Nga E. E. SHERGALIN
Ivan Ivanoviç Puzanovi ka qënë një nga Ornitologët e njohur në ish Bashkimin Sovjetik , teksa Vasili Vasileviç Puzanovi , po me të njëjtin mbiemër , praktikisht nuk njihet prej askujt .
Ndërkohe Vasil Vasileviç Puzanovi është një nga themeluesit e Ornitologjisë në Shqipëri .
Vitet e fundit Shqipëria ka hyrë vrullshëm në rrugën e zhvillimit duke shkundur nga supet pluhurin politik të kataklizmave të shek. XX-të .
Ka ardhur koha që edhe tek ne të përkujtohen njerëzit me emrat e të cilëve ne mund të krenohemi. Po ja lemë fjalën mbesës të kushërirës të parë të V.V. Puzanovit , Tatjana Valerianova Fremelit , nëna e së cilës Kira Nikollajevna Gamelei , në rininë e saj ka pasur miqësi me kushërirën e saj Tatjana Aleksejevna Pashkoven , dhe që të dyja ishin kushërira të para të V.V. Puzanovit . Me T.A.Pashkoven kishte rënë në dashuri shkrimtari i njohur Rus në emigracion Gajto Gazdanov ( 1903 – 1971) e pikërisht ajo i ka shërbyer atij si prototip për portretin e heroinës kryesore në romanin e njohur te tij “ MBREMJE TEK KLERI “ . Vasil Vasiljeviçi e frekuentonte shpesh këtë shoqëri djemsh të rinj. Vasil Vasiljeviç Puzanovi ka lindur në vitin 1884 në fshatin Peni të guvernës së Kurskut në çifligun e babait të tij Vasil Fjodoreviç Puzanovit.
Nëna e tij Olga Vitaljevna me mbiemrin e rinisë Pashkova , e kishte prejardhjen nga një fis i lashtë obortarësh që mbas Revolucionit ra në varfëri . Ajo u martua me burrin e saj mbas një dashurie pasionante dhe kundër vullnetit të prindërve të saj .
Vasil Fjodoreviç Puzanovi obortar , njeri shumë i sjellshëm dhe tërheqës dhe për mbi të gjitha i sëmurë rëndë . Ata patën lindur katër djem nga të cilët mbijetuan vetëm dy ; me i madhi Vasja dhe me i vogli Shura . Mbasi i vdiq burri Ollga Vitaljevna , shkoi të jetojë në Harkov tek prindërit e saj , sëbashku me dy djemtë .
Prinderit e saj Vitali Kuzmiç Pashkovi dhe Nadjezhda Petrovna , me mbiemrin e vajzërisë Hanzhenkova , në shtëpinë e tyre kishin krijuar një atmosferë të kulturuar dhe ambient të punës krijuese. Vitali Kuzmiçi ishte shkrimtar publicist dhe kompozitor ( kjo përmendet edhe ne Historinë e Qytetit të Harkovit ) , kurse bashkëshortja Nadezhda Petrovna Pashkova luante në piano , kurse nipi i saj A.A. Hanzhenkov njihet si themeluesi dhe regjisori i parë i kinematografisë ruse .
“ Në të vërtetë shtëpia e prindërve të mi ishte një fole oborrtarësh “ . Në qendër lartësohej një ndërtesë tre katëshe me dy anekse në të dy krahët , kurse nga prapa ishte një kopsht i madh .
Familia nuk ishte e pasur , ndaj dy katet e para i a kishte dhënë me qira një spitali , në aneks banonte vejusha Gazdanova me djalin e saj Gajdo .
Prindërit e nënës sime ishin ndarë qysh herët kut ajo ishte 4-5 vjeç , ndaj ajo jetonte në Kharhov tek teto Lola . Vasia i a bënte qefin duke prurë nga gjuetia gjëra të çuditëshme 9 madje njëherë pruri një ari të vogël ). Vasia studio në Universitetin e Kharhovit ( fakulteti Bio ose Gjeografi ) .
Mori pjesë në levizjen revolucjonare , në vitin 1905 , u arestua , u bë antar i partisë Esere (Social-revolucionare Ruse ). Olga Vitaljevna ishte motra e madhe e gjyshes sime , Antonia Vasiljevnës. Olga Vasiljevna ishte shumë mikpritëse , kështu në ç’do verë në çifligun e saj , në Peni , vinin gjithë të afërmit dhe miqtë. Peni ishte një katund i madh tregëtar , ku ç’do vjeshtë bëhej panairi. Peni kishte intelektualet e vet , këta ishin femijët e priftit ; studentë , mjeku i spitalit lokal , gjyqtari i pajtimit, N.G.Gamalein . ( Aty gjyshja ime u njoh me burrin e saj të ardhshëm N.G. Gamalein ). Me sa duket aty ai jepte mësim ( 1912 ). Vasia binte shokët e vet studentë dhe kësisoj krijohej një shoqëri e gëzuar dhe e larmishme . Në këtë periudhë Vasili vizitoi Afrikën dhe prej andej pruri lëkurë luanësh. Ekspedita ne Afrikë u organizua nga Profesori i Universitetit të Kharkovit zoologu Vladimit Troicki .
A ka mare pjese Vasia në Luftën e Parë Botërore të viteve 1914-1917 , kjo nuk dihet . Miqtë e tij , djemtë e priftit të lokalitetit , kanë marë pjesë dhe aty janë plagosur dhe janë gjymtuar ( kujtonte nëna ime ) .
Gjithsesi në vitet 1918-1919 në Kharkov ai nuk është parë ( në këtë periudhë nëna ime ka studjuar në Institutin e Mjekësisë të Kharkovit ) .
Në Çekosllovaki , në emigracion Vasia u njoh me Viktori Valc ( gjithë simbas fjalëve të gjyshes time ).
Me sa duket deri atëherë d.m.th. rreth viteve 1933 – 1934 ka pasur komunikuar me Rusinë , mirëpo me pas ju është thënë se të komunikosh me të afërmit ne Rusi ishte e rrezikshme .
Nëna e tij teto Lola dhe kushëriri i parë i saj Pavël Pashkovi emigruan dhe përfunduan në ishujt Principë ( jo larg Kostandinopojës ) dhe aty vdiqën .
FISI I PASHKOVËVE
Sipas gojëdhënave , perandoresha Ekaterinë e II-te i dhuroi oborrtarit te saj të privilegjuar një pallat lluksoz ndërtuar nga arkitekti i njohur Bazhenov .
Më vonë aty u vendos Muzeumi i Rumjancevit , e sot në një pjesë të tij është biblioteka LENIN .
Në fund te shek. XVIII-të , Ekaterina e II-të ngarkoi kryebashkiakun e qytetit te Kharkovit të ngrinte një Institut Popullor i cili më vonë shndërrohet në Universitetin e Kharkovit. Gjithë sipas gojëdhënave , trualli rreth Universitetit – kodra universitare – ishte dhurate e Pashkovit për qytetin. Ky Pashkov është gjyshi apo stërgjyshi i shkrimtarit tonë , publicistit Vitali Kuzmiç Pashkovit ( gjyshi I V. Puzanovës ) .
Fisi u rrënua ahere kur Pashkovi u dha mbas ndërtimit të godinave me anekse ballore dhe puseve arteziane ( gjith simbas fjalëve të nënës ) .
P.S. Në periudhën e emigracionit Vasia me sa duket ka pasur korespondencë me Gajdo Gazdanovin sepse Gajdo filloi tu shkruante të afërmve në Kharkov , kuse Vasia i shkruan Kirës në Moskë , ( pothuajse në të njëjtën kohë ) , në vitet 1960.
Rrugëtimi i Vasil Vasiljeviç
Pra është e qartë se ç’rrugë dhe zhvillim ka ndjekur formimi intelektual i Vasil Vasiljeviç Puzanovit , e cila më vonë do të mahnisë kolegët Shqiptarë që për hir të fatit u takuan me të .
Një ndër ta disidenti i njohur Shqiptar Maks Velo , mbase thuajse gjysmë shekulli më vonë pasi kishin vdekur bashkëshortët Puzanovë , në shkrimet e veta , vazhdoi të tregojë për këtë çift të mrekullueshëm .
Dhe pikërisht falë përpjekjeve të tij dhe jo të kolegëve të Institutit Zoologjik të Shqipërisë , ne aritëm të sigurojmë disa tablo dhe fotografi të varreve të Puzanovëve .
Gjithë jetën e vet V.V.Puzanovi ka qënë një gjahtar i apasionuar dhe ballsamosës (taksidermist) i shkëlqyer . Ai ka shkuar deri në Afrikë për të gjuajtur . Më vonë , për këtë udhëtim jane krijuar shumë legjenda , që po të shihen hollë-hollë një pjesë e tyre janë fakte reale .
Ky udhëtim ka pas lypur shumë para , porse për shpenzimet financiare Vasilin e mbështeti një mik i familjes , drejtor i disa fabrikave të sheqerit , Solomon Petroviç Shleer , me vajzën e të cilit në rini të vet pat rënë në dashuri Vasili . Shleeri ofroi shumën e nevojshme për ekspeditën .
Në një nga ekspeditat e veta , i riu Vasil takoi një zezake . Midis tyre lind një roman , dhe si rezultat kemi lindjen e një fëmije . Kështu që nuk përjashtohet mundësia që në një nga vendet e Afrikës të jetojnë pasardhësit e Vasil Puzanovit. Fatkeqësisht ne nuk dimë në ç’vënd ka ndodhur kjo histori. Dimë vetëm që ekspedita ka shkuar në perëndim të bregut të liqenit Viktoria ( Krivcov 2011 ). Sidoqoftë bashkëshorte e ligjshme e Vasil Puzanovit ishte destinuar të bëhej një grua tjetër – Viktori Aleksejevna , me mbiemrin e vajzërisë Valc ( simbas disa të dhënave të tjera Ranherer apo Rahner ) e cila kishte lindur në Rusi në Rostov , në një familje aristokrate në vitin 1883 . Në vitin 1917 , në moshën 24 vjeçare ajo e la Rusinë përgjithmonë , së bashku me valën e emigracionit të bardhë . Vetë Vasil Puzanovi , duke qënë oficer i ushtrisë të shpartalluar të A.I.Denikinit , u detyrua të braktisë Rusinë në vitin 1920 . Për hir të së vërtetës duhet të themi : meqënëse në rini ai kishte simpatizuar marksizmin , duhet të kalonte në Ushtrinë e Kuqe , gjë që nuk ndodhi. Sipas dëshmisë së T.V.Fremel , bashkëshortët e ardhshëm u njohën kur ndodheshin në Çekosllovaki . Fatkeqësisht ne nuk e dimë se kur kaluan nga Çekosllovakia në Mal të Zi , d.m.th. në Mbretërinë e Sërbëve , Kroatëve dhe Sllovenëve .
Dimë që Vasili është vendosur në Beograd , mbasi ka kaluar nga Franca dhe Italia . Viktori Aleksejevna ishte piktore dhe jepte mësime vizatimi në gjimnazet e qyteteve Mitrovicë dhe Prizren . Paralelisht me këtë punë ajo ka pikturuar dhe ikonostasin e Kishës të Shën Car Uroshit në qytetin e Uroshevacit . Kjo grua e talentuar kishte një prirje të veçantë ndaj artit . Ajo jo vetëm studioi për skulpturë në Shën Peterburg por përvetësoi shumë mirë dhe mjeshtërinë e restaurimit të ikonave .
Puzanovët në Shqipëri
Ata erdhën nga Kosova në qytetin e Shkodrës nga vitet 1943 apo 1944 të frikësuar prej regjimit fashist . Gjithë kohën e qëndrimit në Shkodër , një ndër qendrat shkencore dhe kulturore me zë të Shqipërisë , ata banuan në shtëpinë e marangozit Vlash Deda .
Në vitin 1948 Puzanovët erdhën në Tiranë , ku ish krijuar Instituti i Shkencave të Shqipërisë .
Aty filloi punën Viktori Aleksejevna duke krijuar Sektorin e artit Mesjetar ( Maks Velo 2004 ) .
Deri në fund të jetës së saj ajo u mor me artin Shqiptar të Bizantit , duke ja përkushtuar gjithë jetën restaurimit të ikonave . Në Shqipëri ajo ndërmori një sërë ekspeditash në të gjitha anët e vëndit nga Veriu në Jugë dhe nga Lindja në Perëndim .
Rezultat i gjithë këtyre ekspeditave është një mori e madhe artikujsh botuar në revistat shkencore dhe kopjimi i 32 afreskave që sot ruhen në Muzeun e Artit Mesjetar të qytetit të Korçës .
Në thelb kjo ishte një punë hulumtuese e ikonave dhe afreskave që bëhej për herë të parë dhe që ndihmoi për të kuptuar rëndësinë e tyre si pjesë e kulturës nacionale.
Viktori Puzanova për herë të parë studioi në baza shkencore dhe bëri publike krijimet e artit mesjetar të Shqipërisë ( Kamenskaja , Zhugra 2001 , Velo 2004 ).
Botimi i parë i punimeve të Viktori Aleksejevnës pa dritë në vitin 1953 , kurse gjithsej botoi 8 punime shkencore . Ndërkohë ajo ka bërë shumë ikona për porositësit privatë dhe për kishat e vendit . Në kishën ortodokse të Serbisë në Beograd ( në qendrën e Patriarkanës ) ruhet kopja e afreskut të njohur “ Vajtimi i Krishtit “ ( shekulli i XII-të ), nga Katedralja e Shën Pantelejmonit që ndodhet në Manastirin e Nerezit , jo fort larg qytetit të Shkupit në Maqedoni .
Në qershor të vitit 1997 në Beograd në “Shtëpinë e Rusisë “ u hap ekspozita me veprat e piktorëve rusë emigrant të koleksionerëve privatë të Beogradit . Aty ishte ekspozuar dhe një tabllo e V.A.Puzanovës “ Tigrat e vegjël “ nga koleksionistja Sonja Bogdanoviç .
Vasil Vasiljeviç Puzanovi është një ndër entuziastët që krijuan Muzeun e Shkencave të natyrës në Tiranë. Puzanovët nuk kishin fëmijë , kështu që ata i u dhanë me mish e me shpirt tërësisht shkencës .
Ata jetonin në një shtëpi të vogël bashkë me vëllanë e vogël të Vasilit , Aleksandrin , i cili bënte pazarin , duke i liruar plotësisht Vasilin dhe Viktorinë nga punët e shtëpisë dhe duke i u dhënë mundësinë që të përkushtoheshin tërësisht punës krijuese .
Gjithë periudhën që jetuan në Tiranë deri sa vdiqën Puzanovët kishin me qira një dhomë në shtëpinë e doktor Kadri Kërçikut .
Në vitin 1956 të tre ( Vasili , Aleksandri dhe Viktoria ) morën nënshtetësinë Shqiptare .
Penës të Vasil Puzanovit , me bashkëautorë kolegët e vet shqiptarë, i përkasin një sërë punimesh për faunën e grupeve të ndryshme të vertebrorëve .
Lista e shpendëve të Shqipërisë e përgatitur së bashku me Fotaq Lamanin dhe Islam Zekon dhe e botuar pjesë , pjesë në vitet 1962-1963 , ka qenë në vazhdën e 30 vjetëve ( nga fillimi i vitit 1960 e deri në vitet 1990 ) , nga punimet më të cituara për zogjtë e Shqipërisë në të gjitha Buletinet dhe përmbledhjet mbi faunën e shpendëve të Europës . Vasil Vasileviçi ka dhënë leksione për lëndën e biologjisë në Universitetin e Tiranës. Për kolegun e tij Fotaq Lamani ka treguar shkëlqyeshëm në faqet e librit të vet Eugjen Novak ( Novak 2009 ) .
Shumë i dhimbshëm dhe tragjik është fati i shokut të Vasilit , ornitologut Islam Zeko-s , njohës i shpendëve grabitqarë ; para lufte ai kish punuar mësues biologjie në Gjimnazin e Tiranës .
Si u krijua Universiteti , ai u bë profesor i zoologjisë . Ai ishte pensionist kur një vrasës kriminel i panjohur në vitin 1988 e grabiti dhe e vrau . ( Atë e gjetën të vrarë në apartamentin të lidhur mbas karriges ) . ( Novak 2009 )
Teksa V.V.Puzanovi është i përmendur jo vetëm si zoolog dhe pedagog por dhe si taksidermist
( ballsamosës ). Shumë nga eksponatet e Muzeut Zoologjik janë bërë nga duart e tij .
Pikërisht në këtë punë ai derdhi gjithë shpirtin dhe talentin e tij . Ne mendojmë se dhe bashkëshortja Viktoria Aleksejevna me shijen e saj të hollë artistike , shpesh konsultohej me të në punën krijuëse q ëish mjaft e ndërlikuar . Me sa duket puna shumëvjeçare me solucione helmuese duhet të ketë qënë shkaku i vdekjes të parakohëshme të Vasil Vasiljeviçit .
Vitet e fundit të jetës ai ka qënë i sëmurë rëndë . Mbasi kaloi disa muaj në spital , ai vdiq nga kanceri në vitin 1964 .
Në vitet e fundit Viktori Puzanova po ashtu vuajti shumë nga sëmundje të ndryshme (sidomos nga Parkinstoni). Mjekët Shqiptarë e këshilluan të shkonte të vizitohej dhe kurohej ne BRSS.
Viktoria pyeti të afërmit e Vasilit në Moskë për udhëtimin dhe u pregatit të vizitonte atdheun e dashur. Vajtjen e pengoi prishja e marrëdhënieve të BRSS me Shqipërinë e vitit 1961 në kohën kur BRSS u acaruan marrëdhëniet me Kinën e Mao Tce Dunit dhe Shqipëria filloi të orientohet e të bënte një politikë për forcimin e miqësisë me Perandorinë Nënqiellore (1962-1976) megjithse nga 1948 deri në 1961 ajo ishte pjesë e bllokut socialist.
Muajt e fundit të jetës Viktori Aleksejevna i kaloi në shtëpi nuk u shtrua në spital; për të u kujdes vëllai i të ndjerit Vasil Aleksandri, i cili mbas vdekjes së saj do të ngelej vetë.
Fotografitë unikale që po botojmë i disponojmë falë miqësisë të ngushtë shumëvjecare të familjes të Puzanovëve me Llambi Durollin, i cili i adhuronte dhe respektonte në mënyrë të shkëlqyer.
Lidhur me këtë Maks Velua në librin e vet shkruan: “ Viktoria dhe Vasili ndjenin dashurinë e madhe të Llambi Durollit ndaj familjes së tyre. Llambi ishte Drejtori i Muzeut në Vlorë. Ata ishin njohur në kohën kur Viktoria organizonte ekspedita në kishat e vjetra përgjatë bregdetit të Vlorës. Puzanovët shumë herë i kanë kaluar pushimet në Jugë tek Durollët….Dhe pikërisht në Puzanovët unë takova për herë të parë Llambin, i cili jo vetëm e njihte mirë historinë e zonës së Vlorës, por ishte dhe njeri i jashtëzakonshëm nga mirësia…”
Kur Shqipëria preu marrëdhëniet me Bashkimin Sovietik, ambasadori i BRSS u propozoi Puzanovëve të ktheheshin në atdheun e tyre. Por në këtë kohë si Vasili dhe Viktoria ishin dashuruar me këtë vend të vogël, ku kaluan një pjesë të mirë të jetës që në një mënyrë kishte zëvendësuar atdheun e tyre. Dhe pikërisht në të mirë të Shqipërisë ata kishin punuar me përkushtim e dashuri, kishin takuar njerëz të mrekullueshëm e kishin miq të vërtetë ndaj vendosën të refuzojnë propozimin e ambasadës.
Në një letër që V.A. Puzanova i dërgonte të afërmve në Moskë në 12 Shkurt 1959 hasim këto rreshta. “Ne jetojmë mirë, të dy punojmë në Universitet, gjithsecili në specialitetin e vet, Vasili është zoolog, unë piktore, tani edhe historian. Aleksandri është me ne, ai nuk punon kund, por merret me ekonominë e shtëpisë, sepse unë jam pothuajse invalide dhe pa të unë me siguri do të vdisja . Vendi ynë është i vogël por shumë i këndshëm dhe i bukur. Gjithë vjeshtën dielli është i ngrohtë deri në dhjetor lulëzojnë trëndafilat.”
Ja çfarë shkruan Vasil.V.Puzanovi në letrën e vet të 28 Marsit 1960 dërguar në Moskë, me synimin e qartë për ta bërë letrën më bindëse dhe sikur do të sqaronte arsyen e moskthimit në të ardhmen në atdheun e vet.
“ Ne bashkëpunëtorët shkencorë jetojmë shkëlqyeshëm, nuk na mungon asgjë. Vendi dhe njerëzit janë të shkëlqyer. Konditat e punës janë të mira. Marrëdhëniet me ne janë të shkëlqyera. Ne kemi gjithçka madje me bollëk. Muajin e verës e kalojmë buzëdetit. Vitja ( ashtu siç e thërrisnim në rrethin familjar Viktori Aleksejevën) ka mësuar ne Paris dhe ka përvetësuar mjeshtrit e vjetra të artit të pikturës. Jetën e bëjmë në mënyrë interesante dhe jemi të lumtur.”
Në vitin 1960 Shqipëria u turr me tërbim në rrugën e shkatërrimit të vendit të vet, të historisë dhe kulturës. Karakteri ateist i rendit shtetëror, madje u sanksionua në kushtetutë dhe lindi plani për shkatërrimin e gjithë kishave dhe xhamive. Në vitin 1967 diktatori i Shqipërisë Enver Hoxha e shpalli fenë “krim ndaj shtetit”. Në këtë kohë një pjesë e eksponateve të shpendëve të balsamosur u transferuan nga manastiri françeskan në qytetin e Shkodrës që ndodhet në veri të vendit, dhe u prunë në Muzeun e Shkencave të Natyrës të Shqipërisë në Tiranë. Kjo ndodhi mbasi kishte vdekur Vasil Vasiljevici .
Viktori Aleksejevna u nda nga kjo botë, atëhere kur shpërtheu fushata e madhe e përndjekjeve ndaj kishave dhe manastireve dhe gjithçka që lidhet me to. Perëndia e mëshiroi, ajo nuk u bë dëshmitare e sulmit të ideologjisë barbare ndaj kulturës unikale të një vendi të lashtë.
Për fat të keq, e kjo ndodh shpesh institutet shkencore në të cilat për vite me radhë punuan bashkëshortët Puzanovë, nuk u kujdesën për ti u bërë një vend në varreza dhe Maks Velua ishte i vetmi njeri që ngriti një varr-përmendore të merituar për jetën e punën e tyre dhe ka më shumë se gjysmë shekulli që kujdeset për mirëmbajtjen e varreve të Puzanovëve.
Ai mendon se këta njerëz kanë bërë një punë të pazakontë dhe të shumtë për Shqipërinë e vogël që e donin me shpirt. Në tokën e saj ata kanë mbetur përjetësisht.
P.S. Autori falenderon përzemërsisht për ndihmën që i kanë dhënë në pregatitjen e artikullit Maks Velo (Shqipëri), Aleksei Borisoviç Arsenievin (Serbi), Elena Kostandinovna Mezhiska-Millovanoviç (Serbi), Tatjana Valecianova Fremel (Moskë), Juri Dimitreviç Neciporenko (Moskë) dhe Vasil Genadoviç Pcelinkevin (Sankt-Peterburg).
Titulli origjinal është: VASIL VASILJEVIÇ PUZANOV( 1884-1964)
Themelues i Ornitologjisë në Shqipëri. Ajo është botuar në revistën ruse ornitologjike të Universitetit të Petërburgut NU.789 2012