KULTURË

Gjon Radovani: Si do bëhet muzeu i Kampit të Tepelenës

09:30 - 01.09.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Fatmira NIKOLLI




Transformimi i kompleksit të ish-kampit të përqëndrimit Tepelenë në një muzeu kombëtar të kampeve të detyruara të punës tanimë është konceptuar. Me nismën e Autoritetit të Informimit të Dosjeve të Sigurimit të Shtetit (AIDSSH), arkitekti Gjon Radovani, zv.Ministër i Zhvillimit Urban, ka përgatitur një koncept dhe ka projektuar ndërtimin e një memoriali në oborrin e tij. Ndërsa më 30 gusht, Ditën Ndërkombëtare në Përkujtim të të Zhdukurve, të mbijetuar kujtuan tmerret që kanë kaluar në kamp, Radovani, në një intervistë për “GSH” hedh dritë mbi muzeun e ri të përkujtimit.
– Pse është i rëndësishëm ndërtimi i një muzeumi në kampin e përqendrimit të Tepelenës?
Kampi i përqendrimit të Tepelenës është pa dyshim kampi me famëkeq i punës së detyruar nga diktatura komuniste. Ka funskionuar si kamp në vitet 1948-1954 dhe aty janë internuar rreth 3000 persona, ku kanë vdekur rreth 600, gjysma e tyre femije deri 5 vjeç. Muzealizimi i këtij kompleksi ndërtimor, që ka shërbyer në fillim si bazë e ushtrisë italiane për luftën italo-greke, më pas si kamp përqendrimi dhe në fund si repart ushtarak për ushtrinë e diktaturës është shumë i rëndësishëm, sepse nxjerr në spektrin viziv të shoqërisë sonë fakte dhe momente historike të rëndësishme. Çdo përpjekje për të injoruar momentet e errëta të historisë së kombit shqiptar do të dëmtonte shume rëndë të ardhmen e dinjitetit dhe të integritetit të tij. Nga ky këndvështrim, kampi famëkeq i Tepelenës është ekzemplari më i përshtatshëm për t’u transformuar në një qendër muzeale kujtese dhe respekti për viktimat e diktaturës, qendër formimi për brezat e ri dhe nga ana tjetër edhe qendër e fortë e zhvillimit ekonomik të zonës, e cila vuan nga një përqindje papunësie ekstremisht e lartë.
– Ka një histori të trishtë fëmijësh që humbën jetën aty. Si do përkujtohen ata?


Në kampin e Tepelenës kanë ndërruar jetë rreth 300 fëmijë të mitur kryesisht nga uria dhe nga keqtrajtimi i përgjithsshëm që i bëhej te deportuarve. Këto fëmijë kishin përfunduar në këtë qendër brutale internimi, sepse kishin të vetmin “faj”, se ishin fëmijë ose nipër të prindërve, gjyshërve, kushërinjve, që për Pushtetin Popullor ishin kategorizuar si armiq të klasës. Me raste kjo ndodhte vetëm për faktin se ishin familje të pasura, por edhe kur ndonjë anëtar i këtyre familjeve ose ishte shprehur hapur kundër dhunës komuniste, ose ishte arratisur në shtetet fqinje. Aty u vra dhe u ndëshkua pafajësia në një mase aq ekstreme. Ekstremi i dhunës kalonte caqet e jetës dhe arrinte deri në keqtrajtimin e kufomave, duke i “varrosur” ato në breg të lumit, me qëllim që rrjedha e tij t’i merrte dhe t’i transportonte në natyrë. Fëmijët e mitur as sot nuk kanë një varr dhe eshtrat e tyre nuk dihet a dhe ku mund të jenë. Në kujtim të tyre dhe si shenjë e refuzimit të çdo dhune njerëzore, në qendrën e kompleksit muzeal do të ngrihet “Memoriali i Femijeve te vdekur”. Kazermat dhe ndërtesat e kompleksit “definojnë” një oborr pothuaje katror. Në mesin e këtij katrori me brinjë prej 131 m, do vendoset instalacioni në kujtesë të këtyre qenieve të pafajshme, që ndërruan jetë në situata ç`njerëzore. Ky instalacion i vendosur në qendrën e sheshit të kampit distancohet në mënyrë të dukshme dhe të qëllimshme nga kapanonet rrethuese. Kjo nga njëra anë, sepse “përbuz” dhunën e përdorur në këto struktura diabolike dhe nga ana tjetër për të mos ndërhyrë në emocionet e vizitorëve që vëzhgojnë artefaktet e ekspozuara në këto kapanone.
– Si do të jetë instalacioni?
Për të shmangur çdo lloj patetizmi e ekslamacioni të dëmshëm e antiproduktiv në transmetimin e historisë, të ndjenjës së dhunës dhe për rrjedhojë të dhimbjes njerëzore, propozohet që këta fëmijë në instalacion të përfaqësohen nga qiparisa, pemë me gjelbërim gjithë vitin, që tregojnë në mënyrë të pangatërrueshme lidhjen me qiellin dhe personifikojnë elegancën dhe brishtësinë e fëmijëve në formë.


Qiparisat do krijojnë një katror tjetër me brinjë 54 m në qendrën e oborrit. Ato qëndrojnë 3 m larg njëra-tjetrës dhe vihen në rrjeshta duke ngushtuar katrorin e jashtëm, për t’u ndalur pas gjashtë rrjeshtave dhe për të krijuar një katror të brendshëm vakumi hapësinor dhe shpirtëror me përmasa 18 x 18 m. Ky mini-shesh i brendshëm, që do të jetë sheshi i qetësisë, i meditimit, i përpunimit të dhimbjes dhe të brutalitetit njerëzor, i shtruar nga një pllakë graniti, ngjyrë antracidi ku do gdhenden emrat e fëmijëve të zhdukur. Platforma e granitit “paloset” në ekstremitetet e saj duke krijuar në mënyrë krejt natyrale dhe të pazhurmshme vende uljeje për vizitorët. Për të arritur në këtë shesh nuk ka një rrugë të shënuar. E vetmja mundësi aksesi është kalimi mes këtij “pylli” qiparisash. Vizitorët duhet të ndjejnë praninë e qiparisave tek shkojnë në shesh, ato duhet të “miqësohen” me përfaqësuesit e viktimave për të arritur në platformën e qetësisë. Në këtë platformë kujtimi dhe meditimi, humbet edhe kontakti viziv me kazermat rrethuese të kampit. Vizitorët mund/duhet të ecin mbi emrat e fëmijëve dhe të ndjejnë efektin që krijon për një qenie njerëzore qoftë edhe përbaltja dhe shkelja e emrave të gdhendur. Forma bazë e zgjedhur për ndërtimin e memorialit është një formë qëllimisht ortogonale. Katrorët e qiparisave që brendashkruajnë njëri-tjetrin janë gjashtë, sepse i shtati mungon. I shtati shërben për të krijuar vakumin e sheshit të meditimin. Është pikërisht dita e shtatë e kreacionit, misioni i ditës së shtatë të javës, që këtyre viktimave foshnja të pafajshme u është hequr nga dhuna njerëzore. Për paradoks dhe për besim në të mirën e njerëzimit, pikërisht ajo që i është privuar viktimave, krijon edhe shpresën e një bote më të mirë, më të ndërgjegjshme dhe më në repekt të dinjitetit të njeriut.


–    Kampi është i dëmtuar, çfarë ndërhyrjesh do të bëhen për kthimin e tij në një kompleks muzeal?
Kampi i Tepelenës është i dëmtuar, por strukturat bazë i kanë qendruar kohës, ndoshta për të pritur ditën kur mund te “tregojnë” atë çfarë ka ndodhur në këtë kompleks. Ndoshta ato kanë “Rrnu për me tregu”. Kompleksi muzeal parashikon në koncept: rinkonstruksionin e kazermave të fjetjes së të internuarve, rindërtimin e zyrave të oficerëve të kampit dhe të personelit, rindërtimin e zonës sanitare: dushet, WC-të, etj, akomodimin në një nga ndërtesat ekzistente të një salle multimediale dhe muzeale për ekspozimin e artefakteve që shërbejnë për të rindërtuar memorien e viteve të diktaturës, metodat e dhunës, nderimin e viktimave, etj. Parashikon krijimin e një ambienti për studime dhe për kërkime historike, si edhe ambjente ndihmëse të strukturës, si hyrje, bileteri, dyqan suveniresh, tualete, etj; rindërtimin e rrethimit me tela me gjemba i kampit, ndriçimin e ambienteve të jashtme të kompleksit muzeal ose në skenarin e kohës së përdorimit ose konform normave të ndriçimit të sotëm, risistemimin e  rrugëve për lehtësi në vajtjen në kompleks dhe parkime për rreth 100 vetura e dhjetë autobusë.
– Çfarë do keni parasysh në realizimin e projektit, çfarë kriteresh?
Kriteret e ndërtimit të një muzeumi janë shumë strikte dhe shkencore. Do të ishte e pafalshme sikur të improvizohej me diletantizëm, sikurse mjerisht shpesh ka ndoshur në Shqiperi me objekte të së njëjtës natyrë. Kujtoj ketu psh. Muzeumin e Kujtesës në Shkodër i cili është shembulli më banal dhe dilektantest i trajtimit të temës. Detyrat e një muzeu janë koleksionimi, ruajtja, kategorizimi, analizimi dhe ekspozimi i pjesshëm i objekteve të rëndësishme dhe formuese ose me vlera përfaqësuese për historinë e një kombi, ndaj autenticiteti i fakteve dhe i artefakteve është tabu e paprekshme, e padiskutueshme. Ndërhyrjet e reja për krijimin e faciliteteve duhet të dallohen në mënyrë të qartë si nga gjuha ashtu nga shprehia arkitekturore prej ndërtesave historike. Kriteri i transmetimit të historisë dhe të mesazhit në sensin pedagogjik dhe narrativ të tij është po ashtu jetik për objektet muzeale. Suksesi ose dështimi i një sipërmarrjeje të tillë varet nga suskesi a dështimi i koncepteve pjesore, puna për përpilimin e të cilave ka filluar tashmë. Ato janë: koncepti i koleksionimit, i analizimit dhe seleksionimit, i ekspozimit, i marketingut, i ruajtjes dhe sigurisë, i financimit, i mirëmbajtjes, i menaxhimit brendshem dhe të jashtëm dhe ai i krijimit të ekspozitave.
– A janë të ruajtura objekte të kohës që kanë shërbyer në kamp, a do përdoren sende të atyre që kanë jetuar aty?
Në realizimin e këtij projekti janë shumë të rëndësishme dëshmitë e të mbijetuarve. Nga një mori e këtyre dëshmive, dallohet zoti Lek Pervizi, një piktor 90 vjeçar që ka dokumentuar me autenticitet mahnitës çdo detaj të funksionimit të kampit. Ai na ka furnizuar me dhjetra skica, vizatime dhe piktura mbi kampin dhe jetën në të. Ky material është bazë e shëndoshë për fillimin e një pune profesionale për rindërtimin, qoftë edhe pjesor të kapanoneve të fjetjes së të deportuarve. Vetë transmetimi me inteligjencë dhe me mjeshtri i dendësisë së të internuarve në atë hapësire famëkeqe, do te emetojë mjaftueshem për të kuptuar gjendjen tragjike të kampit. Rindërtimi i rrugëtimeve të përditshme të detyruara, që burrat dhe gratë bënin për të transportuar dru dhe shkarpa pas mbarimit të punës, është një element tjetër shume emocional dhe specifik i këtij kompleksi muzeal.
Natyrisht që edhe një pune e madhe për mbledhjen e objekteve që mund t’i kenë shpëtuar kohës na pret dhe kjo do të përbëjë një nga sfidat e mëdha për realizimin e kompleksit muzeal. Vetë strukturat ndërtimore, dhe pse të demtuara, i kanë shpëtuar kohës e janë dëshmitarët dhe marratorët më të mirë të asaj çfarë ka ndodhur kompleksin famëkeq. Nëse do të mund të angazhohemi të kërkojmë në afërsi të kampit, aty ku rrjedha e lumit ka transportuar eshtrat e të vdekurve, do të kishim artefakte të tjera shume autentike, të dhimbshme, por ekstremisht ekspresive për një muzeum të kesaj natyre.
– Ju keni një “lidhje” tuajën me këtë kamp. Kur e keni parë për herë të parë dhe si e përjetoni këtë rikthim, vite më pas e në kushte të tjera?
Kam një lidhje me këtë kamp, sepse nëna dhe gjyshja ime kanë qenë të detyruar të jetojne aty për vite, për të vetmin “faj” se vinin nga familje të pasura dhe se të afërm tanët ishin arratisur nga Shqipëria në diktature. Ato mundën ti mbijetojnë dhunës dhe kushteve mizore dhe të jetojnë në vijim me shume dinjitet dhe klas, te rrethuar nga respekti dhe dashuria jo vetëm e familjareve, por edhe e gjithë rrethit shoqëror deri në vdekjen natyrale të tyre. E kam parë këtë kamp për herë të parë vetëm para disa javësh në kontekstin e projektimit të muzeumit. Është emocionues dhe impresionues, por mendoj që një efekt të tillë struktura e jep te çdo njeri me sensibilitet.


I shoh këto, si nisma të një rëndësie kombëtare dhe jo personale, të destinuara jo vetëm për autoret të krimit, për viktimat apo për dëshmitarët. Seicili prej nesh është produkt, jo vetëm i talentit dhe i formimit të tij, por edhe i periudhës historike dhe kontekstit social në të cilin jeton. Është e domosdoshme për çdo shoqëri të njohë prejardhjen e vet, të dijë të vërtetën mbi çka bërë dhe ç’nuk ka bërë, që të mund të orientohet për atë që duhet të bëjë në kushtet aktuale dhe në të ardhmen. Ndërtimi i identitetit e skicimi i rrugës së zhvillimit s’mund të ketë sukses, nëse etapa të rëndësishme në zhvillimin e shoqërisë lihen në hije dhe evitohet balafaqimi me to.
Zygmunt Bauman në veprën “Moderniteti dhe Holokausti” shkruan: Holokausti ishte një dritare dhe jo një pikture. Duke parë ngultas përmes asaj dritareje befas mund të shquaje një imazh të rallë  të atyre gjërave, që më parë kishin qënë të padukshme. Ajo çka arrita të shquaj përmes dritares nuk më pëlqeu aspak, por sa më dëshpëruese pamja, aq më shumë bindesha se kushdo që do të refuzonte ta shihte do të rrezikonte më shumë…”.
Kjo natyrisht vlen për çdo lloj diktature dhe padrejtësie sociale të organizuar dhe të bazuar në çfarëdolloj ideologjie. Ndaj trajtimi i këtyre temave bëhet shumë i rëndësishëm edhe për zhvillimin e kombit shqiptar dhe integritetin e tij. Evitimi i ballafaqimit me to vetëm do shtyje pa fund ‚normalizimin’ e shoqërisë shqiptare dhe gjetjen e një identiteti të ekuilibruar. Nuk mund të rri pa falenderuar Kryetaren e Autoritetit të Dosjeve, zonjën Gentiana Mara Sula, e cila me kthjelltësi mendimi, me kujdes, vendosmëri veprimi dhe me angazhim maksimal ka filluar këtë nismë të rëndësishme si në aspektin human ashtu edhe në atë historik dhe social, për ndërtimin e Kompleksit Muzeal të Punës së Detyruar, Tepelenë. Shpresoj dhe mendoj që rezonanca e fillimit të punës të jetë pozitive tek të gjithe ata që duan të shohin një Shqipëri moderne dhe dinjitoze, e cila ndërton të ardhmen e saj mbi themele të shëndetshme dhe uroj që grupi i punës për realizimin e kësaj nisme të zgjerohet sa më shumë.


Shfaq Komentet (1)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

  1. Hollakausti ,miku tim u krijua te c faroseshin farerat e keqija njerezore,per te mos u krijuar ,kampet e Tepelenes dhe te Siberise te Rusise anti njerezore te komunizmit.Aty miku tim i dashur ku u vendos ky krim njerezor te qeveriste ne
    kohe paqeje lulezuan keto kampe te c frosjes njerezore te pafajshem. Eshte nga me e domozdoshme dhe patriotike dhe ideale kur nje popull gjendet perpara kesaj krijese te degjeneruar dhe kriminele te perqafuarit dhe detyrat fashiste jane detyra te domozdoshme dhe patriotike per nje popull,qe kerkon te shpetoje nga nje krim kaq i pa krahasuar.Kur te flasesh per kete hollokaust gjithmone do te
    vendosesh per te krahasuar hollokaustin tjeter te femijeve te pa fajshem ne kohe paqeje. Kete hollokaust e krijuan ata qe shpetuan pa u shkrire ne furat gazit te hollokausit Nazist,,,, gje qe i terre ky popull qe lengoje dhe vdiq nga ky kamp,nuk i kishte lidhur as nje fije floku me Nazizmat dhe Fashizmat.Mos u ndruaj miku tim se do te akuzohesh si fashist kur akuzon komunizmin,qe ja kalon qindra here anti njrezimit,,, Nazizmi le te jete per ti dhe une,detyra ndergjegjije sakrifica kunder kriminelit komunist,i ndertusit te kampeve te Tepelenes,,,, dhe kurre armiku i nje shoqerije te hapur te paqes dhe mirqenjes se popullit tend,. Une jam nje qytetar i moshes se re shume vite pas kesaj lufte dhe kurre i angazhuar me Nazizma per te mos folur kurre per komunizma,,,,por te prezantuarit ne keto dy
    lloje shoqerishe vetem ky i pari i nxjer fundin kesaj te dytes,qe eshte mizerija me e madhe e kesaj shoqerije njrezore,,,pershendetje.

    Përgjigju ↓