KULTURË

Botime të panjohura të albanologut Antonio Baldacci

12:30 - 25.10.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play


Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë pasurohet me tituj të rinj të albanologut të njohur italian, Antonio Baldacci. Drejtoresha e Institutit Italian të Kulturës, dr. Adriana Frisenna, me rastin e 150-vjetorit të lindjes së një nga personaliteteve më të rëndësishme në fushën e albanologjisë, Antonio Baldacci, i ka dorëzuar të martën, më datë 24 tetor, drejtoreshës së Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë 22 njësi bibliotekare, disa prej tyre dokumente të panjohura nga publiku shqiptar. Tashmë studiuesit shqiptarë do të kenë mundësinë të thellojnë njohjen e tyre mbi studimet dhe kërkimet shkencore që albanologu Antonio Baldacci ka kryer gjatë punës së tij shumëvjeçare hulumtuese në Shqipëri.
Instituti Italian i Kulturës ka arritur të sigurojë nga biblioteka e Bolonjës publikimet e hershme të Antonio Baldacci-t, të cilat përfshijnë botime të viteve 1895 – 1948. Duke falënderuar, Frissenën, drejtoresha e BKSH, Persida Asllani u shpreh se “Këto materiale, të cilat pasurojnë edhe më tej fondet arkivore të albanologjisë në Bibliotekën Kombëtare, do të ndihmojnë të gjithë studiuesit të thellojnë informacionin mbi studimet e këtij albanologu të vyer”. Ndërkohë, drejtoresha e Institutit Italian të Kulturës, Adriana Frisenna, duke shprehur vlerësimin e jashtëzakonshëm për albanologun italian theksoi “rëndësinë që ka për studiuesit e rinj që vepra studimore e albanologut italian të jetë sa më e plotë dhe Biblioteka Kombëtare, si qendër kërkimore shkencore, është institucioni i duhur në ruajtjen e kësaj arkive shkencore”. Dhurimi i disa veprave dhe artikujve studimorë të Baldaccit për Shqipërinë, vjen si finalizim i misionit të Dr. Frisenna-s në krye të Institutit Italian të Kulturës.
Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë, përmes një ekspozite në nder të 150-vjetorit të tij të lindjes, tha se synon jo vetëm të nderojë këtë albanolog të çmuar, por edhe të tërheqë vëmendjen e studiuesve të rinj mbi veprën e tij.





STUDIMET
E BALDACCIT
Antonio Baldacci (1867-1950), botanist, gjeograf, i apasionuar pas studimeve etnografike, politike dhe social-ekonomike mund të konsiderohet edhe si albanologu me numrin më të madh të studimeve mbi Shqipërinë. Studimet dhe botimet e tij shkencore zënë një vend të rëndësishëm në fondin e botimeve albanologjike. Interesi i tij për Shqipërinë nisi më 1888, ndërkohë që vizita më 1902 në zonën kufitare midis Shqipërisë dhe Malit të Zi konsiderohet edhe si misioni i parë shkencor italian në këtë rajon. Gjatë ekspeditave të tij Baldacci ia doli të mbledhë mbi 100 mijë ekzemplarë bimësh, disa specie të panjohura më parë dhe që kanë marrë edhe emrin e tij. Puna e tij shkencore dhe publikimet e shumta në revistat më në zë kanë ndikuar edhe në njohjen e Shqipërisë. Janë rreth 250 monografi dhe artikujt shkencor që dëshmojnë veprimtarinë e tij të gjerë akademike. Në fondin albanologjik të Bibliotekës Kombëtare gjenden rreth 80 vepra studimore si: “Ricordi di un viaggio botanico fra Prevesa e Janina” (1893); “Escursione botanica allo scolio di Saseno” (1893); “Rivista critica della collezione botanica : fatta nel 1892 in Albania” (1894); “Contributo alla conosenza della flora dalmata, montenegrina, albanese, epirota e greca” (1894); artikujt e parë të veprës “Itinerari albanesi : 1892” botuar më 1896; “Crnagora : memorie di un botanico” (1897); “Escursione botanica nell’Albania” (1897); “Considerazioni preliminari sulla fitografia dell’Albania” (1898); “Gli Albanesi nel Montenegro” (1898); “Contributo alla conosenza della flora del confine montenegrino-albanese” (1900); “Note statistiche sul vilayet di Scutari : la legge della montagna Albanese” (1901); “L’ Hinterland de L’Adriatique” (1904); “L’ Italia nel Mediterraneo e nell’Adriatico” (1903); “L’ Elemento latino nell’equilibrio balcanico” (1905); “Vallona e L’Acroceraunia” (1913); “Il Nuovo Stato di Albania” (1913); “I Romeni dell’ Albania” (1914); “Berat e il Tomor” (1914); “L’ Albania” (1916); “Il Console napoleonico Pouqueville e il centenario della for a albanese” (1927); “L’ Albania” (1929); “Studi speciali albanesi” (1932); “L’ Orso bruno in Albania” (1933); etj.
Ndërkohë në gjuhën shqipe kanë ardhur tre nga veprat e tij më të rëndësishme “Rrugëtime shqiptare: 1892-1902” (2006); “Shqipëria e madhe” (2006), “Arumunët” (2010) si dhe “Tre udhëtime: te arumunët e Shqipërisë” (2011).


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.