OPINION

Reparacionet, t’i lëmë ekspertët të kryejnë detyrën e tyre

07:30 - 27.09.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Nga Karol Bachura




I nderuar Kryeredaktor,

Lidhur me shkrimin e zotit Shaban Murati me titull: “Polonia turbullon marrëdhëniet me Gjermaninë”, botuar në “Gazeta Shqiptare” në datën 11 shtator 2017, lutem mirësjellshëm të botoni materialin bashkëngjitur, i cili pasqyron qëndrimin polak për çështjen e marrëdhënieve polako-gjermane, parë në këndvështrim historik, por edhe bashkëkohor.

Do t’ju isha mirënjohës për publikimin e këtij qëndrimi në organin që ju drejtoni, çka do t’u jepte lexuesve të “Gazeta Shqiptare”, mundësinë të njihnin njëkohësisht edhe qëndrimin polak për çështjen në fjalë.

Me nderime,

Karol Bachura

Ambasador i Republikës së Polonisë

Ngjarjet tragjike të Luftës II Botërore, përfshirë pushtimin disavjeçar brutal të tokave polake nga trupat e Gjermanisë naziste, vazhdojnë të mbeten element i rëndësishëm i ndjeshmërisë dhe identitetit kombëtar. Masakrimi i popullit që ka humbur rreth 6 mln qytetarë dhe ka pësuar humbje të paimagjinueshme materiale dhe morale meriton të kujtohet dhe të respektohet.

Trashëgimia e pajtimit polako-gjerman, të paraprirë nga një proces i dhimbshëm dhe i gjatë, na ka shpënë në pikën ku Polonia dhe Gjermania vazhdojnë dialogun e ngushtë politik në dimension dypalësh, dimension rajonal me formulën e Trekëndëshit të Weimar-it, në bashkëpunim brenda BE-së si dhe në forume të tjera ndërkombëtare. Kjo është trashëgimia jonë e përbashkët polako-gjermane, të cilën dëshirojmë ta ruajmë dhe ta zhvillojmë në të mirë të vendeve tona dhe të Evropës.

Marrëdhëniet tona të afërta politike, bashkëpunimi ekonomik në lulëzim, çka e ka kapërcyer kufirin e 100 mld eurove shkëmbim apo zgjerimi i marrëdhënieve sociale me Shkëmbimin Rinor Polako-Gjerman që ecën mjaft mirë, falë të cilit prej vitit 1991 është mbështetur takimi i më shumë se 2,5 mln të rinjve polakë dhe gjermanë, lejojnë të shtrohen pyetje të vështira. Këtu, veç të tjerash, shfaqet pjekuria e marrëdhënieve tona.

Çështja e reparacioneve eventuale të luftës që i takojnë Polonisë nga Gjermania sot është objekt i studimeve juridike dhe analitike. Duhet theksuar se, nga pikëpamja e së drejtës ndërkombëtare ndeshemi me interpretime të ndryshme që kanë të bëjnë me bazueshmërinë e një pretendimi të tillë. Roli i politikanëve është të dëgjojnë nevojat për zgjedhje. Ndërsa detyrë e ekspertëve është që këto sinjale t’i materializojnë në veprime konkrete, duke mbajtur parasysh gjithë skenarët e mundshëm rrethanorë.

T’i lëmë ekspertët e së drejtës ndërkombëtare të kryejnë punën e tyre. E rëndësishme është që në këtë, si edhe në shumë çështje të tjera të ngjashme, të ruhen maturia dhe objektivizmi. Veçanërisht në rastin e mediave, që për shumë përfitues jo rrallë janë i vetmi burim informacioni mbi situatën në vendet e tjera, kjo përgjegjësi merr rëndësi të posaçme. Duke hapur çështje që lidhen me të shkuarën e vështirë evropiane Polonia nuk del kundër Gjermanisë apo vendeve të tjera, por përmbush të drejtën e saj sovrane në përcaktimin e prioriteteve dhe vendit në debatin ndërkombëtar.

 

 

 

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.