![GSH APP](https://gazetashqiptare.al/wp-content/uploads/2022/04/gshok.jpg)
![Download on Apple Store](https://balkanweb.com/wp-content/uploads/2019/01/ios.jpg)
![Get it on Google Play](https://gazetashqiptare.al/wp-content/uploads/2022/04/android-app.png)
“Washed by the moon” titullohet filmi që një regjisor britanik po realizon mbi iso-polifonisë shqiptare. Dokumentari eksploron traditën e hershme të Shqipërisë në këtë muzikë. Regjisori i ri britanik Dan Shutt, ka zgjedhur iso-polifonisë shqiptare për të xhiruar dokumentarin e tij të parë. “Washed by the moon” (Të larë nga hëna) është një dokumentar që eksploron traditën e lashtë të iso-polifonisë labe – një formë e sofistikuar e të kënduarit në grup, që interpretohet kryesisht nga burrat në jug të Shqipërisë. Iso-polifonia shqiptare njihet nga UNESCO si një kryevepër e trashëgimisë gojore dhe jomateriale e njerëzimit.
Në librin e Lorenzo Tardo “L’Antica Melurgia Bizantina”, botuar në vitin 1938, gjejmë një citim interesant që na bën të kuptojmë më mirë lashtësinë e kësaj forme muzikore: “…Shqiptarët, duke e urryer skllavërinë osmane dhe duke lënë atdheun e tyre, nuk sollën me vete as modelin muzikor të Konstandinopojës, as artin akademik e të rafinuar të protopsalteve; në vend të këtyre, sollën me vete traditën provinciale muzikore të tyre, malore dhe arkaike që daton në shekullin 4-5 pas Krishtit, në kohën e Basileit dhe mbase edhe më të hershme”.
Në këtë kontekst, iso-polifonia shqiptare ka hyrë në listën e kryeveprave të UNESCO-s si trashëgimi gojore dhe e paprekshme e njerëzimit, duke iu bashkuar pasurive të tjera të kulturës tashmë të mbrojtur nga UNESCO, si Parku Kombëtar i Butrintit, qyteti i Gjirokastrës dhe ai i Beratit. Njohja e rëndësishme që i është bërë iso-polifonisë shqiptare në mbarë botën, ka për qëllim të lehtësojë ruajtjen e kësaj forme muzikore jashtëzakonisht interesante dhe unike për traditën multi-vokale që zotëron, duke u fokusuar sidomos në shpërndarjen e saj dhe transmetimit te gjeneratat e reja për ta mbajtur gjallë. Ata që ende e praktikojnë këtë trashëgimi kanë një histori të mahnitshme dhe prekëse për të treguar. “Washed by the moon” është planifikuar të dalë në muajin mars 2018.