OPINION

‘Shpërthen’ Mustafa Nano: Edi Ramës i kanë dalë bandat jashtë kontrollit

10:53 - 27.09.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Videoja e ngjarjes së Elbasanit, ku një person godet makinën e policisë dhe askush prej forcave blu nuk guxon ta ndjekë atë përtej portës së tregut, ka shokuar shumëkënd.

Analisti Mustafa Nano është një prej tyre.

“E dini se çfarë nuk më shqitet nga mendja prej pamjeve filmike të ngjarjes së Elbasanit? Ajo porta elektronike që rrëshqiste ngadalë, duke ngushtuar progresivisht hapësirën e hyrjes, dhe policët që mbetën si të ngrirë para vijës së pragut. Kishin mbi njëzet sekonda në dispozicion, por as që u lipseshin këto sekonda. Edhe sikur portës t’i duheshin disa orë për t’u mbyllur, ata policë do mbeteshin në anën tjetër të kufirit. Sepse vija e pragut të portës ishte tamam si një kufi.

Për ata policë, përtej ishte një botë e padepërtueshme, një vend i mistershëm që nuk ngjante me asnjë realitet dystopik të kësaj toke, me asnjë Kore të Veriut, Arabi Saudite, Filipine, Siri, Burma. Ishte më shumë sesa kaq. Përtej, ishte një botë përbindëshash, të cilët askush nuk i kish parë me sy, por që të gjithë e dinin se janë përbindësha. Kjo përshtypje të krijohej. Ndryshe, do ta kishim marrë vesh tanimë se çfarë ndodhi.

Dikush mund të ketë provuar antipati për ata policë. Unë nuk e di pse provova keqardhje e empati. Nuk m’u dukën ngordhalaqë. M’u dukën të pambrojtur. Dhe më erdhi mirë që nuk guxuan më tepër,”shkruan Nano në një koment në Mapo.

Sipas tij, Ramës i kanë dalë bandat jashtë kontrollit.

“Ja, në këtë pikë kemi arritur. Edi Rama e Co. duhet ta kishin ditur se bashkëpunimi me krimin nuk të lejon më të kthehesh prapa. Duhej ta kishin ditur edhe nga shembulli i Sali Berishës, që e udhëhoqi Shqipërinë në një joint venture me krimin për më shumë se dy dekada. Veçse – duhet bërë ky saktësim i rëndësishëm – duke i mbajtur nën kontroll kriminelët. Më saktë, duke i zgjidhur nga zinxhirët sa herë që atij ia donte puna t’i zgjidhte. Ndërsa Edi Ramës i kanë dalë nga kontrolli.

Ky është shteti që ka mbushur burgjet me fukarenj që kanë vjedhur energjinë elektrike. Mua nuk më vjen keq për ta. Madje, e kam përshëndetur këtë aksion. Por kur shoh që këtij shteti i dridhen leqet e këmbëve nga një grup i vogël njerëzish, kur shoh që ky shtet është gjunjëzuar i tëri para këtij grupi, apo para grupeve të tjera të ngjashme, nuk kam fuqi të dënoj asnjë kundërvajtje tjetër. Madje, kështu na del që në këtë Shqipërinë e sotme, vjedhësit e energjisë elektrike të jenë kremi i ndershmërisë.

Që puna ka arritur deri aty sa 12 policë të zbythen para një makine, e shteti të mos guxojë të sqarojë se çfarë ndodhi, kjo është vepër absolutisht e PS-së. Madje, vepra më e shëmtuar në gjithë trashëgiminë e PS-së në pushtet pas vitit 1990. Por e keqja nuk është këtu. E keqja është se Rama po kërkon të vendosë rendin publik, e të rimarrë nën kontroll territorin, me të njëjtët policë që pati katër vitet e shkuara. Kjo është e pamundur. Ajo polici ka qenë haptazi e lidhur me krimin. Zinxhiri i komandës në policinë e Republikës duhet zhbërë i tëri”.

“Unë nuk e di nëse kjo mazhorancë ka fuqi për ta fituar betejën me krimin. Nuk e di nëse Edi Rama është në gjendje të na provojë se bashkëjetesa me krimin e qeverisë së tij ka qenë një aksident, apo një ekspedient, që duhet arkivuar. Janë vetë këta të fundit që duhet të na bindin. Dhe mund të na bindin jo pas katër vjetësh, por tani, menjëherë. Me veprime konkrete”. /Mapo/


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.