KULTURË

Marrëveshje sekrete me qeverinë? Beqiraj: E vërteta e dorëheqjes

10:00 - 10.11.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Fatmira NIKOLLI

Të mërkurën e kësaj jave, Akademia e Shkencave që prej kohësh pat prekur pikën zero, me gjasë shënoi një hap para. Kryetari i zgjedhur në shtator i Akademisë së Shkencave, por i pa dekretuar nga Presidenti, Gudar Beqiraj, ka dhënë dorëheqjen nga detyra, ndërsa Akademisë iu rikthye buxheti nga qeveria duke i shpëtuar shkrirjes që i endej mbi krye prej dy muajsh pas kërcënimeve të kryeministrit Edi Rama. Zgjedhjet e cilësuara farsë, në fillim nga akademiku Artan Fuga e më pas nga shefi i qeverisë, janë tanimë të pavlera, për aq sa kryetari (Beqiraj) e nënkryetari (Korkuti) i zgjedhur kanë dhënë dorëheqjen, i dyti që në shtator e i pari të mërkurën, pas një takimi pothuaj të papritur me Presidentin Meta. Mes shumë pikave të errëta të këtyre dy muajve që më së shumti i bëjnë dëm shkencës, paçka nivelit ku është lënë të bjerë, dy dorëheqjet janë vetëm maja e ajsbergut. Aktualisht, Akademia drejtohet nga Asambleja dhe nga sekretari Shkencor Vaso Tole, ndërsa thuhet se puna për reformën vazhdon.
Gudar Beqiraj, kryetari i sapodorëhequr, në një intervistë për “Gazeta Shqiptare” rrëfen të gjitha prapaskenat, duke mohuar një marrëveshje sekrete mes tij dhe qeverisë, anipse, dorëheqja e tij përkoi me akordimin e një buxheti për Akademinë, në shifra, i njëjta me vitet e kaluara, 94 milionë lekë të rinj.
Beqiraj, rrëfen takimin me Metën pa mohuar edhe një rikandidim të mundshëm për postin e kryetarit si edhe ndan me ne, edhe njëherë mendimin e pakthyeshëm për akademikun Artan Fuga, pas më shumë se dy muajsh debat.
Më poshtë intervista.
– Pse vendose të japësh dorëheqjen nga detyra e Kryetarit të Akademisë së Shkencave?
Sepse nga një bisedë me Presidentin, duke analizuar të gjitha ç’kanë ndodhur deri tani për Akademinë e Shkencave, të dy së bashku patëm vërtetë një mirëkuptim, mbase duke hapur rrugë unë në kuptimin e mirë të fjalës, pra duke dhënë dorëheqjen, reforma e Akademisë dhe të gjithë punët e Akademisë, do të shkojnë më mirë. Ky është një mendim i yni, i të dyve, i përbashkët, por veç kësaj, Presidenti më vlerësoi duke më konsideruar si një ndër njerëzit më të nderuar të kombit shqiptar dhe unë e falënderova që ka menduar për Akademinë dhe kaq.
– A ka pasur mes jush dhe qeverisë një takim a një bisedë që ka zgjidhur ngërçin dhe ka liruar edhe fondin buxhetor për Akademinë? Pyes, sepse pas kërcënimeve për ndërprerje buxheti, Ministria e Financave ka dhënë të njëjtin buxhet sa vitet e kaluara për Akademinë.
Jo, nuk ka lidhje fare. Ato deklaratat që bën kryeministri nuk kanë lidhje me punën e parlamentit dhe komisionin parlamentar për buxhetin. Buxhetin e jep parlamenti përmes komisionit parlamentar dhe pastaj po parlamenti e voton. Është bërë rutinë. Të mërkurën ka qenë takimi i institucioneve të ndryshme për buxhetin në komisionin parlamentar. Aty ka pasur ditën edhe Akademia e Shkencave. Kështu funksionon, nuk ka pasur takim me qeverinë e asgjë tjetër.
– Pra, nuk ka pasur një marrëveshje të fshehtë mes jush e qeverisë?
Jo, asnjë marrëveshje. Komisioni parlamentar i ka thirrur përfaqësuesit e Akademisë së Shkencave për të mërkurën në orën 17:00 për diskutim për buxhetin e vitit 2018. Asnjeri, deri në orën 14:30 që unë mora një ftesë nga Presidenti për takim në mbrëmje, askush nuk e ka ditur që unë do të jap dorëheqjen. Ndërsa përfaqësuesit e Akademisë kanë qenë në komision, unë kam qenë të presidenti. Askush përveç meje nuk e dinte.
– Cila është procedura, që do të ndiqet tani për zgjedhjen e kryetarit të ri dhe a mendoni se do të ketë sërish ngërç në zgjedhje duke pasur parasysh të kaluarat?
Nëse ne bëjmë të gjitha veprimet e procedurat sipas ligjit në fuqi, atëherë kryetari zgjidhen sipas kësaj procedure: do bëhet njoftimi për të gjithë anëtarët e Akademisë së Shkencave, të gjithë anëtarët e Asamblesë, sepse sipas ligjit të gjithë anëtarët e Asamblesë që mbajnë titullin akademik, kanë të drejtë të zgjidhen në poste drejtuese, dy herë, dy mandate, por jo radhazi- siç e bëra unë, bëra një pauzë dhe u riktheva. Ka të drejtë të kandidojë kush të dojë brenda një muaji, të sjellë propozimin e të vërë kandidaturën. Mbas një muaji caktohet data e zgjedhjes dhe bëhen zgjedhjet.
– Pra, zgjat deri në fund të dhjetorit?
Mund të zgjasë deri në shkurt jo deri në dhjetor.
– Bllokohet reforma?
Nuk ka lidhje me reformën, njerëzit do të punojnë. Këtu ka një sekretar shkencor që është ekzekutiv e që bën të gjitha veprimet, nga të gjitha pikëpamjet, Asambleja është po në gatishmëri. Patjetër, që nuk është e njëjta situatë si në rastin, kur ka kryetar e nënkryetar, sepse është një lloj shtrëngese që do ketë sekretari shkencor për të vazhduar punën, ndërkohë që sekretari shkencor ka edhe ndihmës që janë dy shefat e dy seksioneve që kemi ne, të shkencave natyrore e të shkencave albanologjike.
– A ju vjen keq që u detyruat të jepnit dorëheqjen, për hir të Akademisë dhe për hir të reformës?
Jo, nuk më vjen fare keq, sepse unë i kam provuar të gjitha detyrat: kryetar, nënkryetar, dekan, drejtor, matematicien, profesor në universitet, anëtar i Akademisë së Shkencave të Europës. Kam bërë shumë detyra në jetën time dhe e di pse nuk më vjen keq? Sepse në fund të fundit do lë diçka pas dhe kam marrë ndërkohë shumë urime nga akademikë e profesorë. Po bëj diçka që kam lënë gjurmë, kam bërë gjithçka me shpirt. Kam 45 vjet në Akademi, është e gjithë jeta ime. Meqë mu argumentua që ka një shans për mirë duke hapur unë rrugë, do bëhet më mirë Akademia, hoqa dorë, sepse unë këtë dua. Unë prapë anëtar i Akademisë jam. Dhe nëse dua, kur të bëhen zgjedhjet, unë kandidoj prapë.
– Do e bëni, do kandidoni sërish?
Atë nuk e di. Nëse e kërkojnë akademikët, po. Unë do të mbledh asamblenë për ta falënderuar dhe për t’ua komunikuar, sepse nuk mundem ta kaloj në heshtje, sepse janë burra të nderuar. Presidenti më vlerësoi në komunikatën që nxori, por përpara atyre kolegëve që janë 10 herë më të mirë se unë, një pjesë e mirë e tyre, duhet t’i respektoj.
– Profesor, ky debat, u hap nga akademiku Artan Fuga. Çështja shkoi deri tek kryeministri i vendit që kërcënoi me prerje fondesh, çka nënkupton shkrirje të Akademisë. Në një moment, profesor Fuga iu bashkua akademisë dhe akademikëve dhe u pa përkrah tyre në një konferencë për mediat. Ju si do i keni marrëdhëniet me të?
Jemi larg njëri- tjetrit. Edhe si punë që ka bërë njëri apo tjetri po ashtu. Unë kam punuar gjithë jetën e kam produkt në jetën time. Duke filluar që nga momenti që kam filluar punë si matematicien që kam punuar për sektorin e gjeologjisë, gjeofizikës dhe naftës, ku mbi bazën e atyre që kam bërë unë janë dhënë çmime, janë hap miniera e puse e në vazhdim, kur kam punuar drejtor i Institutit të Informatikës kam bërë të ngrihet një institut jo vetëm shumë të mirë që nuk kishte si ai në Ballkan dhe bëra atë që nuk e ka bërë njeri në një institut shkencor: veç projekteve shkencore, unë bëra një projekt ku futa në punë 1200 vajza për 10 vite rresht. Në vazhdim, kur erdha në Akademi e rindërtova atë në të gjitha pikëpamjet, pavarësisht asaj që thotë Artani e të tjerë që janë të gjitha gënjeshtra. Kur erdha unë, Akademia ishte në gjendje të mjeruar edhe ambientale. Kam 51 vjet që kontribuoj për peshëngritjen, ku ngrihet flamuri, ku këndohet himni, që nuk e bën askush tjetër. Jo më larg se para 1 viti, presidenti i Federatës Botërore erdhi dhe më dha një medalje vlerësimi. Ndërsa, ky që pyesni ky, nuk ka asnjë produkt, ka vetëm shkarravina. Nëse nuk e pëlqente Akademinë, le ta dorëzonte 50 mijë lekëshin që merr çdo muaj. E dini shkrimin më të mirë të tij? Atë që një gështenjashitës, nuk i ishte më gështenjat me kaush, por më kandar. Ai ka bërë vetëm shkarravina e ka sharë. Kur ka bërë ai diçka të mirë e produktive për të mirën e këtij kombi? Nuk krahasohet me mua. Ai s’ka ardhur asnjëherë në mbledhje. I thosha eja në mbledhje e na e thuaj çfarë ke. Tani, kur erdhi puna që do të pritej fondi, dhe me prerjen e fondit ikën dhe 50 mijë lekëshi, erdhi ai.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.