KULTURË

VIKTIMAT E DIKTATURËS/ Rrobat e të vrarëve nga komunistë e nazistë, ekspozohet këmisha e libri i Sabiha Kasimatit  

12:06 - 24.08.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

 




Fatmira NIKOLLI

Një këmishë e qëndisur nga Sabiha Kasimati e përkrah një fjalor i saj në frëngjisht është ekspozuar dje në Muzeun Historik Kombëtar në kuadër të një aktiviteti zhvilluar me rastin e Ditës Europiane të Përkujtimit të Viktimave të Nazizmit e të Stalinizimit, mbajtur mes MHK-së dhe Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit. Sabihaja u pushkatua në vitin 1951, pasi e përfshinë në çështjen e hedhjes së bombës në ambasadën sovjetike.

23 gushti, shpallur si dita që dënon çdo formë të totalitarizmit nga Parlamenti Evropian solli në vëmendje viktimat shqiptare të nazizmit e komunizmit, përmes sendeve që lanë pas. Një ekspozitë modeste, me dy stenda shfaqi për të pranishmit veshje të përgjakura, të tejshpuara nga plumbat në masakrën gjermane në Borovë më 6 korrik 1943-in së cilës i kushtohet vitrina e parë. Forcat ushtarake të Regjimentit të 98 të Divizionit të parë alpin, teksa udhëtonin drejt Greqisë, u sulmuan nga partizanët shqiptarë në afërsi të fshatit Borovë, të Kolonjës. Më 6 korrik 1943, trupat gjermane si kundërpërgjigje të këtij veprimi, kryen masakrën më të madhe në Shqipëri gjatë viteve të Luftës së Dytë Botërore. Mund të jetë rroba e një fëmije të parritur, një bluzë me vija që të kujton filmin “The boy with stripped pyjamas”. Matanë, një jelek ngjyrë gjaku me tri kopsa, shqyer nga plumbat dhe në anën tjetër një tjetër jelek i bërë me dorë, me pe deve. Mënjanë, qëndron edhe një grusht dhe i marrë nga Borova e Kolonjës. Por, përtej Borovës së vitit 1943, Kolonja është përgjakur edhe në komunizëm. Si dëshmi, qëndron në të njëjtën stendë, bluza (e përgjakur) prej pambuku e Niko Jotit, djalit nga Erseka që u vra në kufi në vitin 1990. I vrarë po në kufi, ishte edhe Pëllumb Pëllumbi, këmisha me kuadrate të kuqe të cilit, edhe ajo e shqyer, mban në xhepin në krah të majtë, një tufë parash të kohës, prej të cilave dallon 1 lekëshi jeshil.

Ka mes atyre që ekspozohen edhe një palë pantallona, aq të arnuara sa nuk shquhet si qenë në origjinal. Ato janë pantallonat e Gjon Vatnikajt, të cilit e ëma, Mrika Tunxhi, ia kish arnuar me fijet e saj të flokut, gjatë viteve të internimit. Vitrina e dytë paraqet objekte të viktimave nga regjimi komunist në Shqipëri, pjesë e Pavijonit të Terrorit Komunist në Shqipëri. Objektet u përkasin personave, të cilët janë burgosur, pushkatuar pa gjyq, masakruar dhe të atyre njerëzve që kishin filluar të shprehnin protestën e tyre hapur kundër diktaturës. Për ironi, dje të pranishëm në aktivitet kishte edhe punonjës të SHISH-it të sotëm, pasardhës të institucionit prej ku nisnin masakrat komuniste.

KONFERENCA

Në një konferencë që iu referua Ditës Europiane të Viktimave, drejtori i Muzeut Kombëtar, Dorian Koçi tha se duhet të sjellim debat të hapur për të parë të shkuarën pa komplekse.

“Veç luftërave lokale për ndarje territoresh e vendosje kufijsh, që në vitet e para në këtij shekulli, bota u përfshi nga dy luftëra të mëdha. Dhe si për t’i shkuar të keqes deri në fund, pas vitit 1945 në gjysmën e Evropës u instalua një sistem totalitar, i cili do ta çonte numrin e viktimave në një bilanc të ri, të pabesueshëm. Në këtë mënyrë, e keqja më e madhe e shekullit të XX, vetë antihumanizmi u përcoll nëpërmjet regjimeve nazi-fashiste dhe atij komunist”, tha historiani Dorian Koçi, njëkohësisht edhe drejtor i Muzeut Historik Kombëtar. Sipas tij, “Totalitarizmi është dukuri e shekullit të XX. Jo se në të kaluarën nuk ka pasur regjime qeverisëse që janë orvatur për sundim të pakufizuar, si Luigji i XIV në Francë që thoshte se: “Shteti jam unë”, por sundimtarët para shekullit të XX kurrë nuk mundën ta vendosin sundimin totalitar e të pretendonin për një kontroll qeverisës me të vërtetë total dhe aq më pak, ata nuk arritën ta manipulonin masën e gjerë të popullsisë. Totalitarizmi u bë i mundur në rrethanat e zhvillimit të teknologjisë së avancuar e të modernizimit të mëtejshëm të të gjitha mjeteve të komunikimit, të armëve dhe të ushtrisë. Këto zhvillime lehtësuan shtrirjen dhe forcimin e kontrollit të gjithanshëm shtetëror”.
Në nderim të viktimave të totalitarizmit, më 2 prill 2009 Parlamenti Evropian ftoi që 23 gushti të shpallej “Dita evropiane e përkujtimit të viktimave nga regjimet totalitare”, për të përkujtuar në mënyrë të denjë e të paanshme kujtimin e viktimave të dëbimeve dhe asgjësimeve masive.
Ministria e Kulturës përfaqësohej nga zv.ministri Zef Çuni. E pranishme në aktivitet ishte dhe znj.Susanne Schutz, ambasadore e Republikës së Gjermanisë në Shqipëri qe premtoi mbështetje për Autoritetin si dhe ambasadori i Polonisë, Karol Bachura. Ndërkohë që një kumtesë të rëndësishme mbajti edhe Gentiana Sula, Kryetare e Autoritetit për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit. Ndërsa Dr.Marenglen Kasmi, anëtar i Autoritetit për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit mbajti kumtesën: “Dita europiane e kujtesës për viktimat e regjimeve totalitare dhe autoritare”. Në kumtesën e tij, drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, Dorian Koçi do të theksonte: “Dallimet mes dy formave të totalitarizmit, atij komunist dhe atij fashist janë: Aspekti ekonomik dhe aspekti i marrëdhënieve me jashtë. Tek totalitarizmi komunist në aspektin ekonomik likuidohet prona private dhe vendoset prona shtetërore dhe shteti është pronar dhe punëdhënës i vetëm, kurse tek totalitarizmi fashist ruhet prona private nën kontrollin e shtetit, i cili diktohet nga politika qeveritare. Tek totalitarizmi komunist në aspektin e marrëdhënieve me jashtë dënohen vendet e tjera si imperialiste dhe mbisundon motoja “Proletarë të të gjitha vendeve bashkohuni”, kurse tek totalitarizmi fashist kemi një nacionalizëm ekonomik dhe ekstrem. Kombinimi i të gjithë këtyre tipareve përbëjnë thelbin e totalitarizmit”.

Në fund të këtij aktiviteti, drejtori Dorian Koçi i ftoi të pranishmit për një vizitë në pavijonin e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare dhe në pavijonin e Persekutimit Komunist të Muzeut Historik Kombëtar.


23 GUSHTI
Ishte ajo ditë e vitit 1939, një marrëveshje midis Gjermanisë Naziste dhe Bashkimit Sovjetik, e cila hapi rrugën drejt tragjedisë së Luftës së Dytë Botërore dhe pasojave saj: kampet e përqendrimit, kampet me punë të detyruar, holokaustit, vendet e djegies së trupave, si dhe shumë vite të Luftës së Ftohtë dhe regjimeve të mëtejshme kriminale. Prandaj 23 gushti, ditë kur u nënshkrua paktit Ribbentrop-Molotov, u caktua dhe si “Dita europiane e kujtimit për viktimat e regjimeve totalitare”.

Më 23 gusht kujtohen të gjithë ata, vdekja e të cilëve ishte pasojë e krimeve të kryera nga nazizmi dhe stalinizmi. 23 gushti sjell kujtimin e miliona personave që u vranë në regjimet totalitare, kryesisht të burgosurve, të kampeve të përqendrimit, kampeve të vdekjes, kampeve me punë të detyruar dhe burgjeve staliniste.

 

 

 

 

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.