KULTURË

Retro Brass, histori e bandave frymore nga 1879-1939

11:00 - 16.05.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Shoqata “Artistët Interprete” organizon Edicionin e II-të të “International Albanian Brass Festival” nga datat 18-22 maj. Në kuadër të saj organizohet edhe ekspozita “Retro Brass” – historia e bandave frymore shqiptare në fotografi. Me anë të saj organizatorët kanë për qëllim të pastrojnë pluhurin për të treguar një anë të harruar të historisë së zhvillimit të muzikës shqiptare. Ekspozita është realizuar nën kujdesin e Prof. Asoc. Dr. Sokol Saraçi dhe Ilir Kodhimës. Në këtë ekspozitë fotografie paraqiten: Banda e Maestro Canales, Shkodër (1879), Banda e drejtuar nga Frano Ndoja, Shkodër (1889), Banda e Bashkisë Shkodër (1928), Banda e Shkollës Franceskane, Shkodër, (1930), grupi muzikor “Malet Tona” Shkodër, (1930), Banda e Shkollës së Parrucës, Shkodër (1931), Banda e shkollës së lagjes “Parrucë”, Shkodër (1933), Banda Muzikore e Shoqërisë Antoniane (1939), Banda “Iliria” Korçë, (1909), Banda Kombëtare “Vatra”, Masachusets, (1912), Banda Muzikore Shqiptare, Shkup, (1912), Orkestra e Parë Frymore e Elbasanit, (1917), Shoqëria “Bogdani”, Tiranë, (1923), Banda e Bashkisë Tiranë, (1925), Banda e Pogradecit (1927), Banda Mbretnore, Tiranë (1928),
Si lindën bandat
Pas vitit 1909 dhe hyrjes në fuqi të Kushtetutës së Xhonturqve, në Shqipëri u krijuan hapësira për të zhvilluar kulturën dhe kështu nisën të krijohen klubet kulturore. Një sërë bandash frymore u ngritën në Shkodër, ku pothuajse çdo lagje kishte bandën e saj. E njëjta gjë nisi edhe në Korçë, Elbasan, Vlorë etj. Qytetet e mëdha kishin banda ndërsa të voglat Fanfara. Këto banda luanin pjese nga kompozitorë të shquar si Verdi, Shubert etj., të përshtatur për formacionin e bandës frymore. Fran Ndoja, Martin Gjoka, Palok Kurti, Anton Muçi filluan të përshtatin muzikën shqiptare për formacionin e tunxhit, të arranxhonin këngët e kohës, por edhe të shkruajnë vetë muzikë. Në këtë mënyrë këto klube kulturore nisën të funksiononin edhe si shkolla muzike për instrumentistët amatorë që luanin në këto banda. Kjo sigurisht që dha një impakt në mësimin e instrumenteve, mësimin e muzikës së kultivuar. E kështu më vonë do të kishim personalitete të shquar të muzikës si Çesk Zadeja, Preng Jakova, Tonin Harapi, Ramadan Sokoli etj. Kështu këto banda nisën të kishin një efekt nacional, mobilizues patriotik dhe rilindas njëkohësisht. Kjo lëvizje kulturore mori hov dhe solli gjallëri jo vetëm në aspektin e jetës së përditshme dhe gjallërimin e saj, por në edukimin dhe me muzikë të mirë e bashkëkohore. Disa prej këtyre klubeve kulturore filluan të kishin grupin e teatrit, të pikturës, të këngës etj.
FESTIVALI
Edicioni i II-të i “International Albanian Brass Festival” do të mbahet në Universitetin e Arteve, Amfiteatrin e Liqenit Artificial nga datat 18-22 maj. Në të do të marrin pjesë artistë nga SHBA, Kroacia, Meksika, Italia, Spanja, Kosova dhe Shqipëria. Gjatë këtij festivali do të mbahen master-class pranë Universitetit të Arteve në Tiranë çdo ditë nga ora 10:00 – 12:30 dhe 16:00-18:00 master – vlass-i udhëhiqet nga: Dr. Gregory Jones – SHBA, Dr. Brent Shires – SHBA, Tomislav Spoliar- Kroaci, Hector Tomas – Meksikë dhe Sergio Guarne- Spanjë. Nata e parë hapet me performancën e “Albanain National Brass” në sallën Black-Box në oreë 19:00. Një Ansambël i përbërë nga artistë ahqiptarë të trevave te ndryshme, Shqipërisë, Kosovës e Maqedonisë. Programi i tyre do të përmbajë muzikë nga filmat shqiptarë e të huaj si “Mësonjëtorja”, “Liri a Vdekje”, “Padrino” etj. Këtë koncert “Albanian National Brass” do e mbajë edhe në Shtëpinë e Fëmijës “Zyber Hallulli” në datën 22 maj, ora 16:00, ku me mbështetjen e Ambasadës se Izraelit, fëmijëve do u akordohet me një afat kohor mësimi i gjithës angleze për një afat të caktuar. Në natën e dytë do të performojnë Dr.Brent Shires – SHBA; Iris Hasani, Gianmario Strappati – Itali dhe Jonida Lazellari. Në të tretën, Sergio Guarne – Spanjë, Hector Tomas – Meksikë dhe Aldi Arreza- Korçë. Nata finale do të kulmojë me ansamblin e madh të Brass-Band të Universitetit të Arteve me dirigjent Dr. Gregory Jones, solist Betim Krasniqi – Kosovë, Xhino Daja – Shqipëri. Jepet edhe çmimi “Student of the Year” për studentin më të mirë të festivalit.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.