OPINION

“O sa mirë” apo “o sa turp” me qenë shqiptar!?

09:24 - 24.05.24 Nga XHEVAT MUSTAFA
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Nga XHEVAT MUSTAFA




Në kohën e pushtimeve shekullore romake, serbo-bullgare, turke, austriake, greke, italianegjermane si dhe gjatë 47 viteve të pushtimit komunist-enverian, shqiptari justifikohej se bëhej ushtar, shërbëtor, spiun i pushtuesve dhe diktatorëve, sepse do të siguronte kokën, bukën e gojës, familjen, shtëpinë, pronën…! Këto 10 vjet të Edi Ramës me shoqe e shokë si vetja që i mbështet, duartroket, voton, deri në Athinë i shoqëron… dhe si skllav apo lepur i duron, për të gjitha të zezat, që prej tyre përjeton, se “do të mbrojë vendin e punës dhe karrigen e sumës…”?! Kanë pasur shumë të drejtë Konica e Fishta në çaste zhgënjimi, mërzie, revoltimi… që kanë shkruar ca të vërteta të rënda, por ama të sakta për shqiptarin, fatalisht e historikisht, me mbizotërim maksimal demografik atë fshatarin…! Kjo pjesë e popullit, viktimë e “viruseve” të sjellë nga pushtuesit, nga analfabetizmi dhe injoranca masive, nga konservatorizmi e fanatizmi… kanë qenë mall tregu si prodhimet e fushës e të bahçes, edhe vetja, edhe vatani, edhe vajza!

Sipas këtyre kolosëve, ai i ka marrë e i merr gjak në vetull më së shumti shqiptarit dhe i ka bërë gjëma vetes dhe vatanit, ndoshta më shumë se pushtuesit dhe sunduesit. Edhe më rëndë e më për t’u turpëruar, disa nga pushtuesit janë befasuar e kanë thënë e shkruar se në Shqipëri i kanë gjetur spiunët më me shumicë, falas ose fare lirë më tepër se në vendet e tjera!? Mjafton t’i referohemi traditës së gjakmarrjes, disiplinuar ndjeshëm e gjatë me Kodin e Lek Dukagjinit, por fatkeqësisht i cenuar në shtyllat dhe ligjet e tij kryesore, sidomos gjatë 450 viteve të pushtimit turk dhe në këta 80 vitet e fundit! Shqiptari, referuar edhe rastit fare të freskët, të dt.13 maj 2024, të vrasjes së policit në Fier, ka vrarë e vret për hakmarrje e jo burrnisht, por pas shpine e në prita të fshehta pas gardhit, ledhit, shkëmbit, trungut të një druri apo peme, pas avllisë, në një cep fushe mbjellë me misër, grurë, tagji ose pas një mullari!

Në këto “vite moderne” ca shqiptarë të sotëm të vrasin me plumba apo tritol, me maska, nga brenda ose pas veturave të shpejta e të shtrenjta!? Për më tepër e më keq, jo rastësisht, krejt ndryshe nga italianët, francezët, spanjollët, gjermanët, anglezët, nordikët, rusët… që bënin duele burrërore me shpata e pistoleta! Duke e konkretizuar nga jeta e përditshme, plot shqiptarë që kanë pushtuar tri nivelet e prodhimit e të tregjeve; të furrave të bukës, të dyqaneve të bulmetit, mishit, të fruta-zarzavateve; të restoranteve, hoteleve, jo rastësisht shumica pronarë me origjinë fshatare e ish-punonjës në Sigurimin e Shtetit, ushtarakë në Ministrinë e Brendshme e të Mbrojtjes e në zyra partiake dhe qeverisëse të kohës së Enver Hoxhës dhe Ramiz Alisë, duke lakmuar e menduar vetëm që të fitojnë vetë e familjarisht sa më shumë, bëjnë të 99-tat e pisllëqeve në përbërjen, cilësinë, çmimet e artikujve ushqimorë; të farmaceutikës, higjienës dhe kozmetikës; të ndërtimit dhe të atyre hidraulikë; të veshjeve dhe mobilierisë… Domethënë, nuk mendojnë fare ose mendojnë fare pak se duke prodhuar e shitur mallra me hormone, kimikate dhe për më keq me doza shumë përtej normave të lejuara ose me javë, muaj e vite të skaduar, rrezikojnë shëndetin, jetën, buxhetin, mbijetesën e blerësve e të konsumatorëve, edhe të atyre me të cilët mund të kenë lidhje farefisnie, miqësie, shoqërie, pune, komshillëku… Këta nuk vrasin drejtpërdrejtë, me kallashnikovë, pistoleta, tritol e thika, por gjithsesi “vrasin” për ditë e ngadalë me ato që prodhojnë e shesin, për më keq, shumicën me çmime më të lartë edhe se në Greqi, Itali, Gjermani, Francë…!

Është bërë e qartë se jemi shumë të vonuar të reflektojmë ndaj sugjerimit apo këshillës së plot miqve ndërkombëtarë, por edhe shqiptarëve të emancipuar, që të jemi më të përmbajtur e më të sinqertë, së pari me vetveten. Që edhe mburrjet është mirë të jenë me masë e jo me thasë, ashtu si kripa në gjellë e sheqeri në kafe! Kjo nënkupton edhe sugjerimin që, për çka kanë bërë të keqe, të pistë, të turpshme, të përgjakshme… ca shqiptarë të vjetër e të rinj në Shqipëri e nëpër botë, duke turpëruar edhe Skënderbeun, Isa Boletinin, Nënë Terezën, Adem Jasharin…e të tjerë shqiptarë të vërtetë, të pushkës, të penës, të skenës, ekranit, stadiumeve, thirrjes sonë ulëritëse dhe “dehëse” nëpër stadiume dhe manifestime festive e partiake, nëpër këngë tallavashë me doza të forta turqizimi e serbizimi, “O sa më mirë me qenë shqiptar”, t’i shtohet edhe pjesa “O sa turp me qenë shqiptar”! Se jemi të pashoq për t’u lehtë mashtruar apo lumturuar nga gënjeshtrat sy më sy nga padronët, partitë dhe kryetarët e zemrës, nga sloganet dhe shifrat droguese të tyre si dhe nga ca “legjenda e përralla” historike e gjuhësore, e shpreh edhe fakti se në vende të Perëndimit, të paktën 50 vjet më përpara e më lart nesh për nga të gjithë standardet dhe treguesit, nuk dëgjohen njerëz apo kore masivë që të thonë me zëra normalë e jo më të ulërijnë si ne shqiptarët “o sa mirë me qenë anglez”, “o sa mirë me qenë italian!”, “o sa mirë me qenë gjerman!”, “o sa mirë me qenë zviceran!”, “o sa mirë me qenë francez!”, “o sa mirë me qenë danez!”… Nuk e bëjnë këtë edhe pse kanë shumë arsye e të drejtë, shumëfish më tepër se ne, prej 112 vitesh ndër më të varfrit jo vetëm të Evropës që të mburren para nesh e para mbarë botës.

Paradoksi edhe pasinqeriteti ynë bëhen më të fortë kur mburremi edhe para atyre popujve që prej mbi 100 vjetësh na kanë hapur dyert e kufijve, të porteve, aeroporteve… për të na lejuar të jetojmë e punojmë si emigrantë në vendet e tyre, për të shpëtuar nga jeta e ferrshme 80- vjeçare në Shqipëri e si shqiptar, për të cilën po vetë kemi gjetur cilësimin e saktë e shprehës “jetë allashqiptare”…! Me një dozë të lehtë humori, tolerance apo kompromisi mund të pranohet si më e drejtë që slogani “O sa më mirë me qenë shqiptar!” të formulohet pak më ndryshe!

Një nga variantet alternativë mund të ishte “O sa mirë me qenë shqiptar gruaja, djali, vëllai, miku, shoku… i kryeministrit; oligark, “investitor strategjik”, deputet, ministër, zv.ministër e këshilltar e sekretare e tyre, drejtor i përgjithshëm, kryetar bashkie, gjykatës, prokuror, doganier, tatimor, mjek dhe infermiere, akademik i Skënder Gjinushit…”! Një variant tjetër mund të ishte: “O sa mirë me qenë shqiptar në Greqi, Itali, Zvicër, Gjermani, Austri, Holandë, Belgjikë, Francë, Danimarkë, Finlandë, Suedi, Norvegji, Islandë, Kanada, SHBA, Zelandën e Re, Australi…”!

Një popull që nuk bindet për 80 vjet se ka besuar, mbështetur, votuar një parti gjase komuniste e socialiste dhe gjase shqiptare, që e ka mashtruar, torturuar, vjedhur sy më sy apo nën hundë…, që i ka nxi jetën dhe Shqipërinë, sa në këta 34 vjet të ikë nga sytë këmbët e me çdo faturë nëpër vende të Perëndimit kapitalist, si mund të identifikohet, etiketohet, vlerësohet, quhet… As i mençmi, i afti, i miri dhe i dobishmi për vete, familje, vend, komb, botë dhe as injoranti, keqdashësi i vetes, familjes, fshatit, qytetit, vendit…, kombit…, nuk kanë as damka në gjoks e ballë e as brirë mbi kokë…! Nuk rrahin as gjokse sa t’i bëjnë gropë apo plagë duke u mburrur dhe duke mashtruar veten me përralla e premtime, që nuk i besojnë as fëmijët 2-3 vjeçarë dhe as pacientët e pashërueshëm nëpër spitale psikiatrikë…! Pra, çfarë populli jemi ne? Të zgjuar “sa nuk na e ha qeni shkopin” apo naivë “sa i fusim në gojë qenit” jo vetëm shkopin, por edhe dorën, deri në sup… dhe foshnjën e porsalindur…?

Koha dhe gjendja kritike si vend e si popull shtron si detyrë urgjente që historianët, filozofët, psikologët, sociologët… jo detyrimisht e jo ekskluzivisht me titujt e fituar nga Akademia e Shkencave të Enver Hoxhës, Ramiz Alisë, Skënder Gjinushit… të mblidhen, studiojnë dhe analizojnë përse edhe pas 112 vjet shtet dhe pavarësi, me pasuri të mëdha nëntokësore, me mrekulli natyrore, me rreth 270 ditë me diell dhe temperatura për të bërë plazh në dy detet e në shumë liqenet që na ka fal natyra apo Zoti, Shqipëria është në këtë gjendje e me këto standarde. Konkretisht dhe fare shqip: ndër të fundit për tregues të lartë zhvillimi, mirëqenieje, demokratizimi, shteti ligjor e drejtësie të pavarur dhe ndër të parët apo kampionë vetëm për të këqija, për varfëri, korrupsion, emigracion, kanabizim, kullëzim për shpëlarje parash të pista, për prostitucion…!

Njëherazi, edhe për të gjetur rrugët se si mund të dalim nga kjo humnerë, ku na kanë gremisur turqit, serbët, grekët, rusët… Por edhe vetvetja, nëpërmjet disa liderëve apo udhëheqësve, që i kemi nderuar, ndjekur, mbështetur, votuar… verbërisht, edhe pse është kuptuar se kanë punuar vetëm për plotpushtetizimin dhe pasurimin e tyre personal dhe familjar, si dhe për “tufat e shërbëtorëve”, të drejtorëve dhe drejtoreshave, të këshilltarëve dhe sekretarëve e të këshilltareve dhe sekretareve… Por, edhe më rëndë e më keq, duke parë me sytë e mendjeve se kanë qenë e janë më shumë misionarë të mirëpaguar të këtyre armiqve shumë shekullor se sa shërbëtorë të pavullnetshëm e të detyruar nga “laku në fyt” apo “plumbi në lule të ballit” për secilin prej tyre. Në qoftë se arrijmë të dalim nga kjo humnerë apo gjendje, e krahasueshme vetëm me atë të vendeve më të pazhvilluara në Afrikë, Azi, Amerikën Latine…., me mbizotërim rreth 112-vjeçar të së keqes e 80-vjeçar të “së majtës” dhe futemi në “rrugën e Zotit” e të “Evropit”, atëherë do të kemi shumë të drejtë të mburremi deri sa t’i bëjmë gjokset gropë a plagë e të ngjiremi: “O sa mirë me qenë shqiptar”!


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.