OPINION

Kur na humbën standardet?

07:30 - 26.09.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

 




Nga Valbona NATHANAILI

 

Përpara disa ditësh, në mjediset e Kuvendit të Shqipërisë u organizua dëgjesa publike me kandidatët për Këshillin e Lartë të Gjyqësorit dhe Këshillin e Lartë të Prokurorisë, ose thënë ndryshe, me kandidatët që do të iniciojnë e ndjekin procesin e vetingut në Shqipëri. Deri këtu çdo gjë dukej normalisht. Por jashtë normales, po aq sa e përfolur dhe e diskutuar në mjedise e nivele të ndryshme, ka qenë pjesa e pyetje-përgjigjeve të drejtuara nga pedagogu i një universiteti privat, pyetje të përgatitura më parë nga vetë ai, ndërkohë që përgjigjet duhej të jepeshin nga kandidatët.

Në fakt, është e vështirë të parashikosh skenarët që hartohen në situata të tilla, veçanërisht kur mendon se procesi duhej të shkonte normalisht, të zhvillohej mbi bazën e disa standardeve e një etike, që ndonëse as nuk i kemi shkruar dhe as nuk i kemi firmosur, mendon se në një shoqëri normale duhet të jenë në përmbajtje dhe themel të çdo marrëdhënie reciproke midis palëve. Por kushdo që ka lexuar “Ushtari i mirë Shvejk”, shkruar rreth viteve 1910 dhe botuar në shqip në fillimin e viteve 1980, e ka shumë më të thjeshtë. Shvejku akuzohet se ka vrarë Perandorin Josef të Parë, por duhet të dalë përpara komisionit të mjekëve të gjykatës, të cilët duhet të vendosin nëse e ka kryer a jo krimin për të cilin akuzohet. Pyetjet e komisionit janë të tipit: A është radiumi më i rëndë se plumbi? A besoni në fundin e botës? A do të ishit në gjendje të llogaritnit diametrin e Tokës?

Një qind vjet më pas, tre mjekët e komisionit që morën në pyetje Shvejkun duhet të rrinë të qetë aty ku janë, se vepra e tyre nuk ka vdekur. Mund të ndjehen disi të ofenduar se janë personifikuar në vetëm një njeri, por gjithsesi, të mendosh se shumë të tjerë nuk e kanë pasur këtë fat. Njëri nga anëtarët e komisionit tonë, i cili kishte detyrë të vlerësonte formimin dhe integritetin e kandidatëve, që “akuzohen” se kanë guxuar të aplikojnë për një proces, ku shumë të tjerë as nuk mund të afroheshin, ose nuk kanë pasur kurajën, për një proces, i cili që në fillim është sulmuar, shtyrë, devijuar, nënvlerësuar, parë me mosbesim e etiketuar negativisht, kishte përgatitur pyetje të ngjashme të tipit: Kush është Alush Dragoshi? Kush u vra më parë, Falcone apo Borselino?

Vërtet, kush është vrarë më parë? “Google” thotë se Borselino është vrarë më 19 korrik 1992 (52 vjeç), ndërsa Falcone më 23 maj 1992 (53 vjeç), domethënë i bie që Falcone paska ndërruar jetë vetëm dy muaj më parë… Edhe ministrit të Drejtësisë së Italisë mund të mos i kujtohet se kush është vrarë më parë… Por në ndryshim nga Shvejku, për të cilin komisioni vendosi të anulonte hetimet kundër tij, sepse ishte një “idiot i lindur”, përfaqësuesi i mësipërm i dijes kishte marrë detyrën t’i shpallte “idiotë të ditës” të gjithë kandidatët. Dhe ia arriti qëllimit.

Në fakt, nëse reflekton në lidhje me çfarë ofrojnë regjistrimet video duket se më shumë se pedagogët, kërkohej të denigrohej vetë procesi. Në Shqipëri nuk është e vështirë të gjesh personazhe të tillë. Por është vështirë të gjesh njerëz që kërkojnë të bëjnë ndryshimin. Kandidatët duhen përgëzuar jo vetëm sepse kanë aplikuar, por parë situatën ku u gjendën, sepse qëndruan deri në fund dhe morën seriozisht disa pyetje, që vetëm serioze nuk dukeshin dhe ju përgjigjën një personi, që vetëm në atë formë nuk duhej të artikulohej. Shvejku, njësoj si ta, në njërën nga pyetjet u dorëzua “Këtë s’jam në gjendje ta bëj”, por në ndryshim nga ta, mori guximin t’u drejtonte një pyetje anëtarëve të komisionit: “Zotërinj, ta zëmë se kemi një shtëpi trekatëshe. Secili kat i kësaj shtëpie ka tetë dritare. Në pullaz ka dy baxha dhe dy oxhakë. Në secilin kat banojnë dy qiraxhinj. A mund të më thoni tani, zotërinj, se në ç’vit vdiq gjyshja e portierit të shtëpisë?”.

Zotëri, pedagog, filozof a çfarë jeni, po marr guximin, njësoj si Shvejku, edhe unë, t’u drejtohem me një pyetje: Ta zëmë se duam të kemi një Këshill të Lartë të Gjyqësorit dhe një Këshill të Lartë të Prokurorisë. Për secilin nga këta këshilla do zgjedhim nga njëmbëdhjetë kandidatë, që janë, njësoj si ju, pedagogë në universitet. Këshilli i Lartë i Gjyqësorit dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë kërkon që secili nga këta kandidatë duhet të dijë se kush ka qenë Alush Dragoshi. A mund të më thoni, se në ç’vit vdiqën standardet e, bashkë me to, edhe çfarë do të thotë të jesh me kulturë në këtë vend?

 


Shfaq Komentet (2)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

  1. Ai ishte nje bashkebisedim BARCALETE, dhe vetem me VETINGU-n nuk kishte lidhje. Si duket Hetuesi kerkonte “FAJET” tuaja por meqe fliste me profesioniste te llojit tjeter, bente Kapajdillek me pyetje QORRE. Eshte LOJE per te perbaltur VETINGU-n.

    Përgjigju ↓
  2. Nje shkrim perfekt si per nga permbajtja ashtu edhe per krahasimet e metaforat e perdorura! Nuk mund te shtohet asgje me teper, vetem KOMPLIMENTE Zonje e nderuar!

    Përgjigju ↓