OPINION

Shqipëria të mbrojë pakicën shqiptare në Sanxhak

07:57 - 04.09.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

 




Nga Shaban MURATI

 

Kam shkruar në librat e mi që kombi shqiptar ka humbur shumë pjesë fizike të tij gjatë aksidenteve të historisë. Por, kam theksuar gjithashtu se në kohërat e reja demokratike, që kanë ardhur në Ballkan e në Europë, është detyra e shtetit dhe e kombit për korrigjimin e këtyre aksidenteve. Një rast klasik është ai i shqiptarëve të Sanxhakut në Serbi, i cili deri para 100 vitesh ka qenë pjesë e vilajetit të Kosovës dhe pjesa më e madhe e popullsisë ka qenë shqiptare. Gjatë mbi 100 viteve të pushtimit serb popullsia autoktone shqiptare u shkul me dhunë nga vatrat e veta. E çkombëtarizuan atë pjesë që mbeti, duke e detyruar të harrojë gjuhën dhe të boshnjakëzohet me zor dhe sot statistikat serbe japin shifrën e pavërtetë prej 0,2 për qind shqiptarë në Sanxhak. Shifra reale është shumëfish më e madhe dhe spekulimi statistikor serb vjen nga fakti se shqiptarët e Sanxhakut, të terrorizuar nga dhuna e pushtetit gjatë mbi 100 viteve, nuk guxojnë të thonë se janë shqiptarë dhe i kanë detyruar të regjistrohen si boshnjakë.

Ndaj përbën një akt guximi madhor deklaratat dinjitoze publike të vajzës shqiptare nga Sanxhaku, Amina Nuroviç, e cila ndonëse jeton në mes të terrorit fizik dhe psikologjik antishqiptar, guxoi të shpallë me zë të lartë: “Unë jam shqiptare”. Ajo çoi në vend amanetin e gjyshit, i cili i kishte rrëfyer të vërtetën e origjinës shqiptare. Ja deklarata e saj lapidare: “Përmes rrjetit social përpiqem ta vetëdijësoj popullin e Masbjeshkës, Sanxhakun, shqiptarët e dikurshëm e boshnjakët e sotshëm, që t’ua hapi sytë e të përpiqem t’i bindi që ne nuk jemi boshnjakë, që ne s’kemi qenë kurrë të tillë, por që të gjithë ne nga rajoni i Masbjeshkës në historinë tonë shumëshekullore jemi vetëm shqiptarë. Pjekuria dhe guximi mua më vijnë nga zemra ime, nga dashuria dhe respekti im tepër i madh për popullin tim. Shqiptarët ekzistojnë në Sanxhak, unë jam shqiptare, nesër fëmijët e mi do të ndihen shqiptarë, do të mësojnë shqip, ndërsa unë nuk do të qetësohem kurrë përderisa ta shoh Flamurin Kombëtar Shqiptar se si valëvitet në Novi Pazar. E di që duhen shumë vite për me ardhë deri tek ajo ditë, por këtë do ta realizojmë nëse është e nevojshme edhe me forcë, në mënyrë që të gjithë shqiptarët e asimiluar t’i kthejmë kah rrënjët e veta, pasi e vërteta herdokurë del në dritë, ajo fiton gjithmonë”.

Amina Nuroviç është shëmbëlltyra e vajzës trime shqiptare, e cila guxoi dhe theu tabunë false shekullore se Sanxhaku nuk ka shqiptarë. Është një dëshmi e bujshme e ekzistencës së një komuniteti të gjerë, një zë i fuqishëm i tij, që u kujton të gjithëve, edhe shqiptarëve, edhe serbëve se janë mijëra shqiptarë që jetojnë në trojet e veta në Sanxhak, pavarësisht se tmerri nga pushteti i pengon ende të deklarohen shqiptarë. Janë shumë fshatra të populluar me shqiptarë, të cilët asimilimi i dhunshëm serb i ka detyruar që të harrojnë gjuhën amtare, por që në grumbullimet familjare e miqësore midis tyre dhe mes miqsh e pohojnë se janë shqiptarë me gjak dhe origjinë shqiptare. Madje, edhe vetë kryemyftiu i Sanxhakut dhe kryetar i Bashkësisë Islame në Serbi, Muamer Zukorliç, për origjinën e tij ka deklaruar se babain e ka shqiptar nga Gucia dhe nënën shqiptare nga Shkreli.

Kushtrimi i të parëve i Amina Nuroviçit dhe i mijëra shqiptarëve të heshtur të Sanxhakut hap një derë të rëndë të detyrës së shtetit dhe të kombit shqiptar për t’u kujdesur për pjesët e trupit të tij, të humbura ose të harruara nga aksidentet e historisë dhe nga dhunat asimiluese të atyre, që zaptuan trojet shqiptare. Akti i Amina Nuroviçit meriton një mirënjohje publike dhe zyrtare në Shqipëri dhe në Kosovë, sepse është zëri i ndërgjegjes shqiptare të popullsisë së Sanxhakut.

Historitë e ringjalljeve kështu fillojnë: me zëra heroikë dhe me kalorës të vetmuar të së vërtetës. Në librin tim “Çështja shqiptare pas pavarësisë së Kosovës”, botuar në vitin 2009, kam shkruar dhe kam tërhequr vëmendjen për kujdesin që duhet treguar për ringjalljen e shqiptarëve ortodoksë të Maqedonisë, të cilët nuk guxojnë të deklarohen shqiptarë. Në vitin 2011 doli i pari shqiptari Branko Manolovski, i cili deklaroi se ishte shqiptar ortodoks i Maqedonisë. E kam përshëndetur atëherë aktin e tij dhe i kam bërë thirrje shtetit shqiptar për nderim dhe mirënjohje ndaj tij. Proceset historike nuk mund t’i ndalë kush dhe sot shqiptari ortodoks, Branko Manolovski është deputet i parlamentit të Maqedonisë nga një parti politike shqiptare dhe profesori shqiptar ortodoks Branislav Sinadinovski deklaron se janë 70 mijë shqiptarë ortodoksë në Maqedoni.

Ndriçimin e rrugës, që bëri Branko Manolovski për shqiptarët e humbur ortodoksë në Maqedoni, po e bën edhe vajza trime shqiptare, Amina Nuroviç për shqiptarët e Sanxhakut. Është një moment i rëndësishëm reflektimi dhe veprimi për shtetin dhe kombin shqiptar për të rivendosur të drejtën e ekzistencës së pjesëve të kombit të humbur nëpër aksidentet historike.

Çështja e popullsisë shqiptare të Sanxhakut nxjerr detyrën e madhe të shtetit të Shqipërisë për t’u interesuar dhe për të mbrojtur pakicën shqiptare në Sanxhak. Shqipëria në marrëdhëniet e saj diplomatike me Serbinë ka plotësisht të drejtën ligjore në bazë të të gjitha ligjeve dhe normave ndërkombëtare dhe konventave për të drejtat e njeriut dhe të pakicave, që të interesohet për fatin dhe të drejtat e pakicës shqiptare në Sanxhak. Serbia është shtet kandidat për në BE dhe ka hapur edhe bisedimet për traktatin e pranimit me BE. Ajo ka detyrimin ligjor të zbatimit të kritereve të anëtarësimit, ku në radhë të parë hyn trajtimi i barabartë i pakicave dhe dhënia e të drejtave të plota dhe të statusit të pakicave, e ndër to edhe pakicës shqiptare në Sanxhak.

Kjo do të thotë që diplomacia dhe shteti shqiptar ta shtrojnë si pjesë të rendit të ditës në bisedimet e tyre zyrtare me Serbinë çështjen e pakicës shqiptare në Sanxhak. Kjo do të jetë edhe një nga provat për të dëshmuar Serbia se sa demokratike është, për të dëshmuar gatishmërinë e vërtetë për të zhvilluar marrëdhënie miqësore me shqiptarët dhe me Shqipërinë.

Shteti dhe diplomacia shqiptare duhet të jenë të pranishëm në Sanxhak, të takojnë njerëzit, të ngrenë kurse të gjuhës shqipe, të ndihmojnë me abetare dhe libra, me filma dhe video, me veprimtari kulturore e artistike nga Shqipëria dhe me gjithfarë mjetesh informacioni për të nxjerrë në dritë dhe për të legalizuar identitetin e tyre kombëtar. Televizionet shqiptare bëjnë mirë që dërgojnë ekipe në Ukrainë, Azerbajxhan apo Afganistan, për të qëmtuar komunitetet e harruara shqiptare, por edhe më urgjente të qëmtojnë në Sanxhak pakicën e heshtur shqiptare, që nuk është shpërngulur nga trojet e veta. Sanksionimi i së drejtës së pakicës shqiptare në Saxhak për statusin e pakicës don të jetë një provë e maturisë së Serbisë për anëtarësim në BE. Sidomos është tregues i seriozitetit të saj për të ndërtuar marrëdhënie të vërteta miqësore dhe bashkëpunimi me Shqipërinë.

Në drejtim të mbrojtjes dhe sanksionimit të të drejtave të pakicës shqiptare në Sanxhak nuk ka dhe nuk duhet të ketë asnjë lloj ngurrimi apo kompleksi. Shqipëria vetë është treguar aq dorëlëshuar, saqë ka lejuar situatën që diplomacia serbe dhe institucionet e specializuara serbe të livadhisin si në shtëpi të vet në Shqipëri dhe të shkëpusin arbitrarisht një grup boshnjakësh myslimanë nga “Shoqata e Boshnjakëve” të ardhur në Shqipëri si muhaxhirë në luftërat ballkanike dhe të shpikin një të ashtuquajtur pakicë myslimane serbe në mes të Shqipërisë. Natyrisht, ky absurditet i të ashtuquajturës pakicë myslimane serbe u realizua edhe nëpërmjet implikimit të lobit serb në Tiranë.

Për pakicën shqiptare në Sanxhak duhet të kujdesen më shumë partitë politike shqiptare në Luginën e Preshevës, sepse jetojnë në të njëjtin shtet me shqiptarët e Sanxhakut dhe kanë mundësi ta ngrenë zërin për të drejtat e tyre në parlamentin e Serbisë. Për pakicën shqiptare në Sanxhak duhet të kujdeset edhe shteti dhe diplomacia e Kosovës, duke hedhur në tavolinën e bisedimeve me Serbinë çështjen e pakicave shqiptare në Serbi, qoftë në Luginën e Preshevës, qoftë në Sanxhak, sa herë që qeveria e Beogradit kërkon qiqra në hell e deri autonomi për pakicën serbe në Veri të Kosovës. Për pakicën shqiptare në Sanxhak duhet të ndihmojnë shoqatat joqeveritare dhe qendrat studimore në Shqipëri dhe në Kosovë, të cilat, para se të shpërndajnë tym me pseudostudimet për lidhjet historike miqësore midis Shqipërisë dhe Serbisë, le të shkojnë në Sanxhak për të ndihmuar në realizimin e standardeve njerëzore dhe demokratike për shqiptarët e Sanxhakut.

Por e përsëris, që barra kryesore i përket shtetit dhe diplomacisë së Shqipërisë, të cilët duhet të ndjehen dhe të jenë të pranishëm në Sanxhak dhe ta shtrojnë çështjen e pakicës shqiptare të Sanxhakut si pjesë të dosjes së marrëdhënieve midis Shqipërisë dhe Serbisë. Që në vitin 2011 kam tërhequr vëmendjen për nevojën e interesimit të shtetit dhe të diplomacisë sonë për shqiptarët e Sanxhakut. Në një artikull me titull “Autonomia e Sanxhakut”, të botuar te “Gazeta Shqiptare” në 5 prill 2011, kam shkruar: “Sanxhaku është dhe do të bëhet edhe më shumë në të ardhmen, pjesë e shahut diplomatik dhe gjeopolitik në Ballkan. Ai ndodhet në zemër të rajonit dhe nuk duhet harruar se atje jetojnë edhe shumë shqiptarë, për të cilët shteti dhe diplomacia shqiptare kanë detyrë kushtetuese dhe kombëtare të interesohen. Është mirë ta kuptojë si detyrë edhe Ministria e Jashtme, ku për hir të së vërtetës duhet pranuar se gjysma e saj nuk e dinë se ku bie Sanxhaku dhe çështja e Sanxhakut”.

Unë kam folur dhe kam shpëtuar shpirtin. Amina Nuroviç, shqiptarja trime nga Sanxhaku, i ra kambanës shqiptare. Le ta dëgjojnë dhe të veprojnë Tirana dhe Prishtina bashkë.

 

 

 


Shfaq Komentet (4)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

  1. Artikulli “Shqipëria të mbrojë pakicën shqiptare në Sanxhak” është një thirrje e fuqishme që përfaqëson vullnetin e gjithë kombit ndaj shtetit që drejtuesit e lartë të pushtetit të zbatojnë detyrat kushtetuese, të vënë fokusin e politikës e të diplomacisë njohejn, mbrojtjen dhe garantimin e të drejtave dhe statusit të shqiptarëve të Sanxhakut, bashkë me ata të Luginës së Preshevës.
    Kuvendi dhe Qeveria, Ministria e Jashtëme, Ministria e Arsimit etj., media e shkruar dhe ajo elektronike audiovizive, Radio, Televizioni, shoqatat me programe kombëtare, është e domosdoshme të kuptojnë përgjegjësinë për lënien në heshtje të Sanxhakut. Për rikujtesën e historisë kombëtare të lënë në harresë, kontribut me vlera po jep Televizioni TOP-CHANNEL dhe gazetari Marin Meme. Amina Nuroviç me kushtrimin e saj se “jam shqiptare”, zgjoi ndërgjegjen kombëtare dhe shtroi për zgjidhje problemin shqiptar në Sanxhakun e asimiluar me dhunën e pushtetit shovinist serb. Të përdorim të gjitha mjetet demokratike për të njohur të vërtetën e Sanxhakut dhe çlirimin e ndërgjegjes së robëruar të shqiptarëve në tokën e tyre në këtë rajon.

    Përgjigju ↓
  2. …”Historitë e ringjalljeve kështu fillojnë: me zëra heroikë dhe me kalorës të vetmuar të së vërtetës”.
    E keqja eshte se edhe zera si Prof. Shaban Murati, thelbesisht jane kalores te vetmuar te se vertetes…

    Përgjigju ↓
  3. Edhe sot po te kalijshe neper fshatarat e Sanxhakut , ne rethinat e Pazarit te Ri , Tutin-it , Sjenices etj , do te hasesh persona me plus te bardhe ne koke dhe , qe ata fare pake ose aspak s dijne te flasin shqip.
    Keta jane shqiptar qe s dijne te flasin shqip por qe te paret e tyre dhuneshem iu imponua gjuha sllave dhe dhuneshem u asimiluan ne boshnjak
    Si gjithehere z.Murati , ju keni zgjedhur per ta trajtuar nji teme shume te ndieshme dhe per kerkesat e kohes , shume te rendesishme …!
    As shteti Shqiptar por as Kosova dhe oligarkite politike td dy shteteve shqiptare as ne tefter nuk e kane kete teme per te cilen ju shkruani, as per shqiptaret ne Luginen e Presheves nuk bene kushe asnji perpjekje z.Murati.Ju e dini se si vitin e kaluar Serbia blokoi per 6 muaj kamionet e Kosoves me abetare ne terminalet e doganave serbe dedikuar nxeneseve te klasave te para te shkollave te Lugines por, te cilet u detyruan pase 6 muajsh te kthehen mbrapshte ne Kosove pa asnji spjegim…???
    Dhe , kjo po ndodhe z.Murati sepse ne gjitha trojet shqiptare nder oligarkite politike dhe persona ne institucionet shtetrore ende dominon mendesia komuniste e drejtimin te shtetit ku ideologija eshte ne rend te pare kurse , ceshtje kombetare diku ne margjina.Thjeshte z.Murati , nder shqiptaret qe sot na udheheqin , demokracija duket ende se ka mundur mendesine komuniste nder disa individ ose nji grup individesh qe sot i perfaqesojne shqiptaret , ende oligarkite politike ne Shqiperi dhe Kosove nuke kane mundur te shkeputet nga mendesia titisto-enveriste e cila prioritet kishte dhe ka € dhe $ kurse, ceshtjen kombtare , kushe nga keto dy valuta jepe me teper…andaj mendoj z.Murati se per ti ndihmuar bashkekombasit tane ne Sanxhak, fillimisht duhet luftuar , duhet mose lejuar qe te vije ne pushtet klika me mendesi komuniste …duhet forcuar proceset demokratike ne dy shtetet tona shqiptare dhe nuk duhet lejuar qe demokracija te devijoje ose demokracija te stagnoje sikur qe po ndodhe me tranzicionin e qellimeshem te pafund 3 dekadash ne Shqiperi dhe 2 dekadash ne Kosove , mendoje une …!!

    Përgjigju ↓
  4. Serbia ta pranojë Kosovën,të përqendrohet në Krahinën e Preshevës,Vojvodinë dhe Sanxhak!?

    Shkruan: Refik HASANI
    Nëse me njohjen e Prishtinës nga Beogradi, faktori politik dhe ushtarak supozon se mbyllet kaptina,, problem për çështje të hapura me Serbinë”, gabojm rëndë se në kuadër të Republikës është mbetur edhe Vojvodina si ish-njësi e barabarat e Jugosllavisë. Me këtë vetëm nëkuptohet të fillohet një periudhë e ridefinimit, rregullimit të mbrendshëm të shtetit të Serbisë. Raporti Serbi dhe shqiptarët e tri Komunave ku më 1 e 2 mars të vitit 1992 u mbajtë referendumi për një autonimi territoriale dhe me të drejtë bashkangjitje me Kosovën amë. Vojvodina si ish-njësi e barabartë në këtë duhet ti përcaktoj lidhjet me Serbinë dhe çfarë statusi kërkojnë të kenë në këtë Hungarezët.Rajoni i Sanxhakut i banuar me popullatë dërmuese Boshnjake.Vetëm pasi të gjinden zgjidhje për këto tri rajone apo krahina,atëherë duhete konsideruar mbyllja e çështjeve të hapura të Republikës së Serbisë.
    Akademikët,intelektualët dhe qeveritarë serbë duhet debatur dhe shtruar drejtë,të që të pregaditet opinioni që Serbia mund dhe duhet të fedaralizohet!.Vojvodina të hynë në Federat apo Konfederat me Serbinë në mes veti,por mos të hargjon kohë dhe energji,me Kosovën në asnjë variant apo kombinim vetëm si dy shtete fqinje,së bashku të integruara në NATO,BE por edhe me përgjegjësi e obligime të barabarta në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.Populli Serbë dhe shteti i tyre nuk kan nevoj që kosovarëve fare t‘u afrojn ndonjë autonomi substanciale,çfardo lloji qoftë e zgjeruar,themelore etj.Këto do të duhej t‘i ruaj për tri rajone apo krahina,që përveq me popullatë homogjene shumicë jo serbe janë të kufizuara edhe me territore të shteteve amë.Tri rajone nuk mundë ti mbajë gjatë nën trysni,këtë gatishmëri t’ju afroj dhe duhet të vlen së pari për shqiptarët në Komunën e Medvegjës,Bujanocit dhe Preshevës. Hungarezët në Vojvodinë dhe Boshnjakët në Sanxhak.Për asnjë moment mos të harrojmë edhe pse nuk janë me shumicë në një territor të caktuar me numër të madh të banorëve,përveqë që janë shumicë në Komunën e Pirotit komunitetin jo të vogël që shumë pakë zihet në gojë e këto janë Bullgarët në Serbi,Rumunët në Vojvodinë dhe Romët që janë të shpërndarë nëpër tërë Serbin dhe Vojvodinën.Secili prej këtyre tri komuniteteve si për nga numri i banorëve ashtu edhe nga shtrirja gjeografike jan më shumë se pakica serbe në Kosovës për disa herë!.
    Ndoshta faktori ndërkombëtarë duhet ta ndihmoje se shteti Serbë mos të përqendrohet në Kosovë duke i patur edhe tri rajone tjera me popullatë dhe territor të veqantë.Shteti Serbë për ti mshef këto tri gjëra të mdha që i cekëm më lartë dëshiron që luftën diplomatikë ta bartë prej vetë Serbisë e Vojvodinës,në Kosovë.Përqendrimi me gjithë arsenalin e mundshëm politikë e diplomatikë në Kosovë dhe rrethë Kosovës me konsekuencat të dukshme kundër pavarësisë së Kosovës.Përveç dhunës qindëvjeqare që ka ushtruar kundër shqiptarëve të Kosovës e sidomos me paraqitjen në skenë të UÇK-së dhe intervenimin e forcave të NATO-s një intervenim i pari i këtij lloji në botë.Serbia përfundimisht nuk ka të drejtë as edhe të kthej kokën kah Kosova nëse mundet të plasoj ndonjë produkt të vetin në tregun e Kosovës tepër e ka,se sa për për ta patur nënë sundim të vetin jo kurrë.Duke i mshefur tri probleme në tri rajone,këto krahina me popullatë dhe territor kompakt,Serbia don që vëmendjen ta tërheq vetëm rreth Kosovës.Beogradi duke e vonuar pafundë njohjen e Kosovës,dëshiron që edhe më tej të mundohet ti mbulon edhe tri probleme jo të vogla që herë kur do,duhet të ballafaqohet për ta gjetur një zgjidhje.Serbia atë që kërkon për serbët e Bosnjë Hercegovinës nuk mundë t’ua mohon edhe shqiptarëve,Hungarezëve dhe Boshnjakëve.
    Një krahasim Vojvodina ishte njësi në federatën e RSFJ-së,kurse republika Sërbska vetëm në bazë të rezultateve të luftës,më mirë të themi pastrimit etnik është pranuar si e tillë,atëher edhe faktori ndërkombëtarë duhet të ketë përgjëgjësi në këtë.
    Nëse Beogradi alarrmon opinionin duke bartur kartën e vetë nëpër zyret europiane e botërore ku bëhet politika dhe diplomacia.Kosova të njifet si shtet nga Serbia,atëher nëse do, Bashkësia ndërkombëtare e ka shumë lehtë!?
    Nëse Serbëve të Bosnjës ju kanë pranuar rezultatet e luftës dhe këto sot gëzojn dhe janë element gati konstituiv i federatës të Bosnjës dhe Hercegovinës.
    Atëher pse nuk ju pranohet statuti i një autonomie edhe shqiptarëve,Hungarezëve dhe Boshnjakëve në kuadër të Republikës së Serbisë.
    Shqiptarërve në Serbi kanë mbajtur edhe referendumin të datës 1 e 2 marsit 1992, kan organizuar kryengritje të armatosur që përmesë UÇPMB-ës janë ngritur në një luftë të armatosur kundër pushtetit diskriminues të Serbisë dhe është arritur Marrëveshja e Konçulit nën prezencën dhe monitorimin e faktorit politik dhe ushtarak të botës.
    Kjo Krahinë shqiptare e mbetur nënë administrimin e Serbisë,ka tri elemente të njohura edhe me konventa ndërkombëtare që të jetë e dalluar dhe ti gëzoj të drejtat e saja kolektive.Hungarezëve në krahinën e Vojvodinës do të ishte më mirë t’ju njifet sovraniteti dhe integriteti i tyre si njësi e barabart me serbët.Vetëm pasi të zgjidhet statuti i këtyre tri rajoneve atëher mundë të flasim për komunitete të tjera si për të drejtat e njeriut, shkollim,ruajtje të kulturës dhe identitetit nacional,se bëhet fjala për pakica të vogla kombëtare.Tri rajonet e cekura edhe në ballë të titulluar nuk janë drejta të pakicave,por si mungesa për të drejta kolektive.Duhet të kuptojmë se pranimi i Kosovës si shtet nga Serbia,nënkupohet se do të hapet tërësisht kutia e pandorës e quajtur Serbi dhe Vojvodinë!?
    Nëse bashkësia ndërkombëtare nuk dëshiron ndryshim të kufijve në ballkan e veçmas në ish-hapsirat e federatës Jugosllave atëher mundë t’ia del edhe duke krijuar edhe Republika të tjera sikur në Bosnjë e Hercegovinë që nga viti 1995 funksionon Republika Sërbska,të krijohen vetëm në Serbi edhe tri Republika të veçanta si e Vojvodinës, Sanxhakut dhe e Medvegjës, Bujanocit dhe Preshevës. Pra në këto tri Rajone Serbia ose duhet të federalizohet edhe me tri Republika të tjera ose të lejoj të bashkangjiten me shtete e tyre amë,ku në mënyrë paqësore me një marrëveshje paraprake që do të ishte më mirë për të gjitha palët dhe do të pranohet edhe nga faktori i huaj.Përveqë këtyre tri problemeve të mdha janë edhe segmente që nuk duhet nënçmuar dhe lënë në heshtje e këto janë çështja e komuntitetit Rumunë, Bullgarë dhe Romë.
    Edhe vetë Serbia e sotshme ka një territor me një popullatë multietnike.Sa më shumë që zgjatet që Kosova të njifet shtet nga Serbia,aq më shumë zgjaten edhe problemet mbrenda vetë kësaj Serbie.Nuk është keqë që lobi Serb që vepron nëpër botë dhe elita intelektuale serbe të mirren shumë seriozisht për federalizmin e Serbisë me Vojvodinën dhe Hungarezëve në Vojvodinë,Boshnjakëve në Sanxhak,Shqiptarëve në Medvegjës, Bujanocit dhe Preshevës ju takojn të gëzojn Autonomi territoriale.Nuk është e arsyeshme që vonesa që Beogradi ta pranoj Prishtinën si shtet të stërzgjatet,gati se u kalua gjysma e asaj periudhe ku RSFJ ishte duke funksionuar prej vitit 1945 deri në vitin 1990.Deri më sot i kemi gati dy dekada kjo është një stërgjatje dhe dikush duhet të bartë përgjësi për këtë vonesë tej mase,kjo është e kushtueshme në shumë aspekte edhe në rrjedha të tjera të Ballkanit dhe të Europës së Bashkuar.
    Gabimet duhet të kërkohen te fillimi i shpërbërjes dhe marrëveshja e Badinterit dhe qasja jo e drejtë që në atë kohë.

    Shkrimi është nga një punim më i gjërë,autori është nga Zarbica e Bujanocit,i diplomuar në Master Shkencor, ka disa punime e kumtesa në konferenca shkencore për Medvegjë, Bujanoc dhe Preshevë, por edhe ka propozur,si: rikonfirmimit të Referendimit më dt.1 e 2 mars 1992, shqyrtimi i realizimit të Marrëveshjes së Konçulit,Inicimin që të miratohet një rezolut nga Parlamenti i Kosovës, formim i një Komisioni mikst nga Parlamenti Shqipëri-Kosovë, hapja e një zyre në kuadër të Zyrës së dy Kryeministrive,formimi i komiteteve për bashkëpunim ndërkufitarë, etj.

    Përgjigju ↓