KULTURË

Jep dorëheqjen kryetari Gudar Beqiraj, Akademia e Shkencave merr buxhet nga qeveria e i shpëton shkrirjes

12:30 - 09.11.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Kryetari i zgjedhur në shtator i Akademisë së Shkencave, Gudar Beqiraj ka dhënë dorëheqjen nga detyra, ndërsa Akademisë i është rikthyer buxheti nga qeveria. Megjithëse i zgjedhur me vota nga akademikët, pas debateve që nisën me Artan Fugën, duke përfshirë kryeministrin Edi Rama, që kërcënoi për prerje fondesh, Akademia mbërriti në shkrirje pasi as Presidenti nuk e dekretonte Beqirajn. Kthesa ka ndodhur ditën e djeshme. Në Komisionin Parlamentar të Medias lajmi për rikthimin e buxhetit Akademisë është dhënë nga Ministria e Financave. Si fond do jetë i njëjti sa vitet e kaluara. Në emër të Ministrisë së Financave në komisionin parlamentar foli zëvendësministrja Dajna Sorensen. Fondi i përvitshëm i Akademisë së Shkencave është rreth 96 milionë lekë të rinj. Kryeministri Edi Rama deklaroi pas zgjedhjeve në Akademinë e Shkencave, se ky institucion duhet t’i gjejë vetë fondet e financimit, pasi në vend të reformimit zgjodhi farsën (meqë në krye të Akademisë u zgjodh ish-kryetari). Nga ky buxhet, 94 milionë janë shpenzime korrente, paga dhe vetëm 2 mln lekë të reja investime. Për ç’ arsye, heqja e buxhetit do të çonte në shkrirjen e Akademisë.
Ndërkaq, Presidenti i Republikës së Shqipërisë ka pritur në takim kryetarin e zgjedhur të Akademisë së Shkencave, akademikun Gudar Beqiraj ku mes të tjerash u diskutua mbi situatën aktuale të Akademisë së Shkencave, procesin e reformimit të saj dhe sfidat dhe perspektivën e përballjes së tyre me sukses. Sipas njoftimit, gjatë bisedës u nënvizua nevoja dhe rëndësia e një reformimi tërësor të kërkimit shkencor dhe Akademisë së Shkencave në drejtim të rritjes së produktivitetit shkencor në harmoni me zhvillimet e sotme të shkencës, teknologjisë dhe inovacionit, për përballimin e sfidave të rëndësishme të vendit tonë. Gjatë takimit akademiku Beqiraj i shprehu vullnetin e tij Presidentit të Republikës për t’u dorëhequr nga pozicioni i kryetarit të zgjedhur të Akademisë së Shkencave, duke theksuar se ai do të mbetet përkrah kolegëve të tij akademikë, mbështetës dhe kontribues, i procesit të reformimit të nisur tashmë të këtij institucioni të rëndësishëm. Presidenti i Republikës Meta vlerësoi aktin e Beqirajt duke vënë në dukje personalitetin e tij dhe rolin e kontributin e gjatë jo vetëm në fushën e kërkimit shkencor, por edhe në atë të zhvillimit të sportit dhe të veprimtarive humanitare. Presidenti i Republikës Meta theksoi rëndësinë e vendosjes sa më shpejt të dialogut mes Asamblesë së Akademisë së Shkencave dhe qeverisë me qëllim rritjen e rolit të pazëvendësueshëm të saj për zhvillimin e vendit.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.