Speciale

Mashtronin me viza punësimi e shkollimi në vendet e BE-së, në gjyq nënë e bijë

10:03 - 26.04.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

 




Xhensila KODRA

Prokuroria e Tiranës çon në gjyq Luli dhe Adeila Makashi, të akuzuara se kanë mashtruar persona të ndryshëm me viza punësimi ose shkollimi në vendet e BE-së. Nënë e bijë do të shqyrtohen nga Gjykata e Tiranës për akuzën e “mashtrimit me pasoja të rënda, në dëm të disa personave”. Nga hetimet e prokurorisë ka rezultuar se janë të paktën 240 shtetas shqiptarë që kanë rënë pre e mashtrimit të nënë e bijë. Të dyja ato akuzohen se u kanë marrë të dëmtuarve shumat nga 2 mijë deri në 15 mijë euro për person, për t’i pajisur ata me viza drejt vendeve të BE-së, kryesisht në Kanada, Angli e në Australi. Sipas prokurorisë, vizat për punësim dhe shkollim, Luli Makashi dhe vajza e saj Adeila i jepnin përmes shoqërisë “ANDE-LM” sh.p.k., dhe se pagesat bëheshin në bankë. Hetimi ndaj nënë e bijë nisi më 25.04.2016, kur në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë kishin bërë kallëzim 25 persona të ndryshëm.

Dosja e prokurorisë

Në dosjen e prokurorisë thuhet se 25 personat që bënë kallëzim në Policinë e Tiranës kanë shpjeguar se kanë aplikuar në vitin 2014 për punësim dhe studime pranë shoqërisë “ANDE-LM” me administratore shtetasen Luli Makashi, që ndodhet me seli në rrugën “Ismail Qemali”, Tiranë, që të pajiseshin me viza studimi apo punësimi në Kanada, Angli, Australi etj.

Pas kontaktit që këta shtetas merrnin me shtetasen Luli Makashi, ajo u premtonte se shumë shpejt do të pajiseshin me vizë dhe për këtë fakt të kryenin pagesat në bankë, për llogari të firmës “ANDE-LM”. Personat që aplikonin, pasi dorëzonin dokumentet që kërkonte kjo shoqëri, ishin në pritje për të dalë viza dhe Luli Makashi ka organizuar dhe takime të ndryshme në një hotel në Tiranë me persona që janë prezantuar si avokatë kanadezë, duke shpjeguar dhe procedurat e marrjes së vizës së aplikantëve. Shtetasit që kanë aplikuar dhe kanë dorëzuar dokumentet për pajisjen me vizë, kanë paguar në llogari të shoqërisë “ANDE-LM” sh.p.k, shuma të konsiderueshme në lekë dhe valutë. Pasi kanë shkuar në datë 25.04.2016 pranë zyrave të kësaj shoqërie, kanë mësuar se Luli Makashi së bashku me vajzën e saj Adeila Makashi ishin larguar jashtë shtetit dhe se në administrim këtë shoqëri ia kishin lënë shtetasit Klevis Rreshka, i cili është prezantuar se e kishte blerë ai këtë shoqëri dhe do i ndiqte ai procedurat për aplikantët që kishin bërë aplikimin dhe për personat që do të aplikonin.

I është marrë deklarim shtetasit Klevis Rreshka, i cili ka sqaruar se ai ka njohje me shtetasen Adeila Makashi që nga fundi i dhjetorit të vitit 2015. Adeila para një jave (nga nisja e hetimeve) i ka thënë që nuk i kanë mirë punët në shoqërinë që drejtonte ajo së bashku me nënën e saj, pasi nuk po menaxhojnë situatën, pasi njerëzit që kishin aplikuar për viza pune dhe studimi donin lekët e paguara dhe nuk kanë mundësi likuidimi. Për këtë fakt ka biseduar me Luli Makashin për problemet e shoqërisë “ANDE-LM”, që ishte në vështirësi financiare dhe kanë nënshkruar një “kontratë dore” në të cilën është përshkruar se Luli Makashi ia shet shoqërinë “ANDE-LM”, 100 për qind të kuotave të shoqërisë “ANDE-LM”, sh.p.k së bashku me çdo të drejtë dhe detyrim që shoqëria ka ndaj çdo personi të tretë, shtetasit Klevis Rreshka. Çmimi i shitjes nga shitësi te blerësi është në shumën prej 1 euro, e cila paguhet nga blerësi në favor të shitësit në momentin e nënshkrimit të kësaj kontrate. Kjo kontratë është bërë në datën 24.04.2016, rreth orës 18:00, në ambientet e shoqërisë “ANDE-LM”. Është ushtruar kontroll në zyrat e shoqërisë “ANDE-LM” me nipt K51803016 T me administratore shtetasen Luli Makashi dhe gjatë kontrollit të ushtruar në këto ambiente janë gjetur dhe sekuestruar një sasi e madhe me dokumentacion aplikimesh dhe refuzimesh të përpiluara nga kjo zyrë si dhe kompjuterët që kanë shërbyer për aplikime apo për mbajtjen e të dhënave.

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.