Pas ndryshimeve që ndodhën në Hipotekë është zgjedhur edhe kreu i ri i ZRPP. Blerina Doracaj është larguar nga detyra në krye të Hipotekës, dhe në vend të saj emëruar Elion Semanaj.
Krye rregjistruesi i ri është zgjedhur me konkurs, i cili u hap ditë më parë.
Elion Semanaj u prezantua ditën e sotme nga Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj.
Nga ana tjetër, në korrik të këtij viti, kryeministri Rama u ka kërkuar dorëheqjen drejtorëve të Hipotekave në gjithë vendin, pasi sipas tij nuk e kishin bërë siç duhet punën për të cilën ishin ngarkuar.
Blerina Doracaj u emërua në krye të Hipotekave në 20 korrik 2017, pas shkarkimit të drejtorit teknik Arjan Bylykbashi, i propozuar nga PD që nga marrëveshja Rama-Basha më 18 maj.
Kush është Elion Semanaj:
Elion Semanaj lindi më 1 mars, 1977. Është diplomuar si jurist në Fakultetin e Drejtësisë, dega juridik, në Universitetin e Tiranës. Z. Semanaj ka një eksperiencë të gjatë në punë si jurist. Ai ka kryer detyrën e juristit në Autoritetin Portual, Durrës, për të vazhduar më tej, në Avokaturën e Përgjithshme të Shtetit. Z. Semanaj ka kryer funksionin si avokat ku ka përfaqësuar dhe mbrojtur në gjyq persona fizikë dhe juridikë apo konsulenca ligjore në fushën penale, civile, tregtare administrative, në hartim të kontratave dhe marrëveshjeve etj.
Nga muaji shtator i vitit 2013 e në vijim, z. Semanaj ka kryer detyrën e Zëvendësdrejtorit Ekzekutiv të Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore.
Ndërkohë që në maj të 2017 me Urdhër të Ministrit të Energjisë dhe Industrisë z.Damian Gjiknuri, Elion Semanaj është emëruar përkohësisht Drejtor Ekzekutiv i Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore.