KULTURË

TRASHEGIMIA/ Butrinti “shkon” në parlament, Kumbaro debat me deputetët

10:30 - 10.11.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Çështja e ndërtimit të një pike shërbimi në parkun arkeologjik të Butrintit, pasuri botërore e njerëzimit, është rikthyer në qendër të vëmendjes. Pas replikave mes kryetares së Komisionit të Medias, deputetes Albana Vokshi dhe ministres së Kulturës Mirela Kumbaro, ndërsa diskutohej buxheti i vitit 2018, dje në parlament, ministrja është thirrur në interpelancë nga një deputet i majtë. Ka qenë deputeti i PS, Alket Hyseni, i cili i ka kërkuar sërish llogari ministres e Kulturës Mirela Kumbaro për ndërtimin në parkun e Butrintit ditën e enjte. Deputeti Hyseni kërkoi sqarime për ndërtimin në Butrint, projektin dhe konsultimet, duke e vënë theksin te fakti se duhet një plan i qartë menaxhimi për parkun arkeologjik. Ai vuri në dukje se ka rezerva edhe për objektin edhe për elemente korruptive.
“Kur janë bërë konsultimet dhe cilat janë garancitë? Ka rezerva për menaxhimin e parkut të Butrintit pasi zbarkimet e turistëve të huaj janë katërfishuar, ndërsa të ardhurat janë dyfishuar. Mendoj se ka rezerva edhe për aspektin e elementëve korruptiv”,-u shpreh Hyseni.
MINISTRJA
Nga ana e saj, ministrja Mirela Kumbaro, ribëri me dije se nuk është i detyrueshëm konsultimi për ndërhyrje të vogla, por vetëm kur bëhet fjalë për ndërhyrje të mëdha. Ajo shtoi më tej, se ka marrë garanci nga subjekti privat, deklaratë e përsëritur e saj edhe më herët. Si as nën mëngë, ministrja theksoi se buxheti i shtetit nuk ka financime të mjaftueshme prandaj është i nevojshëm partneriteti publik-privat në investimet që po bëhen. “Nuk është i detyrueshëm konsultimi me UNESCO-n për ndërhyrje të vogla, por vetëm kur bëhet fjalë për ndërhyrje të mëdha. Me subjektin që bën ndërhyrje kemi pasur konsultim dy vjet rresht dhe i ka pranuar të gjitha kushtet tona. Dua të sqaroj që zhvillimi i çfarëdo lloji projekti të ri, bëhet brenda një plani menaxhimi. Parku i Butrintit nuk është vetëm arkeologjik, por edhe natyror. Në bashkëpunime me UNESCO do të punojmë për ligjin trashëgiminë dhe më pas për planin e menaxhimit. Për sa i përket investimeve, jam dakord që duhet të rentabilizojmë të gjitha burimet. Asnjë investim nga taksapaguesit shqiptar, por investime nga burime të treta”-deklaroi ministrja para deputetëve.
Ndërkaq, pas debatit të madh që përfshiu opinionin publik gjatë muajit tetor, ministrja Kumbaro, ndërpreu punimet që po bëheshin atje, duke bërë me dije se ndërpriten për një periudhë të papërcaktuar, derisa të shterohen të gjitha pikëpyetjet që ka për këtë projekt të miratuar prej Këshillit Kombëtar të Restaurimit që drejtohet prej saj, projekt që, në fakt, është hartuar nga vetë Instituti i Monumenteve të Kulturës.
Më herët, gjatë ditës së mërkurë, ministrja e Kulturës në Komisionin për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik, ku ishte duke u diskutuar Buxheti 2018, tha se ka marrë një shkresë nga UNESCO ku i thuhet të vazhdojnë punimet dhe të mbajnë të informuar UNESCO-n.
NDËRTIMI
Në një intervistë për “Gazeta Shqiptare”, ministrja Kumbaro tha në tetor se “Nuk po ndërtohet asgjë e re. Një vit më parë kemi përgatitur një udhëzim të detajuar për krijimin e këndeve të shërbimit, që i quajmë këndet SAL (Suvenir, Art, Libra) në sitet e trashëgimisë kulturore”. Ajo shtonte se po bëhet ripërdorimi i një objekti ekzistues, pa i shtuar asnjë centimetër volum, pa i shtuar asnjë centimetër ndërtim dhe pa gërmuar nëntokën, si kusht i domosdoshëm përderisa jemi në zonë arkeologjike.
“Godina në fjalë është aty ku ka qenë, as nuk e lëvizëm, as nuk e afruam. Mbrapa godinës ndodhet muri(I shek7-8), por i cili nuk preket fare dhe nuk ka fare lidhje me projektin. Puna përqendrohet në rehabilitim e kësaj godine. Nuk preket absolutisht asnjë lloj guri tjetër dhe asnjë lloj muri tjetër dhe nuk bëhet asnjë ndërhyrje jashtë këtij objekti. E dyta, nuk bëhet asnjë lloj gërmimi, vendoset vetëm një shtresë me një rrjetë hekuri, për të vënë platformën mbi të cilën vendoset druri e xhami. Sa i takon procedurës, kjo nuk bëhet me buxhete publike, as me buxhetet e parkut, bëhet me investim të kompanisë që ka fituar procedurën, e cila jo vetëm bën gjithë investimin fizik, jo vetëm do të paguajë edhe qiranë, por i gjithë ky investim i mbetet parkut, edhe pas përfundimit të kontratës me subjektin përkatës, që është një shërbim që ofrohet me outsource, por krejtësisht i kontrolluar, i fiskalizuar dhe i formalizuar”.


Shfaq Komentet (1)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.