EKONOMI

Vendimi i ri/ Ushtarakët, tabelat e plota me pagat e reja mujore, shtesa për çdo gradë

17:21 - 30.03.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




 Ornela MANJANI

Forcat e Armatosura nuk do të kenë pagë më të ulët se 44.000 lekë në muaj, për gradën më të ulët nëntetar, dhe as më të lartë se 169.560 lekë në muaj, për gradën më të lartë gjeneral-lejtnant. U botua dje në Fletoren Zyrtare shtesa mbi pagën për ushtarakët aktivë të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, e cila fillon nga 8% për pagat e larta, deri në 10% për pagat e ulëta. Nga kjo rritje përfitojnë gjithsej 6750 ushtarakë dhe shuma e akorduar nga buxheti i shtetit për rritjen e pagave është 480 milionë lekë. Ushtarakët e lartë përfitojnë fondin 40 milionë lekë dhe ushtarakët e tjerë, të cilët janë 6746, përfitojnë fondin 310 milionë lekë, ndërsa pjesa tjetër e fondit shkon për strukturën mbështetëse.

Shtesat

Rritja e pagave në sistemin e ushtarakëve në Ministrinë e Mbrojtjes për çdo gradë është miratuar në masën 8%-10%. Nga kjo rritje, niveli i pagës për gradë rritet minimalisht me 4.000 lekë/muaj dhe maksimalisht rritja shkon në 12.560 lekë/muaj, sipas hierarkisë së gradave. Sipas ndryshimeve të miratuara në qeveri, paga më e lartë për ushtarakët, ajo e gjeneral-lejtnantit (admiralit) do të jetë 169.560 lekë, ndërkohë që gjeneral-brigade do të marrë nga 1 marsi 2017 127.440 lekë në muaj. Pagat e oficerëve do të jenë nga 53.460 lekë për nëntogerin, në 108.000 lekë për kolonelin. Ndërkohë, pagat e nënoficerëve do të jenë: më e ulëta 44.000 lekë, për nëntetarin, dhe më e larta 64.130 lekë në muaj, për kryekapterin.

Vjetërsia

Ushtarakët aktivë të personelit akademik, të punësuar me kohë të plotë në Akademinë e Forcave të Armatosura, përfitojnë shtesë për vjetërsi në punë, në masën 0,5% për çdo vit pune, por jo më shumë se 15 vjet. Ushtarakët aktivë të Forcave të Armatosura përfitojnë shtesë mbi pagë për kushte të veçanta pune e shërbimi. Masa e shtesës për kushte të veçanta pune e shërbimi është, si më poshtë vijon: a) Për personelin fluturues të Forcave të Armatosura; b) Për ushtarakët aktivë në Agjencinë e Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes. Ushtarakët, funksioni i të cilëve përmban dy apo më shumë emërtime që përfitojnë shtesë për punë të vështirë e të dëmshme në shëndet, të trajtohen vetëm me një shtesë sipas kësaj lidhjeje.

Ushtarakët aktivë në Njësinë e Mjekësisë Ushtarake, pranë Spitalit Universitar të Traumës, në pozicionet “Drejtor”, “Zëvendësdrejtor”, “Shef shërbimi” apo “Shef reparti”, të përfitojnë shtesë për punë të vështirë e të dëmshme në shëndet, sipas specialitetit dhe jo sipas pozicionit. Oficerët aktivë të Forcave të Armatosura, të cilët punojnë në pozicione që lidhen me procesin e informatizimit të veprimtarisë së Forcave të Armatosura, pjesë të strukturave të TIK dhe kërkojnë, në mënyrë të detyrueshme, diplomë universitare të nivelit “Master i Shkencave/Master Profesional /Bachelor” apo të barasvlershme me to, sipas legjislacionit të arsimit të lartë, në degët “Inxhinieri elektronike”, “Inxhinieri informatike”, “Informatikë”, “Teknologji informacioni”, “Inxhinieri telekomunikacioni”, “Shkenca kompjuterike”, “Informatikë ekonomike” apo “Inxhinieri matematike informatike”, përfitojnë shtesë për natyrë të veçantë pune, në masën 7.500 lekë në muaj. Sipas vendimit, zbatimi i shtesave si më sipër për pozicionet konkrete bëhet pas miratimit paraprak të Departamentit të Administratës Publike dhe të Ministrisë së Financave, bazuar në përshkrimin e pozicionit të punës. Në rast se për pozicionet e sipërpërmendura parashikohen shtesa të tjera për kushte të veçanta pune e shërbimi, oficerët aktivë do të zgjedhin ndërmjet dy shtesave, por, në asnjë rast, nuk mund t’i përfitojnë të dyja shtesat.

Kursantët

Kursantët, kandidatë për ushtarë, gjatë kohës që ndjekin kurset për t’u certifikuar ushtarë, përfitojnë trajtim me pagesë, në masën 8.000 lekë në muaj. Në vendim përcaktohet që ushtarakët aktivë të Forcave të Armatosura nuk përfitojnë shtesa të tjera mbi pagë, të përcaktuara me vendime të tjera të Këshillit të Ministrave. Efektet financiare që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi do të përballohen nga fondet e miratuara për Ministrinë e Mbrojtjes, për vitin 2017.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.