SPORT

Tare e përjashton para Superkupës, Keita: U zhgënjeva, isha përgatitur

11:14 - 14.08.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

 




 

Pragsfida e Superkupës së Italisë për Lacion ka qenë e tensionuar, sepse, pavarësisht faktit se Keita Balde ishte grumbulluar dhe pritej ta niste titullar, duke parë edhe mungesën e Felipe Anderson për dëmtim, mëngjesin e djeshëm ka ardhur vendimi që ka habitur të gjithë.

Drejtori sportiv i të kaltërve, Igli Tare, ka vendosur që të përjashtojë sulmuesin, edhe pse dihet se tashmë ai është një nga elementët më të rëndësishëm të grupit të trajnerit Simone Inzagi. Ky vendim është marrë unanimisht, me drejtuesin shqiptar që është koordinuar edhe me presidentin Klaudio Lotito dhe trajnerin e ekipit, duke u nisur nga fakti se të pasurit përballë Juventusin, që interesohet për Keitanë, ky i fundit mund të mos luante në maksimum.

Si rrallë herë te Lacio, edhe tifozët kanë qenë dakord me drejtuesit, pasi tashmë njihet urrejtja që ata kanë për presidentin Lotito, me ultrasit që nuk kanë ngurruar të vendosin edhe banderola në qendrën stërvitore: “Shporru nga ne”. Por ai që nuk ka qenë absolutisht dakord me këtë masë ka qenë vetë Keita Balde, i cili ka zgjedhur adresat e tij në rrjetet sociale për të reaguar.

“Përjashtimi nga finalja e Superkupës së Italisë më ka zhgënjyer totalisht. Ishte ndeshja e parë e sezonit të ri dhe unë isha përgatitur shumë mirë për këtë takim, isha gati dhe në formë. Por ky është një vendim që ka marrë klubi, i cili nuk ka të bëjë aspak me çështje teknike. E gjithë kjo më ka shkaktuar një tronditje psikologjike, e cila më shtyn të nis të mendoj se duhet të marr një vendim tjetër për të ardhmen time”, tha Keita.

Reagon Tare

Përpara ndeshjes me Juventusin, drejtori sportiv i Lacios, Igli Tare, ka sqaruar arsyen e vendimit për të lënë jashtë Keitanë: “Vendimin për Keitanë e morëm sepse lojtari nuk ka qenë i qetë, duke shfaqur disa dyshime në lidhje me prezencën e tij në fushë dhe trajneri vlerësoi dhe vendosi së bashku me ne që mos ta grumbullonim. Ky vendim i është pasqyruar edhe të gjithë pjesës tjetër të skuadrës. Shumë shpejt do ta sqarojmë situatën e tij”.

FLET MAROTA

Ndërkohë, për sa i përket interesimit të Juventusit, numri dy i klubit, drejtori i përgjithshëm Xhuzepe Marota, konfirmon ofertën e bërë pak javë më parë:

“Nuk e mohoj që Keita na intereson, por unë mund të them se pak kohë më parë, kam pasur një takim me presidentin Lotito dhe i kam bërë ofertën tonë, por shifrat nuk ishin të mjaftueshme dhe kaq”. Për të rikujtuar, Lacio i ka kërkuar Juves 25 milionë euro, plus 5 milionë bonuse, ndërsa bardhezinjtë nuk duan të shkojnë më shumë se 20 milionë euro, përfshirë bonuset, duke parë se sulmuesi 22-vjeçar, i cili luan për Kombëtaren e Senegalit është në skadencë kontrate. /PanoramaSport

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.