EKONOMI

Sipërmarrjeve u fshihen 30 miliardë lekë detyrime pa kushte

08:45 - 31.03.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Është miratuar dje fshirja e detyrimeve për periudhat përpara dhjetorit 2010, pra detyrimet mbi 6 vjet të vjetruara. Këto detyrime do të fshihen për të gjithë individët, personat fizikë dhe juridikë që kanë detyrime të papaguara sipas kushteve të përcaktuara në këtë ligj. Totali i detyrimeve që fshihen është 29.4 miliardë lekë. Është vendosur pagimi i detyrimeve tatimore të viteve 2011, 2012, 2013 dhe 2016, duke ofruar incentivën e heqjes së gjobave dhe kamatave nëse paguhet tatimi brenda 6 muajsh. Totali i gjobave dhe kamatave që falen është 62.6 miliardë lekë. Totali i tatimit të pritshëm për t’u arkëtuar si rezultat i faljes së penaliteteve dhe kamatave është 35 miliardë lekë. Subjektet që përfitojnë nga fshirja për detyrimet tatimore, përfitojnë me kusht që këto detyrime të jenë të papaguara në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji. Kjo kupton se, nëse tatimpaguesit i kanë paguar detyrimet, nuk përfitojnë nga fshirja dhe detyrimet tatimore ose doganore të paguara nuk kthehen. Ky parashikim e shtrin efektin edhe për rastet kur tatimpaguesit kanë paguar detyrimet si kusht për ushtrimin e së drejtës për të apeluar, përveçse kur është vendosur garanci. Ky parashikim ligjor është në përputhje me përkufizimin që legjislacioni fiskal i jep termit “tatim ose taksë”, e cila është pagesë e detyrueshme dhe e pakthyeshme në buxhetin e shtetit ose në buxhetin e organeve të qeverisjes vendore. Ndërkohë që për llojet e tjera të tatimeve/taksave/tarifave fshihet edhe principali, kontributet janë përjashtuar nga kjo fshirje, pasi kontributi është detyrim që i është mbajtur të punësuarit nga punëdhënësi, dhe si i tillë duhet paguar në buxhet për qëllime të sigurimit të detyrueshëm dhe për vitet e punësimit për qëllime të përfitimit të pensionit. Për këtë kategori nuk fshihet detyrimi (kontributi), por synohet vetëm fshirja e kamatëvonesave dhe dënimeve administrative (gjobat) për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore të aplikuara sipas ligjit nr. 9920, datë 19.08.2008, “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, që u përkasin periudhave tatimore dhjetor 2010 e më parë. Këto detyrime që fshihen u përkasin periudhave tatimore përpara 5 vjetëve, dhe përveçse një pjesë duhej të fshiheshin si rezultat i ligjeve të mëparshme të faljeve, gjithashtu për këta 5 vjet rezultojnë të pambledhura.

 

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.