Speciale

Reportazh/ Nga Selenica në Tamarë, për turizmin gjithëvjetor mes zanave

09:35 - 05.10.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




 

Fatmira NIKOLLI

Bashkia e Malësisë së Madhe kufizohet në veri me Malin e Zi dhe në jug me Bashkinë e Shkodrës. Qendra e Bashkisë së Malësisë së Madhe është qyteti i Koplikut. Malësia e Madhe ka bukuri të shumta natyrore, ku përmendim Liqenin e Shkodrës dhe pikat turistike malore të Vermoshit, Razmës dhe Bogës. Blegtoria, bujqësia dhe turizmi janë burimet kryesore ekonomike për banorët e kësaj zone. Ndërsa dy të parat kanë një traditë zhvillimi qindravjeçare, i treti, turizmi, ka marrë hov në këtë dy dekadat e fundit falë investimeve që janë kryer në këtë hapësirë si nga pushteti qendror dhe ai vendor, përmes rrugëve automobilistike, ashtu edhe nga sipërmarrjet private me ngritjen e strukturave pritëse për turistët vendas dhe të huaj. Instituti i Librit dhe i Promocionit, në datat 8-15 shtator 2017 ndërmori realizimin e një sërë aktivitetesh, të cilat kishin si qëllim kryesor ravijëzimin e një strategjie informuese mbi mundësitë e zhvillimit të një turizmi shumëformësh e gjithëvjetor në fshatrat përgjatë Lumit të Vlorës. Për këtë, një grup administratorësh, përfaqësues të pushtetit vendor dhe biznesmenë nga Bashkia e Selenicës, së bashku me ILP-në, u nisën në një udhëtim 4-ditor për në Bashkinë e Malësisë së Madhe. Udhëtimi në këtë bashki nisi me një takim miqësor në qytetin e Koplikut, me kryetarin e saj Tonin Marinaj dhe funksionarë të tjerë të bashkisë.

HIKING DHE TREKKING
Pas një dreke tradicionale në Koplik vazhduam drejt Lëpushës, përmes qafës së Bërdalecit në zonën e Kelmendit, ku rruga e shtruar dukej si një pistë e madhe për kampionatet e Formula Uno-s . Por jo vetëm kaq, hapësirat e blerta rreth saj e plot shtigje, mund të shërbenin mjaft mirë për hiking dhe trekking. Njëra nga ndalesat e radhës ishte fshati i Tamarës, një fshat që na mbeti në zemër, i ndërtuar rreth një sheshi me lokale të vogla e stola për pushuesit, mbi një nga urat e lumit Cen, me shtëpiza uniforme, me çati të kuqërremta, nën këmbët e maleve madhështore. Tamara ngjante me një qytezë përtej kohës dhe vendit, si ato qytezat që gjejmë në perëndim të Europës dhe na lënë pa frymë, pasi kanë shumë për t’u  ofruar shqisave të njeriut, si aromë, shije, ndjesi, emocione dhe përjetime. Pasditja na zuri në Lëpushë, në një bujtinë alpine ku u pritëm me kafe e raki boronice. Grupi nga Selenica performoi disa këngë tradicionale të polifonisë labe dhe për t’i dhënë një zë edhe më origjinal vizitës tonë, polifoninë e shoqëruam me çiftelinë malësore. Bujtinat apo hanet (12 të tilla në këtë zonë) janë një nga risitë që turizmi në veri të Shqipërisë i ka dhënë një dimension të ri mikpritjes së popullit shqiptar ndër shekuj. Ashtu siç tregon Luigj Cekaj, fillimisht 10 vjet më parë, ai kishte një shtëpi dhe një mjedis të gjelbëruar si pronë të tij. Asokohe aty shkonin të huaj, të cilët kishin me vete çadra dhe çanta shpine si edhe një kureshtje të madhe për këto vise të virgjëra e të panjohura për ta. Luigji i ndihmonte duke u dhënë dyshekë për t’u shtrirë natën në çadrat e tyre, apo të bujtnin në mjediset bosh të shtëpisë së tij, duke u ofruar ushqim falas nga kuzhina e tij familjare. Kështu nisi kjo traditë e re, por me rrënjë tejet shekullore si te shumë familje të tjera në këtë bashki, e cila është prekur nga emigrimi masiv i rinisë së saj, kryesisht në SHBA, por vijon të jetë ende e gjallëruar falë mikpritjes dhe bujarisë. Numri i turistëve gjatë vitit të fundit ka qenë më i madh se 5000 persona, të cilët, përveç të tjerave, kanë marrë pjesë edhe në eventin “Logu i Bjeshkëve 2017”, ku u zgjodh “Miss Malësia e Madhe”. Të nesërmen, në Vermosh, u takuam me Vasel Lukë Mitajn.  Ai së bashku me të shoqen na shërbyen kafe, raki, lëng kumbulle dhe djathë. Gjithashtu, na treguan se si turistë nga vende të ndryshme të Europës, si Çekia, Sllovakia, Bullgaria e Polonia ishin bujtës të rregullt të kësaj zone. Aty takuam edhe një grup motoristësh nga Çekia, të cilët kishin ardhur me motorët e tyre, në këto ditë të bukura shtatori, për të vizituar e parë nga afër bjeshkët tona. Pak minuta më tutje, me makinë u gjendëm në Kishën e Vermoshit në Majën e Marlules. Ditën tjetër mbërritëm përtej kufirit falës rrugës së shtruar, në më pak se 2 orë nga Kelmendi në Guci. Në mjediset e Bashkisë, u takuam me kryetaren, Anela Cekic, e cila ushtron funksionet e saj vendore. Me të biseduam mbi rrugën, si thelbi i gjithë këtij rrugëtimi, mbi faktin se si shtrimi i rrugëve kryesore lidhëse mes dy shteteve do të sjellë përmirësime të dukshme në zhvillimin e turizmit dhe të komunikimit mes banorëve fqinjë. Edhe atje emigrimi, shpërngulja masive e të rinjve, si pasojë e problemeve ekonomike ishte një dukuri e ngjashme me atë që vumë re në Malësinë e Madhe. Në ndërtesën e bashkisë gjendej edhe një muze me veshje tradicionale, divane, enë kuzhine, makinë shkrimi, radio e orendi të tjera të rëndësishme nga aspekti kulturor i vlerave që mbartin.


NË VUTHAJ ME REXHEP QOSJEN
Në Vuthaj të Gucisë patëm mundësinë të vizitonim shtëpinë e akademikut të madh, prof.Rexhep Qosja, të drekonim në një restorant tipik vendës ku kënduam këngë polifonike, shijuam gatime tradicionale dhe natyrën e bukur të bjeshkëve. Mbrëmja e fundit e kësaj vizite 4-ditore na gjeti në Razëm, aty ku breza të tërë të rinjsh e të rejash kanë kaluar të paktën një herë në jetën e tyre dhe do të kalojnë për të qëndruar në hotelet e zonës dhe për t’u argëtuar me resurset e shumta që ofron natyra bujare. Shpërndarja është një nga pikat e dobëta në zhvillimin e ekonomisë së zonës, pasi vërtet, nga njëra anë, fshatarët mbulojnë nevojat e hoteleve dhe të bujtinave, por nga ana tjetër, falë këtij sistemi të mbyllur këto prodhime shkojnë përtej këtij qarku vetëm në rrugë të tërthorta, falë blerjeve të vogla që mund të bëjë një turist, i cili i ka shijuar këto produkte.
Pas një dite pushimi, përfaqësues të ILP-së dhe një grup nga bashkia e Malësisë së Madhe u nisën drejt qytetit të Vlorës, për të organizuar në fshatin Kotë, pjesë e bashkisë së Selenicës, vijimësinë e këtyre aktiviteteve të mbështetura nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes. Në qendër të fshatit Kotë, aty ku gjendet i ngritur një lapidar përkujtimor i Luftës së Vlorës, më 1920, u improvizua një skenë e vogël ku folën përfaqësues nga ILP-ja, Bashkia e Malësisë së Madhe, bashkia Selenicë, komuna e Kotës, Agjencia për Zhvillimin e Turizmit dhe nga Shoqata e Restoranteve Turistike Shqiptare. Në këtë takim u fol, mes të tjerave, edhe mbi iniciativën e binjakëzimit mes dy bashkive të sipërpërmendura, si dy zona me shumë ngjashmëri në fusha të ndryshme, si: blegtoria, bujqësia dhe dëshira për të kultivuar traditat e për të zhvilluar më tej sipërmarrje të përbashkëta me qëllimin fitimin e përvojës dhe bashkëpunim nga njëra-tjetra. Më pas, të gjithë të pranishmit u drejtuan drejt çadrave të ngritura enkas aty, ku shijuan prodhime të gatuara nga amvisat e fshatit me shumë shije e përkushtim.
Në Vlorë u realizua takimi përmbyllës i këtyre aktiviteteve. Çështjet kryesore që u ngritën pas kësaj vizite disaditore në veri dhe në jug ishini informimi dhe sensibilizimi i banorëve në fshatrat përgjatë Lumit të Vlorës mbi rëndësinë e turizmit si burim zhvillimi i kësaj zone, realizimi i studimeve mbi përcaktimin e resurseve reale që kjo zonë ka për të ndërtuar pika turistike të rëndësishme e tërheqëse për vizitorët e saj, përthithja jo vetëm nga ana e qeverisë apo e pushtetit lokal e fondeve investuese për zhvillimin e turizmit, por edhe e sipërmarrësve të vegjël që mund të realizojnë projekte për të tërhequr investitorë vendës, si bankat, apo edhe të huaj, si projekte e fonde europiane që tashmë kanë në fokus investimet në zonën e jugut të Shqipërisë.  E pranishme në këtë debat ishte edhe Madlina Puka, drejtore e Përgjithshme e Agjencisë për Zhvillimin Rajonal 4, e cila u shpreh se ishte e befasuar nga ky projekt, i cili ndryshe nga projekte të tjera ku bëhet shkëmbimi i përvojave të zonave shqiptare me zona të huaja është fokusuar mbi binjakëzimin e një zone të zhvilluar, si Bashkia e Malësisë së Madhe, me një zonë si ajo e Bashkisë së Selenicës, ku me ndërtimin e rrugës do të vijë edhe zhvillimi i turizmit falë punës së blegtorëve e bujqve të zotë të kësaj zone.  Një ndër mësimet më të mira që morëm nga ky rrugëtim qenë fjalët e të zotit të bujtinës në Vermosh: “Realizimi i rrugës nuk duhet t’i gjejë të papërgatitur banorët, por ata duhet të fillojnë vetë nga puna për të ngritur strukturat mikpritëse, për të trajnuar stafet që do të merren me shërbimin dhe në këtë mënyrë, ardhja e turistëve, me rrugën e realizuar, nuk do t’i gjejë të papërgatitur”.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.