OPINION

Kosova me qeveri

08:07 - 07.09.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

 




Nga Ilir KALEMAJ

 

Një qeverisje PAN-AKR ishte e vetmja zgjedhje ligjore qysh prej përfundimit të procesit zgjedhor, duke iu referuar aritmetikës elektorale, divergjencave të vogla ideologjike dhe nevojës për një deus ex machina, që do t’i jepte vendit një qeveri pas tre muajve sorollatje dhe mungesë stabiliteti. Forma dhe mënyra se si u arrit, duke i dhënë efektivisht Pacollit llokmën e madhe të pesë ministrive, përfshirë Ministrinë e Jashtëm për atë vetë në një kohë mjaft vendimtare për njohjen ndërkombëtare të Kosovës, ku dhe profili i ministrit merr një dimension tjetër, por edhe premtimi i vulosur me marrëveshje për të marrë presidencën pas përfundimit të mandatit të Thaçit, u japin një rol të shpërpjesëtimuar dy votave që ngelen të AKR-së, duke provokuar mjaft si ish-aleatët e tij, si pakënaqësitë brenda PDK-së dhe AAK-së.

Gjithsesi, kjo qeveri do të ishte efektive duke marrë parasysh edhe stabilitetin institucional, duke qenë se Presidenca dhe Kuvendi drejtohen nga PDK-ja, e cila ka pasur dhe ka nën kontroll edhe pjesën më të madhe të institucioneve të pavarura. Pavarësisht diskutimit se sa e cenon kjo demokracinë, aq më tepër po të shihet fragmentarizimi i opozitës dhe diferenca programore dhe konceptuale që LDK-ja ka me Vetëvendosjen, që është edhe partia më e madhe në vend, fakti është që qeveria ka nevojë për stabilitet qoftë në planin e brendshëm, ashtu edhe në mënyrën se si Kosova paraqitet në skakierën ndërkombëtare në këto momente mjaft delikate. Ndaj, thirrja e presidentit Thaçi për një delegacion gjithëpërfshirës në bisedimet me Serbinë, ku së fundmi u deklarua se ishte arritur në Bruksel edhe një marrëveshje për drejtësinë, por edhe adresimi dhe zgjidhje përfundimtare me marrëveshje e çështjeve të demarkacionit me Malin e Zi apo të Asosacionit të Komunave Serbe (Zajednica), si dhe “patate” të tjera të nxehta si Gjykata Speciale apo çështja e veriut të Mitrovicës kërkojnë mbi të gjitha një konsensus paraprak të brendshëm dhe në mungesë të unifikimit, një përafrim qëndrimesh, para një paraqitjeje serioze në kancelaritë ndërkombëtare, veçanërisht të atyre vendeve perëndimore, që kanë qenë aleatë të palëkundur të Kosovës në procesin e pavarësimit dhe më pas.

Opozita e përbërë nga LDK-ja në rrudhje e sipër dhe me mungesë lidershipi me Vetëvendosjen nga ana tjetër, që ka një lider të mirëpërgatitur dhe të qartë politikisht si Albin Kurti ndërkohë që drejton edhe komunën më të madhe në vend me anë të një kryebashkiaku aktiv si Shpend Ahmeti, qoftë numerikisht, qoftë si kompaktësi të aksionit opozitar, nuk mund t’i bëjë dot ballë dhe t’i imponojë zgjedhje të parakohshme një qeverie të planit të gjerë PAN-AKR, ndonëse një përshkallëzim i krizës ekonomike, kombinuar me pakënaqësitë sociale mund të jetë katalizatori i një lëvizjeje sociale me dimensione, që kapërcejnë sinoret politikë. Në çdo rast, ashtu sikundër në Shqipëri apo Maqedoni, legjitimiteti i aktorëve të brendshëm politikë nëpërmjet kapitalit politik të mbështetjes ndërkombëtare, ka një rol primar në konsolidimin e pozitave politike dhe ruajtjen e status kuo-së.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.