KULTURË

Kisha Ortodokse përplaset me Ministrinë e Kulturës. “Zhvilluan meshë pa dijeninë tonë, shkelën ligjin”

09:36 - 23.10.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë proteston kundra Ministrisë së Kulturës për përdorimin e Kishës Ortodokse të Labovës së Kryqit nga tre priftërinj katolikë nga Italia, që së bashku me një grup turistësh italianë, kryen aty “meshën e parë”. E pranishme në këtë ngjarje ishte dhe drejtoresha e Institutit të Monumenteve të Kulturës, Arta Dollani, ndërkohë që ende vazhdojnë të kryhen punime plotësuese për restaurimin e këtij monumenti. “Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë nuk pati asnjë dijeni rreth kësaj ngjarjeje. Protestojmë për këtë shkelje të re të Ligjit 10057 dt. 22.1.2009, neni 23, paragrafi 2: ‘Shteti mund të marrë në përdorim një objekt të kultit vetëm për nevoja e interesa madhore dhe vetëm pasi të ketë marrë paraprakisht pëlqimin e Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë'”, shkruhet në reagimin e kishës. Sipas tyre, është një fakt i pranuar ndërkombëtarisht se shteti nuk ka kompetencë të japë lejë në mënyrë arbitrare tek kisha apo fe të tjera, që të përdorin një objekt ortodoks kulti. Iniciativa të tilla të papërgjegjshme janë shkelje e hapur e lirisë fetare dhe cenojnë bashkëjetesën paqësore të komuniteteve fetare në Shqipëri. Ndërkaq, Kisha Ortodokse Autoqefale ka theksuar faktin se nuk do të reshtë kurrë së theksuari të drejtat e saj, siç ato përcaktohen qartë nga Ligji 10057, neni 22, paragr. 2: “Shteti do t’i kthejë dhe kompensojë Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë të gjitha pronat, me përparësi objektet e kultit tashmë të njohura nga të gjithë, të cilat kanë qenë për shekuj qendra shpirtërore dhe kulturore të komunitetit ortodoks dhe përbëjnë historinë e këtij komuniteti, si objektet e kultit, manastiret e shenjtë, pasuritë, arkivat e saj të konfiskuara nga regjimi komunist, në përputhje me legjislacionin në fuqi”.
Reagimi i ministrisë
Menjëherë pas reagimit të kishës, Ministria e Kulturës nxitoi të theksojë se nuk ka pasur asnjë dijeni dhe nuk ka dhënë leje për zhvillimin e një aktiviteti të tillë. Në njoftim ata sqarojnë se në datë 19 tetor 2017, nga ana e IMK u organizua një inspektim i punimeve restauruese në kishën e Labovës së Kryqit, me praninë e drejtores së këtij instituti dhe ekspertëve restauratorë për të kryer një konsultë mbi problematikën konstruktive të monumentit. “Gjatë këtij inspektimi, në oborrin e kishës u vu re se po zhvillohej një meshë lutjesh lehtësimi për një grup personash me probleme të ndryshme shëndetësore dhe turistësh italianë. Vizita e turistëve dhe inspektimi i inxhinierëve kanë qenë krejt pa lidhje me njëra-tjetrën dhe thjesht një rastësi e çastit”, shkruhet në deklaratën e Ministrisë së Kulturës. “Ministria e Kulturës shpreh keqardhjen për këtë keqkuptim të panevojshëm, ndonëse institucionet shtetërore nuk kishin dijeni për të. Ministria e Kulturës dhe Instituti i Monumenteve të Kulturës i konfirmojnë Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë respektin maksimal dhe vullnetin për të thelluar bashkëpunimin e frytshëm mes institucioneve tona për kujdesin ndaj trashëgimisë kulturore dhe për ruajtjen e harmonisë fetare në territorin shqiptar”.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.