EKONOMI

Tabelat/ Pagat për çdo kategori në bashkinë e Tiranës dhe 11 njësitë vendore

10:01 - 31.03.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Ola MITRE

 

Bashkia e Tiranës ka gati rritjen e pagave për të gjithë punonjësit e zgjedhur e të emëruar si dhe të institucioneve të varësisë. Ndryshimet priten të miratohen në mbledhjen e radhës të Këshillit Bashkiak, që është planifikuar për t’u zhvilluar në datën 5 prill, ndërkohë që do t’i shtrijnë efektet financiare prej datës 1 mars 2017. Sipas projektvendimeve të siguruara nga “Gazeta Shqiptare”, rritje pritet të përfitojnë funksionarët dhe nëpunësit civilë në Bashkinë e Tiranës, punonjësit administrativë si dhe punonjësit e Policisë Bashkiake. Po ashtu, paga më të larta do të marrin edhe punonjësit e Njësive Administrative me 20 001-50 000 banorë ku përfshihen Njësitë Administrative 3, 8, 10 dhe Njësia Administrative Kashar, punonjësit e Njësive Administrative me 50 001-100 000 banorë ku futen Njësitë Administrative 1, 2, 4, 5, 6, 7, 9, 11 si dhe punonjësit e Njësive Administrative me 5 001-20 000 banorë ku bëjnë pjesë: Bërzhita, Baldushku, Dajti, Farka, Ndroqi, Petrela, Peza, Vaqarri, Zall-Herri dhe Zall-Bastari. Një tjetër kategori që do t’u rritet paga nga data 1 mars janë dhe punonjësit e Njësive Administrative me më pak se 5 000 banorë, ku futet Njësia Administrative Kërrabë dhe Shëngjergj si dhe punonjësit administrativë të të gjitha Njësive Administrative. Pjesë e projektvendimeve janë edhe punonjësit e Drejtorisë së Përgjithshme Nr. 1, Nr. 2 dhe Nr. 3 të Punëtorëve të Qytetit, ata të Drejtorisë së Konvikteve të Shkollave të Mesme si dhe punonjësit e “Agjencisë së Shërbimeve Funerale”. Rritja e pagave për këto kategori vjen në kuadër të ndryshimeve në legjislacionin e pagave si dhe të rritjes së nivelit të pagave në nivel qendror dhe vendor. Sa i takon masës së rritjes, Bashkia e Tiranës ka planifikuar në buxhetin e vitit 2017 ndryshimet në nivelin e pagave për të gjitha institucionet e varësisë një rritje mesatare prej 7% për nëpunësit dhe një rritje mesatare nga 30-36% për punonjësit, duke filluar nga paga bazë minimale 30 mijë lekë. Ndërkaq, në mbledhjen e Këshillit Bashkiak do të miratohet niveli i ri i pagave edhe për punonjësit e Qendrës Ekonomike të Zhvillimit dhe Edukimit të Fëmijëve, të Qendrës Kulturore Tirana, për punonjësit e  qendrave sociale si dhe për punonjësit e Qendrës Rinore “Ten”. Edhe për këta punonjës është planifikuar një rritje mesatare prej 7% për nëpunësit dhe një rritje mesatare nga 30-36% për punonjësit, duke filluar nga paga bazë minimale 30 mijë lekë. Të njëjtën rritje do e përfitojnë edhe punonjësit e Drejtorisë së Përgjithshme të Taksave dhe Tarifave Vendore, punonjësit e Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit, ata të Agjencisë së Mbrojtjes së Konsumatorit, të Agjencisë së Parqeve dhe Rekreacionit si dhe punonjësit e “Tirana Parking”. Ndërkaq, “Gazeta Shqiptare” publikon sot tabelat e plota me rritjen për çdo kategori si dhe shtesën për vjetërsi në punë, të cilat i gjeni bashkëngjitur shkrimit.

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.