OPINION

Triumfi i Bashës përballë dezertorëve dhe kolonës së pestë të Ramiz Alisë

07:45 - 18.07.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

 




Nga Azgan HAKLAJ

 

Ansambli i boduinëve hipur në devenë e binomit Rama-Meta do të dështojë me turp në misionin e tij për përçarjen e PD-së. Lulzim Basha, kryetari i PD-së, lideri i opozitës shqiptare dhe njëherësh emblema e politikës euroatlantike në hapësirën mbarëshqiptare dhe atë ballkanike, është tani në finishin e fushatës dhe fitores plebishitare për t’u rikonfirmuar si kryetar i PD-së dhe lider i koalicionit të së djathtës. Referendumi blu do ta certifikojë si shpresë të demokratëve e popullit opozitar të konfirmuar si mazhorancë morale, i aleatëve tanë strategjikë dhe miqve e dashamirësve të Shqipërisë. Ai rikonfirmohet për të vazhduar betejën pa mëdyshje, pa asnjë kompromis deri në fitore ndaj klikës që me forcën e pushtetit, përdorimin e segmenteve të shtetit, mbështetjen e bandave, parave të pista, të drogës dhe krimit tjetërsoi vullnetin politik të zgjedhësve. Kjo klikë, duke shkatërruar marrëveshjen e 18 majit, asgjësoi institucionin e besimit, pra votën e lirë, që është gur themeli i kontratës sociale dhe i shtetit të së drejtës. Kmerët e kuq shkatërruan, delegjitimuan zgjedhjet e 25 qershorit. Lulzim Basha me vizionin e tij, si politikan ekselencë e i vendosur për të mbrojtur fort interesat e demokracisë e të Atdheut, me protestën e gjatë e të vendosur, njëherësh model i qytetarisë dhe kulturës demokratike, shmangu katastrofën e 25 qershorit. Me marrëveshjen e 18 majit asgjësoi skenarët e përplasjes civile, të rëndë e afatgjatë, kurbanizimit të PD-së ditën e Bajramit, asgjësimin e saj dhe zëvendësimin me një opozitë fasadë alla-Blushi, Bojaxhiu, dhe rolin e opozitës më të madhe ta luante LSI-ja.

Skenari ogurzi ishte i organizuar nga binomi Rama-Meta, mbështetur nga diplomacia e shërbimet e fshehta ruso-sllave për destabilizimin e vendeve të Ballkanit dhe futjen e tyre në kthetrat e dominimit politik, ekonomik dhe ushtarak sllav, ëndërr e kamotshme e Kremlinit, fillesat e së cilës datojnë që nga koha e sundimit të Pjetrit të Madh, Katerinës së Madhe, e vazhdojnë me Car Aleksandrin, Car Nikollën, Leninin e Stalinin, për të mbërritur në ditët tona të qeverisjes së Vladimir Putinit, i cilësuar Cari e ri.

E bëra këtë ekspoze të gjatë për të treguar kasandrat që kaloi z. Basha, që është në garë për t’u rizgjedhur përballë ishit të diktaturës Eduard Selamit, dezertorit, ikanakut turravrap nga beteja për jetë a vdekje e PD-së në vitin ‘97, i cili bën rolin e shpëtimtarit të PD-së e se gjoja na qenka përballë dy zjarreve. Selami mburret se po u reziston thirrjeve histerike të korit të kukuvajkave dëshpëruese për t’u tërhequr nga gara se gjoja qenka garë farsë. Në fakt po bën lojën e tyre, sepse gjer më sot nuk u ka kthyer asnjë përgjigje publike apo t’i denoncojë botërisht se skenari i tyre ushqehet nga dyshja Rama-Meta dhe ka si qëllim goditjen e Partisë Demokratike. Nëse shohim takimin në Pallatin e Kulturës “Aleksandër Moisiu”, në sallë karrigethyerit kanë mbështetjen e eksponentëve të fushatës së Partisë Socialiste, ish-demokratë tregtarë të tipit “Gashi”, të konvertuar në rilindës e që tani duan ta shpëtojnë PD-në….

Basha për katër vjet luftoi dhëmb për dhëmb me kriminelët e Parlamentit e të Rilindjes, duke i treguar me gisht para shqiptarëve dhe botës mbarë. Realizoi protestën më të gjatë në historinë e pluralizmit politik. Për 90 ditë në “Çadrën e Lirisë” u dëshmoi miqve tanë ndërkombëtarë me fakte dhe argumente se çfarë do të bëjë çeta e çiçikovëve për të mbajtur pushtetin. Me kërkesën e vazhdueshme të ndërkombëtarëve, Basha vuri para interesave partiake interesin kombëtar. Me marrëveshjen e 18 majit nënshkroi aktin politik, patriotik, i cili do të mbahet gjatë në memorien kombëtare si precedent për të gjithë brezat e ardhshëm të politikanëve, të cilët duhet të zgjedhin flamurin dhe kombin para interesit partiak, dhe interesat e Atdheut tënd para fronit të pushtetit. Basha që në vitin 2005 pati kurajën e vizionin të mbështesë PD-në, e cila në 8 vjet opozitë ishte e ndarë në fraksione e grupe interesash krejt të kundërta me idealet e Dhjetorit ‘90, dhe mezi po mbahej në këmbë përballë dhunës e brutalitetit që demonstronte mazhoranca e qeveria “Nano”, lindur në revanshin e revolucionit komunist të vitit ‘97. Basha nuk erdhi për t’u kapardisur në foltoret e parlamentit apo në poltronët e ministrave. Jo, ai erdhi për të luftuar e për t’i fituar gradat sipas meritave e kontributit. Me fitoren në një bastion të majtë, u dëshmua si gjeneral e strateg i zoti. Ky ishte vetëm fillimi i karrierës së tij brilante, si ministër, pushtetar e diplomat për ta mbajtur mend. Ai finalizoi Rrugën e Kombit, liberalizimin e vizave, u ktheu demokratëve Bashkinë e Tiranës, pasi e kishte realizuar një hop spektakolar në qarkun e Elbasanit, nga 11 me 3 për PS-në në 7 me 7. Me diplomacinë e tij shtoi numrin e shteteve që njohën Pavarësinë e Kosovës.

Tani përballë Bashës është jo vetëm rivali sfidant Selami, por edhe fronti i ansamblit të boduinëve, kolona e pestë e Ramiz Alisë hipur në devenë e Ramës dhe të Metës, ku njëri e tërheq për kapistre e tjetri e godet me thupër nga mbrapa. Është momenti i duhur për të sqaruar demokratët qëndrestarë, dhjetoristët idealistë, rininë – palcën e Partisë Demokratike, të persekutuarit e regjimit komunist, ish-të burgosurit politikë, intelektualët, mbarë shoqërinë shqiptare, opinionin publik e aleatët tanë strategjikë se çfarë përfaqësojnë e çfarë kanë bërë në realitet për demokracinë zoti Basha dhe kampet përballë tij në unison. Zoti Selami, megjithëse ka qenë ‘de jure’, kurrë nuk u bë kryetar ‘de facto’ i Partisë Demokratike. Ai mbahet mend si arkitekt i dy humbjeve katastrofike e të turpshme për PD-në në vitet e saj të arta. Është fjala për zgjedhjet lokale të vitit ‘92 dhe referendumin për Kushtetutën. Në asnjërin rast nuk mori e as nuk mbajti përgjegjësi. Ai, së fundmi, braktisi PD-në në ‘96-ën, dezertim i turpshëm në prag të vitit tragjik ‘97. Mjaftojnë këto tri fakte për të treguar staturën e vërtetë të moralit politik të zotit Selami, i cili ka veshur mantelin e engjëllit dhe vendosur aureolën e shpëtimtarit të PD-së, madje të vetë demokracisë dhe së ardhmes sonë euroatlantike.

Sa për kundërshtarët e Bashës, misionarë të shkatërrimit të PD-së, të cilët marshojnë shesheve e sallave të mbështetur e sponsorizuar nga kryeministri në njërën anë, e presidenti në anën tjetër, për interesa të ndryshme të tyre, e kam të vështirë, siç thotë populli, për t’i graduar apo vajtuar. Të ashtuquajturit themelues apo, siç u pëlqen ta quajnë veten senatorë, nuk janë gjë tjetër veçse bejlerë të rënë nga vakti, ish-beniaminë të Ramizit, Nexhmijes, Sofokli Lazrit, apo krahu M-L e besnik i PPSH-së. Këtyre kleptokratëve u shkon për shtat refreni i këngës popullore: “Ra Faja prej fiku/ ra si top llastiku”. Këta plutokratë hynë në Lëvizjen e Dhjetorit ‘90 si emisarë të Ramiz Alisë, u ngjitën në majat e pushtetit pa meritë, duke marrë poste të larta, të cilat i kthyen në shërbim të familjes e klaneve të tyre. Këta farë liderësh dhe ideologësh, që sot anatemojnë Bashën, janë autorët dhe arkitektët e përçarjes së PD-së, të krijimit të fraksioneve dhe klaneve në shërbim të së majtës. Me strategjinë e tyre tinëzare i kanë shkaktuar disa humbje PD-së në zgjedhjet parlamentare e vendore, dhe së fundmi u përpoqën me skema djallëzore ta linin jashtë zgjedhjeve, me qëllim pushkatimin politik dhe vetasgjësimin e saj, dhe zëvendësimin e forcës politike që solli demokracinë me deputetë e grupe parlamentare të emëruar nga dyshja Rama-Meta.

Zoti Basha u bë në pak kohë simbol i PD-së. Ai kontribuoi e fitoi betejat në sektorët më jetikë, ku ishin përcaktuar prioritetet e qeverisjes. Është ministri që shtypi bandat kriminale e mundësoi lëvizjen e lirë të shqiptarëve drejt Evropës. E kundërta është z. Selami, gojëkyçuri e i përgjumuri i parlamentit, që na kujton Haxhi Lleshin e vitit 1991. Nëse veterani i komunizmit ishte kërrusur nga vitet, pleqëria e mëkatet, Selami pas kësaj pauze 4-vjeçare na paraqitet si një dhëndër i ri dhe kërkon që PD-në, nusen e lirisë së shqiptarëve, t’ia stolisim bardheblu, e t’i themi “e gëzofsh e për hajër të qoftë”. Jo, z. Selami, PD-ja është simbol i lirisë e demokracisë shqiptare! Qindra-mijëra demokratë, rinia studentore, intelektualët dhe artistët, të përndjekurit politikë, idealistët e Dhjetorit ‘90, qëndrestarët e vitit ‘97 nuk do të votojnë Vishinë, as kuislingët, por dalëzotësin e PD-së dhe Shqipërisë në momentet historike, z. Lulzim Basha. Ai ka humbur betejën e pabarabartë të 25 qershorit përballë qeverisë e shtetit të droguar, por lufta vazhdon. Me programin, me modelin politik dhe ekonomik, do të dijë t’i udhëheqë opozitën e shqiptarët drejt fitores së sigurt.

Nëse mënyra më e sigurt e mëkatarëve për t’u shpallur shenjtorë është kryqëzimi dhe shpifja pa asnjë argument ndaj kundërshtarëve të tyre. Selami e tabori i tij të qëndrojnë deri në fund të bashkuar, për t’u bindur se demokratët do ta japin biletën në dorë për kthim drejt azilit politik. Gjinot e Marigotë e rreshtuar në taborin anti-Basha janë shërbëtorë të Edi Ramës. Ata janë të tronditur nga fakti se z. Basha e zhbëri në çdo detaj skenarin rus të destabilizimit të Ballkanit, skenar ky me pasoja fatale, afatgjata për shqiptarët, kudo ku ata shtrihen në trojet etnike në Ballkan. Ndalimi dhe mbajtja peng në Francë e simbolit të qëndresës, ‘kalorësit’ të lirisë së Kosovës, komandantit të UÇK-së, ish-Kryeministrit të Kosovës dhe kryeministrit të ardhshëm të saj, z. Ramush Haradinaj, me urdhër-arrest të Serbisë së Vjetër, ishte një plan i mirëmenduar nga qarqet antishqiptare për të destabilizuar Kosovën.

Falë vizionit perëndimor e ndërgjegjes së lartë politike e atdhetare, shqiptarët e Malit të Zi ishin faktorë vendimtarë në shpëtimin e rendit kushtetues. Me votën e tyre ata kishin përcaktuar shkëputjen e Malit të Zi nga Serbia. Në referendumin e 18 majit 2006, me votën e tyre përcaktuan anëtarësimin në NATO më 2017-ën, dhe shmangën grushtin e shtetit. Pasi Rusia dështoi në realizimin e grushtit të shtetit në Mal të Zi, nëpërmjet ultranacionalistit Gruevski hartoi skenarin e dhunës ndëretnike, përgjaku tempullin e demokracisë, Parlamentin e Shkupit, dhe u përpoq të devijojë rrugën perëndimore e demokratike të Maqedonisë. Z. Ali Ahmeti dhe liderët politikë shqiptarë, me marrëveshjen e tyre historike ia dogjën kartat shovinizmit rus e nacionalizmit maqedonas. Por në radhë erdhi skenari i destabilizimit të Shqipërisë, asgjësimi i opozitës historike dhe përplasjes së armatosur dhe luftës civile.

Prandaj, marrëveshja e 18 majit është dëshmia më e qartë se si një opozitë e vendosur për mbrojtjen e vlerave të lirisë dhe demokracisë mund të bëhet në momente krizash dhe udhëkryqesh të historisë institucioni legjitim i mbrojtjes së interesave kombëtare. Strategjia e trekëndëshit të brutëve të PD-së-Rama-Meta për asgjësimin e partisë që solli lirinë dhe demokracinë në Shqipëri ka dështuar. Ky trekëndësh imagjinar i të majtës shqiptare ka ëndrrën e Jugosllavisë së re, por dhe kjo ëndërr do të tretet si kripa në ujë. Ata nuk do të mundin ta drejtojnë kurrë timonin e Shqipërisë në atë drejtim. Ne e kemi zgjedhur dhe ecim vendosmërisht në rrugën tonë, me Gjergj Kastriotin – Skënderbeun, me Ismail Qemalin, me rilindësit e mëdhenj, me Dhjetorin ‘90. Ne jemi me Evropën, e në rrugën drejt saj nuk mund të na ndalë askush. Ora e shqiptarëve ka ardhur. Bashkimin e tyre asgjë nuk mund ta ndalë. E ka firmosur vetë Zoti. Bashkë në strukturat euroatlantike.

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.