KULTURË

Simon Mirakaj: Në shkollë me sandale prej rrypave të frenave të kuajve që i gjetën te stalla

14:08 - 29.08.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Nga Simon MIRAKAJ

Fëmijët u lejuan të shkojnë në shkollë, ishte lajm i gëzueshëm, do shkonim në shkollë do dilnim dhe nga telat për pak kohë. Shtatori po afronte dhe ne po bëheshim gati për ditën e parë të shkollës, problem më i madh ishte se çfarë do vishnim, çfarë do mbathnim, se librat na i dhanë falas. Leka me Franin, që ishin më të mëdhenj se ne, na sajuan mua e vëllait një palë sandale me rrypat e frenave të kuajve që i gjetën te stalla, ndërsa pantallonat ishin mirë, ishin pak të grisur tek gjunjët, kishim edhe një jelek, që sapo e kishte punuar motra, Lajdja. Leka e Frani ishin vëllezërit e Pal Mëlyshit, pas vrasjes së Palit ata u liruan. Kur shkuam në shkollë, para se të hynim në klasë te oborri, ishte një fotograf, i cili na bëri nga një foto, kur e futi kokën në aparat unë u tremba. Pritni pak,-tha fotografi,- e merrni fotot. Fotografinë e asaj dite e kemi si kujtim të vetëm të atij kampi. Dita e parë e shkollës për mua nuk shkoi mirë se kur po dilnim për t’u kthyer në kamp mësuesi më ndaloi duke më thënë “E do babain?… Ku e ke babain?” Unë i thoja se e dua babain, megjithëse nuk e kisha parë e as më kishte parë kurrë, e mësuesi më godiste me tehun e vizores, më mbajti afër një orë mbas mësimit, vëllai me motrën rrinin mbrapa derës, kur më la të lirë mësuesi, unë eca pak e pastaj më morën në krahë herë motra e herë vëllai se më kishte rënë të fikët. Librat na i dhanë falas, për të shkuar në shkollë e kishim të vështirë se rruga ishte pak malore e nuk na mbanin gjunjët, ishim të dobët nga mungesa e ushqimit. E kishim të vështirë për të mësuar për të bërë detyrat, abetaren për ta mësuar e vendosnim në gjunjët e hollë që sa mezi e mbanin, ndërsa detyrat i bënim barkas, bojën e shkrimit e bënim me lulëkuqe që i mblidhnim në oborrin e kampit ose e bënim me mullaga. Unë nga ndonjëherë përdorja djepin tim si tavolinë për të bërë detyrat, kjo nuk vazhdoi shumë. Një malsoreje i vdes fëmija i vogël, nuk kishte dërrasë për të bërë arkivolin, nëna ime i dha djepin tim e sajuan një arkivol.

Ata që mbaruan klasën e shtatë i detyruan të shkojnë në punë. Puna ishte shumë e rëndë për ata trupa të njomë e të pa ushqyer. Prisnin dru e i ngarkonin në kurriz në male për Degën e Brendshme e për komandën e policisë të kampit. Nuk ishin të pakta rastet kur mbushnin thasë me plehun e staneve e i, sillnin në kamp për bahçen e policisë. Shpina e tyre e njomë bëhej gjak edhe nga drizat e trasha që i ngarkonin në shpinë për t’i sjellë për kuzhinën e kampit. Drutë, plehu, drizat i bënin në mal që ishte një orë, a më shumë larg nga kampi. Me gjithë këtë lodhje, me gjithë këtë mundim, ato mendjen e kishin tek vëllezërit e motrat më të vegjël që i kishin lënë në kamp të uritur. Mbasi kishin bërë barrën e druve turreshin nëpër ferra për të mbledhur manaferra apo gorrica. Kur niseshin në Turan për të prerë dru merrnin me vete nga një gavetë për ta mbushur me hirrë, punëtorët e baxhos ja jepnin fshehurazi. Ne e dinim orarin kur ktheheshin nga puna, iu dilnim përpara, se e dinim se diçka na kanë sjellë.
KAMPI

Ky kamp internimi ishte i rrethuar me tela me gjemba e gjendej buzë lumit të Bënçës, i cili dimrit ishte mjaft i rrëmbyeshëm, kampi ishte i ndërtuar nga italianët, gjatë luftës me Greqinë. Kampi kishte pesë kazerma të gjata afërsisht 50m, tri ishin me të internuar, një kazermë kishte 600 – 700 te internuar. Brenda kazermat kishin shtretër marinarësh pa ndarje ku flinin familjarët. Ishte dhe një kazermë që kishte vetëm muret anësore, ishte goditur me predha gjatë luftës, por të internuarve të këtij kampi shfarosës ju shërbeu si lavanteri ku gratë zienin rrobat apo lanin fëmijët. Ndërsa kazerma tjetër shërbente si depo. Në situata të tilla ku nëpër kazerma kishte mbi popullim, higjiena ishte zero, morri bënte kërdinë si te fëmijët e te të rriturit, prandaj nënat na lanin verë e dimër në atë kazermë të zbuluar. Dimri në Tepelenë ishte shumë i ftohtë, kur na merrnin nënat për dore në dimër për të na dërguar atje për të na larë, shkonim duke qarë. Brenda kampit gjendej komanda e policisë, furra e bukës, infermieria, anash komandës ishte një vend i ngritur ku vendoseshin kazanët e gjellës që jepej dy herë në ditë në drekë e në darkë. Komanda e policisë përbëhej nga komandanti toger Hakiu, aspirant Syrjaj, mareshal Tomi dhe kapteri famëkeq, Selfo, një katil i lindur që bënte apelin dhe në 12 të natës kur njerëzit dhe mund t’i kishte zënë gjumi, them mund, mbasi natën i shikoje nënat apo motrat, vëllezërit më të rritur që me një copë pishë në dorë digjnin foletë e çimkave që kishin pushtuar shtretërit e kërkonin të na pinin dhe atë pikë gjak që na kishte mbetur. Kapter Selfo ulërinte sa hynte në kazermë për të bërë apelin, pastaj fillonte po me ulërima duke zbuluar jorganët për t’i kontrolluar familjarët, kishte raste që i zbriste të gjithë njerëzit nga krevatet e nëse ndonjë grua nuk e kishte marrë fëmijën në krahë, e detyronte të shkonte ta zgjonte fëmijën e ta merrte në krahë për ta paraqitur para kapter Selfos. Natën vonë dëgjoheshin dhe zëra të fëmijëve të uritur që iu kërkonin nënave bukë e nënat motrat më të mëdha me lot në sy kërkonin t’i qetësonin me ndonjë përrallë që t’i hutonin e t’i zinte gjumi.

Kampi përbëhej nga gra, fëmijë e pleq, sepse burrat ishin disa në mal që luftonin kundra instalimit të diktaturës komuniste, disa ishin vrarë në përpjekje, disa ishin në burg, disa ishin arratisur. Nuk lejohej të dilje jashtë telave me përjashtim të atyre që shkonin në punë e fëmijëve, që shkonin në shkollë. Trajtimi ishte çnjerëzor, bukë 500 gram në ditë si baltë e papjekur, ndërsa gjella ndahej në drekë e në darkë. Gjella ishte lëng makaronash, në kazanin me ujë lundronte ndonjë fije makaroni apo ndonjëherë ndonjë kokërr groshe, gatuanin dhe bollgur që ishte gjithë krimba dhe ata notonin të qetë në kazan e pastaj përfundonin në barkun e të uriturve, njerëzit e hanin bollgurin duke mbyllur sytë. Në darkë zakonisht njerëzit nëpër kazermë rreshtoheshin për të zënë radhën për te soba për të pjekur lendet që të shuanin sado pak urinë e për të tharë rrobat nga shiu, që i kishte zënë në punë në mal. Uria kishte pushtuar gjithë kampin, dy fëmijë që ishin më guximtarë, kaluan fshehurazi telat e filluan të hanë manaferra, mbasi hëngrën mirë u kthyen për t’u futur në kamp, ndërkohë i pa kapteri, i ndaloi të dy, i mori duke i rrahur me shpulla dhe i lidhi për një shtyllë, që ishte afër çezmës. Të dy fëmijët e lidhur për shtylle ishin Zef Mirakaj e Liman Koleci të moshës 9 vjeç. Kur i zuri nata të lidhur, filluan të qanin nga frika ndërsa, nënat e tyre motrat e të afërmit rrinin brenda telave të kampit duke ju dhënë kurajë: “Mos keni frikë se ja ku jemi!”. Të dy fëmijët i liruan në mëngjes, të dyve ju kishte rënë të fikët kur i morën familjarët. Vdekjet e fëmijëve dhe pleqve vazhduan si shkak i mungesës së higjienës e ushqimit, çdo dite dëgjoje nënat që vajtonin fëmijët. Vdiqën afërsisht 300 fëmijë e 400 pleq. Aty vdiq edhe gjyshja jonë nënë Dedja. Varret u lëvizën tri herë, herën e tretë i vendosën buzë lumit të Bënçes, i cili dimrit fryhej e përpiu në shtratin e vet dhe eshtrat e tyre, sot janë pa varre. Çdo ditë hapej porta e kampit se vinin kamionë me të internuar nga rrethe të ndryshme të vendit, brenda pak ditëve erdhën 300 familje vetëm nga Mirdita. Ditëve të pranverës që kishte rënë i ftohtit fëmijët i shikoje që luanin me zare te kuzhina e prishur, të tjerët që ishin pak më të rritur gjuanin me llastiqe nëpër stallat e kuajve apo derrave. Njerëzit ishin shumë solidarë me njeri-tjetrin, ishin të gatshëm për të ndihmuar njeri-tjetrin në ato kushte të tmerrshme, fisnikëria e tyre dallohej. Të moshuarit në ditët me diell dilnin në oborre e bisedonin njëri me tjetrin, duke treguar histori të ndryshme.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.