KULTURË

Në Arbnesh të Kroacisë për të përuruar një libër të prof. Bogdanit

08:03 - 16.05.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Nga Agron SEJAMINI

Ishin shumë 850 kilometra udhë automobilistike për të mbërritur në Arbnesh të Zadarit (Zarë) në Kroaci. Po aq sa edhe shumë pak në respekt dhe nderim të atij komuniteti, që për 290 vite nuk e ka harruar gjuhën shqipe. Bashkë me Prof. Bogdanin ishim të ftuar nga atdhetari i devotshëm, Anton Dedaj, për të përuruar librin “Diaspora etnokoreografike” të Prof. Dr. Ramazan H. Bogdani. Përparësi përbën fakti se pjesë e këtij vëllimi është edhe kapitulli “Ngulime etnokoreografike dhe historike në Arbnesh të Zarës (Zadar), vendbanim me origjinë shqiptare”, që për këtë veprimtari u realizua si botim më vete. Pasditja e 23 prillit në këtë vendbanim arbnesh, i cili më shumë përngjason me një lagje të qytetit piktoresk të Zadarit, kaloi gëzueshëm me emocionet dhe ndjesinë e krenarisë për gjuhën dhe identitetin tonë kombëtar. Disa minuta më herët se të niste zyrtarisht ceremonia e përurimit në Qendrën Kulturore të Arbneshit “Vicko Zmajevic”, kishte filluar të shijohej motivi dhe madhështia e tubimit. Mikpritësit më shumë se me shqipen e rrjedhshme dhe të qartë, “flisnin” me sytë e zemrës dhe ngrohtësinë e shpirtit. Ndërkohë që ne të tjerëve na “iku” goja nga etja dhe lumturia për të dëgjuar sa më shumë fjali nga ata… Përjetuam mrekullinë kur dëgjuam shqipen e Anës, Xhafrankos, Maksimilianës… Sikurse të vinte keq për disa të tjerë që nuk mundeshin të shpreheshin lirshëm, duke treguar pa dashje gjurmët e padëshiruara të asimilimit treshekullor. Të zënë si në faj, këtë “borxh” e shlyenin me lot në sy dhe përqafime…
Hyrja në sallën e përurimit të librit e mjegulloi dëshpërimin e vështirësisë së komunikimit, duke i bashkuar të gjithë pranë njëri-tjetrit, arbnesh dhe shqiptarë, të dytët kryesisht nga Kosova të vendosur këtu herët si dhe kohët e fundit. Edhe ata jo pak njerëz që qëndronin nga pas në këmbë në mungesë të ndenjësve, krijonin imazhin e një koreografie të parashikuar në nderim të plotë të aktit fisnik të këtyre banorëve, të cilët kanë mundur ta përcjellin ndër breza gjuhën dhe traditat e të parëve të tyre. Kishin ardhur edhe nga Zemuniku e Plloça, vendbanime arbneshe, sikundër edhe nga Zadari e Zagrebi…
Këtë veprimtari dinjitoze e çeli duke iu uruar mirëseardhjen të pranishmëve, Profesoresha  Maksimiljana Barançi, kryetare e Bashkësisë së Komunitetit Arbnesh. Shqipja e saj, na bëri që të harrojmë se ndodheshim qindra kilometra larg Shqipërisë. Është një nga personalitetet e njohura të këtij komuniteti, e cila meriton përgëzime të veçanta, pasi organizon e drejton çdo javë kurse të rregullta për të mësuar të folurën arbneshe. Pozitiv është fakti se shumica e të interesuarve për të mos harruar gjuhën e stërgjyshërve të tyre janë vajza dhe djem të shkollave të ciklit të ulët.
Domethënëse dhe e dëshiruar për të gjithë ishte edhe prania e kryetarit të Unionit të Shqiptarëve në Republikën e Kroacisë, Esad Çollakut, që kishte ardhur posaçërisht nga Zagrebi. Emër shumë i njohur dhe i respektuar në Kroaci, një nga gjeneralët e ushtrisë kroate në luftën kundër serbëve dhe më pas pjesëmarrës në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.
Ndjehen si në vendin e tyre shqiptarët në cilëndo pjesë të Kroacisë ku jetojnë dhe punojnë. Bashkë kanë ndarë vështirësitë dhe mirësitë e këtyre viteve të fundit, duke pasur përballë të njëjtat sfida dhe kundërshti. Veçanërisht me shqiptarët e Kosovës, kroatët kanë mundur të krijojnë mirëkuptim dhe bashkëpunim të plotë dhe të shumanshëm. Këtë e dëshmon edhe fitorja e mandatit të deputetes për në Parlamentin  e Kroacisë nga Ermina Lekaj Përlaskaj, shqiptarja nga Kosova, e cila ishte edhe ndër organizatorët e veprimtarisë së përurimit të librit. Përshëndetja e ngrohtë e saj u mirëprit dhe u duartrokit herë pas here për mesazhet që përcolli në çdo fjali të saj. Me interes dhe vëmendje të posaçme u ndoq ligjërata që përcolli Prof. Dr. Ramazan H. Bogdani, duke pasur objekt jo vetëm fushën e etnokoreografisë, por kryesisht atë të historiografisë e më gjerë të diasporës vendëse. Në vijim të tubimit përshëndeti Anton Dedaj, ideatori dhe mbështetësi i organizimit të këtij përurimi, personalitet i njohur dhe i palodhur për propagandimin dhe pasurimin e vlerave e virtyteve të kombit shqiptar. Për të mbërritur tek ai çast i jashtëzakonshëm, kur e gjithë salla vërshoi si lumë drejt Profesor Bogdanit, duke qëndruar për minuta të tëra në radhë për të pasur dedikimin e tij në librin dhuratë të shtypur estetikisht në Zagreb. Në faqet e këtij libri shpaloset historia e komunitetit të shqiptarëve objekt, të ardhur nga krahina e Shestanit në rrethinat liqenore të Shkodrës fillimisht në vitin 1726. Botimi përkatës dëshmon për shumë vlera studimore, historike dhe atdhetare. Libri dhe ekspedita përkatëse janë realizuar me angazhimin krejt vetjak të personalitetit të shquar, Prof. Dr. Ramazan H. Bogdani, (“Mjeshtër i Madh”).
I shoqëruar edhe nga Antoni në atë ekspeditë hulumtuese në mars të vitit 2013, ai gjurmoi dhe mblodhi lëndën e nevojshme për të përgatitur kapitullin e katërt për librin e tij të 19-të, “Diaspora etnokoreografike”, nëpërmjet gjurmimeve në vendbanimet kryesore me ngulime shqiptarësh, Zemunik dhe Plloçë. Trokiti në shumë shtëpi, duke përjetuar gëzimin dhe në jo pak raste edhe zhgënjimin. Kush nuk do të lumturohej kur të përballej në krye të tri rrugëve me emërtimet: “Ulica Jure Kastriotica SKANDERBEGA, narodnog junaka 1403-1468”; “Ulica FRA GJERGJA FISHTE, knjizevnika 1871-1940”; “TRG KRALJICE TEUTE”… Gati të gjitha  rrugët e Arbëneshit kanë emra nga tradicionet e etnisë sonë kombëtare. Njëherësh, ndjehesh i dëshpëruar kur nuk mundesh të vjelësh atë që dëshiron. Më bukur se ne e përcjell këtë ndjesi vetë profesor Bogdani në botimin ‘Diaspora Etnokoreografike’, kur përshkruan detaje nga bashkëbisedimet me arbneshët:
– “Ndodhemi në shtëpinë e Gjani Kotllar, 75 vjeç. Bashkëbisedimi përmes kroatishtes së përkthyer nga Antoni pati karakter të përgjithshëm. Rezultati: pak ose aspak të dhëna për folklorin”.
– “Në vijim të ekspeditës, shkojmë në shtëpinë e Bebo Kotllar, 86 vjeç, i cili jetonte me bashkëshorten Marija Markuci, 84-vjeçare. Mblodha ndonjë ‘thërrime’, nga të cilët m’u rrënjos e thëna shqip e Marijes, se ‘këtu jan’ ler’ tata e nana…’. Largohem nga kjo familje me përshtypje shumë të mira për mikpritjen, por i mërzitur nga rezultati i punës”.
Të dëshpëron në njëfarë mase e tashmja, por kurrsesi e kaluara e këtij komuniteti me një histori ku ke çfarë të kujtosh dhe me se të krenohesh. Për të dhënë një panoramë të shkurtër po i referohemi citimit të Bogdanit në veprën objekt, nga gjuhëtari Prof. Dr. Gjovalin Shkurtaj, i cili ndër të tjera pohon:
– “Ngulimet e shqiptarëve në Arbnesh të rrethinës së Zarës u bënë në fillim të shekullit XVIII, në një situatë kur në Sanxhakun e Shkodrës zotëronte një gjendje pasigurie. Shtegtimi i parë është i vitit 1726 dhe ka të dhëna se ikën 147 veta nga fshatrat Brisk dhe Ljarje. Një vit më vonë më 1727, u nisën për në Dalmaci edhe 171 veta të tjerë, pjesa më e madhe e të cilëve ishin nga Shestani dhe rrethinat e tij. Por, shpërngulja vijoi edhe më vonë. Madje, më 1733 numri qe edhe më i madh, 199 veta, banorë të fshatrave Brisk, Ljarje, Dobrec, Shestan etj. Historianët, duke gjurmuar rrjedhën e këtij mërgimi, si shkaqe më të forta përmenden tatimet tepër të rënda, keqtrajtimet nga funksionarët turq të Tivarit dhe të Shkodrës sidomos ndaj rajasë katolike. Në këto situata, sigurisht, në fatkeqësinë e shqiptarëve, me qëllime fitimi ndërhynin forca të ndryshme siç ishte Venediku, të cilit i vinte për shtat mërgimi i shqiptarëve për të populluar me ta viset e shkreta të Dalmacisë. Ndërkaq, me mënyra të stërholla ky migrim prej Shqipërisë dhe vendosja e tyre në Zarë nga ana e Venedikut, qysh në krye është paraqitur si mbështetje që ajo, gjoja, u jepte mërgimtarëve të mjerë, që iknin “kryesisht për të ruajtur fenë katolike”. Vendi ku u vendosën këta shqiptarë të shpërngulur ndodhet në afërsi të Zarës dhe që në fillim quhej Borgo Erico, nga emri i Nikolla Ericos, mbikëqyrës i përgjithshëm i asaj kohe për Dalmacinë, i cili pranoi të vendoseshin në atë territor. Në Zarë dëshmohet se kanë qenë shumë shqiptarë, por ata që zunë vend në viset përreth me kohë u asimiluan. Përkundrazi, në Arbnesh duke qenë se shqiptarët ishin aty të grupuar dhe në mënyrë relativisht të konsiderueshëm, procesi i asimilimit nuk eci me shpejtësi dhe banorët e tij deri në ditët tona arritën ta rruajnë gjuhën, sado që ndikimet e mjedisit rrethues kanë qenë të ndjeshme. Krahas studimeve të mirëfillta gjuhësore, për njohjen e së folmes së Arbneshit, me vlerë të madhe dokumentuese janë edhe një varg veprash letrare të shkruara në këtë të folme. Të tilla janë dramat e arbneshit Josip Rela si dhe poezitë e tregimet e Shime Deshpalit. Veprat e këtyre arbneshëve, duke u shkruar në një gjuhë nëndialektore, të dallueshme nga gjuha shqipe e sotme, natyrisht e kanë mjaft të kufizuar lëmin e komunikimit me shqiptarët pasi, praktikisht për lexuesin tonë ato nuk mund të jenë të kuptueshme plotësisht pa u përshtatur në gjuhën e sotme, siç është bërë për shembull me dramën “Nita” të J. Relës”. Por, mbi të gjitha spikat dijetari i madh arbnesh, akademiku Aleksandër Stipçeviç, historian i antikitetit, irolog. Për fushën e irologjisë shquajnë studimet e tij: “Gli Iliri” (“Ilirët”), “Problemi i vazhdimësisë iliro-shqiptare…”, etj., kurse në sferën e albanologjisë veçohen studimet “Interpretime albanologjike”,  “Etnogjeneza e shqiptarëve”, etj. Nëse shteti amë, Shqipëria do të kishte treguar dhembshuri dhe kujdes edhe për këta njerëz që i përkasin të njëjtit komb, me siguri që do të përjetonim tjetër realitet. Justifikime dhe arsyetime mund të ketë plot, pasi edhe me halle shumë kemi qenë në gjithë rrugëtimin tonë. Por, të paktën tani që dhe vetë koha po korrigjon padrejtësitë ndaj kombit tonë, edhe ne duhet të bëhemi më bashkëkohorë në koncepte, vizion dhe detyrime. Në Arbnesh këndohet shumë një këngë, e cila nis me vargun: “Eja, shpirt-o, eja…”.  Natyrisht që motivi nxitës i autorit duhet të ketë qenë erotik. Por, nuk e di pse ky refren më jehoi dhe më shoqëroi në të gjitha rrugët e Arbëneshit, si për të kujtuar mëkatet dhe detyrimet që kemi ndaj këtij komuniteti, rrënjët e të cilit burojnë dhe ushqehen me gjak shqiptar…


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.