Kryesore

Miell, qumësht e çimento, a po ndizet një luftë e ashpër për tregjet Shqipëri-Kosovë?

12:19 - 27.03.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Që kur Kosova u bë shtet më vete 9 vjet më parë, shqiptarët dhe qeveritë e dy anëve të kufirit kanë dështuar për të krijuar marrëdhënie normale tregtare. Në të gjithë historinë e saj të tregtisë se lirë me jashtë, Shqipëria nuk njeh aq konflikte sa me Kosovën. Gjithashtu edhe Kosova nuk njeh pengesa në tregtinë me jashtë sa me Shqipërinë. Rezultati final ka qenë në dëm të krijimit të një tregu të përbashkët, prej të cilit do të vinin të mirat ekonomike për të dy anët e të njëjtit komb. Qeveritë e dy shteteve kanë firmosur mbi 50 marrëveshje bashkëpunimi në letër, por në vend të lehtësimit, konfliktet po thellohen për ditë.

Shifrat tregojnë qartë se, pavarësisht se pjesë e të njëjtit komb, tregtia ndërmjet vendeve mbetet modeste dhe shembujt tregojnë se, konkurrenca për tregjet ndërmjet vendeve ka penguar zgjerimin e tregtisë.
Më 2016, volumet tregtare ranë me 15%, kryesisht prej rënies së eksportit të naftës dhe hekurit shqiptar në Kosovë, si rezultat i pezullimit të punës në kompanitë Kurum dhe ARMO.
Marrëdhëniet me konflikte kulmuan në vitin 2013, kur u përfshinë edhe autoritetet shtetërore të dy vendeve. Për herë të parë që nga viti 1999, marrëdhëniet tregtare shënuan rënie në vitin 2013, për shkak se, bllokimi i qumështit shqiptar në tregjet e Kosovës u pasua me bllokimin nga pala shqiptare të importit të mishit dhe të miellit nga Kosova.

Më tej, konflikti vijoi nga pala e Kosovës me bllokimin e materialeve të ndërtimit. Gjatë verës së vitit 2013, qeveria e Kosovës zhvendosi pikat e zhdoganimit të mallrave, duke krijuar probleme për eksportuesit shqiptarë.
Sipas një studimi për tregtinë e jashtme, Kosova ka barrierat më të larta tregtare me Shqipërinë, pasi duhet të plotësohen 8 dokumente, ndërsa me vendet e tjera nuk janë më shumë se 6 a 7 të tilla.

Lufta për miellin dhe qumështin

Vetëm muajin e kaluar, Shoqata e Përpunuesve të Miellit në vend lajmëroi zyrtarisht nëpërmjet një letre të hapur drejtuar Kryeministrit falimentin për shkak se, mielli jashtë standardeve që importohej nga Kosova po falimentonte industrinë vendase. Biznesi shqiptar i përpunimit pretendonte se, standardet e proteinës në miellin e Kosovës ishin pak më shumë se 9%, ndërkohë që fabrikat shqiptare prodhojnë me standard 12% dhe për rrjedhojë, me një kosto më të lartë.
Adi Haxhiymeri, kryetar i Shoqatës së Industrisë Përpunuese të Miellit, tha se, qeveria shqiptare, duke ulur me udhëzim standardet e proteinës në miell, e ka favorizuar importin dhe çon në faliment të pashmangshëm industrinë e vendit.

Nga ana tjetër, industria e miellit e Kosovës pretendoi se, qeveria e Shqipërisë po diskriminonte mallrat e Kosovës në tregjet e saj.
Në vitin 2013, eksportet e qumështit dhe bulmetit nga Shqipëria në Kosovë ranë me 62%, por shënuan rikuperim të mëtejshëm më 2014. Në përgjigje të bllokimit të miellit nga Shqipëria, Kosova nxori nga tregu dy linjat shqiptare të qumështit në mars të vitit 2013, Primalat dhe Fast, me pretendimin për nivelin e lartë të Aflatoksinës. Kompanitë shqiptare të qumështit, që u përfshinë në këtë konflikt, praktikisht kanë falimentuar. 23 tonë qumështi prodhim shqiptar u asgjësua. Rreth 6 mijë familje fermerësh dhe mbi 14 milionë euro investime u dëmtuan seriozisht. Po në këtë periudhë, Shqipëria e bllokoi sërish importin e miellit nga Kosova me pretendimin se dyshohej për Aflatoksinë.

Beteja përfshin edhe materialet e ndërtimit

Beteja tregtare Kosovë-Shqipëri ka dëmtuar seriozisht eksportet e materialeve të ndërtimit. Tregu i Kosovës ishte një stimul i madh për fabrikat shqiptare të tullave, tjegullave dhe çimentos pas krizës në të cilën ra sektori i ndërtimit në Shqipëri pas vitit 2013. Por në datën 1 gusht 2013, eksporti i materialeve të ndërtimit ka pushuar, i cili më parë kishte vazhduar me 30 kamionë në ditë.
Kostot e rritura bllokuan eksportin e materialeve të ndërtimit (kryesisht tulla e tjegulla) pothuajse tërësisht. Asllan Bare, administratori i një prej kompanive më të mëdha prodhuese të tullave, tregoi se, dërgesat nga fabrika e tij në Kosovë zbritën nga 20 në 1 kamion në ditë, më 2013. Vetëm në muajin korrik të vitit 2013, vlera e materialeve të ndërtimit të eksportuara në Kosovë shënoi 800 mijë euro, vlerë e cila u shuajt në muajt paraardhës. Më pas, Kosova vendosi një tarifë 40 euro për çdo natë qëndrimi të kamionëve dhe kjo e rriti mjaft koston për eksportuesit shqiptarë. Eksporti i materialeve të ndërtimit në Kosovë ra me 20% gjatë vitit 2014.

Monitor


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.