Laboratori i drogës që u zbulua sot në Skrapar ka pasur dy ideatorë. “BalkanWeb” mëson se 42-vjeçarja nga Skrapari, Edlira Lame me ndihmën e shoferit, kishte arritur të krijonte një laborator modern për përpunimin e drogës.
Dhe për ta bërë këtë duket se nuk e ka pasur të vështirë, pasi ajo administronte nje firmë private fasonerie ku prodhoheshin çanta kartoni për verë dhe raki, ambjentet e së cilës duket se i ka përdorur edhe për të përpunuar drogën.
Më herët në ambjentet e fabrikës së administruar nga Edlira Lame prodhoheshin edhe bimë medicinale, ndërsa kohët e fundit ajo e kishte kthyer fabrikën në një biznes më fitimprurës siç është edhe përpunimi e prodhimi i kanabisit.
Por Edlira nuk punonte e vetme. Ajo ka bashkëpunuar me 49-vjeçarin Muhamet Kadiu, në furgonin e të cilit janë gjetur të njëjtat pajisje elektrike si brenda fabrikës, që dyshohet se përdoren për prodhim të bimëve narkotike.
Shtetasit e mësipërm, siç bën me dije edhe policia, në bashkëpunim me njëri-tjetrin në ambjentet e fabrikës ushtronin këtë aktivitet të kundraligjshëm.
Ata janë arrestuar, ndërsa tre persona të tjerë, roli i të cilëve nuk dihet ende po ndiqen në gjendje të lirë. Mbi Edlirën dhe bashkëpunëtorin e saj rëndojnë tashmë tre vepra penale: “Kultivimi i bimëve narkotike”, “Prodhim dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit” dhe “Grupi i strukturuar kriminal”.
Si u zbulua laboratori
Laboratori është zbuluar në vijim të operacionit të dy javëve më parë ku u gjetën 1.2 ton drogë. Gjatë kontrollit të ushtruar në ambientet e një firme private (fasoneri) në administrim të shtetases Edlira Lame u gjetën: pajisje elektrike të cilat dyshohet se përdoreshin për prodhim të bimëve narkotike,
- rreth 2 kg mbetje bimë narkotike Cannabis Sattiva,
- 176000 lekë të rinj,
- 250 paund,
- 19900 dollar,
- si edhe 210 fishekë kalibër 7.62 mm.
Gjithashtu gjatë kontrollit të ushtruar në automjetin (furgon), në pronësi të shtetasit Muhamet Kadiu u gjetën pajisje elektrike të njëjta me ato të cilët u gjetën në fabrikë.
Sipas burimeve për “BalkanWeb” në laborator janë gjetur bimë të mbjellja në vazo (mbi 2000 rrënjë), si edhe një sasi e madhe kanabisi i tharë. Prokuroria e Krimeve të rënda thotë se laboratori është ndër më modernët të zbuluar deri tani, për përpunimin e lëndës narkotike.
Operacioni ku u zbuluan 1 ton kanabis në një magazinë në Lapan të Skraparit u zhvillua më 23 mars ku u gjet një magazinë plot me lëndë narkotike. Për rastin në fjalë u shpallën në kërkim 7 persona nga Prokuroria për Krime të Rënda.