e konferencës. Përgjigja jonë mbi akuzat në fjalë qe kjo:“Kur punët e Partisë nuk shkojnë mbarë, nuk do shumë mend për të kuptuar se ka diçka që i pengon. Dhe ne jemi plotësisht dakord me ju se kjo pengesë është frymë e vjetër e grupit. Por fryma e grupit nuk duhet shikuar në një mënyrë unilaterale. Si marksista, na duhet t’i zgjithim problemet t’ona me anën e materjalizmit dialektik. Ju e dini se s’mund të ketë kurrë efekt pa shkak. Fryma e grupit që çfaqet sot nër shokët t’onë është rezulltat i frymës së grupit që ekziston, në një shkallë akoma më të lartë, nër shokët e dy grupevet të tjerë që gjenden në Direksionin e Partisë. Zhdukja e frymës së grupit nër shokët drejtuesa, ka për të provokuar menjëherë zhdukjen e kësaj fryme edhe nër shokët e tjerë. Po meqë ju i kini dhënë vetvetes të drejtën e gjykatësit dhe, si të tillë, nuk mundeni të lejoni aspak të denoncohen edhe fajet t’uaja, neve s’na mbetet gjë tjetër veçse, për hirë të Partisë, të mbëllyjmë sytë. E përsërisim edhe një herë se zhdukja e frymës së grupit do të realizohet vetëm atëherë kur ju të ipni prova drejtësije dhe paanshmënije”. (Këtu dua të vë në dukje se gjatë ksaj konference nuk pranonte aspak që anëtarët e K.C. të kishin frymë grupi, ndërsa në librin “Marrëdhënijet Jugosllave-Shqipëtare” vërtetohet se një frymë e tillë ka ekzistuar edhe në gjirin e K.C.).

Më në fund, konferenca mbyllet prej shokut Meladin me këtë deklaratë: “Në qoftë se K.C. vendos t’u përjashtojë nga Partija dhe, po në një kohë, duke marrë në konsideratë cilësitë t’uaja si revolusionarë të vjetër, vendos të mbaj kontakte me ju, a jeni gati të konfirmoheni me vendimet e tij? Nga ana tjetër, po ju vëmë në dije se po të merrni një qëndrim armiqësor, Partija ka për të marrë masat më të rrepta kundër jush”.Ishte aqë evidente saqë edhe një fëmi mund t’a kuptonte se K.C. i Partisë nuk ishte veçse një etiketë dhe se K.C. i vërtetë ishin Miladini e Dushani vetë.Un’ e Anastasi, që e donim Partinë më tepër sesa jetën t’onë e që shpresonim se punët do të përmirësoheshin, jo vetëm që nuk mund të merrnim një qëndrim armiqësor karshi Partisë por, përkundrazi, pranuam të qëndrojmë gjithënjë në dispozision të sajë. Qysh atëherë, me gjithë pranimin e bashkëpunimit të propozuar nga Miladini, filluam se ataket sistematike të këtij të fundit nuk do të sillnin ndonjë përmirësim të situatës s’onë. Sjellja e tij na bëri të dyshojmë se ky nuk ishte komunist dhe se, ndën maskën e komunizmit, donte të formonte një klikë vetëm e vetëm për t’i sjellë shërbim vendit të tij.

Megjithatë, na vendosëm t’ia linim K.C. përgjegjësinë e konsekuencavet të kësaj situate. Preferuam të tregoheshim tolerantë sesa të provokonim një scission në Parti. Megjithëse të përjashtuar nga Partija, kemi kryer në mënyrën më të ndershme çdo punë që na u besua. Mirëpo, për fat të keq, ndershmënija dhe konshienca revolusionare e irritonte klikën e Hoxhës. Revolusionarët që gëzonin një simpathi të madhe nër militantët e Partisë dhe në massat duhet të eliminoheshin. Për t’i arrijtur qëllimit, klika e Hoxhës ngarkon me mission agjentët e saj më besnikë për të vëzhguar aktivitetin e çdo militanti të ish-Grupit të Rinjvet dhe veçanërisht aktivitetin t’im e të Anastasit. Na, sado që e konstatuam shumë shpejt një vëzhgim të tillë, nuk protestuam për të vetmen arësye pse e dijshim që në një Parti Komuniste është i nevojshëm kontrollimi i shokëvet. Mirëpo ajo që na revolltonte qe fakti se si kontrolluesa qenë ngarkuar persona që nuk kishin arrijtur as minimumin e edukatës marksiste dhe, si rrjedhim, nuk ishin të kualifikuar për një detyrë të tillë; detyrë në të vërtetën shumë delikate, sepse një shok i paedukuar dhe i pazoti t’i gjykojë gjërat ashtu siç janë, arrin të bëjë raporte jo ekzakte dhe merr më qafë shokët që i janë caktuar të kontrollojë. P.sh. një nga ata që qenë.

Fundi i pjesës së parë. (vijon nesër)


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.