Valentina MADANI
PD-ja nuk mundi ta “fotografojë” vjedhjen e votës me 25 qershor, por dokumentimin me dëshmi konkrete po e bën tani përmes procesit të analizës së humbjes dhe riorganizimit të partisë. Enno Bozdo sekretari organizativ i PD-së tregon për “Gazeta Shqiptare” se ka mundur të sigurojë dëshmi të identifikimit me “emër dhe mbiemër”, sipas tij, të “mbjellësve të drogës, të shpërndarësve të parave në zona të caktuara, të kasnecëve monetarë si dhe të atyre zyrtarëve që bënin presion me ndihmën ekonomike dhe me vendin e punës”. Bozdo thotë se të gjitha këto do të dokumentohen dhe PD-ja do të marrë të gjitha hapat e nevojshme politike dhe ligjore për të trajtuar fenomenin e shitblerjes së votës. Z.Bozdo flet për ngritjen në shkallën më të lartë të aksionit politik të PD-së dhe çfarë duhet të bëjë ajo para se të nisë protestat.
Z.Bozdo si po ecën procesi i analizës së humbjes së PD-së me 25 qershor dhe a do mbyllet brenda afatit 8-javor i përcaktuar nga udhëzimi i kreut Basha?
Procesi po ecën në përgjithësi me ritmin e kërkuar. Në të 12 qarqet, procesi ka kapur tashmë ritmin e plotë të tij. Dhe kjo jo vetëm për meritë të grupeve të punës nga qendra, por mbi të gjitha për meritë të anëtarësisë dhe strukturave të PD-së që po i përgjigjen me përgjegjësi politike kë tij procesi. Unë vë re me kënaqësi një nevojë të brendshme të demokratëve për të diskutuar haptazi dhe me seriozitet aspekte të ndryshme të zgjedhjeve të përgjithshme 2017. Procesi do të mbyllet brenda këtij viti. Gjithsesi, më e rëndësishme se kohëzgjatja e procesit, është cilësia e tij. Për këtë arsye jemi munduar që procesin e dëgjesës, konsultimit dhe analizës me anëtarësinë, ta kanalizojmë në “shina” sa më të qarta.
Ju jeni i deleguari i qendrës në degën e PD-së së Beratit, si është gjendja e strukturave atje dhe çfarë po konstatoni prej demokratëve beratas?
Demokratët po denoncojnë me zë të lartë. P.sh., në qarkun e Beratit droga është mbjellë thuajse në të gjithë sipërfaqen e këtij qarku. Nuk ka asnjë fshat sot nga i cili të mos marr denoncime për sipërfaqe të mëdha të kanabisit të mbjellë dhe ekzistencës së punishteve të përpunimit të drogës. Qartazi ky fenomen kriminal, si dhe mbështetja e dukshme e dhënë nga policia për të, ka pasur një peshë të rëndësishme në rezultatin elektoral, në dëm të PD-së. Një shkak tjetër më pak i përmendur, por gjithsesi shumë i rëndë, është edhe abuzimi që pushteti vendor, (në këtë qark i dominuar tërësisht nga e majta) ka bërë me shpërndarjen e ndihmës ekonomike. Malësia e qarkut të Beratit renditet ndër zonat më të varfëra të Shqipërisë . Varësia ndaj ndihmës ekonomike është e qenësishme dhe në zona të caktuara shkon deri në 60% të popullatës. Presioni që i është bërë votuesve në këmbim të ndihmës ekonomike dhe “Kemp”-it është një fakt që rezulton i shtrirë në të gjithë zonën. Presioni i të majtës me punësimin në këtë qark, ka qenë veçanërisht i rëndë. Është një formë tjetër kjo më e sofistikuar, por po aq e dhunshme, e vjeljes së votës “me hir apo pahir”. Do të veçoja këtu zonën e Skraparit, ku duke dëgjuar dëshmitë e demokratëve, mu kujtua fushata e vitit 1991.
Po për sa i përket diskutimit për çështje të brendshme të PD-së, çfarë po konstatoni?
Procesi i konsultimit dhe analizës fokusohet, gjithashtu, në çështje të brendshme të organizimit të Partisë, apo në vektorë të ndryshëm të fushatës të cilët frenuan PD-në lokale të arrinte një rezultat pozitiv. Dhe këtu ka shumë punë për të bërë . Për këtë arsye, unë po fokusohem veçanërisht në identifikimin e problemeve të brendshme strukturore, si p.sh. aftësia e strukturës për të mbuluar territorin apo edhe rritjen e eficencës së mesazhit politik nga PD-ja lokale drejt banorë vetë kësaj zone.
A janë identifikuar blerësit e votave të 25 qershorit dhe çfarë do të bëjë PD-ja pasi të ketë listën e emrave të tyre?
Unë kam marrë shumë dëshmi të identifikimit me “emër dhe mbiemër” të mbjellësve të drogës, të shpërndarësve të parave në zona të caktuara, të kasnecëve monetare si dhe të atyre zyrtarëve që bënin presion me ndihmën ekonomike dhe me vendin e punës. Te gjitha këto do të dokumentohen. PD do të marre të gjitha hapat e nevojshme politike dhe ligjore për të trajtuar këtë fenomen.
Konkretisht çfarë do të bëhet me të dhënat që po merren nga “terreni”?
Të dhënat që do të marrim nga terreni janë të një rëndësie të dorës së parë për sa i përket betejave të ardhshme elektorale të PD-së , që po afrohen shumë më shpejt nga ç`ishte menduar.
Pas humbjes së 25 qershorit, ku duhet të përqendrohet PD-ja?
Veçanërisht në situatën e kriminalizimit të skajshëm të qeverisjes, e paprecedentë në 25 vite të funksionimit të sistemit demokratik, PD-ja e ka të domosdoshme të ngrejë në shkallën më të lartë aksionin politik të saj. Për t`i demonstruar shqiptarëve që ajo, vetëm ajo dhe askush tjetër, do të mund të nxjerrë vendin nga spiralja e vdekjes së shpresës dhe e shpërbërjes së moralitetit shoqëror. Kjo nuk është thjeshtë një detyrë opozitare, por mbi të gjitha detyrim shoqëror dhe moral i PD. Me aksion politik nuk në nënkuptoj thjeshtë protestën e radhës. Protesta nuk duhet të jetë qëllim në vetvete, ajo është vetëm një instrument. Me aksion politik kuptoj përçimin e idesë së ndryshmit të shtresat shoqërore, të cilat janë të domosdoshme të jenë në të njëjtën anë të barrikadës me PD-në. PD-ja në mënyrën më të natyrshme është aleat i shtresë s së mesme që si rregull mbart vlerat shoqërore në çdo shoqëri dhe në çdo kontekst historik. Qeverisja 2005-2013 e PD-së , shënon përpjekjen e parë “inxhinierike” për të formësuar shtresën e mesme në Shqipëri. Kjo përpjekje rezultoi përgjithësisht e suksesshme.
Në këtë kontekst PD-ja duhet veçanërisht të targetojë shtresën e mesme në mesazhin politik të saj. Dhe siç kam thënë edhe në një interviste të mëparshme me ju, përveç përcjelljes së mesazhit (që PD po e realizon në mënyrën e saj tradicionale), shumë rëndësi ka edhe medium apo mesazheri. Kjo shtresë kërkon të shikojë vetveten, pra të komunikojnë me të ngjashmin e saj. Jo thjesht me “zë dhe figurë “, por mbi të gjitha me reputacion individual. Në morinë e mesazheve politike që PD përcjell, ky fakt duhet të mbahet parasysh.
Ju thoni që protesta është vetëm një instrument, çfarë nënkuptoni me këtë?
PD-ja ka treguar se është e aftë të realizoje protesta në çdo kohë dhe në çdo rrethanë. Në mandatin e parë të kësaj qeverie, PD arriti të organizojë protestat më masive ne historikun e pluralizmit, të cilat kulmuan me protestën 90 ditore në “çadrën n e lirisë”. Prandaj nuk dua të shoh thjesht protestën e radhës dhe arsyetimin se “PD po bën detyrën e saj, por kërkohet më shumë përgjigje qytetare”. Tashmë rrethanat kanë ndryshuar shumë, për fat të mirë, në favor të kauzës qytetare të PD-së. Opinioni publik është i bindur nga faktet e fundit se ajo çfarë Rama ofron është një mos qeverisje nën efektin e kanabisit, ku krimi organizuar dhe tentakulat korruptive bëjnë ligjin në një vend me institucione gjithnjë më të dobëta, si Shqipëria. Përballë kësaj gjendjeje, shtresa e mesme dhe e mesme e lartë, si kurrë më parë, ka zgjedhur të braktisë vendin. PD duhet t`i demonstrojë kësaj shtrese se meriton besimin e saj, se meriton t`i jepet një shans për të qeverisur. PD duhet t`ia shtrijë dorën e bashkëpunimit. Duhet të kërkojë mbështetjen e saj pa kushte. Dua të shoh te një PD që njësohet me vullnet të mirë me qytetarinë shqiptare. Ashtu siç bëri në 1991 dhe në 2005. Veçse sot në kushte emergjence. Vetëm pasi të bëjmë këtë, do kemi bërë detyrën tonë me ndihmën e protestave!
Megjithatë PD dhe LSI kanë paralajmëruar protesta për rrëzimin e qeverisë…
PD-ja është e gatshme për këtë aksion. Aksioni është kundër krimit, drogës dhe korrupsionit. Por, siç përpiqem të argumentoj më sipër, protestat duhet të nisin kur jo vetëm PD-ja, por edhe faktorë të tjerë socialë-apolitikë, të jenë të gatshëm t`i bashkëngjiten kauzës së protestës. Nuk ka rëndësi data, por procesi për të mbërritur deri këtu. Procesi sjell suksesin, dhe jo dëshira për të demonstruar aftësinë për të mbajtur protesta!
A besoni se përballë një maxhorance të madhe në numër, opozita duhet të jetë më e fortë, më “luftarake” sidomos në parlament?
Latinët shpreheshin: “extremis malis, extrema remedia”. Në kushte të jashtë zakonshme, kërkohen veprime të jashtëzakonshme. Aksioni parlamentar, sado i rëndësishëm të jetë ai, është veçse një nga instrumentet e aksionit politik. Tribunët e Lëvizjes Demokratike së vitit 1990, lëvizje që përmbysi regjimin më brutal në historinë evropiane të pasluftës, nuk iu drejtuan parlamentit, por shqiptarëve. Historia nuk përsëritet dy herë njësoj, dhe s`ka sesi, por përpjekjet nuk mund dhe nuk duhet të rreshtin.
PD-ja përveç kundërshtarit politik prej kohësh ka një debat të brendshëm ku shënjestër mbetet kreu Basha prej kritikëve të tij.
Asnjë kritikë e bërë me arsye dhe qëllim të mirë nuk mund të dobësojë PD-në. Përkundrazi e bën PD-në më të hapur, më imune dhe i jep mundësinë të vetshërohet.
Por a janë të gjitha kritikat të tilla?
Kam dyshimet e mia në këtë pikë. Goditjet personale të fshehura nën petkun e kritikës, por edhe kritikat e kritikës së shëndetshme, dëmtojnë njëlloj Partinë Demokratike.
Thirrjes së z.Basha për bashkim, kritikët i janë përgjigjur me kërkesën për zgjedhje të reja në parti, por në gjykimin tuaj çfarë mund ta bashkojë PD-në dhe si mund të ringrihet sërish ajo?
Lulzim Basha është kryetari legjitim i PD-së. Çdo retorikë mbi këtë çështje e devijon debatin në personal. Ndërkaq, ka çështje të tjera shumë të rëndësishme ku palët mund të gjejnë terrenin e përbashkët. Ndryshimi statutor mund të jetë një e tillë. Vullneti i mirë për të kontribuar për PD-në, veçanërisht i atyre që kanë marrë në kthim shumë nga PD-ja, është çelësi i zgjidhjes. Ne nuk duhet të lëmë mbrapa askënd, aq më tepër pjesëtarë të familjes tonë. Po ekzistoi ky vullnet, gjithçka është e mundur. PD do të ringrihet dhe do të përmbushë misionin e saj. Madje shumë më shpejt nga çfarë mund të mendohet.
Pse kaq i lehtë bashkëpunimi me LSI-në, ndërkohë që ajo ishte pjesë e qeverisjes së majtë për 4 vite me radhë? PD dhe LSI janë pjesë e Frontit opozitar, por aleanca me partinë e Kryemadhit a po e zbeh forcën opozitare të PD-së si partia më e madhe e opozitës në vend?
PD-ja është flamurtare e luftës kundër krimit të organizuar që po qeveris vendin, e luftës kundër drogës dhe parave të saj që po kapin çdo institucion, e përballjes me kryeministrin Rama që me qeverisjen e tij i ka futur shqiptarët në krizën më të madhe të besimit pas asaj që shkaktoi regjimi totalitar i Hoxhës. PD dhe vetëm PD ka të drejtën morale ta mbajë lart këtë flamur, për shkak të opozitës së saj dhe memories historike që mbart. Për këto çështje kaq madhore, PD nuk mund t`i mbyllë derë n askujt që do t`i bashkë ngjitet kësaj kauze. Ky nuk është një “bashkëpunim i lehtë “, siç e quani ju. Ky është një bashkëpunim i përcaktuar nga rrethanat ekstremalisht të rënda ku ndodhet vendi. PD-ja nuk mund të sillet si fëmijë egoist që përjashton këdo nga lodrat e veta, sepse opozitarizmi në këto rrethana është vital. PD-ja duhet të tërheqë pas vetes të gjithë, madje edhe socialistët e ndershëm që nuk janë dakord me Ramën dhe qeverisjen e tij, e jo më t`i mbyllë derën atyre që janë rreshtuar pas saj!
E keqja nuk mundet me slogane, por me forcën që rrethanat diktojnë. Fitorja e kësaj kauze eshtë në rrafshin politik, fitore e PD-së. Në rrafshin shoqëror, e të gjithë shqiptarëve!
GSH.al