OPINION

Rroftë Skënderbeu!

07:57 - 05.09.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

 




Nga Arian GALDINI

 

Nuk ka zgjedhje… Sapo janë kryer. Njëri Skënderbe ka fituar dhe nuk mbulohet dot më as me tepsi e as me ‘led’.

Ky ‘Skënderbeu’ që fitoi si Timonier i Madh, nuk ka kalë e kësisoj nuk ka as frerë. Nën lumturinë e fitores dhe me llogarinë e turizmit kryeministror për 4 vitet e ardhshme, Skënderbeu ynë fitues, vendosi ta shpallë vitin 2018 si vitin e Skënderbeut që ka vdekur në 17 janarin e 1468.

Skënderbeu i vdekur nuk ka as parti, as OJF, as gazetë apo TV që të punojnë për të. Ai as konkurron për zgjedhje, as edhe si kandidat i pavarur. Nuk paraqet asnjë rrezikshmëri.

Por është i vdekuri i përsosur, sepse është hero. Heronjtë janë të përsosur gjithmonë vetëm kur janë të vdekur. Po qenë të gjallë, heronjtë janë padyshim armiq, madje armiq nga ata të urryeshmit, të papërtypshmit fare.

Si të vdekur, heronjtë janë mrekullia vetë. Sepse si të vdekur, janë heronj që mund të të shërbejnë gjithsesi, në çdo rast.

Si të vdekur, ti heronjtë mund t’i shpallësh armiq dhe duke qenë se ata nuk ka kush t’i mbrojë, mund t’i emërosh ti edhe sharësit, edhe mbrojtësit e heroit, e kësisoj të përfitosh nga të dyja palët.

Ja psh., prej ditës së Kurban Bajramit e deri sot është ndezur një debat rreth Skënderbeut dhe mbulimit të tij.

Heroi i vdekur nuk ka bërë ankesë. Nuk ka bërë as status në “Facebook” e as ka porositur analistët që ç’të shkruajnë. Madje, Skënderbeu i vdekur, as i ka parë fare as mbulojën me led e as portalet dhe ndërkalljet tona në “Facebook”.

I vetmi Skënderbe që ka ushtri fotografësh, kontroll mbi portale a kazanë mediatikë, analistë të mirëpaguar, e militantë të zellshëm, që me porosi a ndjeshmëri partie, kapin ritmin e debatit të radhës në media e “Facebook”, sipas planit e dëshirës së udhëheqjes, është Skënderbeu ynë fitues i zgjedhjeve të 25 qershorit 2017.

Skënderbeu i vdekur është me Zotin prej 550 vitesh tashmë.

Skënderbeu i vdekur nuk ka as “Twitter”.

Kam përshtypjen se në të njëjtën pozitë është edhe vetë Krijuesi ynë i gjithëpushtetshëm dhe i madhërishëm.

Zoti ynë atje lart në qiell nuk pi kafe, as u dërgon SMS apo ‘Whatsapp’ analistëve që të ndezin debatin e ditës duke bërë shërbesën e radhës për pagesën e majme.

Zoti nuk paguan rroga. Zoti nuk fyhet e as lëndohet prej nesh, sepse Ai është vetë Krijuesi ynë. Ai mund të na fshijë nga faqja e dheut me një lëvizje të gishtit. Ai vetëm na vë në sprovë, për të na dhënë në fund gjykimin final kur të shkojmë para Tij.

Kësisoj, si mbrojtësit e besimit në Zot, si sharësit e Skënderbeut, si mbrojtësit e Skënderbeut ashtu edhe sharësit e besimit në Zot nuk po i bëjnë këto shërbesa as për Zotin në qiell, e as për Skënderbeun e vdekur.

Dikush tjetër po bën llogaritë dhe ekonominë e përfitimit nga këto shërbesa të porositura e të nxitura.

Me shumë gjasa, i vetmi Zot e Skënderbe mes nesh që nuk është në qiell, por në Kryeministri, është ‘Skënderbeu’ ynë fitues i zgjedhjeve të 25 qershorit.

Ai do ta ketë mirë edhe me Merkelin, edhe me Erdoganin, edhe me Vatikanin, edhe me Ankaranë, edhe me myslimanët, edhe me katolikët e ortodoksët, edhe me Vuçiçin edhe me Albinin, edhe me Serbinë, edhe me Ramushin.

 

E ku ka më bukur sesa të përdorësh heroin e vdekur, që në fakt është Kryeheroi i Kombit, për të përfituar nga të gjithë, sepse të gjitha pro-të dhe kundra-t i porosit, paguan dhe administron ti.

Andaj, ftesa ime për të gjithë ndërdebatuesit e paporositur dhe të papaguar, por që janë përfshirë në këtë debat me dëlirësi dhe ndershmëri, është që të ruajnë qetësinë.

Çfarë e nis Muç Nano dhe i mban iso ndonjë imam me emrin Armand, të jeni të sigurt se e kontrollon vetëm një komandant…

Lërini analistët dhe militantët e paguar dhe porositur që të bëjnë shërbesën e tyre për komandantin legjendar me “Twitter”.

Sepse këta edhe kur shkruajnë pro a kundër Skënderbeut, edhe kur shkruajnë pro a kundër besimtarëve në Zot, në fakt nënkuptojnë veç një frazë.

Ata të gjithë thonë njëzëri: Rroftë Skënderbeu ynë kryeministër!


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.