EKONOMI

Nuk shiten pajisjet televizive të ALSAT. Ankandi i dytë, çmimi zbret në 80 mijë euro

11:21 - 20.03.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Ankandi i parë për shitjet e disa pajisjeve televizive të ish-televizionit ALSAT ka dështuar, duke i detyruar përmbaruesit të ulin çmimin dhe të shpallin një ankand të dytë deri në datën 23 mars.

Pajisjet në shitje janë: instalimet teknike specifike me nr. Llogarie 2131+2183, skenografinë me nr. llogarie 21802, studio Skaner – Botërori 2010 me nr. Llogarie 218020 dhe pajisje zyre dhe informatike me nr. llogarie 21820, sipas Marrëveshjes Barrë Siguruese Nr.337 Rep., Nr.171 Kol., datë 17.06.2014.

Ndërsa vlera e tregut të tyre ishte 142 mijë euro dhe çmimi fillestar në ankandin e parë u caktua 113 mijë euro, pas rivlerësimit të ri, në ankandin e dytë çmimi ka zbritur në 79.6 mijë euro, sipas njoftimit nga kompania përmbarimore TDR Group.

Shitja bëhet për llogari të Bankës Veneto, ndaj së cilës ALSAT ka një kredi, ku dorëzanës ka qenë dhe shoqëria e tregtimit të naftës Kuarta. Të dy kompanitë kanë qenë pjesë e grupit tashmë të falimentuar, Taçi Oil.

Kuarta (tregtuesi me pakicë i IT Oil – ish-Taçi Oil) ka qenë një nga kompanitë më të mëdha të tregtimit me pakicë të karburanteve në vend. Në qershor 2016, kompania ka kaluar me status të pezulluar. Ndërsa në korrik, mbi të kanë vërshuar një sërë urdhrash për sekuestro konservative. Kuarta u hap në vitin 2012, si tregtuesi me pakicë i shoqërisë IT Oil, që mori aktivitetin e Taçi Oil, pasi Rezart Taçit, që shiti 85% të aksioneve të ARMO-s tek azerët, iu ndalua në kontratë aktiviteti i tregtimit të naftës. Deri në vitin 2013, aksioner i Kuarta ishte Rezart Taçi, një nga sipërmarrësit më të mëdhenj të naftës deri pak vite më parë, teksa kompania e tij, Taçi Oil International, arriti të bëhej e treta më e madhe e tregtimit të naftës në vitin 2010 me një xhiro rreth 100 milionë dollarë. Në korrik të vitit 2013 u realizua shitja 100% të kuotave të shoqërisë Kuarta nga ortaku Rezart Taçi në favor të Irgen Selfo.

Alsat (edhe ai pjesë e Taçi Oil Group) u mbyll në qershor 2015. Sipas të dhënave të bilancit të vitit 2013, realizoi një qarkullim vjetor prej  323 milionë lekësh në vitin 2013 (rreth 2.3 milionë euro), me një rënie prej 33% në raport me një vit më parë. Sipas xhiros, Albanian Screen ishte në atë kohë televizioni i katërt më i madh në vend, pas Top Channel, Klan dhe Vizion Plus. Për periudhën 2012-2013, televizioni rezultoi me një humbje prej rreth 30 milionë lekësh, përkatësisht për secilin vit. Edhe lista e urdhrave të sekuestros mbi Alsat është shumë e gjatë, ku një pjesë të konsiderueshme e zënë individët (kryesisht ish-punonjës), që kërkojnë sigurimet dhe pagat e prapambetura, pasi e kanë fituar këtë të drejtë në gjykatë.

Monitor


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.