KULTURË

“Edhe zotat vdesin”, artisti “vret” diktatorin

09:30 - 10.05.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Nga Fatmira NIKOLLI

Imazhi i diktatorit, i projektuar si Zot në emër të totalitarizmit në ekspozitën e Ilir Kasos vjen si një kufomë e shtrirë në tokë, me yllin e kuq në ballë. Megjithëse një sy i tij na sheh ende, mbase si për të thënë se si “miti i Rozafës” emri i tij dhe gjurma që la në jetët njerëzore e në historinë vendit mbetet damka jonë, destini ynë dhe e shkuara e pandryshmueshme. Tek e fundit, “kush do na i kthejë vitet e kauesheve”- do të pyeste Amik Kasoruhon, Rober Shvarc. Ajo ditë kur vdiq diktatori, do të shënohej nga ndokush me shkronja të mëdha në histori. ‘Zoti’ vdiq atëherë, por atë ‘zot’ që u vetëshpall i tillë ne rrekemi ta vrasim përditë, kurdo e kudo e shohim, në forma të ndryshme, e mbase kjo është tjetër mesazh që përmes nënteksteve, ekspozita e Kasos teneton të përcjellë te një publik që përtej imazhit duhet të gjejë forcën të përballet me atë që imazhet duan të kumtojnë. Si një shoqëri ende e pashkëputur nga e shkuara sa dhe si duhet tema jo vetëm tërheq, por gjen edhe publik, që herë është vëzhgues e herë receptor i mesazhit të dhënë.
EKSPOZITA
“Edhe zotat vdesin” është një projekt paralel i Mediterranea 18 Biennale, me të cilin u prezantua ekspozita vetjake e artistit Ilir Kaso, edhe si një përgjigje ndaj ekspozitës pararendëse “Çfarë ke qenë duke bërë kur diktatori vdiq?”. Kjo ekspozitë u propozua si një projekt, në pjesën e parë të të cilit artisti parashtroi titullin në formë pyetjeje. Ai kërkonte të kujtonim ditën kur diktatori vdiq. Ky ishte një kërkim mbi kujtesën shoqërore, e cila lidhet në mënyrë të pashmangshme me vdekjen e diktatorit. Duke u nisur nga ky moment, ai pyeti njerëzit t’i tregojnë për ngjarjet e tyre “të vogla” e si u ndërprenë ato. Sado të thjeshta qofshin, ato dëshmojnë vërtetësi. Përgjatë këtij rrugëtimi kupton se disa e kanë harruar këtë ditë. Dita kur diktatori vdes duhet të shkruhet me germa të mëdha, që brezat të mos e harrojnë kurrë. Ndoshta disa besojnë rimishërimin e Zotit në trupin e liderit të tyre. Besojnë se është i pavdekshëm. Atyre që u ngelet të besojnë në zota të vdekshëm, do t’u duhet të gjejnë një zot tjetër. Ekspozita e radhës vjen si një përgjigje ndaj asaj pararendëse. Ajo vendos marrëdhënien midis figurës së diktatorit të projektuar si zot nëpërmjet ideologjive totalitare, që synuan transformimin e përhershëm të mendjes së individit, duke ofruar si model edukimi mbinjeriun.
Ekspozita që erdhi me titullin në formën e pyetjes pat risitë e saj, ku publiku do të bëhet pjesë e saj. Nuk mungonin vizatime e përgjigje ndaj pyetjes.
Vetë artisti Ilir Kaso do të shkruante historinë e vet, kujtimin e vet për atë ditë që ndryshoi jetët e shumëkujt: “Nuk mbaj mend shumë ç’ndodhi atë ditë prilli të vitit 1985. Ka qenë ditë e enjte. Unë akoma nuk i kisha mbushur tre vjeç kur dita ndaloi dhe vëmendja u kthye diku tjetër. E vetmja gjë që nuk kam harruar janë fytyrat e njerëzve; ato ishin të ngjashme. Atë ditë dikush pati gëzim dhe nuk mundi të festonte, përkundrazi, i duhej të qante. Pati edhe nga ata që nuk mundën të qanin, por kafshuan faqet përbrenda për të mos qeshur me fytyrat e shtrembëruara. Ndoshta atë ditë dikush humbi një njeri të afërt dhe nuk mund të qante në emër të tij, sepse diktatori kishte vdekur. Por, unë nuk dua të më flasësh për historinë, por për ngjarjen tënde ‘të vogël’. Si u ndërpre ajo? Sado e thjeshtë të jetë, ajo dëshmon vërtetësi. Ilir Kaso në 2005 u diplomua në Akademinë e Arteve në Tiranë. Ai është një artist multimedial, që po ndërton një fjalor vizual dhe konceptual nëpërmjet një trekëndëshi mes artit, antropologjisë dhe aktivizimit. Për Kason, përvoja introspective e punës bëhet pjesë e procesit dhe subjektit që ai zgjedh. Krijimtaria e tij është një urë lidhëse drejt botës së “vogël” familjare dhe asaj konsumatore e vlerave të paqarta. Ai është autor i disa ekspozitave personale brenda dhe jashtë vendit, si: “Ëndërrimtarët e realitetit”, në galerinë FAB Tiranë- 2012, “Oxymoron” në galerinë Lokal-int Biel-Bienne Zvicër- 2012, “I am the river” në galerinë Beton 7- Athinë, etj. Kaso ka marrë çmimin për eksperimentim në stilin e grafik “Balkanima” 2005, çmimin “AMC” si artisti më i mirë bashkëkohor 2007, çmimin e publikut “TIFF” 2009, imazhi më i mirë në “Anifest Rozafa” 2010, filmi më i mirë i animuar “Festivali i Filmit Shqiptar” 2012, çmimi i publikut “DocuTIFF” 2015.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.