KULTURË

“Brigadierja”, “Tornitorja” e “Ushtarët e Revolucionit” shkojnë në Athinë

09:20 - 08.04.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Fatmira NIKOLLI

 

Kel Kodheli me “Emrushi”, Androniqi Antoniu me “Autoportret”, “Refugjatët” e “Autoportreti” i Abdurrahim Buzës, Hasan Nallbani me “Shatë në krahë”, “Fëmijët” e “Brigadierja” e Spiro Kristos, “Prodhuesja e telave elektrikë” e Sotir Capos, “Tornitorja” e Zef Shoshit, “Në pultin e komandimit” nga Llambi Blido, “Ushtarët e revolucionit” të Pandi Meles, “Mbjellja e pemëve” të Edi Hilës, janë vetëm disa prej veprave të fondit të Galerisë Kombëtare të Arteve që shkojnë në Athinë. Janë vepra të realizuar nga vitit 1934 deri në vitin 1976- e nga imazhi i “Pazarit të vjetër të Tiranës” nga Gani Strazimiri, tematika më tej, për shkak edhe të kohës kur veprat u realizuan është ajo e realizmit socialist, ndërtimi i shtetit(të njeriut të ri). Gruaja në komunizëm shpërfaqet duke marrë në duar “punët” e burrave, zanate si tornitorja, apo prodhuesja e telave elektrikë shpërfaqin rrekjen për barazi- “gruaja në të gjitha frontet e punës, në përmbushjen e pllaneve x-vjeçare”. Zanatet e kohës, autoportretet dhe realitetet e lëna pas, tanimë, të para në ditët tona, marrin vlerën e kohës- dëshmojnë të shkuarën- dhe mbi të gjitha ngjallin më shumë interes jashtë se brenda vendit.
Ato janë pjesë e ekspozitës “Documenta 14”, që çelet më 8 prill, duke u shtrirë në gjithë qytetin, në 40 institucione të ndryshe publike, sheshe, kinema, universitete dhe librari- një ekspozitë ku marrin pjesë 160 artistë ndërkombëtarë.
Një Vendim i Këshillit të Ministrave dha lejen për daljen e veprave nga fondi i GKA-së jashtë vendit, ndërsa GKA, bën me dije se pjesëmarrja e Galerisë Kombëtare të Arteve në “Documenta 14” me vepra nga fondi i saj është kërkuar nga drejtori artistik i ekspozitës, Adam Szymczyk.
Kjo pjesëmarrje është e ndarë në dy etapa: 15 (pesëmbëdhjetë) vepra arti janë kërkuar për t’u ekspozuar në Muzeun Kombëtar të Artit Bashkëkohor në Athinë, nga data 8 prill deri më 16 korrik 2017. (Tri vepra të tjera janë kërkuar të ekspozohen në Muzeun e Arteve të Bukura Neue Galerie në Kasel, nga data 10 qershor deri më 17 shtator 2017).
Artistët që marrin pjesë në “Dokumenta 14” njofton GKA, janë janë: Abdurrahim Buza (me 2 punë), Kel Kodheli, Hasan Nallbani, Spiro Kristo (me 2 punë), Sotir Capo, Arben Basha, Pandi Mele, Zef Shoshi, Gani Strazimiri, Androniqi Zengo Antoniu (me 3 punë), Foto Stamo, Hasan Reçi, Edi Hila dhe Llambi Blido. Gjithsej janë 18 vepra të 14 autorëve.
Në të njëjtin njoftim, thuhet se pjesëmarrja e veprave të fondit të GKA-së në këtë ekspozitë merr një vlerë të veçantë për shkak të rëndësisë themelore estetike dhe historike që mbart “Documenta” në tërësinë e artit ndërkombëtar. “Gjatë 13 edicioneve të mëparshme, “Documenta” ka shërbyer si një topos debatesh të kulturës bashkëkohore dhe kontekstit të saj aktual socio-politik, me qëllim adresimin e çështjeve globale, me theks të veçantë në epistemologjitë dhe praktikat e artit jo-perëndimor. Për shkak të këtij debati, “Documenta” ndikon ndryshimin e historisë së artit dhe ripërcakton praktikën ekspozuese bashkëkohore”- nënvizon njoftimi.
Koncepti kuratorial i këtij edicioni, i përcaktuar nga drejtori artistik, Adam Szymczyk titullohet “Learning from Athens” [Të mësuarit nga Athina] dhe mëton të ndërtojë një metaforë të distancës mes Athinës dhe Kaselit, që ndryshon themelisht përjetimin e këtij edicioni të ekspozitës nga publiku.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.