OPINION

Nuk bisedohet me Greqinë në këto kushte

07:35 - 23.10.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Nga Shaban MURATI

 

Marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Greqisë regjistruan në datën 19 tetor ndërhyrjen më flagrante në punët e brendshme të Shqipërisë nga qeveria e Athinës këto dhjetë vitet e fundit. Deri tani ndërhyrjet e Greqisë në punët e brendshme të Shqipërisë janë ndërmarrë nën pretekstin e mbrojtjes së interesave të pakicës greke. Por është hera e parë që Ministria e Jashtme e Greqisë në një komunikatë zyrtare ndërhyn në çështjet e brendshme të jetës politike shqiptare. Komunikata e MPJ të Greqisë në 19 tetor përfaqëson një ndërhyrje të pashoqe në zhvillimet e brendshme shqiptare dhe kjo dëshmohet me sulmin që nis qysh në paragrafin e parë të saj. Ja komunikata e MPJ të Greqisë e botuar në faqen e saj zyrtare: “Lidhja e dukshme midis krimit të organizuar dhe skenës politike në Shqipëri, siç tregon arrestimi i fundit i kreut të një rrjeti të trafikut të drogave, që ndodhi të jetë një kushëri i dikujt, i cili deri kohët e fundit ishte ministri kryesor në qeverinë Rama, krijon shqetësime”.

Është e pazakontë në praktikën diplomatike midis dy shteteve, që janë anëtare të NATO-s dhe të cilin Shqipëria e ka shpallur aleat strategjik, të ndërhyhet dhe të akuzohet zyrtarisht Shqipëria për lidhjen e krimit të organizuar me skenën politike. Nuk ka se çfarë i duhet MPJ të Greqisë se çfarë ndodh në skenën politike të shtetit tonë, gjë që është problem ekskluzivisht i brendshëm i shtetit tonë. Nuk ka tagër diplomatik MPJ e Greqisë të japë verdikte zyrtare dhe publike mbi “lidhjet e krimit të organizuar me skenën politike shqiptare”. Është anormale nga pikëpamja diplomatike që MPJ e Greqisë sulmon me emër kryeministrin e Shqipërisë për anëtarët e kabinetit shqiptar, që ai ka zgjedhur. I ashtuquajturi shqetësim i Athinës për jetën e brendshme politike në Shqipëri është pretendim për rolin e protektorit mbi Shqipërinë.

Rituali i komunikatave dhe i deklaratave të MPJ të Greqisë me ndërhyrje në punët e brendshme të Shqipërisë është bërë kaq frenetik nga qeveria Cipras-Kocias sa mund të thuhet se ka numrin më të lartë në krahasim me qeveritë e mëparshme greke. Vetëm në muajin tetor janë dy deklarata të MPJ të Greqisë kundër Shqipërisë. Në dy muajt e fundit Presidenti i Greqisë ka dalë tri herë me deklarata me ndërhyrje të drejtpërdrejtë në punët e brendshme të Shqipërisë, madje duke sulmuar Shqipërinë dhe Kosovën bashkë. Ky është stili aktual i sjelljes së diplomacisë greke për marrëdhëniet me Shqipërinë.

Ajo që tërhoqi vëmendjen tonë lidhur me komunikatën e 19 tetorit është së pari flagranca e ndërhyrjes në jetën e brendshme politike të Shqipërisë dhe së dyti, koha kur MPJ e Greqisë zgjodhi të shpallë zyrtarisht “shqetësimet” për zhvillimet e brendshme politike në vendin tonë.

Pala greke ka njoftuar se muajin e ardhshëm MPJ e Greqisë dhe MEPJ e Shqipërisë do të zhvillojnë në Kretë të Greqisë bisedime dypalëshe për problemet e pazgjidhura në marrëdhënieve midis dy vendeve. Parimisht është pozitive të mbahen hapur kanalet e komunikimit diplomatik dhe të zhvillohen rregullisht takime e bisedime. Por, mësimi bazë i diplomacisë është se që të zhvillohen bisedime të suksesshme për kapërcimin e krizave dhe të problemeve të pazgjidhura historike dhe jo bisedime për hir të bisedimeve është e domosdoshme të krijohen kushtet dhe klima e përshtatshme për ato bisedime. A mund të thuhet se ekziston aktualisht kjo klimë dhe a e premton ajo klimë një rezultat pozitiv të bisedimeve të ardhshme? Vështirë të pohohet kjo, pas dy deklaratave ndërhyrëse në punët e brendshme të Shqipërisë, që ka bërë MPJ e Greqisë në 19 dhe në 15 tetor. Veçanërisht deklarata e 19 tetorit 2017 me pretendimin për “shqetësimet” greke për çështjet e brendshme të jetës politike shqiptare dhe me një goditje me emër ndaj kryeministrit shqiptar e ka mbushur me hithra rrugën e bisedimeve dypalëshe të muajit të ardhshëm.

Nuk është shenjë e vullnetit të mirë nga MPJ e Greqisë, zgjedhja e datës 19 tetor për shpalljen e komunikatës së saj, ku ndërhyn për një çështje të brendshme shqiptare, për të cilën drejtësia e Shqipërisë nuk e ka dhënë ende fjalën e saj. Duke vlerësuar nga një pozicion jomiqësor se qeveria e Shqipërisë ndodhet në një moment të vështirë të brendshëm, diplomacia greke dhe qeveria greke nxitojnë të shfaqen si faktor i jetës politike dhe i zhvillimeve të brendshme në Shqipëri. Ata marrin rolin e palës në jetën e brendshme politike shqiptare, sikur të jenë një forcë politike shqiptare, që ka të drejtë të shprehë zyrtarisht vlerësime për çka po ngjet në jetën parlamentare dhe politike të vendit tonë.

Akti i MPJ të Greqisë është një presion i drejtpërdrejtë mbi drejtësinë shqiptare. Është një presion i drejtpërdrejtë mbi parlamentin e Shqipërisë, që atë ditë në 19 tetor zhvillonte mbledhjen e këshillit parlamentar të mandateve. Është presion mbi partitë politike shqiptare për të nxitur konfliktin politik midis tyre dhe për të diktuar qëndrimin e qeverisë greke. Është presion mbi Shqipërinë që t’i trajtojë çështjet e saj të brendshme politike, ashtu siç i don Athina. Është presion për ta bërë Shqipërinë që të shkojë kokulur në bisedimet e ardhshme me Greqinë.

Me një fjalë, MPJ e Greqisë del në rolin e protektorit mbi politikën dhe mbi shtetin shqiptar. Ky raport asimetrik, plagë e vjetër e marrëdhënieve midis Shqipërisë dhe Greqisë gjatë 25 viteve të tranzicionit shqiptar, shfaqet me megalomani jo rastësisht në prag të bisedimeve midis dy shteteve muajin e ardhshëm.

Kjo është klima dhe këto janë konditat atmosferike diplomatike, me të cilat Greqia po përgatit mbajtjen e këtyre bisedimeve dypalëshe. Kjo është fryma dhe mentaliteti, me të cilat MPJ e Greqisë dhe ministri i saj i Jashtëm do të përpiqen të imponojnë drejtimin dhe përmbajtjen e bisedimeve. Ky është pozicioni hierarkik, me të cilin diplomacia greke dhe qeveria greke do të trajtojnë problemet e pazgjidhura midis dy shteteve. Kjo frymë tregon se i ashtuquajturi mekanizëm dypalësh i zgjidhjes së problemeve të hapura midis dy shteteve, që ministri i Jashtëm grek Kocias e serviri që në vitin 2015 si çelësin magjik të zgjidhjes së problemeve, do të ndjekë fatin e komisionit të famshëm dypalësh, që krijuan në vitin 2004 dy qeveritë për të zgjidhur problemet e hapura midis dy shteteve. Ai komision jo vetëm nuk zgjidhi, por nuk u mblodh asnjëherë. Tani ka një përparim se komisioni i vjetër quhet nga Kociasi “mekanizëm dypalësh”, të cilin diplomacia greke dhe Kociasi e kanë konceptuar si modelim i zgjidhjeve me formulat greke. Mjafton të shohësh kushtet dhe ofertat e tanishme greke, në prag të bisedimeve të ardhshme dypalëshe, për dy çështje jetike të pazgjidhura të dosjes shqiptaro-greke. E para është ligji i luftës për të cilin Kocias që në vitin 2015 në Tiranë bëri propozimin absurd që, për hatër të shqiptarëve siç tha ai, ta përfshijë në Traktatin e ri të Bashkëpunimit midis dy shteteve, në një kohë që ai është ligj grek dhe duhet ta abrogojë parlamenti i Greqisë dhe shteti grek. E dyta, është çështja çame, të cilën Kocias e përjashton kategorikisht nga bisedimet jo vetëm si zgjidhje, por edhe si shtrim çështjeje në tryezën e bisedimeve.

Kërkesa e Shqipërisë duhet të jetë që çështja çame të përfshihet në Traktatin e ri të Bashkëpunimit dhe të Miqësisë midis dy vendeve. Një traktat pa përfshirjen e çështjes çame nuk ka asnjë kuptim dhe nuk do të zgjidhë asnjë problem, ashtu siç nuk zgjidhi edhe traktati i mëparshëm gjatë 20 viteve.

Në prag të bisedimeve, diplomacia greke vazhdon taktikat bizantine për të ofruar 5 dhe për të marrë 95, për të dhënë apostilën dhe për të mos hequr ligjin e luftës dhe efektet e tij negative mbi shqiptarët, për të ofruar sigurimet shoqërore dhe për të marrë plantacione pafund të varrezave greke në jugun e Shqipërisë, për të premtuar njohjen e Kosovës dhe për të marrë marrëveshjen e zezë të detit dhe detin shqiptar.

Komunikatat e njëpasnjëshme të MPJ të Greqisë dhe të presidentit grek me ndërhyrje flagrante në punët e brendshme të Shqipërisë, që nga ligji i ndarjes territoriale e deri ligji për pakicat, rivendikimet absurde mbi Përmetin apo Himarën etj. e deri tek deklarata e 19 tetorit, që sulmon direkt qeverinë e Shqipërisë, përbëjnë sinoptikën më të qartë se çfarë moti dhe rezultati po përgatit diplomacia greke për bisedimet dypalëshe të muajit të ardhshëm. Kjo situatë duhet ta bëjë qeverinë e Shqipërisë të mendohet seriozisht.

Iluzionet apo infantilizmat e “moderimit dhe konstruktivitetit”, me të cilat është nanurisur (e vetmja në Ballkan) diplomacia shqiptare gjatë 25 viteve, duke i bërë lëshime strategjike Greqisë, nuk mendoj se duhet të jenë filozofi e politikës së jashtme shqiptare në rajon. Pa simetrinë e barazisë, të dinjitetit dhe të respektit të interesave reciproke shtetërore e kombëtare, as mund të mendohet se do të ngrihet guri i Sizifit i problemeve të pazgjidhura deri në majën e fundit të lumtur. Zyrave shtetërore vendimmarrëse u mjafton të analizojnë vetëm komunikatën e 19 tetorit të MPJ të Greqisë për të parë se sa e papërshtatshme është të zhvillohen bisedime serioze dypalëshe në këto kushte. Anashkalimi i kësaj situate do të thotë pranim i nëpërkëmbjes së dinjitetit të shtetit, do të thotë që të shkosh në duel me shpatë të thyer.

Situata të tilla kërkojnë përgjegjësinë e qeverisë, por kërkojnë edhe përgjegjësinë e partive politike shqiptare në opozitë, të cilat duhet të refuzojnë miklimet bizantine, që vijnë nga Athina për këtë apo atë pozicion të brendshëm politik. Çështjet e pazgjidhura midis dy shteteve janë interes jetik kombëtar dhe jo partiak dhe kërkojnë konsensusin dhe bashkëpunimin e të gjitha partive politike shqiptare, pavarësisht nga rivalitetet e brendshme midis tyre. Është rasti të kujtoj këtu se kur Silvio Berluskoni ishte kryeministër i Italisë dhe Romano Prodi ishte president i Komisionit Europian në Bruksel dhe mediat britanike ndërmorën një fushatë të ashpër disamujore kundër Romano Prodit, kryeministri Berluskoni u ngrit me forcë në mbrojtje të tij. Kur gazetarët italianë e pyetën Berluskonin pse e përkrahu armikun e tij politik dhe personal, ai u përgjigj: “Romano Prodi në Bruksel është Italia”. Në këtë vizion, për interesin kombëtar duhet të bashkohen edhe partitë politike shqiptare në politikën e jashtme të Shqipërisë me njërin apo tjetrin shtet fqinj.

Diplomacia greke nuk ka krijuar kushte normale për bisedimet e ardhshme dypalëshe midis dy shteteve:

– Ka një ndërhyrje frenetike të pashembullt në jetën e brendshme politike dhe përpjekje greke për t’u bërë palë politike në Tiranë. Qeveria duhet të ketë kaq dijeni sa të kuptojë se kjo ndërhyrje është pjesë e strategjisë së Athinës për ndryshim regjimi në Shqipëri, e afishuar nga diplomacia greke që në vitin 2015.

– Ka një sulm direkt për qeverinë e Shqipërisë.

– Nuk ka asnjë sinjal fleksibiliteti për çështjet kardinale historike të pazgjidhura midis dy shteteve.

– Ka një shtim të kërcënimit publik të shtetit grek mbi Shqipërinë për vendosjen e vetos në BE kundër hapjes së bisedimeve europiane me Shqipërinë.

Në këto kushte pabarazie, sugjerimi im për Kryeministrin e Shqipërisë është që t’i shtyjë bisedimet deri në kohën kur Athina të pastrojë retë, që ka krijuar dhe kur të demonstrojë vullnetin e mirë për të zgjidhur realisht problemet e pazgjidhura në marrëdhëniet dypalëshe.

 

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.