KULTURË

Ekrani i artit si kthim në traditë

07:38 - 11.07.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Fatmira NIKOLLI

Projeksionet e para filmike në Shkodër patën nisur me Kolë Idromenon. Pargaliu i Shkodrës, që kish veshur deri në deje tanimë qytetin verior, linte gjurmë në fusha të ndryshme të artit, duke shënuar në to vulën “për herë të parë”. Më shumë se një shekull më pas, Shkodra e ka rindjerë magjinë e kinemasë, të debatit artistik, të jetës së gjallë kulturore, duke u kthyer kësisoj në ‘domenin’ që i shkon më së shumti përmes festivalit “Ekrani i artit”, një bartje nga Firence e një ngjarjeje kulturore që mbledh më të mirët artistë të artit bashkëkohor. Festivali i organizuar nga ‘Art House’ dhe Adrian Paci, u mbajt në datat 7, 8 dhe 9 korrik, duke e rikthyer kinemanë e qytetit në kinema, duke i dhënë frymë asaj dhe duke mbledhur tanimë dashnorët e artit, si kahmoti në Shkodër.
“Kur flitet për festival filmi, në imazhin imediat të seicilit asht tapeti i kuq, celebritetet dhe fleshet e fotografëve. Nëse e shohim në këtë sens, ky asht një festival pak atipik, por nga ana tjetër fjala ‘festival’ ka brenda fjalën ‘festë’, e në fakt ne kemi dashtë që këto tri ditë të ishin një moment feste për qytetin dhe banorët e tij”, – tha Melisa Paci, një nga organizatoret. Ajo shtoi se ‘qyteti ku Marubët themeluan shijen e një imazhi të sofistikuem, qyteti ku Idromeno që në vitin 1908 shfaqi për herë të parë një film në Shqipni, ka nevojë jo thjesht për një sallë ku herë mbas here projektohen filma, por për kinemanë e vet, ku kultura e imazhit në lëvizje dhe e tregimit kinematografik t’u përçohen qytetarëve me pasion, dije e profesionalizëm”.
Në një kohë kur kinemaja e ka humbur rolin që pati, duke ua ‘dorëzuar’ pa dashje televizorit e internetit; në një kohë kur Shkodra hera-herës nuk i ngjan gjithaq hijes së rëndë të jehonës së emrit, mbërritja në qytet e një festivali i kthen dy lavditë e humbura- kthen edhe qytetin, edhe kinemanë.
Melisa Paci solli paralelizmin e një filmi të bujshëm. “Kur kam parë posterin e festivalit, përpara syve më kanë kalu sekuencat e një filmi që unë e du shumë ‘Nuovo Cinema Paradiso’, i regjisorit të mirënjohun italian Giuseppe Tornatore. Asht një film i vitit 1988 që merr shkas nga gjendja e vështirë që po kalonin sallat kinematografike dhe shumë prej tyne po mbylleshin. Dy janë sekuencat që du me përmendë; e para kur kinemaja mbushet me njerëz mbasi ajo asht qendra ma vitale e qytetit, dhe e dyta kur ajo mbyllet për të mos u hapë ma kurrë. Kinemaja nuk asht thjesht një vend ku shfaqen filma, por asht hapsina që mbart historinë e një qyteti”.
Qoftë si rrekje ‘për të sjellë’ qytetin, qoftë si rrekje për të ngjallur kinemanë, ‘Ekrani i Artit’ dhe ‘Art House’, qoftë edhe vetëm sepse artistët udhëtuan drejt Shkodrës, dhe jo invers siç ndodh rëndom, duket një mision i përfunduar.
Pa e fshehur kënaqësinë, Melisa Paci, kujtoi se u njoh për herë të parë me festivalin ‘Ekrani i artit’ (në italisht Lo schermo dell’Arte) që zhvillohet në Firence, në vitin 2013 ku Adriani ishte pjesëmarrës. “Më pat pëlqye shumë atmosfera e tij, kinemaja Odeon e Firences ku ai zhvillohej, ndoshta një nga ma të bukurat në gjithë Italinë, filmat e shfaqun, bisedat me të ftuemit etj., etj. Dhe në një moment pata mendu ‘sa bukur do të ishte sikur një festival i tillë të vinte edhe në Shkodër’. Nuk e dija kur dhe si, sepse atëherë ‘Art House’ ishte vetëm një ide, por sot jam krenare që jemi këtu pikërisht për të inaugurue Ekranin e Artit në Shkodër”, – tha Melisa Paci natën e hapjes.
Nga tensioni i Sarajevës dhe mishërimi i kurajës së një populli për liri, te një udhëtim nëpër galeri; nga aparteidi i Afrikës, te mesazhi i Oppenheim për lirinë; një autoportreti të pazakontë i Hirst dhe një rrëfim mbi dritën. Anri Sala, Olafur Eliason, Damien Hirst, Jack Cocker, William Kentridge, Meret Oppenheim sollën së bashku artin dhe mesazhet e tyre në Shkodër në një festival filmi, që shënoi të parin udhëtim në Shqipëri. Qenë filma dokumentarë të realizuar mbi artistët bashkëkohorë ose nga artistët bashkëkohorë- emrat më në zë të skenës së sotme të artit bashkëkohor. “Në këto dokumentare imazhi mbetet paksa në sfond dhe ajo që del në pah asht fjala në format e ndryshme të saj e cila bahet fija lidhëse që i bashkon. Janë artistët që po flasin për jetën e tyne, për punën e tyne, për atë që ndjejnë e për faktin se ç’do të thotë të merresh me art”, – vërejti Melisa Paci.
Festivali shënoi momentin e dytë kur ‘Art House’ (shtëpia e a(r)tit të Adrian Pacit) doli nga shtëpia për t’u takuar me publikun në kinema “Millennium”, ndërsa hera e parë ka qenë shfaqja e filmit “Pritja” të regjisorit Roland Sejko. Shtuar shfaqjes së filmave, kuratori i VISIO, Leonardo Bigazzi, bashkëpunëtor i ‘Lo schermo dell’arte Film Festival’ qe nga viti 2008, prezantoi disa punime të lindura në kuadër të këtij projekti ndër vite. ‘VISIO European Programme on Artists’ Moving Images është një workshop për artiste nën 35 vjeç qe punojnë me imazhet ne lëvizje te përzgjedhur me ane te një thirrjeje te hapur ne bashkëpunim me akademi, shkolla arti dhe rezidenca për artistë europianë. Që nga viti 2012, projekti organizohet në të njëjtën kohe me Festivalin e Filmit “Lo Schermo dell’arte” në Firence.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.