EKONOMI

Platformat, ambientalisti Mato: Partitë po neglizhojnë mjedisin, asgjë për zhvillimin e gjelbër

10:30 - 15.06.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Ola Mitre

Tridhjetë organizata mjedisore, të shpërndara në të gjithë vendin, japin alarmin se mbi 70% e partive politike të regjistruara në zgjedhjet e përgjithshme të 25 qershorit, nuk kanë bërë publike programet e tyre për zhvillimin e ardhshëm ekonomik, social dhe kulturor të vendit. Ndërkohë që, në deklaratat dhe premtimet publike të liderëve të këtyre partive, neglizhohen, thuajse nuk përmenden fare, politikat mjedisore të cilat udhëheqin vendin drejt një zhvillimi të qëndrueshëm ekonomik në linjë me vendet e Bashkimit Evropian. “Kjo mangësi përbën një rrezik për të ardhmen që ne duam dhe për integrimin e vendit dhe qytetarëve shqiptarë në Bashkimin Evropian”, thuhet ndër të tjera në deklaratën e firmosur nga 30 organizatat e shoqërisë civile.
Zhvillimi i gjelbër
Tri partitë që kanë marrë numrin më të madh të votave në zgjedhjet e vitit 2013 (PS, PS dhe LSI), kanë publikuar programet e tyre. Ndërkohë që, nga një analizë paraprake, rezulton se mjedisi nuk është pjesë e ‘manifestit’ të prezantuar nga Partia Socialiste. Në dokumentin 32-faqësh, përfshihet vizioni për një sërë sektorësh, por për zhvillimin e gjelbër nuk janë paraqitur politikat që do të ndiqen. Kjo parti ka prezantuar programin për një treg energjetik potencial, ku ndër të tjera thuhet se do të synohet diversifikimi i burimeve të energjisë si dhe shtimi i kapaciteteve të reja hidrike, por nuk saktësohet më tej sesi parashikohet të zbatohen këto politika, që ndërthuren me aspektin mjedisor. Nga ana tjetër, programi i Partisë Demokratike përmban 26 pika në drejtim të mjedisit, turizmit dhe pyjeve. “Heqja e detyrimit për leje mjedisore për dyqanet e vogla në zonat e banuara, ndalim i shfrytëzimit të shtretërve të lumenjve për inerte apo ndalim i prerjeve të paligjshme të pyjeve, janë disa nga pikat e këtij programi. Po ashtu, parashikohet mbështetje për nxitje mjedisore, si për shembull efiçenca e energjisë apo përdorimi i burimeve të pastra të energjisë. I pyetur se çfarë nënkupton mbështetja financiare, kreu i Departamentit të Mjedisit në PD, Jamarbër Malltezi tha se “Departamenti i Energjisë në PD dhe Departamenti i Financave e kanë pasur në programin e tyre nxitjen e energjive të rinovueshme”. “Ne si Departament i Mjedisit do të mbështesim alternativat, në lidhje me energjinë e rinovueshme. Për shembull, nëse do të kemi propozime për inceneratorë për prodhimin e energjisë nga mbetjet, ne do të bëhemi barrë. Ne do të kërkojmë të bëjmë studimet e VNM-së me modelime nga studio ndërkombëtare, sepse ndotja që po shkaktohet në Elbasan është kancerogjene. Ndërkohë që, për energjinë e rinovueshme do të jemi mbështetje me sa të kemi mundësi”, – shtoi Malltezi gjatë një konference për prezantimin e programit të mjedisit. Pjesë e programit të PD-së është edhe “rishikim i politikës dhe legjislacionit të koncesioneve të HEC-eve, duke forcuar standardet për mbrojtjen e natyrës”. “Ne duhet të kemi një balancë, jo vetëm për prodhimin e energjisë, por edhe për mbrojtjen e natyrës. Jam në dijeni që ka pasur shumë dhënie lejesh për HEC-e, të cilat kanë cenuar zonat e mbrojtura. Ato, absolutisht duhen rishikuar. Në rast se kemi cenime të zonave qendrore të zonave të mbrojtura, do të duhet të kemi ndryshim ose rishikim të projekteve. Do të ketë edhe anulim të lejeve, në rast se lejet do të jenë sidomos në zonat e mbrojtura, të cilat gëzojnë status të lartë mbrojtjeje”, – tha Malltezi, duke shtuar se nuk ka një shifër se sa do të reduktohet numri i 520 digave të miratuara për t’u ndërtuar. Ndërkaq, në Platformën Politike të LSI-së thuhet se “zhvillimi i gjelbër synon në ruajtjen e resurseve të tokës, ajrit dhe ujërave”. “Mbrojtja e tokës nga erozioni dhe nga ndotja do të jetë politikë prioritare. Ndërsa, shfrytëzimi në mënyrë të integruar të një pasurie shumë të madhe siç është uji – për energji, vaditje, konsum popullate – do të përbëjë një potencial të jashtëzakonshëm zhvillimor të vendit”, përfundon platforma e LSI-së.
Ambientalistët
Sipas ambientalistit Xhemal Mato, “me këto programe nuk pritet ndonjë ndryshim për mjedisin”. “Burimet natyrore, teknologjitë e reja të punësimit nuk shihen në prizmin e një ekonomie të gjelbër, kështu që mjedisi do ngelë gjithmonë joprioritar”, – thotë Mato. Teksa analizon programet e tri partive më të mëdha në vend, ambientalisti thotë se “vihet re që janë shumë të ngushtë në konceptin e një zhvillimi që nënkupton mbrojtjen e mjedisit, mbro-jtjen e pasurisë, teknologji të gjelbra zhvillimi, punësim nëpërmjet këtyre tekno-logjive”. “Nuk ka një koncept të zhvillimit të qëndrueshëm, por thjesht thuhet se ‘do mbrojmë parqet’, që nuk përbën një strategji zhvillimi ekonomik”, -thotë Mato. Gjithashtu, ai shton se “koncepti i zhvillimit të qëndrueshëm ende nuk pasqyrohet në programet e partive për mjedisin”. “Nuk shihen drejtime zhvillimi që të përcaktojnë një zhvillim të suksesshëm ekonomik, por mbi principet e një zhvillimi të qëndrueshëm që nënkupton qoftë futjen e tekno-logjive të gjelbra të zhvillimit. Për shembull, futja e energjive të rinovueshëm nënkupton që zgjidh probleme sociale, probleme ekonomike për të gjithë familjen dhe një qëndrueshmëri në resurset dhe mbrojtjen e mjedisit”, – shton Mato.
Sugjerimet
Ndërkaq, sipas 30 organizatave mjedisore, “përvoja 25-vjeçare ka dëshmuar se çfarë krizash mjedisore dhe për rrjedhojë sociale dhe ekonomike i kanë sjellë vendit programet për t’u zhvilluar shpejt, duke shfrytëzuar në maksimum burimet natyrore dhe shtuar degradimin e ndotjen mjedisore, pra sipas një zhvillimi të paqëndrueshëm”. “Duke qenë se kjo politikë zhvillimi vazhdon të shprehet edhe në angazhimet kaotike të kësaj fushate, ne u bëjmë thirrje partive politike: Të bëjnë publike sa më shpejt programet e tyre elektorale, të përfshijnë në programet e tyre politika për një qeverisje miqësore me mjedisin, duke integruar elementët e zhvillimit të qëndrueshëm, dhe të garantojnë pjesëmarrjen e aktorëve të interesit në vendimmarrje”, thuhet në deklaratë.

Organizatat e shoqërisë civile
1.    Qendra “Grupimi Ekolëvizja” -Tiranë
2.    Forumi i Mendimit të Lirë – Tiranë
3.    Egnatia – Librazhd
4.    Agjencia Joniane e Medias, Mjedisit dhe  Informacionit – Sarandë
5.    Milieukontakt Albania – Tiranë
6.    SEEP – Vlorë
7.    Together for Life – Tiranë
8.    Ekomjedisi – Durrës
9.    Qendra Mjedisore EDEN – Tiranë
10. Qendra e Informacionit Aarhus – Shkodër
11. EcoAlbania – Tiranë
12. Klubi Ekologjik – Elbasan
13. Për Mirëqenie Sociale dhe Mjedisore – Berat
14. CRCD -Vlorë
15. Instituti i Kërkimeve Urbane – Tiranë.
16. AULEDA – Vlorë
17. Fondacioni Gjirokastra – Gjirokastër
18. Tjetër Vizion – Elbasan
19. Unë, Gruaja – Pogradec
20. Sot për të ardhmen – Durrës
21. Instituti për Ruajtjen e Natyrës në Shqipëri – INCA
22. ILIRIA – Tiranë
23. Forumi Shqiptar Liqeni i Shkodrës – Shkodër
24. MIQËSIA – Ulëz, MAT
25. Mbrojtja e Mjedisit dhe Zhvillimi i Turizmit – Kukës, HAS
26. GREEN&CLEAN- Korçë
27. ÇAJUPI – Gjirokastër
28. Adriatic Center – Vlorë
29. GO2 – Shkodër
30. Shoqata e Përdoruesve të Burimeve Natyrore Sllovë – Dibër.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.