![GSH APP](https://gazetashqiptare.al/wp-content/uploads/2022/04/gshok.jpg)
![Download on Apple Store](https://balkanweb.com/wp-content/uploads/2019/01/ios.jpg)
![Get it on Google Play](https://gazetashqiptare.al/wp-content/uploads/2022/04/android-app.png)
Mundësia për një trajner shqiptar në krye të kuqezinjve vijon të jetë një zgjedhje dytësore për FSHF-në. Të paktën, kështu u kuptua edhe në konferencën e djeshme për shtyp, kur gazeta pyeti Dukën nëse është opsion për trajnerin e ri një vendës.
“Nuk kam menduar për emra konkretë, por besoj se që nga sot do të filloj të kërkoj. Nuk e kam mbyllur asnjëherë opsionin shqiptar apo të huaj, e rëndësishme është që të jetë i mirë”, – theksoi kreu i institucionit të futbollit. Tashmë me Shqipërinë pa trajner, që dje ka nisur “lufta” e menaxherëve të huaj dhe vendës, të cilët do të mundohen të bindin Dukën me sugjerimet e tyre.
Një emër që është lakuar pak orë pas largimit të De Biazit është ai i ish-portierit të shquar italian, Valter Zenga. Ky i fundit është lakuar si kandidat për Shqipërinë edhe gjashtë vite më parë. Ish-trajneri i Sampdorias ka drejtuar për herë të fundit klubin anglez, Volverhempton, pikërisht në vitin e kaluar. /PanoramaSport