KULTURË

Zake Prelvukaj: Art mes plumbave në Kosovë, do vdesim me makthet e luftës

09:00 - 01.07.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Fatmira NIKOLLI




Mbaj mend që në luftë protestonim të gjithë. Ne protestonim me art. Rroba fëmijësh të Drenicës vumë mbi trupat tanë dhe dolëm shesheve. Policia na ndiqte. Kishte prej nesh që u vranë. Ajo dhimbje nuk mund të fshihet kurrë. Deri në frymën e fundit. As nuk mund të harrohet edhe pse nuk do jetë në mendimet tona aq shpesh dhe aq shumë sa në kohën e luftës.
Shumë vite pas luftës, tanimë kur Kosova ka një shtet, plagët e shtypjes, dhunës, a terrorit, janë zbehur, por nuk janë shëruar. Sërish, gjurmët mbeten. Në sheshet ku dikur protestohej, ndjehen hapa. Hapa të ikurish, hapa të vrarësh, ndjehen frymëmarrje ndërsa kujtesa pamore është ende e fortë.
Përtej kujtesës, veprat e artit të krijuara atë kohë, si art dhe dokumentim i gjendjes, përbëjnë sot një kujtesë të regjistruar jo veç në mendjet e dëshmitarëve, por edhe në aparatet e kamerat modeste të kohës. Zake Prelvukaj njihet si artistja që theu tabutë në artin pamor të Kosovës. Me më shumë se 30 ekspozita në qytetet shqiptare dhe ato europiane, është vlerësuar edhe me çmime. E ftuar në Tiranë nga Inva Mula, ku ekspozon pranë Pazarit të Ri, ajo ndalet në “GSH” në një rrëfim mbi luftën e për luftën. “Ka punuar vetëdija dhe ndërdija duke i ngacmuar shtresimin e ngjarjeve”- shqipton nën zë. “Natyrisht gjatë gjithë kohës”, shton ajo, “do kishim pasur dëshirë të vizatonim edhe diçka tjetër, por ajo që njeriu absorbon gjatë luftës, ajo që ti shihje, hynte brenda teje. Ka qenë ekspozita “X-sat flasin”, që ishte një art i rezistencës. Aty, X nuk ishte kryqëzim, X ishte caku, thoshim se ne jemi këtu, kërkonim shpëtim. Atëkohë, i bëra apel NATO-s dhe BE-së të mbronim popullin tim, përmes ekspozitës “X-sat flasin”. Kujton ende se në ato punime, ajo që shihet janë ato që ndodhnin, dhunimi i grave e i fëmijëve. “Formula e regjimit të kohës në Kosovë, ka qenë- vrisni ço gjë që merr frymë”.
Pothuaj 20 vjet më pas prej asaj ekspozite rithekson se “artistët janë opozitë prej këtyre ngjarjeve. Në intervistat e kohës që dhashë për “London Times” dhe “The Guardian” kam thënë që janë ato që shfaqja në ekspozitë, janë vizatime të popullit tim. Edhe nëse populli im do kishte keqtrajtuar dikë, prapë do të reagoja njësoj. Por më fuqishëm reagon njeriu kur sheh njerëzit e vet duke vuajtur. Ishte dhimbja e Kosovës”, rrëfen ajo. Zake Prelvukaj ka lindur në Plavë dhe është e diplomuar në Fakultetin e Arteve Figurative – dega e pikturës mandej me Muslim Mulliqin në Prishtinë. “Në atë kohë kam qenë në Kosovë, ishin vitet 1997,1998, 1999. Nuk lëvizja dot. Kemi pasur probleme me dokumentet dhe lëvizjen”.


LUFTA LA DHIMBJEN
A mund të çlirohemi nga e kaluara? A mbetemi peng i kujtimeve? A ekziston e tashmja apo ajo është nën pushtetin e asaj që ishim? Zakja ka një përgjigje për këtë, për çlirimin fizik e mendor si luftë e përditshme. “Mendojmë të gjithë se jemi çliruar, por unë mendoj se jo. Nëse i bëjmë analizë vetvetes, do shohim se ai shqetësim i brezave tanë do të mbetet deri sa ne të ikim në botën tjetër. Ndoshta do të zvogëlohet mendimi në masë, por te ne do të qëndrojë derisa të jemi gjallë. Është traumë”. Kujton një fëmijëri e rini, që me gjithë çfarë ndodhte, me gjithë demonstratat e përhershme, ishte sërish një rini e bukur, mes artit. Një ditë do të vinte ajo që s’e patën menduar kurrë. “Ne jemi rritur mirë, ishim të rinj të rrok-ut, bluz-it, xhaz-it, vizitonim teatri e ekspozita. Nuk mendonim që do arrinim deri te lufta”- thotë ajo. Arti i kohës ishte revoltë atë kohë. Arti pamor e skenik, kënga, filmi, gjithë ç ‘prodhohej i kushtohej sa mundej gjendjes së shqiptarëve. “Ka pasur vetëm revoltë”, kujton. “Po, rrezikonim. Sidomos kur kemi bërë performancat, kemi pasur performancat të xhiruara nga Euronews. Kemi bërë performanca me rrobat e fëmijëve të Drenicës në qafë, madje na ndoqi policia pas saj. Ne ia dolëm të ikim e të mos na kapnin, por nuk mundëm ta vazhdonim projektin në sheshe të tjera”. Rreziku e mendimi i rrezikut i ndiqte më shumë se gjithçka. Frika përhapej kudo, paniku mbizotëronte. Si do të ishte e nesërmja. E pyes nëse familja rrezikonte prej artit të saj. “Atëherë nuk kishim kohë të mendonim sa rrezikonim. Secili në Kosovë e kishte misionin e vet. Secili ishte i rrezikuar. Ne na u vra një shoqe aktore, Ardiana. Na u vra në kafe me ne”. Kujtesa është ajo që dhemb sot. “Ne artistët, atë që shohim nuk e harrojmë dot kurrë, sepse e fotografojmë në moment dhe nuk shlyhet kurrë. Nuk kemi vuajtur sa shumë të tjerë, por ishim të survejuar gjithë kohës. Lajmet e këqija në televizion, qoftë vetëm lajmet, të jepnin ndjesi frike. Megjithëse jam optimiste, nuk harroj dot. Jam e lumtur që vitet e ’90-ta i kam dokumentuar të gjitha ato që kanë ndodhur. Ekziston ai art që nuk e shes. E ekspozoj, po nuk shes”.
ARTI I PASLUFTËS
Nëse arti i luftës ishte me interes për galeritë e huaja, çfarë ndodh me atë të pasluftës? Zakja flet për një art të Kosovës që i ka dyert e hapura. “Kosova është mirë edhe në botë. Kemi marrë pjesë në bienale dhe në muze nëpër botë. Aq pak jemi dhe aq shumë artistë ekspozojnë jashtë. Do vijë një kohë që arti ynë do ecë më shumë, sepse ende nuk kemi galeri bashkëkohore. Pa fajësuar shtetin – duhet të merren në punë individë që e njohin artin e punën. Italisë, po t’ia heqin artin nuk i mbetet asgjë, do jetë gërmadhë”. Ndër vështirësitë që përmend është kalimi i veprave nëpër dogana, transportimi i tyre nga Kosova për ekspozita jashtë. “Ne nuk kemi një kod, për të kaluar veprat e artit në kufi. Ne punët e artit i kalojmë në kufi si të ishin patate. Piktura duhet të transportohet me mjete te veçanta, me kuti të veçanta, pasi nuk duhet dëmtuar”. Megjithëkëtë, pranon se ka një kosto tranzicioni. “Tranzicioni i kushton çdo shteti, si një fëmijë që nis të ecë, mëson të flasë dhe vjen një ditë që mëson gjithë çfarë i duhet”, thotë Zakja.


Shfaq Komentet (1)

Leave a Reply to fery Cancel reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

  1. E madhe eshte Zakja dhe arti i saje . Thjeshtesia si ajo i trajton gjerat , e zakoneshme , ne vecanti artin dhe modestia e saje jane shume mbresenese…fundi i fundit , 4 femra te medha ka Kosova… , Shene Terezen , Zaken, Majlinden dhe Uta Ibrahimin…per fat te keq , nuk kane degjuar te kemi ndonji burr te kalibrit te tyre ..!

    Përgjigju ↓