MILOSAO

Gjuha si kulturë e komunikimit të padhunshëm

12:00 - 10.12.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

“Të ndryshuarit e mënyrës se si bota funksionon tingëllon
frikshëm, por komunikimi i pa dhunshëm na ndihmon të çlirohemi prej formave të vjetra të dhunës.” (L. Francis).
Pa më thuaj një fjalë, që këndshëm tingëllon,
që rrjedh qetë si uji, kur nga përroskat gurgullon,
një fjalë që shpirtin ma qetëson,
e nga veshi në zemër, këndshëm depërton.




 

Nga Behrim JUSUFI

 

Ç’ janë këto fjalë që buçasin, ngado që njerëzit kuvendojnë e flasin, përse të qetë mes vete s’diskutojnë, por njëri-tjetrit zërin ia çojnë? Sot, kur themi se bota është qytetëruar, ku arti dhe kultura janë zhvilluar, kur këmba e njeriut planetët tjera ka shkelë e eksploruar, por planetin mëmë pas dore e paska lënë. Mbase mund të themi se kemi përparuar, por mos vallë përparuan gjërat që nga dora e njeriut u bënë, kurse njeriu mbeti i harruar. Kulturë, ku njerëzit shahen duke polemizuar, kur në foltore dalin e thonë fjalë më të ndyra, fare pa hezituar. Ka kohë që njeriu e paska lënë në harresë kulturën, artin, mirësjelljen e bujarin, prej se u bë rob i asaj që ai me dorën e vetë e bëri, i anashkaloi dhuntitë të cilat i ka në vete dhe jashtë tij. E harroi gjuhën me të cilën dallohet qenia e tij.
Gjuha është, sikurse veç e dimë, sistem (shenjash), kurse të folurit është realizimi individual i atij sistemi. (Šipka, M., 2005:71). Në të folur të përditshëm, “ligjërimi” shënon thjesht aftësinë që kanë njerëzit për t’u marrë vesh midis tyre me anë shenjash tingullore. (Martinét, A., 2002:28). Meqë gjuha dhe të folurit si dhunti i janë dhënë njeriut, ai duhet ta dëshmojë këtë në jetën e tij si pjesë e komunitetit në të cilin jeton: për të menduar, logjikuar, komunikuar e vepruar me normat dhe parimet humane, me mirësjellje dhe etikë të lartë. Nuk ka rëndësi nëse bëhet fjalë për diskursin e rëndom, atij politik, ligjërimit në fakultet dhe të ngjashëm, kudo që individi dëshiron të shpreh mendimin e tij, ai duhet përdorur regjistrin që i përkon mesazhit çfarë ai synon të bart tek tjetri, duke treguar nivelin më të lartë të kulturës së të folurit.
Kultura e të folurit është manifestim i kulturës shpirtërore të njeriut. Ajo është shkallë e përsosmërisë vetjake të njeriut në të folur, zotërim i aftësisë së shprehjes së drejtë, të saktë dhe të rrjedhshme të mendimeve dhe ndjenjave personale dhe komunikimit të suksesshëm me pjesëtarë tjerë të bashkësisë folëse. Përkufizimi i këtillë i kulturës së të folurit, është i njëjtë sikurse arsimimi, në kuptimin më të gjerë. (Šipka, M., 2005:88). Meqë është manifestim shpirtëror, kultura e të folurit duhet të kultivohet, zhvillohet, gdhendet dhe ngulitet në shpirtin, zemrën dhe mendjen e individit si koncept, përmes të cilit ai do ta zbukurojë të jashtmen dhe brendësinë, materialen dhe shpirtëroren e tij, etikën e sjelljes dhe të ndërveprimit me të tjerë nga njëra anë, kurse nga ana tjetër do ta zbut shpirtit e zemrën. Një gjë e tillë do ta shpie në begatimin e gjuhës së folur me fraza mirësjelljeje në komunikimin e tij me masën e gjerë.
Mirëpo, jo gjithmonë njeriu vepron me vetëdije, ose shpreh një mendim përmes të folurit duke qenë i vetëdijshëm. Shpeshherë ndodh që individi të mos jetë në gjendje t’i kontrollojë situatat gjatë procesit të ligjërimit, përkatësisht të të folurit, një gjë e tillë atë e shpie në sjellje dhe në të folurit të pavetëdijshëm.
Është i rëndësishëm fakti që në të pavetëdijshmen nuk është e përfshirë vetëm ajo që është e lindur. Pikërisht, njohja e pavetëdijshme nuk duhet të jetë e lindur dhe universale, duke pasur parasysh në rrjedhën e të pavetëdijshmit me vetëdijen, që nënkupton shtypjen e dijes së caktuar prej vetëdijes në pavetëdije. Sipas të kuptuarit të Edward Sapirit, modelet e sjelljes gjuhësore dhe kulturore, varen prej mënyrës së të kuptuarit që krijohen me traditën në një popullatë të caktuar, d.m.th., bashkësi socio-kulturore. Edhe pse nuk është fjala për trashëgimi biologjike, ato modele mbillen thellë dhe formohen në të pavetëdijshmen e kolektivit. (Periæ, A., 2014:166).
Komunikimi i pa dhunshëm na dërgon në transformim të mënyrës në të cilën shprehemi dhe i dëgjojmë të tjerët. Fjalët tona në vend të reagimeve të zakonshme automatike bëhen përgjigje të vetëdijshme të bazuara fuqishëm në vetëdijen rreth asaj çfarë vërejmë, ndjejmë dhe dëshirojmë. Na orienton në të shprehurit e sinqertë dhe të qartë, e në të njëjtën kohë përqendrim të vëmendjes tek tjetri me respekt dhe ndjeshmëri. (Rosenberg, M., 2006:25). E njerëzishmja është sërish në modë, por jo me naivitet dhe me lule në flokë, por sepse është dëshmuar që është më efikase! Ekzistimi i të drejtave të njeriut dhe luftimi për to janë të vjetra sa vetë njeriu. Një prej të drejtave të patjetërsueshme, të pakushtëzuara dhe të fituara me lindje të tij është të jetë i trajtuar si qenie njerëzore me dinjitet. (Mandiæ, T., 2003:10).
Bukuria e gjuhës qëndron në dashurinë ndaj saj, e dashuria ndaj saj shprehet përmes të folurit me të, dhe së fundmi margaritari i gjuhës së folur është fjala e bukur dhe e këndshme, e shprehur me plot dashuri, mirëkuptim, respekt e ndjeshmëri.

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.