MILOSAO

Epidam/Dyrrah – në fokusin e monedhës dhe të aktivitetit bankar

10:00 - 25.06.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

 




Nga Gjergj Frashëri

Prerja e monedhës së parë është në arkeologji dëshmia simbolike më domethënëse e fillesave të botës së qytetëruar. Nga pikëpamja stratigrafike historike ajo shënon kapërcyellin prej bashkëjetesës njerëzore në formën e vendbanimit prehistorik, në atë të themelimit së fundi të mjedisit urban qytetar. Bota e shkëmbimit vetëm mall për mall (në trajtën e trombit) evoluoi me shkëmbimin e tyre konvencional përmes parasë. Monedha – e shoqëruar me institucionet rrjedhëse të veprimtarisë së saj, si ato për depozitimin e parasë, ato për marrjen dhe dhënien e huasë (kreditit) dhe ndërtimi i vetë bankave, është vepra që dallon etapën e lashtësisë prehistorike të njerëzimit ndaj botës antike arkaike – pra ndaj qytetërimit përmes mjediseve urbane.
Pa dyshim nëntoka e Durrësit të sotëm, domethënë Epidami si bërthama e qytetit dhe më tej Dyrrahu i madh që e rrethonte atë (Foto 1), ka qenë një ndër qytetet e para të qytetërimit monetar dhe të zhvillimit bankar jo vetëm në viset e Ilirisë por edhe të Mesdheut. Sipas burimeve të shkruara, administratorë dhe tregtarë të civilizimit perandorak helen nga Korkyra dhe Korinthi erdhën dhe u vendosën pranë Epidamit të vjetër të qytetit në vitin 627 para Kr. për të themeluar dhe unifikuar komunikimin qytetar mesdhetar.
Banorët e ardhur helenë bashkë me banorët vendas ilirë – në mirëkuptim me aristokracinë e qytetit (Epidamët) – ndërtuan një të ashtuquajtur Emporion – një port për tregtimin e mallrave, i cili i solli qytetit gjatë shek. 6 dhe të 5 para Kr. një lulëzim të madh. Këtë e ndihmoi pozicioni gjeografik që kishte Epidam/Dyrrah midis Gadishullit Italik dhe atij Ballkanik, si pikënisja e Via Egnatia-s, e cila si vazhdimi i Via Appia-s lidhte Detin Adriatik me Propontis (Byzantium) dhe me Detin Egje.

Pikërisht në gjysmën e dytë të shek. 6 para Kr.  Epidam i përkiste njërit prej qyteteve më të pasur, i cili kishte depozituar një thesar në Olimpia (Foto 2). Të tilla ndërtesa tempullore i përkushtoheshin dhe pagëzoheshin në mirënjohje të perëndive. Në brendinë e tyre në këtë kohë, nuk ruhej flori dhe të tjera pasuri provokuese, por dhurata shugurimi (bekimi) si statuja, portrete skuptorike të çmueshme, stoli apo armë të rrëmbyera dhe pajisje armaturash të ekspozuara, të cilat i jepnin vizitorit të Ndërtesës së Shenjtë, idenë e fuqisë së qytetit përkatës në krahasim me atë qyteteve të tjera. Mbi bazën e terakotave arkitektonike të zbuluara, Thesari i Epidamëve në Olimp është datuar nga arkeologët përpara vitit 530 para Kr.

Si kudo edhe në Epidam/Dyrrah monedhat e para erdhën pikërisht nga qendrat e perandorisë helene. Bashkë me ato erdhën edhe konceptet e ngritjes së institucionit të tempullit me funksionet e depozitimit të pasurisë së qytetarëve dhe mundësimit të huadhënies.
Ndërmjet të huajve të ardhur nga deti apo nga via Egnatia dhe banorëve të qytetit antik Epidam/Dyrrah ka pasur marrëdhënie të pandërprera. Përveç  gjetjeve arkeologjike këtë e përmend edhe Claudius Aelianus në shek. 2 mbas Kr., që Epidamët i patën dhënë në kohën e Kolonisë Helene çdo të huaji të drejtën për të qëndruar në qytet. Në këtë qytet liman të madh dhe të gjallë detarësh dhe tregtarësh – qendra më e rëndësishme tranzite midis Italisë dhe Ballkanit, qëndronin për të jetuar pranë ilirëve dhe kolonistëve nga Korinthi dhe Korkyra, madje banorë me prejardhje nga më të ndryshme nga e gjithë hapësira mesdhetare.
Tashmë është hulumtuar, se nga shek. VI-V para Kr. në qytetet-shtete të Heliadës krahas tempujve si banka religjioze, dhe atyre private,  ishin ngritur me iniciativën e grupimeve të tregtarëve, edhe institucionet bankare administrative (publike), së bashku me atë të kreditit dhe të kamatës. Nuk ka pse qytetet-shtete ilire si Durrësi apo Apolonia të kenë ndjekur rrugë tjetër. Dihet gjithashtu, se në portet tregtare dhe në skelat e ringarkimit të mallrave të Mesdheut, të cilat prisnin vetë monedha, pati brenda epokës helenistike, banka publike (të qytetit) dhe banka private. Këto të fundit morën zhvillim prej veprimtarisë së shkëmbimit të parave të tregtarëve dhe afaristëve, të cilët për biznesin e tyre kishin nevojë për monedhën vendase.
Paralel me ato, në qendrat tregtare si Epidam/Dyrrah luajtën rol të spikatur edhe bankat e tempujve, për depozitimin dhe ruajtjen e sendeve të tejet të çmuara dhe shuma të mëdha të hollash, të cilat konsideroheshin aty të paprekshme. Këto  banka nuk ishin aktive në biznesin tregtar. Ato përdoreshin nga bankat private të angazhuara në tregti, për të depozituar shuma të mëdha parash të fituara. Funksioni i tempullit si ndërtesë banke nuk buron nga interesi i tyre primar për të qenë sipërmarrje parash, por i përgjigjet konceptit të paprekshmërisë të gjithçkaje, që një Ndërtesë e Shenjtë zotëron, dhe ka marrë përsipër të ruajë. Tempujt ekonomizonin vetveten nga paratë që ishin depozituar aty, duke i mohuar vetes përfitimin nga interesat.
Burimet e shkruara antike përmendin për ekzistencën e disa tempujve në qytetin  Epidam/Dyrrah. Por ato nuk janë lokalizuar. Mbi bankat dhe tempujt arkaikë dhe antikë në Dyrrah, arkeologët dinë sot ende shumë pak. Deri tani janë gjetur vetëm disa tempuj extra-urbane. Raportohet se, brenda tyre janë gjetur sasi e madhe më figura përkushtimore (votivo) (Foto 3). Vetëm për një sanktuar periurban mbi Kodrën Daute përmenden edhe një sasi e mëdha monedhash bronxi.
Në periudhën romake numri i bankave private në Dyrrah arriti pikën kulmore. Banka të tilla të vogla u ngritën deri në rrethinat e qytetit. Dëshmi për një „Bankë” të tillë private të vogël dëshmon një gjetje arkeologjike e veçantë nga Nekropoli romak i Dyrrahut, e cila deri më sot sipas dijenive të mija mjerisht nuk është publikuar (Foto 4).
Sipas një njoftimi në WEB-Site e Römisch-Germanischen-Zentralmuseum in Mainz të Gjermanisë, në Nekropolin romak të Durrësit u gjet para disa vjetësh në themelin e një varri gruaje të shek. 2 mbas Kr., një urnë prej qelqi e ruajtur plotësisht. Urna e mbushur me lëng kishte brenda disa tabelëza të prera nga brirët e fildishta të elefantit. Këto tabelëza ishin patinuar me dyllë, të cilat nëpërmjet një gjilpëre ishin gërvishtur me shënime. Pas restaurimit u bë e mundur të lexoheshin pjesë nga përmbajtja së çfarë ishte shkruar në ato tabelëza. Ato kishin shërbyer si fletët e një fletoreje kreditesh, ku ishin regjistruar huatë e debitorëve të ndryshëm, me emrin e debitorit, data e skadimit  të huasë (muaji dhe dita) dhe shuma e huasë e përllogaritur në monedhë argjendi. Një objekt i tillë arkeologjik nuk është ndeshur deri më sot në Europë.
***

Historia e monedhës metalike në Epidam/Dyrrah është nga më të hershmet në Iliri. Por kur ky qytet tregtar i fuqishëm fitoi pavarësinë politike që të priste monedhat e veta autonome?
Çështja është ende në diskutim. Studiuesit e vjetër të numizmatikës (Hasan Ceka, Aleksandra Mano) qenë të mendimit, se monedhat e para autonome Tridrahmet dhe Stateret me shkurtimin „ÄÑ” – u prenë jo më vonë se viti 439 para Kr. Në publikimet e reja mbi thesaret në Shqipëri vendoset si koha e prerjes së monedhave autonome diku në mesin e shek. 4 para Kr. Monedhat e para ishin stateret e tipave korkyrë, të cilat u prenë nga të dy kolonitë, Dyrrah dhe Apolonia, po kështu edhe nga Mbreti ilir Monun. Të gjitha këto monedha tregojnë në faqen e përparme dhe të mbrapme të njëjtat simbole – një lopë kokulur me viçin e saj duke pirë, ndërsa mbrapa një kuadrat me ornamente të stilizuara bimësh dhe yjesh (i ashtuquajtur “Kopshti i Alkinoit”) – të cilat dallojnë nga njëra tjetra vetëm prej Ethnikon-it.
Në përgjithësi mund të përfundohet, se të gjitha monedhat e prera deri në mes të shek. 1 para Kr. mbajnë Ethnikon-in  „ÄÑ”. Enigmë mbeten disa monedha
të njohura, që në faqen e përparme mbajnë kokën e Athinasë dhe mbrapa një Pegasus, si dhe një Ethnikon ipsilon (Foto 5). Të paktën një prej këtyre monedhave do t’i atribuohej me  një siguri  jo  të  pakët  –  si vend i prodhimit të saj –  Epidam-it,
me datën e prodhimit 435 para Kr. – pra pak përpara betejës në Leuqimme-s
dhe kapitullimit të Epidamit përpara Korkyrës.


***
Si përdoreshin monedhat në Dyrrah?  Me interes të veçantë dokumentar kemi vjelur të dhëna mbi përdorimin e monedhës nga shtresat e popullsisë së Dyrrahut në zbulimin spektakolar arkeologjik të kryer në vitin 2010 në të ashtuquajturën “Lulishtja 1 Maj” në Durrës, në nëntokën e së cilës u zbulua një pjesë urbane e distriktit të Zejtarëve ilirë prej shek. 3 para Kr. dhe deri në shek. 4 mbas Kr.  Në një sipërfaqe prej 3.000 m² të gërmimit arkeologjik përmes rrugëve antike të Lagjes së Zejtarëve të Dyrrahut, u mblodhën me dokumentacion 920 monedha (mesatarisht 1 monedhë në 3 m²). Prej tyre, 231 monedha të lexueshme u përzgjodhën dhe janë ekspozuar në faqet e librit “Illyrisches Dyrrah” (Dyrrahu ilir) të dalë nga botimi në vitin e kaluar.
Në se i hedhim një sy planimetrisë së lagjes së zejtarëve dyrrahas (Foto 6), vëmë re,  se katet përdhese të shtëpitë e tyre në të dy anët e rrugëve përbëheshin prej punishteve familjare dhe dyqaneve private (taberna), ku ato shisnin prodhimet e tyre pranë trotuarit. Në këtë copë lagjeje të zbuluar u gjendën punishte dhe dyqane për prodhimin dhe shitjen e bukës, për prodhimin e shisheve të vogla parfumesh apo lëng ilaçesh, për dryna dhe brava portash banese, për ngjyrosjen e materialeve prej shajaku, u gjendën pijetore apo restorante, etj.  (Foto 7).
Monedhat janë nga më të ndryshmet prej bronxi dhe argjendi. Më të hershme i takojnë shek. 5 para Kr. Prej shek. 4 deri në mes të shek. 1 para Kr.  u gjendën gati të gjitha monedhat të prera në Dyrrah, të cilat i përkasin në pjesën dërrmuese dy tipave, “Koka e Herakliut/Armët e tij”  dhe  “Koka e Zeusit/Trekëmbëshi” (Foto 8). Një veçanti paraqet një monedhë iliro-he-lenistike argjendi e vogël e tipit  “Koka e Hermesit/Protome  e  Pégazit (Foto 9).
Numri më i madh i monedhave vjen nga koha romake, njëherazi nga horizontet e materialeve të djegu-ra dhe mbushjeve të shek 2 deri në shek. 4 mbas Kr., nga  tabernae-t dhe punishtet,  nga sipërfaqja e kalldrëmeve të rrugëve dhe në shtresat mbushëse me çakëll tjegullash mbi ato, po kështu edhe nga mbushja e kanaleve të rrugëve dhe kanaleve të hapura midis shtëpive (Foto 10).
Prerja më e vjetër e kohës romake i përket një sesterce të Au-gustit nga vitet 28 deri 15 para Kr. Shumica e monedhave të lexueshme të kohës romake datojnë prej fundit të shek. 1 deri në fund të shek. 2 mbas Kr. Pjesa kryesore e këty-re monedhave u gjendën të vetmuara, dhe prandaj vlerësohen si monedha të humbura nga qytetarët në kohën antike. Vetëm në një shtëpi punishte qelqi u zbulua një thesar i murosur, me 64 monedha romake, të cilat datuan në një diapazon prej vitit 97 pas Kr. deri në kohën e mbretërimit të Mark Aurelit (161–180 mbas Kr.).
Të gjithë këto ekzemplarë monedhash të veçuara janë monedha të humbura nga banorët dhe kalimtarët mbi rrugët, në kanalet dhe para dyqaneve të lagjes antike.
Rezultatet e këtij gërmimi plotësuan ndjeshëm tablonë e përdorimit të monedhave nga qytetarët e Epidam/Dyrrahut për  një  periudhë  më  se  një mijë vjeçare të antikitetit. Aty mësuam diçka më shumë  –  se si zanatçinjtë  ilirë të këtij qyteti të famshëm antik punonin dhe fitonin monedhën  në  punishtet dhe dyqanin familjar,  se gjithçka shitej dhe blihej me monedhë,  pamë se si qytetarët lëviznin nëpër qytet me monedha në xhepa,  se si ndonjërit prej tyre i kishte rënë monedha nga xhepi, dhe se si disa syresh i fshihnin ato edhe nëpër muret e shtëpisë. Me siguri ata që fitonin shumë e më shumë, apo donin të investonin,  u drejtoheshin bankave të qytetit për të depozituar, apo për të marrë hua.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.