SPORT

Reagon Starova: Unë jam legjendë e futbollit, Duka një dështim…

14:30 - 15.03.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Trajneri i Partizanit, Sulejman Starova, i është përgjigjur me nota kritike presidentit të FSHF-së, i cili tha se Partizani po e përdorin të dështuarit. Në një prononcim për “Panorama Sport”, ai i ka përmendur Dukës faktin që ka zhdukur demokracinë në institucionin e futbollit dhe ndikon drejtpërdrejtë në vendimet e organeve juridike të FSHF-së. Dje, presidenti i federatës është pyetur për deklaratën e “Bobit” se FSHF po heq tifozët nga stadiumet dhe ky i fundit, ndër të tjera, e ka cilësuar si të dështuar Starovën… Nuk e di nëse Duka e ka pasur saktësisht për mua këtë deklaratë. Por, nëse e ka pasur për mua, po ju them se është tërësisht gabim dhe se dështimi i futbollit është ai dhe jo unë”. I pyetur se pse mendon se Duka është dështim futbolli, Starova u përgjigj: “Sepse ai zotëria, kur u ul në postin e presidentit të federatës, e gjeti atë institucion duke funksionuar me parimet demokratike. Kishte demokraci dhe zhvillim në futboll. Ndërsa sot ka zhdukur tërësisht demokracinë dhe e ka privatizuar atë institucion. Ka dëm më të madh se ky për futbollin tonë?!” Më tej, “Bobi” shton: “Duka nuk dëshiron që titullin ta marrë Partizani. Natyrshëm që tifozët e Partizanit e kanë drejtuar gishtin nga ai. Pse kaq naivë i dinë njerëzit këta të federatës sa të besojnë se komisionet vërtet mblidhen dhe shqyrtojnë materialet që kanë para?! Jo mor jo, mblidhen dhe presin telefonatën e tij. Ai vendos se kush dënohet dhe sa dënohet dhe ky është shkatërrim i futbollit. Nuk mund të ketë zhvillim kur njerëzit e shohin se nuk funksionon as demokracia dhe as drejtësia. E përsëris edhe një herë: nuk e di nëse e ka për mua, por i dështuari është ai. Më thoni vallë ku kam dështuar: Si futbollist? Kurrsesi, kam qenë pjesë e Kombëtares. Si trajner? Kam fituar tituj kampionë dhe e dinë gjithë shqiptarët. Si drejtues federate? Jo, shumë gjëra kur isha sekretar funksionin shumë më mirë se sa tani. Pastaj, nëse mendon se jam i dështuar, gënjen sërish, sepse pak muaj më parë më dha me dorën e tij medaljen “Legjenda e Futbollit Shqiptar”…

Lexoni më poshtë se çfare tha Duka për Partizanin.

Nga Jeton SELIMI

– Në një intervistë për programin “SportNews” në televizionin “News24”, presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armando Duka ka folur për të gjitha çështjet që e shqetësojnë momentalisht futbollin në vendin tonë. Duke filluar nga kandidimi i tij për një vend në komitetin ekzekutiv në UEFA-s, akuzat e drejtuesve të Partizanit, mungesën e tifozëve në stadiume si dhe pronësinë e stadiumit “Loro Boriçi”, Duka u ka dhënë të gjitha pyetjeve një përgjigje.

Po zhvilloni një fushatë intensive duke bindur federatat europiane për kandidimin tuaj në komitetin ekzekutiv; do ta kemi Shqipërinë një anëtare e ekzekutivit të UEFA-s?

Eksperiencë e re, eksperiencë që më bind që nuk kam bërë gabim që kandidoj për një vend në komitetin ekzekutiv. E mira do të ishte që të finalizohej me një anëtarësim në komunitetin ekzekutiv të UEFA-s, por gjithsesi, edhe nëse jo, më jep goxha energji pozitive, dhe vetë fakti për të kontaktuar federatat, kolegët dhe për të diskutuar probleme të ndryshme është një eksperiencë pozitive.

Tifozët e Partizanit, por edhe klubi ka lëshuar akuza të ashpra për ju, por edhe për anëtarët e Komisionit të Disiplinës…

I kam dëgjuar. Nuk është se më vjen mirë, janë gjëra që ndofta i kam dëgjuar edhe në të kaluarën me ekipe që nuk kanë qenë të kënaqur me vendimet e institucioneve të federatës’ do doja shumë t’i konsideroja emocionale, megjithëse në rastin konkret nuk janë të tilla. Por institucionet, Komisioni i Disiplinës janë të detyruar të zbatojnë rregulloren. Futbolli është lojë, është i bukur, duhet të përcjellë mesazhe paqeje, duhet të jetë i argëtueshëm për njerëzit, e jo të kthehet në hall apo në një vend ku demonstrohet violencë, në një vend ku demonstrohen fenomene negative. Unë si gjithë të tjerët e kuptoj që futbolli është për njerëzit, për tifozët; të gjithë ne punojmë sa më shumë, promovojmë sa më shumë, që shkallët e stadiumit të kenë më shumë njerëz, por askush nuk ka të drejtë që nëpërmjet violencës të largojë shumicën e qytetarëve shqiptarë që duan ta shijojnë si lojë në paqe. Në asnjë rast, asnjë organ i Federatës Shqiptare të Futbollit, asnjë individ i komunitetit të futbollit nuk mund të ketë tendencën ndryshe përveç zhvillimit të lojës dhe sjelljes së mesazheve pozitive nëpërmjet lojës.

Presidenti Demi, por edhe Starova, kanë hedhur akuza ndaj jush duke iu akuzuar për zbrazje të stadiumit, por edhe për ndikim të drejtpërdrejtë në garën për titull…

E thashë edhe më parë, do doja të ishin emocionale, megjithëse nuk janë të tilla. Dikush mund të ketë strategjitë e tij personale dhe realizimin e ëndrrave të tij personale në kurriz të klubeve. Është një politikë e gabuar, klubet duhet të bëjnë politikën e futbollit dhe jo të kënaqin interesat e ndonjë individi të dështuar.

Realisht, çfarë po ndodh me stadiumet shqiptare? Ka një zbrazje, një ftohje të tifozëve…

Numri i spektatorëve që ndjekin futboll në Shqipëri është në rritje, dhe ky është një fakt pozitiv i pakundërshtueshëm. Interesi për futbollin në Shqipëri është gjithmonë në rritje; kjo tregohet nëpërmjet statistikës së numrit të futbollistëve, njerëzve që luajnë futboll, me një progres të jashtëzakonshëm, ndoshta e ndikuar më shumë nga arritjet në Europë. Pasqyrimi gjithashtu i lojës është i mirë, kështu që, unë uroj që progresi të jetë akoma më i madh dhe sa më shumë të mbushen stadiumet me spektatorë.

Flitet për një garë të fortë, një kampionat të bukur, por në fakt të gjithë akuzojnë për tolerime apo aleanca me njëri-tjetrin…

E kam dëgjuar; gabim shumë i madh! Gabim që ndoshta nuk ka lindur në këtë sezon, që e ka shoqëruar botën e futbollit dhe më parë, por sot, ndofta për arsyen se ekzistonte një ego e etshme për ta fituar titullin, ndoshta sepse kjo ka edhe interesa ekonomike, janë shtuar edhe akuzat për njëri-tjetrin. Unë mendoj që drejtuesit e klubeve duhet ta konsiderojnë veten si bashkëpronarë të kësaj loje, si bashkëpronarë të këtij produkti të cilin duhet ta zhvillojnë sa më shumë. Nuk duhet ta ndotin në mënyrë të padrejtë, ndofta në ndonjë rast të drejtë, por në shumicën e rasteve të padrejtë. Duhet të ketë një qasje ndryshe, një strategji ndryshe për këtë çështje.

Për çështjen e Skënderbeut, kur do të kemi një përgjigje nga Komisioni i Etikës?

Komisioni i Etikës ka filluar një hetim pas zbardhjes së vendimit nga KAS-i, duhet të marrë kohën e vet, duhet të marrë dhe provat parasysh. E më pas do të dalë me një vendim përfundimtar se çfarë mase do të ketë ose nuk do të ketë.

Stadiumi i “Loro Boriçit”, kërkohet tartani dhe mobilimi i palestrave…

Tartani ka filluar, dhe besoj se do të jetë çështje ditësh përfundimi i montimit, dhe këtu projekti ynë përfundon, i FSHF-së. Nëse do të ketë fonde të tjera për palestrat apo për të gjitha bizneset e tjera që ka rreth e përqark stadiumit, kjo nuk është një kompetencë e Federatës Shqiptare të Futbollit.

Kur mund të bëhet dorëzimi i stadiumit në Bashkinë Shkodër?

Me sa di unë, procesi i dorëzimit ka filluar. Nuk e di kur përfundon, sepse është proces teknik.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.