MILOSAO

Hipnoza

11:17 - 11.09.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Nga Miroslav Curcic

Para nëntëmbëdhjetë ditësh, në një ordinancë në të dalë të qytetit, u zhvillua një bisedë e këtillë:
“A e dini saktë, sa palë këpucë keni?”
“Shtatëdhjetë  e gjashtë, nëse nuk numërohen edhe këto që kam ndër mend t’i blej sot, pas seancës.”
“Ato mos i numëroni, ende nuk i keni blerë.”
“E di, por do t’i blej.”
“Atë do ta shohim.”
“S’ka çfarë të shihet këtu, doktor. I thashë Mishkos tim: nëse më do, do të më lejosh t’i blej edhe këto. I blej dhe i jap fund kësaj shprehie. Kjo ka qenë edhe arsyeja pse erdha te ju. Thonë se jeni më i miri. Më falni, nuk ju pyeta, a mund t’ju quaj doktor?”
“Unë jam hipnoterapist, por nëse kështu është më lehtë për ju, mundeni.”
“Është më lehtë doktor, atë tjetrën nuk di as ta shqiptoj.”
“Në rregull. Pra, numërojmë shtatëdhjetë e shtatë palë këpucë. Sot nuk do të bëjmë terapinë fare. Asistenti do t’ju lajmërojë për orën e takimit tonë të ardhshëm. Ndërkohë, ju do ta blini një fletore të vogël – format A5, pa vija dhe në të do të shënoni numrin shtatëdhjetë e shtatë. Dëshiroj që ta plotësoni krejt, deri te faqja e fundit. Fletoren do të ma sillni për ta kontrolluar herën tjetër kur do të shihemi. Më vjen shumë mirë që u njohëm. A ka diçka të paqartë?”
I njëjti ambient, të njëtit njerëz, pesë ditë më vonë:
“Si ndiheni sot?”
“Shumë keq. Nxehem me veten.”
“Pse nxeheni me veten?”
“Kam parë një emision për të uriturit në Afrikë.”
“S’keni pse të shkoni aq larg. Të varfërit i keni edhe këtu.”
“Kemi, por jo të atillë. Ata atje nuk kanë çfarë të veshin. Të gjithë me radhë janë lakuriq dhe këmbëzbathur, kurse unë, unë i bleva edhe dy palë këpucë që nga takimi ynë i fundit.”
“Interesant, pra, tani keni shtatëdhjetë e nëntë palë, nëse nuk gaboj?”
“Tetëdhjetë. Nuk numërohen ato që thashë se do t’i blej pas seancës.”
“Pritini një sekondë, në shtatëdhjetë e gjashtë palë të blera më përpara shtojmë edhe tri palë këpucë të sapoblera.”
“Doktor, ju nuk po më dëgjoni. Ju them nuk numërohen ato që i bleva, mu atë ditë pas seancës.”
“A mund ta shoh fletoren, që është dashur ta plotësoni për detyrë shtëpie?”
“Shihni, në disa faqe të para kam shkruar numrin shtatëdhjetë e shtatë, ashtu siç më thatë, e pastaj shkon shtatëdhjetë e tetë, ja, disa faqe dhe pastaj deri në fund numri tetëdhjetë.”
“E ku e keni numrin shtatëdhjetë e nëntë?”
“Mendova se ndoshta kjo terapi do të jetë e suksesshme, e atëherë nuk do të bëj më blerje. Prandaj atë ditë bleva dy palë njëkohësisht.”
“Në rregull. A mund të fillojmë, më në fund, me hipnozën?”
“Doktor, vetëm një gjë duhet t’ju pyes. A do të thotë kjo se kur të dal nga ordinanca juaj nuk do të dëshiroj kurrë më të blej diçka që më pëlqen tej mase?”
“Blerja juaj e paarsyeshme do të pakësohet thellësisht. Do të keni neveri dhe neveri ndaj asaj mënyre të jetuari që keni bërë deri më sot.”
“E dini çfarë, gjithmonë kam pasur dëshirë të eksperimentoj me diçka të re. Mishkoja im do të ngazëllehet. Ai flet pa pushim se është në prang të bankrotimit dhe se nuk mund t’i durojë më tekat e mia. Ç’t’i bësh, mor doktor? Një koprrac i paparë, por ç’rëndësi ka kjo kur e dua. Jemi bashkë prej shtatë vjetësh. U mësova me të. Nuk mundem më pa të. Ja, tani jam këtu dhe dorëzohem në duart tuaja. A ju thashë se për ju flitet se jeni më i miri në profesion?”
“Po, shumë herë.”
“Kam pak frikë, doktor. A jeni i sigurt se do të zgjohem?”
“Qetësohuni. Mendoni për diçka të bukur. Për shembull, për këpucët tuaja. A jeni gati? Fillojmë, përsëritni qetë pas meje: tetëdhjetë, shtatëdhjetë e tetë, shtatëdhjetë e shtatë, shtatëdhjetë e gjashtë…”
Kaloi një muaj, e atëherë një i panjohur trokiti në derën e ordinancës.
“Mirëdita, urdhëroni. Si mund t’ju ndihmoj?”
“Mirëdita, unë jam Mishkoja. Gruaja ime ishte për terapi te ju gjatë muajit të kaluar.”
“Mishko? Po, më kujtohet. Ju ka përmendur shpesh. Një rast interesant i blerjes së fiksuar të këpucëve. Si është zonja, a është çdo gjë në rregull?”
“Mirë është. Mirë.”
“Më vjen shumë mirë. A e ka pakësuar blerjen, a ia dolëm?”
“Terapia ishte njëqind për qind e suksesshme. S’kemi asnjë vërejtje. Ajo tani është një grua tjetër. Plot me fuqi. Tërë kujdesjen e ka drejtuar kah shtëpia dhe kah unë. E pabesueshme sa shumë ndryshoi. Rregullon, pastron dhe thuajse nuk del nga shtëpia. Çdo dy-tri ditë ua ndryshon vendin mobilieve në shtëpi. Kur kthehem, më duket sikur kam ngatërruar shtëpinë. A më kuptoni? Më shtyn të vrapojmë dhe të shkojmë në palestër çdo ditë. Gjithmonë thekson se u lëshuam dhe iu dorëzuam jetës komode dhe komformizmit. E urren mendësinë e të shpenzuarit. Thotë se më në fund i sheh gjërat qartë.”
“Lajme të mira, arritëm atë që deshëm, apo jo?”
“Po… e dini, ajo nuk di për vizitën time.”
Zoti Mishko i ngulte sytë hipnoterapistit. Në ajër ndihej një lloj sikleti për shkak të fjalëve që ende nuk ishin shqiptuar.
“Erdhët të më falënderoni, apo ju personalisht keni ndonjë problem?”
Nuk pritej që duart, që u gjendën në jakën e përparëses së bardhë të terapistit, të ishin kaq të shpejta. Shtrëngimi ishte jashtëzakonisht i fortë. Zoti Mishko e shkundte mjekun si një pemë të re. E atëherë frekuenca e të dridhurit mori pushim papritmas. Hipnotizuesi mund t’i shihte sytë e përlotur të njeriut të dëshpëruar. Zoti Mishko ra në gjunjë, i përqafoi këmbët, e mbështeti kokën mbi to dhe u ngashërye derisa qurrat i ranë në dysheme.
“Më ndihmoni, doktor, ju lutem. Nuk mund të duroj më. Duhet ta ktheni atë. Ju mund ta bëni këtë. Ta ktheni siç ishte. Më dëgjoni? Nuk mundem më … Ma ktheni, ju lutem!”

Përktheu nga serbishtja
në shqip, Merima Krijezi


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.