MILOSAO

Magjia funebre e Vuksanlekajve

10:18 - 06.11.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Nga Ben ANDONI

E habitshme është se sa pak janë të interesuar shqiptarët e Malit të Zi për Varrezat e Vuksanlekajve. Duhet të pyesësh shumë, anipse pas pak të mjafton që me njohuritë e përcipta dhe idenë e një kishe katolike aty afër të kesh mundësojnë të shkosh drejt e vetë. Flitet për udhën që lë kufirin shqiptar në Han të Hotit dhe vetëm gjashtë kilometra më tutje, në drejtimin për në Podgoricë, gjendet varreza e shumëpërfolur. Një banor ka kontribuar për udhën dhe rrethimin. Emri i është shkruar shëmtuar me një si tabletë.
Për fat, kjo varrezë deridiku e mbajtur e banorëve aktualë nuk të jep asnjë ide se në mesin e saj mbart varret misterioze. Në fakt fshati ku shkohet quhet Qye e Dolecit (në Vuksanlekaj) të Malësisë së Madhe. Na duhet të pyesim dy të rinj, që i hasim teksa shkëmbehemi se ku janë varret. Nuk i kemi dalluar dot. Vërtetë nuk kemi parë varret e vjetra. “Aty janë”, na pohojnë dhe tundin kokën në pohim. Kur mohojmë, djemtë na thonë se duhet thjesht të futemi më brenda.
Pak intermexo
Ende nuk ka një studim për këto varre, që sipas një ideje mund t’u përkasin Bogomilëve, por disa studiues i lidhin ato me fundin e shekullit të XIX dhe fillimin e shekullit XX. “Nuk dihet me saktësi se sa të vjetër janë gurët e varreve këtu, por hamendësohet se datojnë nga fillimi i shekullit të njëzetë, apo nga gjysma e dytë të shekullit të nëntëmbëdhjetë. Motivet e artit popullor në gurët e varreve, kuptohet, janë shumë më të vjetra”, shkruan mes tyre Elsie.
Varrezat e fshatit Qye të Malësisë së Madhe, janë të konfiguruara në mënyrë shumë të ndryshme. Ashtu si dihet, në ritin katolik, prehjet e trupave bëhen në varreza familjare, që zgjidhen në formën e varreve sakrale, kurse në disa syresh mund të kundrosh dhe vendet gati për pjesëtarët e tjerë të familjeve. Një ide është se ato janë të vjetra 200-400 vjet, por disa specialistë hedhin hipoteza për vjetërsi më të madhe. Në fakt, s’janë më shumë se 30 varre që po humbasin gdhendjet e stilizuara dhe figuracionet në gurë-varret e larta, që shkojnë prej 1 deri 1.50 cm, e që mbajnë drejtimin e kthyer me kokë nga perëndimi. Gdhendja e tyre është në mënyrë specifike dhe është e bërë në pjesën e përparme dhe të pasme të gurëve mbivarrorë, aman në disa raste edhe në pak pllaka mbuluese. Lajm i keq është se ato po bjerren vazhdimisht dhe janë dëmtuar pa masë prej kushteve atmosferike. Lajm i mirë është se aktiviteti njerëzor këtu është gati minimal sepse njerëzit pothuaj mungojnë fare dhe nuk mund t’i prekin.

Kur futemi brenda territorit të varrezave shkojmë direkt, sipas udhëzimit të djemve, drejt e tek pjesa e brendshme, ku na shfaqen varret. Mrekullia e dekorimeve e konfigurimet e tyre janë vërtetë tërheqëse për këdo që ka interesa kulturore. Interesi shkon tek disa varre pa emra, që veçojnë krejtësisht, paçka se edhe shumë varre pranë janë krejt pa emra. E veçantë mbetet pjesa e gdhendjeve të tyre. Simbolika e tyre është kaq shumë e jashtëzakonshme, saqë studiuesve do t’u duhet shumë për t’i identifikuar. Aty ke të gdhendura simbole nga më të ndryshmet, gjarpërinj, lloje kryqesh, rozeta të ndryshme, hëna të plotë, femra të stolisura, parzmore, simbolika si kryqe, gjysmë-hëna, forma-dielli, ylli gjashtë cepësh, rrathë ciklikë, trekëndëshi, katrorët, një lloj stapi barinjsh, detaje nga bota shtazore dhe bimore, por edhe figura humane që nga një fëmijë e pa kokë, nëna me foshnje, burri i moshuar, shpatë, një lloj gjarpri i lakuar që mbi kokë ka gjysmë hënën dhe diellin apo një rreth që në brendësi ka një lule me gjashtë petale – apo diku edhe tetë, kryqi kelt i formës së iksit, brirët e dhisë mbi kryqin që ka formë të rregullt në gjerësi dhe gjatësi.
Duhet një studiues i shenjave që mund t’i japë drejtim këtyre shenjave, porse një gjë është e saktë. Shumica presin dikë dhe askush nuk mund të gjykojë. Janë të shumët studiuesit nga Shqipëria që i kanë vizituar dhe kanë folur për to, por pakkush ka drejtuar si duhet një logjikë për konceptimin e tyre dhe ndihmën për hedhjen dritë të historisë së tyre.
A ndodh ngaqë shqiptarët se kanë traditën e varrosjes dhe respektimit të duhur? Ky është një aspekt. Aspekti tjetër është se në Shqipëri por me sa duket dhe në Mal të Zi kemi mungesë realisht të studiuesve që njohin realitetet. Për hir të së vërtetës, varret e vjetra, që kanë mundur ti shpëtojnë prej shumë shekujve ose dekadave realiteteve tona, pasqyrojnë një lloj kulture, tradite dhe historisë sonë, që lenë ende shumë për të dëshiruar.
“Shqiptarët nuk kanë një kulturë të zhvilluar të varreve. Madje shumë të rralla janë varret origjinale të mbetura në Shqipëri nga koha para Luftës së Dytë Botërore. Arsyet kryesore për këtë mungesë janë niveli i lartë i shkatërrimit dhe vetë-shkatërrimit që ka kapluar trevat shqiptare në shekuj, si dhe kalimi i shumicës së shqiptarëve në fenë islame gjatë kohës osmane. Megjithëse kalimi fetar ka qenë më shumë formal se sa nga ndjenja e zjarrtë, dhe besimi fetar – qoftë mysliman, qoftë i krishterë – kurrë nuk ka qenë i fortë në Shqipëri, shqiptarët myslimanë përgjithësisht i kanë respektuar zakonet islame të varrimit. Kjo do të thotë se të vdekurit varrosen shpejt, mundësisht brenda24 orësh, dhe se varri shënohet vetëm me një tog dhéu ose me një gur të pagdhendur dhe anonim, sepse tradita islamike përgjithësisht i ka shkurajuar gurët e mëdhenj të varreve”, na vjen në ndihmë sërish Elsie. Pavarësisht kësaj, kjo varrezë në mjedise shqiptare të habit.
Duhet të sqarojmë se sistemi i varreve të të krishterëve është tradicionalisht më i përpunuar, por edhe me mundësi më të madhe për ta identifikuar. Ndryshe ndodh në rastin e varreve myslimane. Ndërsa sa i përket të tre katër komuniteteve fetare në vend ka një lloj papërgjegjshmërie sa i përket artit funebër, por edhe kujdesit ndaj varreve. Gjë që nuk e justifikon indiferencën ndaj kësaj varreze në Vuksanlekaj që po bjerret nga dita në ditë. Humbja e saj do të jetë një humbje e madhe, sepse ende nuk kemi arritur ta identifikojmë as ne dhe as malazezët.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.