MILOSAO

Historia e një patrioti shqiptar

08:49 - 10.07.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Nga Takuina  ADAMI
Duke shfletuar gazetën Muzikore online OpusAlb.com me shumë tema  informative, që publikon muzikologu Nestor Kraja, në rubrikën Histori, vura re të rreshtuar Kopertina të disa librave të autoreve të ndryshëm me Këngë e Poezi, shoqëruar me veçoritë përkatëse , duke filluar nga viti 1921.
U gëzova kur pashë, midis tyre dhe librin e këngëtarit popullor Nazif Osman Mamaqi, gjyshit të mikeshës sime Kozeta Mamaqi, njëherësh autore e tre librave me tregime ( një për të rritur e dy,  shumë të dashur, për fëmijët ), dhe mendova t’i telefonoj.
Përgjigja e saj përbënte një surprize për mua:- Ai nuk ka botuar  vetëm një libër me këngë e poezi, por pesë të tillë, nga të cilët, i pari daton 1919 – me tha Kozeta.
Mjaftoi kaq , për të zbuluar plot kuriozitet veprimtarinë  e tij pak të njohur..
Sipas titujve e viteve të botimit janë këta libra:
Libri i  I-re “ Këngë e Vjersha” është botuar në Boston, 1919
Libri II -të “ Kopshti i Këngëve” , botuar 1920 në Elbasan.
Libri III- të “Valët e Vjosës”,  botuar 1923 në Tiranë
Libri IV -të “ Tufë Lulesh”, botuar 1925 , Tiranë.
Libri V-të “ Burbuqet e Pranverës” u botua me 1928,në Tiranë dhe u ribotua, po në Tiranë nga shtypshkronja  “Gutenberg”, në vitin 1933.
I lindur në Përmet, me 1989, Nazifi i përket periudhës së Rilindjes Shqiptare. E, në se Rilindja Europiane  sillte zgjimin drejt një epoke të re, Rilindja  në Shqipëri sillte zgjimin nga robëria 500 vjeçare.
Në këtë atmosferë , ajo u shoqërua me një lëvizje të gjerë kulturore, përparimtare e demokratike gjatë gjysmës së dytë të shek. XIX, ku hapat e parë i hodhi letërsia artistike , e nisur me De Radën dhe e ndjekur nga të tjerë rilindas si vëllezërit Frashëri, N. Veqilarxhi, Zef Serembe, Çajupi, Mjeda  etj.
Në fillim të shek. të XX, këngët patriotike pasqyruan drejt për drejt luftën e popullit tonë për liri e pavarësi. Tematika kryesore e poezive dhe këngëve përqendrohej të atdhedashuria. Këngët si “ Për mëmëdhenë” e M. Gramenos, “ Të gjithë ne o djemë” e S. Ilo apo “ O trima luftëtare “ e S. Floqit, janë bërë aq popullore, saqë edhe sot këndohen me raste në festat tona historike.
Në krijimin e këtyre këngëve, u përfshi gjithashtu dhe lëvizja amatore muzikore, në këtë periudhë të Rilindjes Kombëtare, që  duke u mbështetur dhe në këngët popullore, fitoi ndjeshmëri e masivitet .
Përmbajtja patriotike dhe thjeshtësia e ndërtimit, si dhe qartësia melodike, i bëri ato shumë të dashura për popullin. Pra, njerëz të thjeshtë që përjetonin ndërgjegjen historike të kohës, u angazhuan në këtë krijimtari.
Dhe ishte pikërisht një prej tyre  edhe Nazif O. Mamaqi , idealet patriotike  të të cilit , i gjejmë të shpalosura në  ketë veprimtari .
Aq e fuqishme ishte ndërgjegjja kombëtare e këtij brezi patriotësh për ta “ bërë Shqipërinë”, sa kësaj periudhe i përkasin  krijimet e klubeve të shoqërive të para patriotike të kohës, hapja e shkollave shqipe, botimet e librave dhe gazetave, etj. Duke treguar kujdes edhe për zhvillimet artistike e kulturore, me 1978 formohet  orkestra e pare në  Shkodër , ndërsa me 1909 krijohet Banda e Lirisë në Korçë.( material plotësues me germa të vogla)
Në këtë fryme, pas mbarimit të shkollës së mesme në Përmet, si shumë të rinj, Nazif O. Mamaqi  emigroi në Amerikë. Aty, në Boston, ai botoi  librin e tij të parë , “ KENGE  E VJERSHA” më 1919.

Ky libër ka 62 faqe.  Në pjesën e parë të tij mbizotërojnë  këngët  e poezitë e autorit, ndërsa në vijim ka edhe krijime të autorëve të tjerë e njëkohësisht dhe krijime të popullit . Në kontakt me elementin përparimtar e patriotik të shqiptarëve të Amerikës , ai botoi  librin e tij të  parë. Me mllefin e një 20 vjeçari, ia dedikoi këtë libër, ( me shkronja kapitale), vuajtjes së popullit tonë gjatë mizorive të pashoq të grekëve ndaj popullsisë çame dhe detyrimit me forcë e padrejtësisht të largimit të tyre nga shtëpitë e trojet e tyre.

Ai bëhet kështu një  denoncues publik  i të vërtetës historike rrenqethëse të politikes shovinistë Greke ndaj popullit  tonë….
Refugjatëve
Që vdiqën në ullinjtë e Vlorës
Viktima të barbarive  Greke
Këtë libër ua dedikoj
Me pas , në parathënien, shkruar përsëri prej tij,  duke qenë i ndërgjegjshëm për nivelin artistik, jo si do donte të ish ,ai u kërkon ndjesë lexuesve. Ai është modest.
Por, sigurisht, atij as që  nuk i ka shkuar në mendje, që këto pasthirma të shpirtit të tij, të dokumentuara në këtë libër, kanë  vlera të jashtëzakonshme  njohjeje, si për brezin tonë, ashtu dhe për ata që do vijnë pas nesh.

Ne nuk i njohim aq sa duhet këto fenomene e na duken shumë të largët, por nuk duhet të harrojmë se kanë qenë e vepruar, vetëm  një shekull më parë, në truallin tonë. Kanë qenë mijëra njerëz, që kanë përjetuar shpërnguljet, pasigurinë, çvlerësimin e varfërinë pas largimit nga trualli mëmësor, ashtu si po ndodh edhe sot në botë , për fat të keq.

Në krijimet e tij në këtë libër, krahas këngëve e poezive patriotike, si “ Shpresave të Shqipërisë “  e “ Vojtja Historike e Shqipëtarëve”, që shoqërohen me foto , gjejmë dhe këngë  të tjera, të ilustruara,  që flasin për mjerimin e vuajtjet e popullit tonë gjatë deportimit  masiv të shqiptareve nga trojet e tyre , si pasojë e politikës shoviniste Greke e Serbe.


Poezitë e këngët me fotot
Më 1920, si shumë bashkatdhetarë , që nuk mund të qëndronin indiferent ndaj fateve të atdheut, Nazif O. Mamaqi kthehet në atdhe ,ku përfshihet në luftën e Vlorës kundër Italianëve.
Ky fakt  motivoi ketë “ shpirt të lire” të vazhdonte veprimtarinë e tij krijuese .
Në librat e tij të mëvonshëm , ai do të përfshinte në to dhe këngët e poezitë  me të mira të mjeshtrave të letërsisë shqipe, krijimtarinë e njerëzve të thjeshtë, që manifestonin atdhedashurinë në këngët e tyre , pa lënë menjanë dhe krijimtarinë e këngëve popullore të krahinave  të ndryshme,  si me përmbajtje patriotike, por dhe ato jetësoret, të dashurisë për jetën e natyrën , por dhe satirike.

Kështu, shumë shpejt ai boton vëllimin e dytë të këngëve e poezive me mbresat dhe trimeritë e luftës së Vlorës , titulluar: “ Kopështi i Këngëve” me 1920 në Elbasan.

Fatmirësisht të 5 librat e tij  bëjnë pjesë në arkivin e Bibliotekës sonë Kombëtare, por që për momentin, nuk mund t’i shfrytëzojmë për ta bërë edhe më konkret këtë shkrim.
Në këtë situatë , është përseri Kozeta Mamaqi, që na vjen në ndihmë  me një libër prej mbi 100 faqe, të fotokopjuar , të cilit i mungon kopertina , (gjë që na bën të mos njohim titullin dhe vitin e botimit) , por të njohim përmbajtjen e tij.

Nga ky libër , po veçojmë 3 këngë të Nazif O. Mamaqit :

“ Abdyl Bej Frasheri”

Kush ishte që kundërshtojti
Në Berlin n’atë kongres?
Kush që valle që i ndalojti?
Kush harxhoj lira një thes?
Ish Abdul Frasheri
Me mendjesinë
Me njan’ i varfëri
Dhe pasurinë
Kush ish që jau preu hovin
Kongres që donte të na coptonte
C’njëri ish që lojti rolin
Atë rol kush ish ta lonte?
Ish Abdul Frasheri
Me mendjesinë
Me njan’ i varfëri
Dhe pasurinë
Abdul! Dot vinjë një ditë
Dhe dita e jote do të jetë e shpejtë
Shtatne’ tent me një statyte
Ke për të pare o, shpirt i shenjt
Abdul bej Frasheri
I asaj ditë
Ish shpëtimtari
Shpirti i ndrihtë

“ Mizoritë serbe
në Kosove”
( pas zerit turqisht Canakalanënicende)

A  dini o Shqiptare,
Në Kosove se c’ngjet,
Koberit barbare dhe njëres të gjalle
Oh oh serbi në var i kllet.
A dini o Shqiptare
Sec po heq ay vent,
Me sy si kemi pare në thik si i ka ven,
Oh oh dhe mishtë u ka ngren.
A dini o Shqiptare,
Serbi se çpo punon,
Të mjerët Kosovare si rin e si durojn
Oh oh c’të them dot si tregonj.
Kini ndërmend Shqiptare’
Kure mos haroni,
Kosoven pa mare vdekje të kerkoni.
Oh oh Kosoven shpetoni

Ja dhe një :
“ Këngë Dashurie”

Meret pas zërit amerikan Kay, kay, kay  Kety

I-a ku tek rendi
Vajza me erdhi
Tjatër s’dua
Se kjo mua, me pëlqen
Ku ku vajte?
Moj manushaqe
Se me kalle
Në dhe fare të adhuronj
Ku ke lere
Thuam’ një here
Ku je vdekje
Me të shpejtë
Mua, me mer
Kur lumtëria
Dhe dashuria
Nuk kujtohet
Edhe s’mbarohet
Me mir, të vdes.

Në ketë botim  gjejmë dhe shume autorë këngësh e poezish të tjera, duke filluar nga Asdreni, GJ. Fishta , me fragmente nga “ Mrizi i Zanave”, për të vazhduar me këngët e M. Gramenos, Th. Floqit, L. Llogorit, F. Vokopolës, Th. Nasit, M. Tziko ( Ciko), N. H. Imariotit e shume të tjerëve si dhe këngët popullore të kohës.
Gjithashtu gjejmë përkthime të mjeshtrave të gjuhës shqipe si “ Marsejezën”, e përkthyer nga  F. Konica, poezinë e famshme të E. A. Poe “ Korbi”, përkthyer nga F. S. Noli,  letrën e njohur, drejtuar të birit “ Sikur “ të R. Kipling,  përkthyer nga Arqile Tase etj. Në këtë libër ka dhe këngë dashurie, midis të cilave disa këngë të përkthyera nga TH. Nasi , por  dhe pesë këngë dashurie të përkthyera nga anglishtja  nga Nazif Osman Mamaqi.  Në libër do të gjejmë edhe këngë të tjera, si  Italianë , Greke, Franceze, Spanjolle e deri Filandeze, përkthyer nga autore të ndryshëm.
Kërkesa ndaj këtyre librave në atë periudhe ka qenë kaq e dobishme, sa shtypshkronja “Gutenberg”  ribotoi, me kërkesën e klientëve, librin “ Burbuqet e Pranverës”, në vitin 1933.

Po cila ishte familja e Nazif O. Mamaqit, që i dha kaq ndriçim mendjes se tij, krahas atmosferës historike që përjetoi?
I ati, Osman Mamaqi , pasi kreu shkollën e mesme në Përmet, punoi në Bashkinë e qytetit.
Djali i parë, Lame Mamaqi lindur 1891- ishte ai, që ngriti flamurin Shqiptar me 1912, në Përmet. Ai punonte në gjykatë.
I treti, Nystret Mamaqi,1908, kreu Harëardin në ( Neë Yuork’), Amerike për zooteknik dhe punoi, fillimisht në Shkollën Bujqësore , Kavaje e me pas në Radio- Tirana, si përkthyes i anglishtes dhe lexues i lajmeve në ketë gjuhe.  Si njohës i thelle i anglishtes, ai ka përkthyer librin “ I fundit i Mohikanëve”.
I katërti, Rahmiu, lindur 1913 kish kryer Fakultetin e Ekonomisë  agrare dhe ka punuar si këshilltar per Bujqësinë në Kryeministri.
Nazifi kishte dhe një motër, Fatimenë, lindur me 1906.

Nazifi nuk jetoi gjatë. Ai u nda nga jeta parakohe, me 1939, i konsumuar siç duket nga pasioni i tij për të krijuar ,mbledhur, botuar e shpërndarë fshat me fshat e qytet me qytet , siç e tregon kjo foto “emblematike”   idealin e tij, ndjenjën patriotike e dijen në popull, nëpërmjet këngës e vargjeve .

I ngarkuar me thesin me libra, jo vetëm për t’i shpërndarë, por dhe për të dhënë koncert me këngët e tij, ai mbeti në kujtesën e popullit . Atë, edhe sot  e kujtojmë  për altruizmin e pasionin e tij të atdhedashurisë në përhapjes e kulturës dhe ideve përparimtare ,gjithmonë me mendimin “… se dritë e diturisë, përpara do na shpjerë…….!
Janë dy këngë , që populli i pati kushtuar Nazif O.Mamaqit:

Në Majestik
U tund mileti
Se dha koncert
Nazif Permeti

Me jelekaqi
Me kajm e’naqi
Nazif Mamaqi
Sa na kënaqi

Me zen e holle
Posi bilbili
Me bukurinë
Si trëndafili

Është ironik
Dhe satirik
Fort simpatik
I veshur shik

Kur del në skenë
Bastun në dore
I pispillosur
Si për kurorë

Kur këndoi këngën
E Dhimitraqit
Qahej mileti
I lumtë Mamaqit

Se su mbajt dot
Qavi me lot
As sot as mot
Se haarron dot

O ,o i gjori
Është këngëtori
Është liberatori
Me popullori

Me shishe në duar
Pluhur ngarkuar
Duke kënduar
Duke lodruar

O na kënaqi
Nazif Mamaqi
Nazif Mamaqi

Kurse kënga tjetër që i kanë kushtuar është:
KENGETORI
FAT-FARMAK
Një njëri, një varfanjak,
Thar’ e thyer në varfëri
Ky Mamaqi fat-farmak
Ish njëri si asnjëri!

Me një thes me libra dënga,
Një kothere buk’ të that’
Dhe një pallto të pamenga
Der’ me der’ e fshat me fshat!

Mirpo librat që perpishtë
Në shkëmbim me luge cape,
Ishin sulme trimerishtë,
Ishin prush’ i një etape!

Ishin ura, ura zjarri
Nëpër vatra të barotit,
Ish rënkim i një të vrari
Në atdhe të Kastriotit!

Ky njëri si asnjëri,
Sado s’kishte dituri
I shërbeu dituris,
Dyqind libra mbi kurris!
E prandaja, brez i ri
Ta kujtoj me dhembshuri,
Trubadur e vegjëlisë!

Por, ndonëse u largua herët nga jeta, Nazif O. Mamaqi na la “‘ thesarin e tij”, pasurinë e tij shpirtërore e historike të asaj periudhe në të 5 librat, por dhe trashëgiminë e tij letrare genetike, poetike , apo vokale që e kanë trashëguar, ku me pak e ku me shume , të gjithë pasardhësit e tij.

*Tiranë qershor 2017


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.