Media

LSI kërkon qeveri të re – Ja si e komentojnë analistët lëvizjen e fortë të Ilir Metës

17:41 - 04.04.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Lëvizja e fortë e Ilir Metës i cili kërkoi dje një qeveri të re – një qeveri besimi – sipas tij për të garantuar zgjedhjet, është komentuar sot në mënyra të ndryshme nga gazetarë dhe analistë. GSH.al ka përmbledhur disa opinione si më poshtë:

Në një shkrim për revistën “Java”, Skënder Minxhozi thotë se “LSI nuk është më pjesë e qeverisë”.

“Meta ofroi vullnetarisht mandatet politike që ka në qeveri, me një gjest gjysëm-heroik, gjysëm-hipokrit, i cili nuk dihet pse mbetet në formën e një oferte dhe nuk konsumohet deri në fund, si një vendim sovran i një partie, për të ikur ngë qeveria ku bën pjesë! LSI tashmë nuk është pjesë e qeverisë Rama. E tha qartë mbrëmë Ilir Meta, kur foli vetëm duke i vendosur kushte vetëm Edi Ramës, e duke mos thënë asgjë për faktin që opozita ka dalë vullnetarisht jashtë sistemit dhe po kërkon të rrëzojë një qeveri që i ka të gjitha votat në Parlament (me gjasë, edhe pa vetë LSI)”, shkruan Minxhozi në “Java”.

Më tej, ai e fton Edi Ramën të ecë përpara me procesin pa dëgjuar kërkesat e LSI dhe PD.

“Ilir Meta është në të drejtën e tij për të vijuar me këtë teatër kukullash. Tani fjala i kalon sërish Edi Ramës, për të vendosur se cili do të jetë kursi i shumicës së mbetur, në këtë situatë krize të thellë. Qeveria ka obligimin kushtetues t’i japë vendit një proces zgjedhor sipas kushteve të parashikuara në ligjin themeltar të vendit. Truket dhe makinacionet e pista të partive, për interesat e tyre të vogla, nuk janë dhe nuk mund të jenë problemi i votuesve shqiptarë”, shkruan Minxhozi.

Drejtuesja e “Newsbomb”, Anila Basha e ftuar në “Opinion”-in e Fevziut ka paralajmëruar se Rama do të kërkojë një takim urgjent me Metën dhe se nuk do ta pranojë presionin e tij. “Unë kam përshtypjen që me t’u kthyer nga Mali i Zi, Rama do t’i kërkojë takim urgjent Metës. Rama nuk do ‘ti pranojë kushtet e Metës sepse del i humbur”, është shprehur Anila Basha.

Edhe Henri Çili pohon se koalicioni Rama-Meta ka rënë. Ai hedh tezën se tani Meta do i kërkojë Bashës, postin e kryeministrit. “A është gati Basha t’ia japë, kjo është çështja”, thotë Çili.

Sipas tij, vendimi i Metës ishte një vendim i pritshëm dhe i logjikshëm.

“Koalicioni nuk është më. Ka nisur një moment i ri politik për Shqipërinë që tregon se PS dhe LSI nuk do të futen bashkë në zgjedhje. Kemi një realitet të ri. Në mënyrë logjike LSI dhe Meta nuk mund t’i realizojnë objektivat e tyre me Ramën, pasi duan të njëjtën gjë. Nëse do të ishin në ekuilibër nuk do të kishte kaq shumë konflikte. Por kjo tregon se nuk ka ekuilibër”, tha Çili për “Dritare” të Rudina Xhungës.

Gazetari Ylli Rakipi, i ftuar në ‘Opinion’ është shprehur se në 18 qershor nuk do të ketë zgjedhje.

Më tej Rakipi tha se, Meta me deklaratën e fundit ku u shpreh se nuk do të futet në zgjedhje pa PD, është duke luftuar për veten e vet.

“Nuk duhen ushqyer iluzione se Meta këtë po e bën për të fuqizuar opozitën. Meta këtë pozicionim po e bën për të rritur dhe fuqizuar më tej partinë e tij në zgjedhje. “Meta është në ‘momentin e artë’, nëse ai nuk e shfrytëzon këtë moment të artë, kushedi kur mund ta ketë mundësinë tjetër”, tha drejtuesi i emisionit “Të Paekspozuarit” në “News 24”.

Për drejtuesin e “Express”-it të Kosovës, Berat Buzhala, paralajmërimi i Metës në lidhje me koalicionin qeverisës, ishte një kortezi për të mos i thënë gjërat troç që në hap të parë.

Buzhala tha se Meta vendosi të mos i thotë që në fillim Edi Ramës se “unë me ty nuk kam asgjë të përbashkët”. “Ky është alarmi i fundit para se t’i thojë edhe atë fjalën e fundit se ne nuk do futemi as bashkë në zgjedhje”, u shpreh Buzhala në “Opinion”.

GSH.al


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.