KULTURË

Luljeta Lleshanaku: Udha e vështirë e poezisë dhe një pendesë për prozën

07:33 - 27.03.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Fatmira NIKOLLI

E pastaj do të shkojnë të vjedhin dardhët e egra në “oborrin e kurvës”/ Askush nuk i ndalon. “Grua me dy burra… hak e ka!”/ Midis dardhëve të egra në çantë- një roman,/ me porosinë për t’u mbajtur mirë. Një “Ana Kareninë” / që do të lexohet me padurim duke filluar nga faqja e fundit, / e pastër dhe e fisnikëruar si një lajm i vonuar./
Këto vargje janë shkëputur nga poezia “Lajme të vonuara”, e cila bashkë me “Misterin e lutjeve” dhe poemën “E hëna në shtatë ditë”, janë pjesë e një botimi të ri në gjuhën spanjolle. Sapo ka dalë nga shtypi në Spanjë libri me poezi “Lunes en siete dias: seleçion” i Luljeta Lleshanakut, i botuar nga shtëpia botuese “Olefante”. Botimi, është një përzgjedhje poezish nga dy vëllimet “Fëmijët e natyrës” dhe “Pothuajse dje” të botuara në shqip nga OMBRA GVG, dhe është përkthyer në spanjisht nga Lucia Duero. Përkthyesja është vlerësuar edhe me çmimin “Marcelo Reyes” në Spanjë për përkthimin e këtij vëllimi.
Në një intervistë për “Gazeta Shqiptare” poetja Luljeta Lleshanaku na çon në udhët e vështira të poezisë, pengesat e gjuhës e të përkthimit, dhe mbërrin deri te bisedat me të ëmën. Ajo tregon se si arriti të botojë poezitë e saja në disa gjuhë, të cilat janë muret me të cilat përballet.
– Si u bë i mundur botimi i një përmbledhjeje me poezitë tuaja në Spanjë? Në cilat gjuhë janë përkthyer nga shqipja?
Deri vonë më është dukur krejt i pamundur përkthimi në spanjisht. Ramón Sánchez Lizarralde, i vetmi përkthyes i letërsisë shqipe dhe një burrë shumë i sjellshëm, më kontaktoi dikur përmes ambasadës shqiptare, por nuk kaloi shumë kohë dhe ai ndërroi jetë. Kurse Lucia Duero, përkthyesja e librit, di shqip, por nuk ka jetuar në Shqipëri, dhe natyrisht që është konsultuar me versionet në anglisht për përkthimin e poezive. Por edhe sikur të ishin përkthyer krejtësisht nga një gjuhë e dytë, unë nuk do ta vija në dyshim përkthimin, nëse përkthimi në gjuhën e dytë do të ishte i saktë. Ne i përkasim një gjuhe të vogël, të panjohur, dhe nuk e kemi atë luks të refuzojmë përkthimin qoftë edhe nga një gjuhë e dytë, pasi për mendimin tim, më shumë se njohje rrënjësore e gjuhës, përkthimi është art, dhe varet shumë nga kultura letrare dhe inteligjenca krijuese e përkthyesit. Fjala vjen, për një prezantim në Lituani tetorin që shkoi, duke mos pasur përkthyes nga shqipja, përkthyesit lituanez iu desh t’i referohej versioneve në anglisht, gjermanisht dhe polonisht, dhe funksionoi mrekullisht. Siç nuk vë në dyshim përkthimet që po bën në arabisht nga anglishtja një poete kanadeze me origjinë egjiptiane, Iman Mersal, sepse ajo vetë është poete shumë e mirë dhe zor se i shpëton gjë. Në çdo rast, është në dorë të autorit të pranojë apo jo përkthimin nga një gjuhë e dytë, sepse është autori vetë që rrezikon.
Në shqip ne kemi vepra shumë të mira të përkthyera nga një gjuhë e dytë, siç janë veprat e Isac Bashevis Singerit p.sh, i cili ka shkruar në Jidish, por në shqip kanë ardhur përmes frëngjishtes. Siç nga ana tjetër është mëkat që nuk kemi akoma një vepër të plotë të poetit izraelit Yehuda Amichai në shqip, vetëm për shkak të hezitimit të përkthimit nga një gjuhë e dytë, për sa kohë nuk kemi një përkthyes nga hebraishtja.
– Përzgjedhja e poezive, është bërë nga përkthyesja, shtëpia botuese, apo keni dhënë edhe ju pëlqimet tuaja?
Nuk jam imponuar, por as nuk kam qenë krejt jashtë loje. Unë kam sugjeruar disa poezi, e nisur nga mënyra se si janë pritur nga një tip e caktuar audience, por është vështirë të parashikosh temperamentin e lexuesit të çdo lloj audience. Nga një prezantim që pata majin që shkoi në Meksikë, kuptova që meksikanët janë të prirur më shumë ndaj poezisë lirike se asaj urbane, p.sh. Kështu që rashë dakord edhe për përfshirjen e një grupi poezish që nuk janë të preferuarat e mia. Bile përkthyesja, mori më shumë komplimente se unë…Pra, çdo lloj botimi është një kompromis midis botuesit, përkthyesit dhe autorit.
Disa nga poezitë e mia të preferuara të përfshira në këtë vëllim janë “Lajme të vonuara”, “Misteri i lutjeve”, dhe poema “E hëna në shtatë ditë”.
 – A ndjeni interes për letërsinë shqipe nga shtëpitë e huaja botuese, apo është një çështje që ka të bëjë me dashurinë ndaj poezisë? Cili është roli i agjentëve letrarë?
Interesi më i madh për letërsinë shqipe është pikërisht në vendet perëndimore, me një histori shumë më të ndryshme se e jona. Europa Lindore në përgjithësi, vazhdon të jetë akoma një objekt kureshtjeje për lexuesin perëndimor, një “kuti e zezë” e pahapur, veçanërisht për sa i përket epokës komuniste. Por nga ana tjetër, numri i botimeve të veprave të përkthyera, është shumë shumë i vogël, sepse çdo shtet, përmes politikave kulturore, synon që së pari të promovojë kulturën e vet. Në SHBA, p.sh, vetëm tre për qind e botimeve janë përkthime nga gjuhët e tjera. Tani merre me mend se me çfarë seleksionimi të vështirë duhet të përballesh. Dhe kur vjen puna për poezinë, për të cilën tashmë jemi të bindur të gjithë që ka një rreth shumë të kufizuar lexuesish, ky filtër bëhet akoma edhe më i vështirë, deri në kufijtë e së pamundurës. Por për fat, në vijimësi të një tradite, akoma ka shtëpi botuese që vazhdojnë të botojnë poezi, pavarësisht që të ardhurat u vijnë nga proza. Poezia është si puna e asaj gotës së verës në tavolinë: që nuk është e domosdoshme, por të zbukuron shijen.
Diçka tjetër është se për shkak të ritmit të avashtë të shitjes, një poet zor se mund të botojë një libër tjetër pa shtatë vjet diferencë midis. Dhe për poezinë, nuk vlen ndërmjetësia e agjentëve; agjentët shesin vetëm librat në prozë, bile romanet, sepse edhe për tregimin e shkurtër ka refuzim të tregut. Kështu që në poezi, gjërat lëvizin shumë avash.
 – Sa ju ndihmon ju fakti që jeni përkthyer edhe më herët?
Pyetja juaj është e saktë, por me sa kam arritur të kuptoj është se nuk ka shumë rëndësi se kur, por se nga cila shtëpi botuese, sepse gjëja e parë që të pyesin në çdo takim, prezantim, është: “Cili është botuesi yt?”, dhe kjo përcakton automatikisht vlerësimin e tjetrit. Fati im i madh ka qenë që librin tim të parë në anglisht, në vitin 2002, e botoi një nga shtëpitë më të rëndësishme botuese amerikane, “New Directions”, e krijuar më 1936 nga i biri i një industrialisti, James Laughlin, me nxitjen e Ezra Pound-it dhe që erdhi duke u fuqizuar. Dhe në 2010, arrita të botoj një libër të dytë me ta, i cili pastaj i ra në dorë një botuesi po kaq të mirë anglez, “Bloodaxe”, që botoi një libër të tretë në anglisht. Dhe nuk u habita shumë, që në një blog ku reklamohej libri në Spanjë, disa nga komentuesit shpreheshin se e kishin lexuar përpara në anglisht. Por, për ta ruajtur një botues të mirë, është po kaq e vështirë, sepse zor se ai mund të botojë një libër të dytë a të tretë, nëse është i pakënaqur me të parin. Pra, je gjithë kohën në fije të perit. E ku mund ta dijë autori i shkretë se si do të pritet, çfarë do të ndodhë, a do të pëlqehet apo jo, duke qenë se ai i bindet vetëm instiktit të tij artistik. Mund të bësh njëqind kalkulime në jetë, por në krijimtari kalkulimet nuk funksionojnë. Por, vitet e fundit, harta e botuesve po ndryshon shumë shpejt; ka shtëpi botuese të vogla, “hirushe” siç quhen atje, të cilat tashmë janë fuqizuar mjaft.
– Si fituese çmimesh, a është çmimi një garanci për udhëtimin e shkrimtarit në gjuhë të tjera?
Varet nga çmimi. Çmimet ndërkombëtare për poezinë janë tepër të rralla, por sigurisht që vlejnë shumë, madje po kaq edhe nominimet. Zakonisht ndahen çmime për letërsinë e përkthyer, ku çmimi i shkon përkthyesit, por pa dyshim që prej tij përfiton po aq edhe autori. Por me sa kam dëgjuar prej botuesve, suksesi i një libri varet kryesisht nga jehona që ka: botimet e pjesshme në gazeta e revista, recensionet në mediat e rëndësishme, përfshirja si literaturë në programet e shkrimit krijues dhe përkthimit, etj. Kurse për sa i përket çmimeve lokale ose kombëtare siç i quajmë ne, kjo varet nga vendi, sepse në Itali, Gjermani, ose Francë p.sh, ke çmime lokale që janë shumë të njohura në gjithë botën, çmime që kanë krijuar kredibilitet, siç ka edhe të tjerë që nuk njihen fare.
– Si funksionon bota e përkthimit, dhe filozofia e shtëpive të huaja botuese, të mëdhatë dhe të voglat, nisur nga përvoja juaj që keni tanimë librin tuaj të tetë jashtë vendit?
Ndryshe nga artet vizive dhe muzika, letërsisë i duhet ndërmjetësi, përkthyesi midis, për të komunikuar me botën, një pengesë goxha e madhe në rastin e një gjuhe kaq të vogël si e jona. Për mendimin tim, letërsia e sotme shqipe, ka disa autorë mjaft konkurrues, por që, për fat të keq, kanë mbetur të izoluar, të panjohur përtej kufijve pikërisht për shkak të mungesës përkthyesit. Ministria e Kulturës, për herë të parë në historinë e 25 vjetëve, vjet filloi një projekt për mbështetjen e përkthyesve të huaj, një nismë që unë e konsideroj jashtëzakonisht pozitive, sepse i vuri në lëvizje ata pak përkthyes që janë, dhe inkurajoi të tjerë. Pra, solli shpresë. Një grant përkthimi nuk është se përcakton doemos fatin e një libri, sepse botuesit ndjekin shijen dhe interesat e tyre, por ama lehtëson koston e botimit në gjuhë të huaj, dhe motivon botuesit. Kështu që, nëse ky projekt vazhdon, brenda një dekade a diçka e tillë, do të kemi edhe një brez të ri përkthyesish, që mund të jenë edhe shqiptarë që jetojnë në emigrim, të cilët më shumë se për motive patriotike, do të dinë ta shfrytëzojnë këtë terren për afirmimin e tyre si përkthyes, duke i bërë një nder të madh edhe letërsisë shqipe në të njëjtën kohë.
– Atëherë, si ranë librat tuaj në dorë të botuesve të huaj?
Për librin tim të parë në SHBA, më rekomandoi Peter Costandine, përkthyes shumë i njohur i letërsisë së Europës Lindore dhe eseist, i cili kishte lexuar disa nga poezitë të botuara në dy revista amerikane. Por, rekomandimi është rekomandim. “New Directions” nuk mori vendim menjëherë, por kërkoi një tjetër draft përkthimesh, sepse fakti që isha e re në moshë, i bënte disi skeptikë. Dhe e bukura është, që Peter-in, unë nuk e kam takuar kurrë.
Botimi në gjermanisht u bë me propozimin e Annemarie Türk, që ishte drejtore e “Kulturë Kontakt-it” në Vjenë atë kohë, pas një eventi të zgjeruar të letërsisë shqipe në 2009, ku unë mungova fizikisht se isha në SHBA. Botimi në Angli, qe thjesht zgjedhje e botuesit, Neil Astley-t, pasi kishte lexuar dy librat amerikanë. Në Itali, qe propozimi i poetit zviceran Alberto Nessi. Kurse për botimin në Poloni, qe Elsa Demo, atë kohë gazetare e “Shekulli”, ajo që i dha një nga librat e mi Dorota Horodyskas, kur Dorota po kërkonte një autor shqiptar për të marrë pjesë në një konkurs evropian, që u zhvillua në Poloni. Dhe nuk shkoi keq si bashkëpunim sepse libri arriti në dyshen finale, dhe vetë Dorota mori një çmim të rëndësishëm si përkthyese. Me pak fjalë më kanë ndihmuar disa rastësi fatlume dhe sidomos vullneti i disa njerëzve të mirë, të cilëve u jam shumë mirënjohës.
– Çfarë kënaqësie ju kanë dhënë këto libra në gjuhë të tjera?
Ndoshta përfitimi më i madh ka qenë që më krijuan mundësinë të udhëtoj, të njoh botën, dhe të takoj njerëz mjaft interesantë. Njohja, dija, më duket qëllimi përfundimtar dhe më i larti i çdo qenieje njerëzore. Në fund të çdo suksesi apo dështimi, mbetet vetëm një mësim. Bile më kujtohet që në njërën prej atyre bisedave të rralla me time më, që tani është rreth të tetëdhjetave, i thashë: “Më mirë një jetë të shkurtër dhe të bukur se një jetë të gjatë dhe me vuajtje.” Ajo, u mendua pak dhe më tha: “Jo, jo, nuk është ashtu: njeriu kur jeton gjatë, sheh më shumë, dëgjon më shumë, e mëson më shumë!” Më mbetën në mendje këto fjalë.
– A je e penduar që ke zgjedhur poezinë?
Kur je e re, nuk bën llogari të tilla, nuk mendon në një mënyrë pragmatike, sepse të duket sikur ke gjithë kohën e botës përpara. Por, tani mendoj që po; duhet t’i kisha hyrë me kohë prozës. Çështje tjetër a do t’ia kisha dalë apo jo.

Botimet e Lleshanakut
Ky është libri i tetë i Luljeta Lleshanakut i botuar në gjuhë të huaja, pas: “Haywire; New & Selected Poems” (Bloodaxe Books, Mbretëri e Bashkuar, 2011), “Fresco” (New Directions, SHBA, 2002), “Child of nature” (New Directions, SHBA, 2010), “Kinder der Natur” (Edition Korrespondenzen, Austri, 2010), “Dzieci natury” ( Stowo / Terytoria Obraz, Poloni, 2011), “Antipastorale” (LietoColle, Itali, 2006), “Ponedjeljak u sedam dana” (Versopolis edicija, Zagreb, 2015). Ndërkohë, një tjetër përmbledhje me poezi në gjuhën sllovake e autores, “Pondelok v Siedmich Dnoch", pritet të dalë së shpejti në treg, nga shtëpia botuese Obcianske Združenie VLNA.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.