Me nisjen e fushatës elektorale për zgjedhjet e 25 qershorit, Kodi Zgjedhor rregullon edhe mënyrën se si kjo fushatë pasqyrohet në media.
Kryetari i Bordit të Monitorimit të Mediave, Maklen Misha, shpjegon se sa duhet të jetë koha që televizionet duhet t’i kushtojnë partive politike në edicionet e zakonshme të lajmeve dhe në edicionet e posaçme, në varësi të përqindjes që ato zënë në Parlamentin e Shqipërisë
“Kodi operon mbi parimin e balancimit. Kemi disa kategori, ku janë së pari partitë të cilat përfaqësohen mbi 20% në parlamentin shqiptar. Pra duhet të ketë një balancim të kohës që iu jepet partive, aq sa u jepet njërës i jepet i duhet dhënë edhe tjetrës. Kategoria e tjetër është ajo e partive me nën 20% përfaqësimin në Kuvendin e Shqipërisë. Edhe këtu duhet të kemi një balancim të kohës brenda vetë partive të kësaj kategorie, por kjo kohë duhet të jetë sa gjysma e kohës së iu jepet partive që kanë më shumë se 20% përfaqësim në Parlament.”
Në raste të ndryshme në media të caktuara, sipas aktiviteteve të partive të ndryshme brenda ditës, ndodh që minutazhi nuk është i barabartë. Dhe për të korrigjuar këtë disbalancë, televizionet kanë 2 deri në 3 ditë kohë.
“Kodi kërkon balancimin që ditën pasardhëse. Në disa raste kjo mund ti shtynte mediat që për hir të balancimit të shfaqnin pa pushim kronikat e njërit kandidat apo tjetrit vetëm për të balancuar kohën, por ne besojmë se kjo nuk është fryma e Kodit. Kodi kërkon përfaqësim duke e parë qoftë nga ana kohore, qoftë nga ana e vlerës që ka ky transmetim për subjektet. Pra, praktika që u ndoq ishte që mediave iu kërkua që brenda një afati 2 apo 3 ditor të korrigjonin avantazhin që iu ishte dhënë njërës forcë politike apo tjetrës. Duhet thënë që funksionoi, gjeti edhe mirëkuptimin e KQZ.”
Në rast se koha nuk balancohet dhe televizioni refuzon ta kryejë këtë detyrim, atëherë bordi i propozon Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të gjobisë televizionin përkatës deri në ndërprerjen e sinjalit.
“ Bordi mund ti propozojë KQZ-së vendosjen e gjobave dhe marrjen e masave ndaj këtyre mediave dhe në rast se KQZ miraton gjobat nuk është më një vendim i bordit. Më pas mund të ketë edhe rekomandime për ndërprerjen e sinjalit, në rast se një media nuk reagon ndaj rekomandimeve dhe vendimeve të bordit për të korrigjuar gabimin në balancimin e kohës që iu është dhënë subjekteve të ndryshme.”
Kodi nuk parashikon limit kohor për pasyqrimin e fushatës së partive politike në media por vetëm balancim të saj dhe nga fushatat e kaluara, televizionet shqiptare e kanë respektuar këtë detyrim me përpikmëri.