SPORT

Shqipëria përmbys Kosovën, i nis mbarë kualifikueset e Botërorit

15:02 - 06.04.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




E fiton Shqipëria përballjen e parë zyrtare me Kosovën në futboll. Kombëtarja kuqezi e femrave triumfoi 3-2 përballë kosovareve në ndeshjen hapëse të raundit paraeliminator të Kampionatit Botëror “Francë 2019”.

Në “Elbasan Arena” ishin vajzat kuqezi që kaluan përpara me Arbiona Bajraktarin, e cila shënoi me kokë në minutën e 17-të.

Avantazhi zgjati deri në të 35-n, kur Agnesa Rexha përfitoi nga një pakujdesi e portieres kundërshtare, duke ia rrëmbyer topin nga dora.

Ishte sërish Rexha që me kokë kaloi përpara Kosovën në minutën e 59-të pas një krosimi të Edona Kryeziut.

Pas këtij momenti ekipi i drejtuar nga Armir Grima u hodh në sulm dhe riktheu baraspeshën me një goditje dënimi spektakolare të Fortuna Velajt në të 75-n.

Kur takimi po i drejtohej fundit me barazim, Blerina Musa gabimisht devijoi topin në portën e vet në përpjekje për ta larguar nga zona, duke i falur Shqipërisë fitoren pak sekonda para vërshëllimës së fundit të arbitrit.

Në ndeshjen tjetër të Grupit B, Greqia po përballet me Maltën në “Selman Stërmasi”. Sfida ka nisur në orën 14:00

Prova e radhës për Përfaqësuesen e Shqipërisë do të jetë kundër Maltës të shtunën, ora 14:00, po në “Elbasan Arena”. Ndërsa Kosova do të përballet me Greqinë në kryeqytet, po në 8 prill, në orën 12:00. Ndeshjet e fundit më 11 prill do të vënë përballë Shqipërinë me Greqinë (“Elbasan Arena”) dhe Kosovën me Maltën (“Selman Stërmasi”), me të dyja ndeshjet që do të luhen në orën 14:00.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.