MILOSAO

Rikthimi i Greblleshit

08:45 - 10.07.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Eda DERHEMI




Liun e Cakut, këtë prodhues karakteresh e diskursesh tipike të Tiranës së vjetër, e kam takuar krejt rastësisht në 2014-ën kur në Tiranë po dilte dimri – i lagësht, gri, i ftohtë; ligjërata e Liut dhe mjedisi familjar i tij, m’u bënë nënkresë e m’u bënë balsam atë vit kur Tirana më shtonte vetminë e mallin për gjëra jo fort të përcaktuara me natyrshmërinë e vet, me gjuhën e lagjeve ku jam rritur, me kujtesën e njerëzve më të dashur të vegjëlisë që më kishin lënë prej vitesh. E takova Liun bashkë me Mustafa Greblleshin, një autor që as e njihja e as e prisja të ishte siç më doli; Liu tek unë priu Mustafain, sido që ishte ky që prodhoi Liun në diskursin dialektal të Tiranës, por sidomos si zë tipik i identitetit tiranas.  Liu, pseudonimi me të cilin Greblleshi shkruan nëpër gazetat e viteve të para të ’40-ës skica humoristike të mprehta, progresiste, me humor të hollë e kompleksitet intelektual, ishte emër që Tirana e vjetër e ndiqte dhe e njihte mirë, edhe kur nuk ia dinte lidhjet me emrin Greblleshi. Me Greblleshin atë pranverë të paardhur, më takoi libri prej Botimeve Çabej “Muhabet tirançe me Liun e Cakut”(1997).
Takova para dy javësh Greblleshin në zërin e atij vetë, rrëfyes i kohës dhe i vetes në një pesëvjeçar të turbullt tërmetesh socialë që rrënjësisht shndërruan Shqipërinë, periudhë që ende s’u është shfaqur krejt dhe hapur shqiptarëve, në “Kujtime ’39-‘44″ botuar gjithashtu nga Çabej. Janë kujtime e mejtime ato që na kallëzon Greblleshi për një Tiranë që e kemi harruar apo as e dinim se ishte, për njerëz që duket se nuk gjenden më përreth nesh për dëlirësinë, mirësinë dhe dijen që njohin si të vetmit orientues e peshore vlerash jetësore. Duket sikur djalli as ia dilte t’i yshtte e as t’i prekte! Prej Greblleshit takojmë një galeri njerëzish — Greblleshi i pari, sido që ai s’vetëlëvdohet kurrë në kujtime —  me një integritet të thellë, që i bënte të pacënueshëm nga vesi dhe e keqja, që ngeleshin të fuqishëm e të respektueshëm në brengë e hall, edhe kur i hidhje në burg a u vrisje njerëz të zemrës, i lëndoje, u vidhje profesionin e i bëje nga sot nesër bojaxhinj, edhe kur u kallje tmerr një herë, u kallje tmerr dy herë, i lëndoje rishtas e i kërcënoje në më të shtrenjtën. “Kujtime ’39 – ‘44″ njohin me Greblleshin njeri aq sa me Greblleshin shkrimtar, si edhe sjellin realisht vitet e trazuara të Luftës para ardhjes së komunizmit e menjëherë pas tij.


Kujtimi si gjini dhe roli i njeriut shkrues
Memuarin apo zhanrin e kujtimeve Daniel Mendelsohn (2010)[i] e quan delja e zezë në familjen e letërsisë që “si një i ftuar dasme i dehur, bën me turp kushërinjtë e vet që janë esëll”. Arsyet e diskutuara janë të ndryshme, por themeloret për Freudin së paku, ishin, që të dyja, arsye etike: nevoja  e brendshme e kujtimeve për të kallëzuar në mënyrë indiskrete persona të pambrojtur, miq a armiq, qoftë edhe veten, që zbulohen ku e si nuk duan, papërgjegjshëm e lëndueshëm. Tjetra arsye është në një kuptim e kundërta e kësaj më sipër: çfarë i heq vlerën çdo forme letrare kujtimesh është rrejshmëria e vet e pashmangshme. Unë më shumë në këtë qasje shoh analistë të frustruar që nuk pranojnë shkrimtarët e memuarit  sepse, duke thënë të vërtetën, lëndojnë ata që domosdo bëhen pjesë e tregimit, ose sepse as që janë për t’u besuar. Në këtë lëmsh, ku pa të drejtë, zhanri i kujtimeve baltoset si të ishte gjenetikisht i mbrapshtë, futet edhe një orvatje për dallimin fiction-nonfiction: e para e përcakuar si paraqitëse e saktë e realitetit në botë, ndërsa e dyta si paraqitëse e saktë e realitetit në mendjen e autorit. Një tjetër dallim teorik ky, që e shoh si problematik në pasaktësitë e veta, por që s’lidhet me temën.
Pikërisht integriteti i tij si njeri dhe një çiltërsi kallëzimi e pashoqe  që ndihet në çdo përshkrim marrëdhëniesh a ngjarjesh, i mbron kujtimet e Greblleshit nga cilësitë që përmend Mendelsohn: si nga baltosja e të përgojuarve, si nga kallëzimet e rreme; sepse Greblleshi natyrshëm nuk përgojon dhe as mashtron. Është e kuptueshme që nën trysnitë politike ku autori u gjend pas daljes nga burgu, nuk do ishte e vështirë të kërkonte të përmendte aktivizmin real krah lëvizjes komuniste, ndjekjet për ta burgosur, thirrjet hakërruese nëpër zyra qeveritare pro-fashiste, pjesëmarrjet në demonstrata dhe plagosjen atje, dhe sidomos aq e aq shkrime me tendenca qartësisht të majta. Por Greblleshin e gjejmë të thotë hapur në 1984 se “nuk ishte komunist”, “por një i ri i thjeshtë që nuk e duronte dot robërinë e vendit të vet” (51); po ashtu, është e shpeshtë në kujtime dalja e autorit në krah njerëzish që ishin dënuar keqas nga sistemi komunist (Gjergj Fishta dhe takimi i tij me Mussolinin – 64), jo me shpjegime e analiza filozofike, por me fakte të riprodhuara saktësisht. Jam veçanërisht e habitur me sasinë dhe saktësinë e datajeve që Greblleshi kish ruajtur për dekada dhe që mund të riprodhonte aq saktësisht, nga mjedise apo çaste natyrore e peizazhe apo mote me diell e shi, në numra dhomash hotelesh, zhurma, reagime njerëzish, dialogje, shkrime gazetash, aktivitete shkollore. Ka gjithashtu një ftesë dinjitoze në “vallen e shkrimit” dhe një përshkrim qelibar që Greblleshi u bën personazheve që përmend; është miqësor jo veç ndaj shokëve të vet që i adhuronte e që i vështronte me modestinë e shumë-të-mençurit, por edhe ndaj atyre që i kishin shkaktuar andralla “dashamire” (Qazim Mulleti) apo që i konsideronte jo-atdhetarë (Mustafa Kruja). Ndaj them, që kish një mburojë natyrore prej njeriu të pazakontë Greblleshi ynë fisnik ndaj mëkateve të memoir-it që diskutojnë Freud dhe Mendelsohn.

Shkrimtari
Ka një paragraf Kadare në parathënien e vet për librin ku, pasi bën dallimin mes harresës ndaj shkrimtarëve që s’kish pse të kujtoheshin, dhe daljes nga mjegulla të atyre që u mjegulluan për arsye politike, përshkruan natyrën e Greblleshit shkrimtar. Librin Kadare e quan “të bukur dhe të fismë”. (10) Vazhdon Kadare: Greblleshi nuk renditet ndër kolosët e letërsisë sonë të viteve 30… por është një shkrimtar, që edhe pse duke qenë vazhdimisht në hije, kujtesa e kërkon dhe më në fund e gjen… edhe duke mos u renditur tek shkrimtarët më të rëndësishëm, ai pa droje mund të përmendet tek të paharrueshmit” (17-18). Në kapitullin ku Greblleshi na njeh me mikun dhe mentorin e vet Gjergj Bubanin, ky i fundit ia vlerëson stilin duke i thënë “Paske një stil të thjeshtë dhe tërheqës” (40), që i takon po atij niveli vlerësimi që bart edhe Kadare. Ka diçka që nuk përmendet në këto dy opinione: aftësia e tij për të kontrolluar masën në gjuhën e vet, për të mos u bërë pre e ekzagjerimeve as intensivisht e as ekstensivisht, si edhe mprehtësia e humorit dhe satirës së Greblleshit, që ndihet më pak në “Kujtimet” apo në “Greminën e Dashunisë”, por është qartë e pranishme në skicat prej Liut’ Cakut. Edhe një tjetër cilësi e autorit më ka lënë mbresë: saktësia në shprehje e përshkrim, dhe njohja e thellë e tematikës që diskuton. Nuk ka dyshim që Greblleshi është një shkrimtar i talentuar dhe serioz në letrat tona, sado i kufizuar prodhimi e i panjohur pastë qenë në të gjallë.
Ka dy shina mendimi që do doja të përmendja këtu. E para që Greblleshi mund të kish qenë një gazetar i kalibrit të lartë, por ia prenë rrugën kur ishte ende në zhvillim. Dhe të jesh gazetar, nuk do të thotë që domosdo të jesh edhe shkrimtar i po atij niveli (apo anasjelltas), sido që vetë rasti Greblleshi dëshmon se dy konceptet nuk janë përjashtuese. Ai vetë në Kujtimet e konsideron veten gazetar, ndërsa të tjerë miq që adhuron (si Stërmillin) i trajton më fort si shkrimtarë, sido që, me kovë boje apo jo pas biçiklete, nuk e la kurrë penën. Madje është i brishtë detaji që rrëfen Greblleshi se me sa admirim i shihte ata që shkruanin “drejt e në makinë shkrimi” si Gjergj Bubani e Stefan Shundi (63), gjë që edhe ai ia doli ta bënte pas tyre. E dyta, shkrimtari pjesërisht bëhet me kohë e praktikë. Edhe këtu, Greblleshit nuk iu lejua vazhdimi dhe praktikimi i zanatit, pa përmendur fare kushtet e punës. Nuk dimë as se cili qe qëllimi i shkrimit të kujtimeve, dhe as nëse do kish dashur të modifikonte pjesë apo karakterizime që nuk do i shkonin një pene të njohur. Kam parë disa faqe të Kujtimeve në origjinalin e shkruar prej autorit. Duket qartë aty se idetë janë hedhur pas të menduarit të parë, dhe të vlerësosh rezultatin prej kësaj perspektive, është pa dyshim një sukses i madh sa saktë e qartë shprehet. Duket që origjinali është lexuar më pas nga autori dhe ka shënime të rralla me penë mbi tekstin e shtypur, të gjitha sjellë saktësisht prej Anna Shkrelit në versionin e botuar, madje me ndonjë korrigjim të rrallë ortografik. Diçka mund ta them me siguri: pjesa e fundit e Kujtimeve, ajo që sjell ditët e Greblleshit në Selanik dhe Athinë, është artistikisht shumë më e plotë dhe e pjekur, me shprehshmëri gjuhësore e kompleksitet ideor më të lartë sesa fillimet e Kujtimeve. Po ashtu jam shumë kureshtare të njoh tekstin e ripunuar prej tij para vdekjes të “Greminës së dashunisë”, dhe të krahasoj dy variantet. Dhe mezi pres ta kemi.
Në një komunikim me Nasho Jorgaqin, ky më kallëzon për ndihmën që i ka dhënë për një “rifillim” të aktivitetit si shkrimtar nga vitet 60. Ja si më shkruan Jorgaqi: “Keshtu i redaktova dhe i botova librin “Albumi i nje bojaxhiu”, te cilin ma ka dhene me dedikimin “Zotit Nasho Jorgaqi, shkaktar i ketij vellimi me mirenjohje dhe dashuri. Mustafa Gerblleshi. Nentor, 1963”. Pas ketij botimi u hap rruga që botoi librat  e perkthyera te L. Pirandelos, E. Defilipos dhe Perrallat e Njemije e nje neteve, per te vazhduar me shkrime ne Drita dhe Hosteni. … dhe në librin tim “Koha e kujtimeve” e kam përmendur disa herë me konsideratë te kapitulli mbi M. Kutelin.” Duhet të ndihemi fatlumë për këtë takim të rastësishëm të bojaxhiut shkrimtar që sistemi e injoronte me një shkrimtar që sistemi e çmonte, që së paku i dha mundësinë Mustafait për pak kohë e me ndërprerje të ndihej pjesë e shtresës së cilës i takonte, sido që kurrë krejt dhe sigurt.

Tirana dhe gazetari tek Kujtimet
Është tërheqëse Tirana që sjell Greblleshi në Kujtimet e veta të 1939-1944, sado gjakatare në ato ditë pushtimi (logjik) nga të huajt, e pastaj (irracional) nga bijtë e malit. Për mua që u rrita në një Tiranë intelektualisht të varfëruar e të frikësuar, sido që me një universitet të vetin tashmë të stabilizuar, është befasuese Tirana e Kujtimeve. Dhe jo për ekzotikën e së vjetrës, por sepse ndihej në të qyteti, rritja e një brezi njerëzish me pasione e interesa intelektuale të reja e të pazakonta në këtë qoshkë të Ballkanit, sepse sado që qartësisht brezat distancoheshin në filozofi, mes intelektualëve të vjetër e të rinj ndarja nuk kish prirje shkatërruese. Pa dyshim, jemi nën shoqërinë e njërit prej bijve më mendjehapur, dinjitozë e të kulturuar të Tiranës, ndaj është logjike që të hasim një galeri njerëzish si ai vetë; por po aq shohim nëpër kujtime varfërinë, hallet, internimet, përmbysjet politike, dramat e pushtimit dhe të komunizmit më pas (ky i fundit kryesisht tërthorazi). Më bën përshtypje që në vitet 30 zanatçiu e zejtari tiranas ishte i nderuar, dhe përfaqësonte atë që mungon sot, klasën e mesme – një këpucar, një rrobaqepës e një berber konkurronin me njëri-tjetrin kush më mirë njihte përmendësh Khajamin; të nderuar janë një galeri e tërë qytetarësh tiranas që sido të pashkolluar e që gjysmën e ditës e kalonin “ke Toka”, ishin thelbi identitar i qytetit me butësi të parimshme, skrupuj moralë, krenari dhe disiplinë pune, tipik mes të cilëve Nur Hanmi, por edhe Cen Bali apo tregtarët tiranas që zgjidhnin problemet shëndetësore në Itali.
Më trishton fakti që, edhe në Tiranën e pushtuar dhe me administratë shpesh injorante, të drejtat e individit në gjyq mbroheshin prej avokatësh shpesh të përgatitur në shkolla shumë të mira europiane, fort, sy më sy e demokratikisht; kjo nuk ndodhi kurrë në Tiranën time që të jepte idenë se kish lerë në regjimin komunist. Tirana dhe tiranasit të përfolur ende sot si antikomunistë dhe indiferentë ndaj progresit, gati-gati pro-pushtues, shfaqen nën një dritë krejt tjetër tek Greblleshi. Është qytet dinamik, i ri dhe kërkues, ku janë të rrallë ata që nuk mbështesin Luftën në forma e forca të ndryshme; ku të rinjtë shihen nëpër kafene, aq sa në bibliotekat e vogla, gjëmojnë libraritë e leximet, shkruajnë poezi, shëtisin e flasin për politikën, shkruajnë pjesë opozitare, marrin pjesë në lëvizje e demonstrata, dhe kur u bie rasti, shohin Bohemën në Teatro Alla Scala. Greblleshi, i lirë e larg çdo ndjenje shovinizmi (edhe kur flet me dashuri e brengë për Kosovën), adhuron qytetet dhe civilizimet e botës; në Itali ndihet “si i tërhequr prej shumë magnetësh”, dhe qytetet greke i vlerëson për gjallërinë e pazakontë që, kuptohet, nuk e gjente të tillë në të vetin. Por Tirana për Greblleshin është realitet i pazëvendësueshëm dhe ëndërr që s’mbaron.
Leximi i Kujtimeve më bëri të pohoj qartë një fakt për të cilin nuk kam qenë e sigurtë: raca e gazetarit me dinjitet, të kulturuar, dhe që nuk i shitet askujt, nuk është se s’ka ekzistuar ndonjëherë nëpër Tiranë. Ajo thjesht është fikur. Gazetarët që janë miq zemre, profesioni e ideali për Greblleshin, si Gjergj Bubani, Stefan Shundi, Qemal Draçini, Ibrahim Hasnaj, Xhelal Mitrovica (ky i fundit, më shumë administrator), Muzafer Pipa, shkrimtarë të afirmuar si Haki Stërmilli, Mitrush Kuteli e Fiqri Llagami, që gdhihen e ngrysen nëpër redaksi e duke ndjekur lajmin e vërtetë, që shëtisin të gllabëruar krejt nga diskutimet për letërsinë e artin, janë pa dyshim intelektualë e gazetarë aktivë e të angazhuar, njerëz të kulturuar e liberalë, disa prej tyre gazetarë të afirmuar. Siç thotë Greblleshi “duke bashkëpunuar me ta… kisha kaluar nëpër shkollën e gazetarisë” (65). Gazetaria për ta ishte pasioni i ditës që vinte, dhe dashuria e vet më e madhe, dhe kryhej me një moral të pacen. Mënyra si kërkonin ngjarjen dhe kulturën, si u dhimbsej e punonin për vendin e vet të pushtuar, frekuentimi i po atyre vendeve – madje s’qe çudi që edhe rastësisht të takoheshin në Barin Viktor Emanueli të Milanos, në një pension të Torinos apo park të Tiranës – përpjekjet për të ndihmuar tjetrin, për të botuar pjesën e mikut para të vetes, vlerëzimi reciprok … janë të gjitha tipare që duket sikur vijnë nga një epokë dinosaurësh apo përrallash me mbret, aq shumë na janë larguar e aq pak i kemi të pranishme.
Qartësisht ata nuk kishin ngecur aty se s’dinin të bënin gjë tjetër, se fitohej buka kollaj, se përfitohej, apo se kërkonin padronë të fuqishëm. Ndershmëria dhe serioziteti me të cilin punonin pavarësisht se e kujt qe gazeta, edhe nën presion të vazhdueshëm politik apo rrezikut të mbylljes së gazetave, është i respektueshëm. Pjesët e Kujtimeve për gazetarinë e kohës dhe angazhimet e gazetarëve e marrëdhëniet mes tyre, duhen futur sot nëpër fakultetet tona të gazetarisë: ose në një database për “best practices in local journalism”, ose në manualet bazë të kurseve 100.
Pengje e brenga lexueseje
Do kisha dashur shumë një parathënie për këtë libër! Apo qoftë edhe pasthënie, a ndërthënie… por një “thënie” e ndjeva fort të nevojshme. Kemi në dorë një autor që nuk njihet, për të cilin nuk është shkruar e i cili s’është përmendur e as studiuar. Pak ia kanë dëgjuar ç’ka shkruar, dhe edhe më pak i kanë lexuar gjësend. I kujtoj javët e letërsisë së kësaj periudhe si studente e Nasho Jorgaqit (para 34 vjetësh), por nuk kujtoj të kemi folur për të, në mos veç që të jetë përmendur romani “Gremina e dashunisë”… as në letërsinë e autorëve të viteve 30, e as më pas në atë të Luftës.
Është e vërtetë që të kesh një parathënie prej Ismail Kadaresë, siç është rasti i këtij libri, është nder e vlerësim; është gjithashtu avantazh për këdo që do t’i shitet libri. Por përtej këtyre funksioneve që pa dyshim Kadare i përmbush mirë, parathënia e Kadaresë, pak e ndihmon leximin e Kujtimeve dhe zbulimin e Greblleshit. Një parathënie e duhur për librin duhej bazuar në një studim për jetën e veprën e autorit, që qartësisht Kadare nuk i ka, dhe as duhet t’i kishte. Ndaj Kadare bën çka bën shpesh në vitet e fundit: prodhon një parathënie të zgjeruar, bazuar pjesërisht në përdorimin relevant dhe ndonjëherë poetik të erudicionit të vet, përmend aty-këtu ngjarje e histori lidhur me botimin e radhës, flet pak ose aspak për autorin konkret, dhe në pjesën themelore u mëshon tezave të veta tashmë të përsëritura, që, të drejta apo jo (s’është vendi këtu të diskutoj tezat e tij), thuajse janë kthyer në teza propagande proselitike që nuk di se kë vënë në shenjestër e kujt do i mbushin mendjen.
Unë e lexova me qejf Kadarenë edhe kësaj radhe. Ia çmova paraqitjen që i bën letërsisë së lirë e pasionante të viteve 30 (por Jorgaqi shprehet se Greblleshi i takon Letërsisë së Luftës dhe jo asaj të viteve 30) shpallur armike e komunizmit; gjetjen aq të hollë të zërit të lexueses që kërkon nëpër ushtrinë e çliruar të librave, shtruar nëpër bulevardin e Tiranës pas 1990-ës, “Greminën e dashurisë” të Greblleshit; ia admirova hamendjet për mënyrën si ndihej Greblleshi. Por më bezdisi fakti që pjesën kryesore në parathënie e mori edhe kësaj here përsëritja e temës së viktimizimit të Shqipërisë me zemër europiane, rimarrja e motiveve antagoniste, herë historike, herë konspirative, ndaj perandorive gjithnjë të Lindjes apo, më anti-Saidisht, gjithnjë të Orientit dhe luftës së tyre që të de-europianizojnë Shqipërinë europiane. Përshkrimet janë shpesh danteske, katastrofat në dëm të shqiptarëve të qëllimshme, e nisin kur s’mbahet mend dhe vazhdojnë ende; bota na ka halë në sy, dhe a e dini pse, sepse ne jemi në thelb europianë, jemi në fakt thelbi i Europës, jemi gjenetikisht Europa (apo “Europa kaure”?). Dhe “zyrat e Bashkimit Europian”(11) na shfaqen si zana mali të dëlirta si uji i Valbonës, që tani kuptojnë më në fund se ç’padrejtësi u janë bërë e u bëhen shqiptarëve.
Sido që Kadare me zgjuarsi ia del t’i lidhë në një linjë koherente (por jo kohezive) armiqtë e kahershëm të shqiptarëve, me harresën dhe vrasjen e letrave dhe gjuhës, e më pas me Greblleshin, sado që unë jam e bindur se vetë Kadare dëshiron ta nderojë Greblleshin, ngulmimi i tij politik dhe natyra e mesazhit të tij është e tillë që nuk i bën nder (as atij vetë dhe as) Greblleshit. Në fakt stili dhe natyra e Greblleshit u rrinë shumë larg tambureve të betejës përfaqësuar në fjalorin dominant të parathënies: kob, tablo infernale, tragjike, këmbana morti, rast monstruoz, ndalim i dyfishtë, dekret ogurzi, smira shtetërore, paranoja anti-shqiptare… stil që pastaj normalizohet e zbutet kur nis e flitet për autorin vetë. Ndaj, nuk mundem as të them se stilin me leksik pompoz ta ketë futur për të shprehur tinëzinë që sistemi komunist përdori për të heshtur elitën që trashëguam (Greblleshin me miq), atëherë kur nuk i shfarosi fare e direkt.
U përpoqa të gjej kur janë shkruar kujtimet. E gjeta me lexim shumë të kujdesshëm në dy vende: duke iu referuar 1944-ës autori thotë “në këto katër dekada” (101), dhe më pas “pas 40 vjetësh” (140). Kështu gjeta që kujtimet janë shkruar rreth vitit 1984, pra dy vjet para vdekjes së autorit. Kohën e vdekjes vetë e gjeta në një shënim cung në Wikipedia. Të dhëna për vrasjen e padrejtë (por aspak të rastësishme) të të atit të Greblleshit gjeta në dokumente të ndryshme online. Jeta e tij si bojaxhi më erdhi pjesërisht prej parathënies së Kadaresë, pjesërisht prej tim eti, nga një mikeshë që njihet me të bijën Azylka, e nga disa elemente të shkëputura në Internet. Në Kujtimet e Greblleshit referencat ndaj komunizmit dhe dekadave jetuar si i shtypur janë të pakëta, por aspak të thjeshta për t’u shpjeguar. Ai nuk qahet për nga natyra, edhe pse nuk kish vlerë ta bëje. Por në kuptimin e memoir-it, koha e shkrimit është po aq e rëndësishme sa koha që kujtohet. Dhe vitet ’80 të autorit e rrethanat e shkrimit mbeten mister për lexuesin. Kam dhjetëra pyetje, kryesisht “pse-ra” e “si-ra” që më dalin gjatë leximit, për të cilat do kisha pasur përgjigje me një parathënie jo për filozofinë e fateve historike të Shqipërisë, por për vitet dhe kushtet në të cilat jetoi, kërkoi e shkroi Greblleshi. Kjo do e sillte më afër autorin, do e bënte më të qartë kuptimin dhe vlerësimin e kujtimeve, do ndihmonte në kuptimin më të mirë të kohës që jetuam e jetojmë.
 Mendelsohn, Daniel. “But enough about me” in The New Yorker, Jan. 25, 2010.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.